ARTIKULLI I STUDIMIT 51
KËNGA 3 Jehova, ti më jep forcë, shpresë dhe siguri
Lotët e tu janë të çmuar për Jehovain
«Të lutem, mblidhmi lotët në calikun tënd. A nuk i ke shkruar një për një në librin tënd?»—PSAL. 56:8.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Do të shohim se Jehovai e kupton më së miri dhembjen e shpirtit tonë dhe do të na sigurojë gjithë ngushëllimin që na nevojitet.
1-2. Për cilat arsye mund të derdhim lot?
TË GJITHËVE na ka ndodhur të derdhim lot gjatë jetës. Ndoshta ke derdhur lot gëzimi kur e ke pasur zemrën plot. Mbase ke qarë kur të ndodhi diçka e rëndësishme ose speciale—për shembull, kur u bëre me fëmijë, kur të erdhi ndër mend një kujtim i bukur ose kur takove një mik të shtrenjtë që nuk e kishe parë prej vitesh.
2 Por në shumicën e rasteve, lotët janë pasqyrë e plagës së zemrës. Për shembull, mund të mos i mbajmë dot lotët pas një zhgënjimi a lëndimi të madh. Mund të qajmë kur kemi dhembje therëse nga një sëmundje që na mundon prej kohësh a kur jemi të pikëlluar nga humbja e një njeriu të dashur. Në raste të tilla, mund të ndihemi si profeti Jeremia kur babilonasit shkatërruan Jerusalemin. Ai tha: «Lotët më rrjedhin lumë. . . . Jam mbytur në lot e do të qaj pa pushim.»—Vajt. 3:48, 49.
3. Si ndihet Jehovai kur sheh se vuajmë? (Isaia 63:9)
3 Jehovai e di mirë sa lot kemi derdhur për shkak të situatave stresuese. Bibla na siguron se ai sheh çdo situatë të dhimbshme që kalojmë dhe i dëgjon thirrjet tona për ndihmë. (Psal. 34:15) Por jo thjesht na sheh e na dëgjon. Si një prind i dashur, ai preket thellë kur sheh se fëmijët e vet qajnë dhe mezi pret t’u vejë në ndihmë.—Lexo Isainë 63:9.
4. Ç’mund të na mësojnë disa shembuj të Biblës për Jehovain?
4 Jehovai na ka zbuluar në Bibël se si ka reaguar kur shërbëtorët e tij kanë derdhur lot. Të shohim, për shembull, rastin e Hanës, të Davidit dhe të mbretit Hezekia. Për ç’arsye derdhën lot? Si iu përgjigj Jehovai thirrjes së tyre për ndihmë? Dhe si mund të na ngushëllojë shembulli i tyre kur derdhim lot nga hidhërimi, nga një tradhti a nga dëshpërimi?
LOT HIDHËRIMI
5. Si ndihej Hana për shkak të situatës së saj?
5 Hanës i ranë një sërë problemesh që e bënë të derdhte lot hidhërimi. Për shembull, burri i saj ishte i martuar edhe me një grua tjetër, me Peninën, e cila e trajtonte me përçmim Hanën. Si të mos mjaftonte kjo, Hana nuk kishte fëmijë, kurse Penina kishte disa. (1 Sam. 1:1, 2) Penina e tallte pa pushim Hanën ngaqë nuk lindte dot. Si do të ishe ndier ti në një situatë të tillë? Hana ishte aq e brengosur sa «qante e nuk hante» dhe e kishte ‘shpirtin të hidhëruar’.—1 Sam. 1:6, 7, 10.
6. Si gjeti ngushëllim Hana?
6 Çfarë ia ngushëlloi zemrën Hanës? Një nga gjërat që e ndihmoi ishte vajtja në tabernakull, në qendrën e adhurimit të vërtetë. Atje, ndoshta diku pranë hyrjes së oborrit të tabernakullit, «zuri t’i lutej Jehovait e të qante pa pushim». Ajo iu përgjërua: ‘Shihe brengën e shërbëtores sate e më kujto.’ (1 Sam. 1:10b, 11) Hana ia zbrazi zemrën Jehovait në lutje. Kushedi sa duhet të jetë prekur ai kur pa lotët e asaj bije të shtrenjtë!
7. Si u ndie Hana pasi ia hapi zemrën Jehovait?
7 Si u ndie Hana pasi ia hapi zemrën Jehovait dhe dëgjoi fjalët siguruese të kryepriftit Eli? Bibla thotë: «Pastaj u largua, hëngri dhe nuk dukej më e dëshpëruar.» (1 Sam. 1:17, 18) Edhe pse situata e saj stresuese nuk kishte ndryshuar ende, Hana u ndie e lehtësuar. Ajo ia kishte hedhur Jehovait barrën emocionale. Ai e pa vuajtjen e saj, ia dëgjoi përgjërimin dhe më vonë e bekoi me fëmijë.—1 Sam. 1:19, 20; 2:21.
8-9. Në harmoni me Hebrenjve 10:24, 25, pse duhet të bëjmë çmos t’i ndjekim mbledhjet? (Shihni edhe figurën.)
8 Mësime për ne. A po kalon një situatë të vështirë që të bën të qash me hidhërim? Mbase je i pikëlluar për vdekjen e një pjesëtari të familjes ose të një miku. Në raste të tilla është normale të duash të rrish vetëm. Gjithsesi, kujto shembullin e Hanës. Ajo shkoi në tabernakull dhe atje Jehovai ia ngushëlloi zemrën. Jehovai do të të ngushëllojë edhe ty kur shkon në mbledhje—edhe nëse nuk je në ditën tënde më të mirë. (Lexo Hebrenjve 10:24, 25.) Ndërsa dëgjojmë në mbledhje vargje inkurajuese nga Bibla, Jehovai mund të na ndihmojë t’i zëvendësojmë mendimet negative me mendime pozitive. Si rezultat, do të ndihemi më të lehtësuar, edhe nëse situata jonë nuk përmirësohet menjëherë.
9 Veç kësaj, në mbledhjet tona gëzojmë shoqërinë e bashkëbesimtarëve të dhembshur. Meraku dhe dashuria e tyre mund të na çelin. (1 Sel. 5:11, 14) Le të shohim rastin e një pionieri special, të cilit i vdiq gruaja. Ai u shpreh: «Akoma derdh lot për time shoqe. Ndonjëherë ulem në një qoshe dhe vetëm qaj. Por mbledhjet kanë qenë burim i madh inkurajimi. Fjalët e ngrohta të vëllezërve e motrave ma lehtësojnë dhembjen. Edhe pse para mbledhjes mund të jem shumë në ankth ose i shqetësuar, aty ndihem gjithmonë më mirë.» Kur jemi në mbledhje, Jehovai mund të përdorë vëllezërit e motrat që të na bëhen krah.
10. Si mund ta imitojmë Hanën kur e kemi zemrën të vrarë?
10 Hana gjeti ngushëllim edhe duke i treguar Jehovait gjithë sa kishte thellë në shpirt. Edhe ti mund ‘t’ia hedhësh gjithë ankthin tënd’ Jehovait, plotësisht i sigurt se do të të dëgjojë. (1 Pjet. 5:7) Një motër, së cilës i vranë burrin gjatë një grabitjeje me armë, kujtonte: «Më dukej sikur më ishte bërë zemra copë e çikë dhe nuk do ta merrja veten kurrë. Por sa herë i lutesha Atit tim të dashur, Jehovait, gjeja lehtësim e ngushëllim. Ndonjëherë nuk gjeja dot fjalët e duhura, ama ai më kuptonte. Sa herë që isha copë-copë, i lutesha për paqe. E menjëherë ndieja se zemrën e mendjen m’i kaplonte paqja dhe merrja forcë që t’ia dilja mbanë edhe atë ditë.» Kur i shpreh meraqet e tua më të thella, Jehovai e kupton dhembjen e zemrës sate dhe i pikon në shpirt nga lotët e tu të hidhërimit. Edhe nëse situata që të shkakton ankth vazhdon, Jehovai mund të të ngushëllojë dhe të të japë paqe në zemër. (Psal. 94:19; Filip. 4:6, 7) Ai do ta shpërblejë qëndrueshmërinë dhe besnikërinë tënde.—Hebr. 11:6.
LOT NGA NJË TRADHTI
11. Si u ndie Davidi për shkak të situatave të vështira?
11 Gjatë jetës së tij, Davidi përballoi një sërë situatash të vështira që e bënë të derdhte lot. Iu desh të duronte armiqësinë e disave, madje edhe tradhtinë e njerëzve të besuar. (1 Sam. 19:10, 11; 2 Sam. 15:10-14, 30) Në një rast, ai shkroi: «Ma lodhën shpirtin gjithë këto rënkime; me lot e mbuloj shtratin tim tërë natën, me të qara e mbyt krevatin.» Pse ndihej ashtu Davidi? Ai shpjegoi: «Se të gjithë më bien në qafë.» (Psal. 6:6, 7) Veprimet dashakeqe të të tjerëve i shkaktuan aq shumë dhembje Davidit, sa nuk i mbante dot lotët.
12. Siç tregon Psalmi 56:8, për çfarë s’kishte pikë dyshimi Davidi?
12 Edhe pse hoqi goxha në jetë, Davidi s’kishte pikë dyshimi se Jehovai e donte. Ai shkroi: «Jehovai do ta dëgjojë ngashërimin tim.» (Psal. 6:8) Në një rast tjetër, Davidi shkroi fjalët mjaft poetike që lexojmë te Psalmi 56:8. (Lexoje.) Ky shkrim është një tablo prekëse e merakut dhe e dashurisë së Jehovait. Davidi ndihej sikur Jehovai ia mblidhte lotët në një calik ose i shkruante në një libër. Ai ishte i sigurt se Ati i tij i dashur e vërente dhe e kujtonte dhimbjen e tij. Davidi ishte i bindur se Jehovai e dinte mirë jo vetëm çfarë kishte kaluar, por edhe si kishin ndikuar sprovat tek ai nga ana emocionale.
13. Çfarë nuk duhet të harrojmë kur na zhgënjen dikush? (Shihni edhe figurën.)
13 Mësime për ne. A e ke zemrën të thyer ngaqë të ka zhgënjyer a tradhtuar dikush që i besoje? Mbase po vuan emocionalisht sepse periudha jote e njohjes ose martesa mori fund papritur a ndoshta se një njeriu yt i dashur nuk i shërben më Jehovait. Një vëlla, gruaja e të cilit kreu kurorëshkelje dhe e braktisi, tha: «Isha i shokuar dhe s’arrija ta besoja. Ndihesha i pavlerë, i trishtuar dhe i zemëruar.» Nëse të ka tradhtuar ose zhgënjyer dikush, merr zemër nga siguria se Jehovai s’do të të braktisë kurrë. I njëjti vëlla shtonte: «Kam kuptuar se edhe sikur njerëzit të të kthejnë shpinën, Jehovai është gjithmonë Shkëmbi ynë. Çfarëdo që të ndodhë, ai do të jetë përherë krah nesh. Jehovai s’ka për t’i braktisur besnikët e vet.» (Psal. 37:28) Mos harro edhe se dashuria që ka Jehovai për ty ia tejkalon dashurisë së çdo njeriu. Sado dhimbje të të shkaktojë një tradhti, ajo nuk e ndryshon aspak dashurinë e thellë që ndien Jehovai për ty. (Rom. 8:38, 39) Pika është kjo: pavarësisht se si të ka trajtuar dikush, Ati yt qiellor të do!
14. Për çfarë na siguron Psalmi 34:18?
14 Kur na tradhtojnë, mund të marrim forcë nga fjalët siguruese të Davidit te Psalmi 34:18. (Lexoje.) Një vepër referimi thotë se shprehja «ata që e kanë shpirtin të dërrmuar» mund të ketë kuptimin «ata që nuk presin asgjë të mirë në të ardhmen». Si reagon Jehovai ndaj atyre që e kanë zemrën vrer nga zhgënjimi? Ashtu si një prind i dashur që e përqafon dhe e ngushëllon fëmijën që po vuan, Jehovai ‘na rri pranë’—përherë i dhembshur dhe gati të na ndihmojë nëse jemi shpirtvrarë nga një tradhti ose një humbje. Ai mezi pret të na e ngushëllojë zemrën e thyer dhe të plagosur. E na ka dhënë plot gjëra të mira që i presim me padurim, të cilat na ndihmojnë të tregojmë qëndrueshmëri në sprova.—Isa. 65:17.
LOT DËSHPËRIMI
15. Pse ia dha të qarit Hezekia?
15 Kur ishte 39 vjeç, mbreti i Judës, Hezekia, mori vesh se kishte një sëmundje vdekjeprurëse. Profeti Isaia i përcolli mesazhin e Jehovait se do të vdiste nga ajo sëmundje. (2 Mbret. 20:1) Dukej se për Hezekinë nuk kishte më shpresë. I shkatërruar nga ky lajm, Hezekia ia dha të qarit. Ai nisi t’i lutej me zjarr Jehovait.—2 Mbret. 20:2, 3.
16. Si reagoi Jehovai ndaj përgjërimit dhe lotëve të Hezekisë?
16 Jehovai u prek nga përgjërimi e nga lotët e Hezekisë, ndaj i tha plot dhembshuri: «E dëgjova lutjen tënde. I pashë lotët e tu. Ja, unë po të shëroj.» Me anë të profetit Isaia, Jehovai i premtoi se do t’ia zgjaste jetën dhe do ta shpëtonte Jerusalemin nga duart e asirianëve.—2 Mbret. 20:4-6.
17. Si na mbështet Jehovai kur kemi probleme shëndetësore serioze? (Psalmi 41:3) (Shihni edhe figurën.)
17 Mësime për ne. A vuan nga një problem shëndetësor që duket se s’ka shërim? Lutju Jehovait, qoftë edhe me lot në sy. Bibla na siguron se «Ati i mëshirshëm e zemërdhembshur dhe Perëndia i çdo ngushëllimi» do të na japë zemër në të gjitha sprovat tona. (2 Kor. 1:3, 4) Sot nuk mund të presim që Jehovai të na i heqë të gjitha problemet, por mund të jemi të sigurt se do të na mbështetë. (Lexo Psalmin 41:3.) Me anë të frymës së tij të shenjtë, Jehovai na jep forcë, mençuri dhe paqe të brendshme që t’ia dalim mbanë. (Prov. 18:14; Filip. 4:13) Gjithashtu, na ngushëllon me anë të shpresës që gjejmë në Bibël se në të ardhmen do të zhduket çdo sëmundje.—Isa. 33:24.
18. Cili shkrim të ka dhënë zemër përballë një situate tejet të vështirë? (Shihni kutinë « Vargje që na qetësojnë zemrën dhe na thajnë lotët».)
18 Hezekia u ngushëllua nga fjalët e Jehovait. Edhe ne mund të gjejmë ngushëllim në Bibël. Jehovai ka ruajtur në të fjalë që na çelin e na freskojnë shpirtin kur përballemi me situata stresuese. (Rom. 15:4) Një motër në Afrikën Perëndimore që u diagnostikua me kancer, qante shpesh. Ajo tregon: «Një nga shkrimet më ngushëlluese për mua është Isaia 26:3. Vërtet, zakonisht nuk e kemi në dorë çfarë sprovash do të kalojmë. Por ky varg më siguron se Jehovai na jep atë paqe të brendshme, falë së cilës mund të kemi në dorë mënyrën si reagojmë në sprova.» Po ti, a ke një shkrim që të jep veçanërisht zemër kur përballesh me situata tejet sprovuese, mbase në dukje të pashpresa?
19. Ç’e ardhme na pret?
19 Ngaqë po jetojmë thellë në ditët e fundit, presim të shtohen vështirësitë që na bëjnë të derdhim lot. Sidoqoftë, siç e pamë nga shembulli i Hanës, i Davidit dhe i mbretit Hezekia, Jehovai i sheh lotët tanë dhe preket thellë prej tyre. Lotët tanë janë tejet të çmuar për të. Ndaj, kur jemi në vështirësi, duam t’ia zbrazim zemrën Jehovait në lutje. Kurrë të mos izolohemi nga motrat e vëllezërit e dashur në kongregacion. Dhe le të vazhdojmë të gjejmë ngushëllim te fjalët qetësuese të Biblës. Mund të jemi të sigurt se po të tregojmë qëndrueshmëri, Jehovai do të na shpërblejë. Këtu përfshihet plotësimi i premtimit të mrekullueshëm se, me kohë, ai do të fshijë nga sytë tanë çdo lot hidhërimi, zhgënjimi dhe dëshpërimi. (Zbul. 21:4) Në atë kohë, të vetmet lot që do të derdhim, do të jenë lotët e gëzimit.
KËNGA 4 «Jehovai është Bariu im»