JETËSHKRIM
Gjeta diçka që ia kalon mjekësisë
«KJO që po më tregoni, është ëndrra e fëmijërisë sime!» Këto fjalë u thashë gjithë entuziazëm dy pacientëve të rinj në 1971-shin. Isha mjek i ri dhe sapo kisha hapur klinikën time. Kush ishin këta pacientë? Cila ishte ëndrra ime? Më lini t’ju tregoj si m’i ndryshoi përparësitë ajo bisedë dhe pse jam i sigurt që ëndrra e fëmijërisë sime do të realizohet së shpejti.
Linda në vitin 1941, në një familje të thjeshtë që jetonte në Paris, Francë. Më pëlqente shumë të mësoja gjëra të reja, prandaj përfytyroni sa u mërzita kur në moshën 10-vjeçare u sëmura me tuberkuloz dhe m’u desh ta ndërprisja shkollën. Mjekët më rekomanduan regjim shtrati që të mos i sforcoja mushkëritë. Ndaj për muaj të tërë e kalova kohën duke lexuar një fjalor dhe duke dëgjuar programet që transmetonte Radio Sorbona e Universitetit të Parisit. Më në fund, kur doktori tha se e kisha marrë veten e mund të kthehesha në shkollë, fluturova nga gëzimi. Thashë me vete: «Mjekët bëkan mrekullira!» Që nga ai moment, ëndrra ime ishte të shëroja njerëzit. Sa herë që babi më pyeste çfarë do të bëhesha kur të rritesha, përgjigjja ime ishte: «Dua të bëhem mjek!» Kështu rashë në dashuri me mjekësinë.
SHKENCA MË AFRON MË SHUMË ME PERËNDINË
Ndonëse familja ime ishte katolike, nuk dija shumë për Perëndinë dhe kisha plot pikëpyetje. U binda se ka një Krijues vetëm pasi fillova të studioja në universitet për mjekësi.
Më kujtohet si sot hera e parë që pashë me mikroskop qelizat e një tulipani. Ngela pa fjalë nga mënyra si reagonin pjesët e qelizës ndaj temperaturës së lartë dhe të ulët. Gjithashtu vërejta se citoplazma (një substancë brenda qelizës) tkurret në prani të kripës dhe zgjerohet në ujë të ëmbël. Falë këtyre reaksioneve dhe plot të
tjerave, organizmat përshtaten ndaj ndryshimeve të mjedisit. Kështu, duke vëzhguar kompleksitetin e jashtëzakonshëm të çdo qelize, u binda se jeta nuk erdhi rastësisht.Në vitin e dytë të universitetit, zbulova prova të tjera se Perëndia ekziston. Në lëndën e anatomisë studiuam se si struktura e parakrahut bën të mundur të përthyejmë dhe të drejtojmë gishtat. Vendosja dhe koordinimi i muskujve, ligamenteve dhe tendinave është një mrekulli inxhinierike. Për shembull, mësova se tendina që lidh njërin nga muskujt e parakrahut me kockën e dytë të çdo gishti ndahet në dy pjesë, duke i krijuar një nënkalim tendinës që lidhet me majën e gishtit. Gjithashtu, indet e forta i mbajnë të lidhura tendinat me kockat e gishtave. Pa këta mekanizma, tendinat do të ishin si të tendosura, dhe gishtat tanë nuk do të funksiononin mirë. Nuk pata më pikë dyshimi se trupi i njeriut ka një Projektues inteligjent.
Pastaj, ndërsa studioja procesin e lindjes së fëmijëve, m’u shtua edhe më shumë admirimi për Krijuesin e jetës. Mësova se një fetus i shëndetshëm furnizohet me oksigjen nga nëna, nëpërmjet kordonit umbelikal. Alveolat, struktura të vogla si qeska brenda mushkërive, ende nuk kanë filluar të funksionojnë. Ndërsa koha e lindjes afron, alveolat vishen me një substancë që quhet surfaktant. Pasi foshnja lind, një seri procesesh të jashtëzakonshme shoqërojnë frymëmarrjen e tij të parë. Si fillim mbyllet një vrimë në zemrën e bebit, dhe më pas gjaku pompohet drejt mushkërive. Në këtë moment kritik, surfaktanti nuk lejon që sipërfaqet e alveolave të ngjiten me njëra-tjetrën teksa mbushen menjëherë me ajër. Në këtë çast, i porsalinduri arrin të marrë frymë vetë.
Doja shumë të njihja Krijuesin e këtyre mrekullive, ndaj fillova ta lexoja seriozisht Biblën. U mahnita nga ligjet për pastërtinë që Perëndia u dha izraelitëve mbi 3.000 vjet më parë. Perëndia i udhëzoi të groposnin jashtëqitjet, të laheshin rregullisht me ujë dhe të karantinonin këdo që kishte simptoma të ndonjë sëmundjeje infektive. (Lev. 13:50; 15:11; Ligj. 23:13) Njohuria që pasqyron Bibla për përhapjen e sëmundjeve, u zbulua nga shkenca vetëm para 150 vitesh. Edhe ligjet për marrëdhëniet seksuale që përmban Levitiku, mbronin shëndetin e kombit. (Lev. 12:1-6; 15:16-24) Arrita në përfundimin se Krijuesi i dha këto ligje për të mirën e izraelitëve dhe se i bekoi ata që i zbatuan. Kjo më bindi se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia, një Perëndi që s’ia dija ende emrin.
NJOH BASHKËSHORTEN DHE GJEJ JEHOVAIN
Ndërsa po studioja për mjekësi, rashë në dashuri me një vajzë të re që quhej Lidia. U martuam në 1965-n, kur isha nga mesi i studimeve. Në vitin 1971 kishin lindur tre nga gjashtë fëmijët tanë. Lidia më ka mbështetur jashtëzakonisht, qoftë në profesionin si mjek, qoftë në familje.
Vep. 15:28, 29) Pastaj më treguan se Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë vuajtjet, sëmundjet dhe vdekjen. (Zbul. 21:3, 4) «Kjo që po më tregoni, është ëndrra e fëmijërisë sime!»—thashë me gjithë shpirt.—«Jam bërë mjek tamam për t’u sjellë lehtësim njerëzve.» Isha kaq entuziast sa folëm për një orë e gjysmë. Kur çifti u largua, në zemër s’isha më katolik. Mësova se Krijuesi që kisha admiruar aq shumë kishte një emër—Jehova.
Për tre vjet punova në një spital e pastaj hapa klinikën time. Pak pas kësaj, një çift i martuar, dy pacientët që përmenda në fillim, erdhën për t’u trajtuar në klinikë. Kur po mbushja recetën e burrit, e shoqja më tha: «Doktor, të lutem, nuk duam ilaçe që përmbajnë gjak.» Me habi i pyeta: «Vërtet? Pse jo?» Ajo ma ktheu: «Jemi Dëshmitarë të Jehovait.» Nuk kisha dëgjuar kurrë as për Dëshmitarët e Jehovait, as për pikëpamjen e tyre për gjakun. Gruaja nxori Biblën dhe më tregoi prej saj arsyen pse nuk merrnin gjak. (E takova çiftin tri herë në klinikë dhe çdo herë bisedat zgjatnin më shumë se një orë. Pastaj i ftova në shtëpi që të flisnim më shtruar rreth Biblës. Edhe Lidia filloi të studionte, por nuk e pranonte se disa doktrina katolike që kishim mësuar, ishin të rreme. Prandaj ftova një prift në shtëpi. Diskutuam rreth mësimeve të kishës deri natën vonë, duke përdorur vetëm Biblën. Pas kësaj Lidia u bind se Dëshmitarët e Jehovait mësonin të vërtetën. Me kohë, dashuria jonë për Perëndinë Jehova u rrit dhe, në vitin 1974, u pagëzuam që të dy.
VËMË JEHOVAIN NË VEND TË PARË
Ajo që mësova rreth qëllimit të Jehovait për njerëzit, ndikoi thellë te prioritetet e mia. Për mua dhe Lidian, shërbimi ndaj Jehovait u bë qendra e jetës. Ishim të vendosur t’i rritnim fëmijët sipas normave të Biblës, prandaj u mësuam të donin Jehovain dhe njerëzit. Kjo e mbajti familjen tonë të bashkuar.—Mat. 22:37-39.
Kur kthejmë kokën pas, unë dhe Lidia qeshim se sa përshtypje u bënte fëmijëve uniteti ynë si prindër. Ata e dinin se udhëzimi i Jezuit, kur themi ‘«po» të jetë «po» dhe «jo» të jetë «jo»’, ishte ligj në shtëpi. (Mat. 5:37) Për shembull, kur një nga vajzat ishte 17 vjeçe, Lidia nuk e la të dilte me një grup të rinjsh. Prandaj dikush nga grupi i tha: «Meqë mami s’të lë, pyet njëherë babin.» Por vajza ia ktheu: «Kot që të lodhem. Të njëjtën gjë do të më thotë edhe babi.» Po, që të gjashtë fëmijët e dallonin se ishim në një mendje kur flitej për të zbatuar parimet e Biblës. I jemi tej mase mirënjohës Jehovait që shumë pjesëtarë të familjes po i shërbejnë Atij.
Ndonëse e vërteta m’i ndryshoi prioritetet, doja që pasionin tim për mjekësinë ta përdorja në të mirën e shërbëtorëve të Jehovait. Prandaj, dola vullnetar për të shërbyer si mjek në Bethelin e Parisit e, më vonë, në Bethelin e ri në Luvje. Për pothuajse 50 vjet, kam shërbyer si vullnetar i jashtëm në Bethel. Në këto vite, kam zënë miqësi të ngushta me bethelitët, disa prej të cilëve janë te të 90-at. Një ditë më ndodhi një surprizë e bukur. Takova një bethelit të ri që, rreth 20 vjet më parë, kisha ndihmuar të vinte në jetë.
KAM PARË ME SYTË E MI SA KUJDESET JEHOVAI PËR POPULLIN E VET
Me kalimin e viteve, dashuria për Jehovain më është forcuar teksa kam parë si e drejton dhe e mbron popullin e tij nëpërmjet organizatës. Në fillim të viteve 80, Trupi Udhëheqës krijoi një program që të ndihmonte personelin mjekësor të kuptonte vendimin e pacientëve Dëshmitarë lidhur me gjakun.
Pastaj, më 1988, Trupi Udhëheqës formoi një repart të ri në Bethel të quajtur Shërbimi i Informacioneve Spitalore. Fillimisht ky repart mbikëqyrte Komitetet e Lidhjes me Spitalet (KLS-të) në Shtetet e Bashkuara. Këtë komitete ndihmonin pacientët Dëshmitarë të gjenin mjekë që respektonin bindjet tona për gjakun. Pastaj KLS-të u krijuan edhe në Francë, si në gjithë botën. Mahnitem kur shikoj me sa dashuri i mbështet organizata e Jehovait vëllezërit e motrat që kalojnë probleme me shëndetin.
NJË ËNDËRR E BËRË REALITET
Mjekësia ishte dashuria ime e parë. Por kur shqyrtova prioritetet në jetën time, kuptova se kishte më shumë rëndësi t’i ndihmoja njerëzit të njihnin dhe t’i shërbenin Burimit të jetës, Perëndisë Jehova, sesa thjesht t’i ndihmoja si mjek. Pasi dola në pension, unë dhe Lidia kalonim shumë orë duke predikuar lajmin e mirë si pionierë të rregullt. Edhe sot bëjmë gjithë sa kemi fuqi në këtë vepër jetëshpëtuese.
Ende përpiqem t’u vij në ndihmë të sëmurëve me aq sa mundem. Megjithatë e kam të qartë se as mjeku më i mirë nuk shëron dot çdo sëmundje dhe as nuk e ndal dot vdekjen. Mezi pres kohën kur të mos ketë më dhembje, sëmundje dhe vdekje. Në botën e re që është në prag, do të kem gjithë përjetësinë për të mësuar rreth krijimit të Perëndisë, ku përfshihet trupi ynë i projektuar në mënyrë të mrekullueshme. Megjithëse një copëz e ëndrrës së fëmijërisë sime është përmbushur, jam i bindur se më e mira është para nesh.