ARTIKULLI I STUDIMIT 7
«Vërua veshin fjalëve të të mençurve»
«Dëgjoji dhe vërua veshin fjalëve të të mençurve.» —PROV. 22:17.
KËNGA 123 Besnikë ndaj Jehovait dhe teokracisë
PËRMBLEDHJE *
1. Në cilat mënyra mund të marrim këshilla, dhe pse të gjithë kemi nevojë për to?
TË GJITHË kemi nevojë për këshilla herë pas here. Në disa raste ndoshta marrim iniciativën t’i kërkojmë këshilla dikujt që e respektojmë. Në raste të tjera, një vëlla që ka merak për ne, mund të na vërë në dukje se po rrezikojmë të hedhim një «hap të gabuar», për të cilin do të bëhemi pishman. (Gal. 6:1) Këshillat mund të jenë edhe një ndreqje që na jep dikush pasi kemi bërë një gabim të rëndë. Në çfarëdo forme të vijnë këshillat, duhet t’ua vëmë veshin. Kjo na sjell dobi dhe mund të na shpëtojë jetën.—Prov. 6:23.
2. Në harmoni me Proverbat 12:15 dhe shënimin, pse duhet t’ua vëmë veshin këshillave?
2 Shkrimi kryesor i artikullit na nxit ‘t’ua vëmë veshin fjalëve të të mençurve’. (Prov. 22:17) Asnjë njeri nuk di çdo gjë; ekziston gjithmonë dikush që ka më shumë njohuri ose më shumë përvojë se ne. (Lexo Proverbat 12:15 dhe shënimin.) Prandaj është shenjë përulësie t’ua vëmë veshin këshillave. Kjo tregon se jemi të vetëdijshëm për kufizimet tona dhe se e kuptojmë që na duhet ndihmë për t’i arritur synimet. Mbreti i mençur Solomon shkroi nën frymëzim: «Planet . . . plotësohen me shumë këshilltarë.»—Prov. 15:22.
3. Në ç’mënyra mund t’i marrim këshillat?
3 Këshillat mund të jenë të tërthorta ose të drejtpërdrejta. Si i marrim këshillat e tërthorta? Ndoshta lexojmë diçka në Bibël ose në një nga botimet tona që na bën të ndalemi e të mendojmë për mënyrën si po veprojmë dhe na nxit të bëjmë ndryshime. (Hebr. 4:12) Këto janë këshilla të tërthorta. Po këshillat e drejtpërdrejta, si i marrim? Një plak ose një vëlla tjetër i pjekur mund të na e drejtojë vëmendjen te një pikë ku kemi nevojë të punojmë. Këto janë këshilla të drejtpërdrejta. Nëse dikush na do aq shumë sa të na japë këshilla të bazuara te Bibla, duhet ta tregojmë mirënjohjen duke ia vënë veshin këshillës dhe duke bërë çmos ta zbatojmë.
4. Sipas Eklisiastiut 7:9, çfarë nuk duhet të bëjmë kur marrim këshilla?
4 Për të qenë të sinqertë, këshillat e drejtpërdrejta mund të jenë më të vështirat për t’u pranuar. Madje edhe mund të fyhemi prej tyre. Pse? Ndonëse e pranojmë pa problem se jemi të papërsosur, mund ta kemi të vështirë t’i pranojmë këshillat kur dikush na vë në dukje një të metë specifike. (Lexo Eklisiastiun 7:9.) Prandaj mund të justifikohemi. Mund të dyshojmë për motivet e atij që na këshilloi ose mund të ndihemi të fyer nga mënyra si na e dha këshillën. Madje edhe mund të kapemi pas të metave të tij, duke menduar: «Ç’të drejtë ka ai të më këshillojë mua? Se mos është më i mirë vetë!» Veç kësaj, nëse këshilla që marrim nuk na pëlqen, mund ta shpërfillim ose mund të kërkojmë këshilla të tjera që na shkojnë për shtat.
5. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
5 Në këtë artikull do të ndalemi te shembulli i disa personazheve të Biblës që i hodhën poshtë këshillat dhe i disa të tjerëve që i pranuan. Do të shohim edhe çfarë do të na ndihmojë t’i pranojmë këshillat e të nxjerrim dobi prej tyre.
ATA I HODHËN POSHTË KËSHILLAT
6. Çfarë mësojmë nga mënyra si reagoi mbreti Rehoboam ndaj këshillave që mori?
6 Të ndalemi pak te shembulli i Rehoboamit. Kur u bë mbret i Izraelit, nënshtetasit e tij shkuan t’i bënin një kërkesë. I kërkuan t’ua lehtësonte barrën që u kishte vënë mbi supe babai i tij, Solomoni. Rehoboami bëri një gjë të mençur: u konsultua me pleqtë e Izraelit se çfarë përgjigje t’i jepte popullit. Pleqtë e këshilluan mbretin se, po t’ua plotësonte kërkesën, populli do ta përkrahte gjithmonë. (1 Mbret. 12:3-7) Me sa duket, Rehoboami nuk mbeti i kënaqur nga ajo këshillë, prandaj u kërkoi këshilla burrave me të cilët ishte rritur. Ka të ngjarë që ata të ishin në të 40-at, prandaj duhet të kenë pasur njëfarë përvoje në jetë. (2 Kron. 12:13) Mirëpo në atë rast, i dhanë Rehoboamit një këshillë të keqe: e këshilluan t’ia bënte akoma më të rëndë barrën popullit. (1 Mbret. 12:8-11) Përballë atyre dy opinioneve të kundërta, Rehoboami mund t’i ishte lutur Jehovait dhe ta pyeste cilën këshillë të ndiqte. Por në vend të kësaj, vendosi të pranonte këshillën që iu duk më e leverdishme dhe veproi siç i thanë më të rinjtë. Pasojat ishin katastrofike si për Rehoboamin, edhe për popullin e Izraelit. Edhe në rastin tonë, një këshillë që marrim mund të mos jetë gjithmonë ajo që duam të dëgjojmë. Sidoqoftë, nëse bazohet te Fjala e Perëndisë, duhet ta pranojmë.
7. Çfarë na mëson shembulli i mbretit Uziah?
7 Mbreti Uziah hodhi poshtë një këshillë. Ai hyri në një pjesë të tempullit të Jehovait ku lejohej të shkonin vetëm priftërinjtë dhe u orvat të paraqiste temjan. Priftërinjtë e Jehovait i thanë: «Nuk të takon ty, o Uziah, të djegësh temjan për Jehovain! Vetëm priftërinjtë duhet të djegin temjan.» Si reagoi Uziahu? Po ta kishte pranuar me përulësi këshillën dhe të ishte larguar në çast nga tempulli, Jehovai mund ta kishte falur. Mirëpo në vend të kësaj, «Uziahu . . . u tërbua». Pse e hodhi poshtë atë këshillë? Me sa duket mendonte se, si mbret që ishte, kishte të drejtë të bënte ç’të donte. Por Jehovai i shihte gjërat ndryshe. Si pasojë e atij veprimi arrogant, Uziahu u godit me lebër dhe «mbeti i lebrosur deri ditën kur vdiq». (2 Kron. 26:16-21) Shembulli i Uziahut na mëson se, pavarësisht kush jemi, nëse i hedhim poshtë këshillat e bazuara te Bibla, do të humbim miratimin e Jehovait.
ATA I PRANUAN KËSHILLAT
8. Si reagoi Jobi ndaj këshillave?
8 Ndryshe nga shembujt paralajmërues që shqyrtuam, në Bibël gjejmë edhe shembujt e mirë të atyre që i pranuan këshillat dhe u bekuan. Të mendojmë për Jobin. Ai kishte nderim të thellë për Perëndinë, por gjithsesi ishte i papërsosur. Jobi shprehu disa pikëpamje të shtrembra kur ishte nën një presion të tmerrshëm. Si pasojë, mori këshilla të drejtpërdrejta nga Elihu dhe nga Jehovai. Si reagoi? Jobi i pranoi me përulësi këshillat. Ai tha: «Fola, por pa kuptuar . . . I tërheq ato që thashë, pendohem dhe ulem në pluhur e në hi.» Jehovai e bekoi Jobin për përulësinë që tregoi.—Jobi 42:3-6, 12-17.
9. Si reagoi Moisiu kur mori një këshillë, dhe pse është një shembull i mirë?
9 Moisiu la një shembull të mirë duke e pranuar korrigjimin pasi bëri një gabim të rëndë. Në një rast, ai veproi me gjaknxehtësi e nuk i dha Jehovait nderimin që meritonte. Si pasojë, humbi privilegjin për të hyrë në Tokën e Premtuar. (Num. 20:1-13) Kur shprehu zhgënjimin dhe shpresën që ai vendim të ndryshonte, Jehovai i tha: «Mos më fol më kurrë për këtë gjë.» (Ligj. 3:23-27) Moisiu nuk mblodhi mllef përbrenda. Përkundrazi, e pranoi vendimin e Jehovait, dhe Jehovai vazhdoi ta përdorte për të udhëhequr Izraelin. (Ligj. 4:1) Edhe Jobi, edhe Moisiu i pranuan këshillat dhe janë shembuj të mirë për ne. Jobi e ndreqi pikëpamjen e vet dhe nuk nxori justifikime. Moisiu tregoi se e kishte pranuar këshillën e Jehovait duke qëndruar besnik edhe pasi humbi një privilegj që ishte i shtrenjtë për të.
10. (a) Sipas Proverbave 4:10-13, cilat dobi vijnë kur i pranojmë këshillat? (b) Çfarë shembulli të shkëlqyer kanë lënë disa që morën këshilla?
10 Nxjerrim dobi kur imitojmë shembullin e besnikëve si Jobi dhe Moisiu. (Lexo Proverbat 4:10-13.) Pikërisht kështu kanë bërë shumë vëllezër e motra. Emanueli, një vëlla që jeton në Kongo, thotë për një paralajmërim që mori: «Disa vëllezër të pjekur në kongregacion e kuptuan se po vija në rrezik marrëdhënien me Jehovain dhe më erdhën në ndihmë. Ua vura veshin këshillave të tyre, e kështu i kurseva vetes shumë telashe.» * Një pioniere në Kanada që quhet Megan, thotë për këshillat: «Nuk janë gjithmonë ajo që dua të dëgjoj, por janë ajo që kam nevojë të dëgjoj.» Gjithashtu, një vëlla nga Kroacia që quhet Marko, thotë: «Humba një privilegj në kongregacion, por kur hedh vështrimin pas, e kuptoj se këshillat që mora më ndihmuan të gëzoja prapë një miqësi të fortë me Jehovain.»
11. Pse duhet t’i pranojmë këshillat, sipas asaj që tha vëlla Karl Klajni?
11 Dikush tjetër që nxori dobi ngaqë pranoi një këshillë ishte vëlla Karl Klajni, që shërbeu si anëtar i Trupit Udhëheqës. Në jetëshkrimin e tij, vëlla Klajni përmendte një rast kur Xhozef Radhërfordi, me të cilin kishte shumë miqësi, i dha një këshillë të fortë. Vëlla Klajni e pranoi se në fillim nuk reagoi mirë ndaj këshillës. Ai tha: «Herën tjetër që u pamë, [vëlla Radhërfordi] më përshëndeti gjithë qejf: ‘Ç’kemi Karl!’ Por unë isha akoma i mërzitur, prandaj vetëm sa e përshëndeta nëpër dhëmbë. Ai më tha: ‘Karl, hap sytë! Djalli të është qepur pas!’ I turpëruar, ia ktheva: ‘Po jo, s’kam gjë vëlla Radhërford.’ Por ai e kuptoi se po ushqeja mëri, prandaj ma përsëriti paralajmërimin: ‘S’ka problem. Vetëm hap sytë. Djalli të është qepur pas.’ Sa të drejtë kishte! Kur i mbajmë inat një vëllai, sidomos për diçka me vend që ia do puna të na e thotë, Djalli mund të na zërë në kurth kollaj.» * (Efes. 4:25-27) Vëlla Klajni e pranoi këshillën e vëlla Radhërfordit, dhe ata vazhduan të ishin miq të ngushtë.
ÇFARË MUND TË NA NDIHMOJË T’I PRANOJMË KËSHILLAT?
12. Si na ndihmon përulësia t’i pranojmë këshillat? (Psalmi 141:5)
12 Çfarë mund të na ndihmojë t’i pranojmë këshillat? Duhet të jemi të përulur, duke mos harruar se jemi të papërsosur dhe se ndonjëherë mund të mendojmë ose të veprojmë marrëzisht. Siç e përmendëm më sipër, Jobi kishte disa pikëpamje të gabuara. Por më vonë e ndreqi mënyrën si mendonte, dhe Jehovai e bekoi për këtë. Pse? Sepse Jobi ishte i përulur. Ai e tregoi përulësinë duke i pranuar këshillat që i dha Elihu, ndonëse Elihu ishte shumë më i ri. (Jobi 32:6, 7) Përulësia do të na ndihmojë edhe ne ta zbatojmë një këshillë, edhe kur mendojmë se nuk e meritojmë ose kur ai që na e jep është më i ri. Një plak në Kanada thotë: «Nuk e shohim dot veten siç na shohin të tjerët, prandaj si mund të përparojmë nëse nuk na këshillon njeri?!» E kush nga ne nuk ka nevojë të përparojë, duke kultivuar më tej frytin e frymës dhe duke u bërë më i aftë në shërbim?—Lexo Psalmin 141:5.
13. Si duhet t’i shohim këshillat që marrim?
13 Shikoji këshillat si një shprehje e dashurisë së Perëndisë. Jehovai do më të mirën për ne. (Prov. 4:20-22) Kur na këshillon me anë të Fjalës së tij, një botimi të bazuar te Bibla ose një bashkëbesimtari të pjekur, tregon sa shumë na do. «Ai e bën këtë për dobinë tonë»,—thotë Hebrenjve 12:9, 10.
14. Ku duhet të përqendrohemi kur marrim këshilla?
14 Përqendrohu te brendia, jo te «paketimi». Ndonjëherë mund të mos na pëlqejë mënyra si na u dha një këshillë. Sigurisht, kushdo që jep një këshillë duhet të përpiqet ta japë në një mënyrë që të jetë sa më e lehtë për t’u pranuar. * (Gal. 6:1) Gjithsesi, kur marrim një këshillë, bëjmë mirë të përqendrohemi te përmbajtja e saj—edhe nëse mendojmë se nuk u dha në mënyrën e duhur. Mund të pyesim veten: «Edhe nëse nuk më pëlqen mënyra si u dha këshilla, a ka diçka të vërtetë brenda saj? A mund të shoh përtej të metave të atij që më këshilloi dhe të nxjerr dobi nga këshilla?» Tregohemi të mençur kur gjejmë një mënyrë për të nxjerrë dobi nga çdo këshillë që marrim.—Prov. 15:31.
KËRKO KËSHILLA DHE NXIRR DOBI
15. Pse duhet të kërkojmë këshilla?
15 Bibla na nxit të kërkojmë këshilla. Te Proverbat 13:10 thuhet: «Mençuria u përket atyre që kërkojnë këshilla.» Sa e vërtetë! Zakonisht ata që kërkojnë këshilla dhe nuk presin thjesht që dikush t’i këshillojë, bëhen shërbëtorë më të pjekur të Jehovait. Prandaj merr iniciativën të kërkosh këshilla.
16. Në cilat situata mund të kërkojmë këshilla?
16 Në cilat raste mund të kërkojmë këshilla nga një vëlla a një motër? Ja disa situata të mundshme: (1) Një motër fton një lajmëtare me përvojë ta shoqërojë në një studim, e pastaj i kërkon këshilla si të bëhet mësuese më e zonja. (2) Një motër beqare ka qejf të blejë një palë pantallona, prandaj pyet një motër të pjekur se çfarë mendon sinqerisht për pantallonat që ka zgjedhur. (3) Një vëlla është caktuar të mbajë fjalimin e parë publik. Ai i kërkon një oratori me përvojë ta dëgjojë me kujdes ndërsa mban fjalimin dhe t’i japë ndonjë këshillë se si të përmirësohet. Edhe një vëlla që ka mbajtur fjalime prej vitesh bën mirë t’u kërkojë sugjerime oratorëve me përvojë dhe t’i zbatojë këshillat që merr.
17. Si mund të nxjerrim dobi nga këshillat?
17 Në javët a muajt që do të vijnë, të gjithë do të marrim këshilla—qoftë të drejtpërdrejta, qoftë të tërthorta. Në ato raste, sill ndër mend pikat që shqyrtuam. Vazhdo të jesh i përulur. Përqendrohu te brendia e këshillës, jo te mënyra si jepet. Dhe vepro sipas këshillës që merr. Askush nga ne nuk ka lindur i mençur. Ama, kur ‘e dëgjojmë këshillën dhe e pranojmë disiplinën,’ Fjala e Perëndisë na premton se ‘do të bëhemi të mençur’.—Prov. 19:20.
KËNGA 124 Përherë besnik
^ par. 5 Shërbëtorët e Jehovait e dinë sa e rëndësishme është t’ua vënë veshin këshillave të bazuara te Bibla. Ama nuk është gjithmonë e lehtë t’i pranojmë këshillat. Pse ndodh kështu? Dhe çfarë mund të na ndihmojë të nxjerrim dobi nga këshillat që marrim?
^ par. 10 Disa emra janë ndryshuar.
^ par. 11 Shih Kullën e Rojës të 1 tetorit 1984, f. 21-28, anglisht.
^ par. 14 Në artikullin tjetër, do të shohim si mund të tregojnë takt ata që japin këshilla.