Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 10

Ti mund ta zhveshësh «personalitetin e vjetër»

Ti mund ta zhveshësh «personalitetin e vjetër»

«Zhvishni personalitetin e vjetër me zakonet e tij.» —KOLOS. 3:9.

KËNGA 29 Të sjelltë lavdi, Atë, e gjithë jeta jonë!

PËRMBLEDHJE *

1. Si ishte jeta jote para se të studioje Biblën?

 SI ISHTE jeta jote para se të studioje Biblën me Dëshmitarët e Jehovait? Shumë prej nesh nuk duan as ta mendojnë. Ka të ngjarë që qëndrimi dhe personaliteti ynë ishin modeluar sipas vlerave të kësaj bote—sipas standardeve të saj për të drejtën dhe të gabuarën. Prandaj ‘nuk kishim asnjë shpresë dhe ishim pa Perëndi në botë’. (Efes. 2:12) Ama, studimi i Biblës ndryshoi gjithçka!

2. Çfarë mësove ndërsa studioje Biblën?

2 Ndërsa studioje Biblën, mësove se ke një Atë qiellor që të do jashtë mase. Kuptove se, për t’ia kënaqur zemrën Jehovait dhe për t’u bërë pjesë e familjes së adhuruesve të tij, duhej të bëje ndryshime rrënjësore në mënyrën si jetoje, në qëndrimin dhe në mentalitetin tënd. Duhej të mësoje të jetoje sipas standardeve të tij të larta.—Efes. 5:3-5.

3. Sipas Kolosianëve 3:9, 10, çfarë kërkon Jehovai nga ne, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Krijuesi dhe Ati ynë qiellor, Jehovai, ka të drejtën të përcaktojë si duhet të sillen pjesëtarët e familjes së tij. Ai kërkon që, para se të pagëzohemi, të bëjmë përpjekje ‘ta zhveshim personalitetin e vjetër me zakonet e tij’. * (Lexo Kolosianëve 3:9, 10.) Ky artikull do t’i ndihmojë ata që duan të pagëzohen, t’u japin përgjigje tri pyetjeve: (1) Çfarë është ‘personaliteti i vjetër’ (2) Pse Jehovai na nxit ta zhveshim? (3) Si mund ta bëjmë këtë? Kurse ata që janë të pagëzuar do t’i ndihmojë të mos lejojnë që karakteristikat e personalitetit të vjetër të nxjerrin kokë sërish.

ÇFARË ËSHTË ‘PERSONALITETI I VJETËR’?

4. Si vepron dikush që është nën pushtetin e ‘personalitetit të vjetër’?

4 Dikush që është nën pushtetin e ‘personalitetit të vjetër’, zakonisht mendon dhe vepron sipas pikëpamjeve ose dëshirave mëkatare. Ai mund të jetë egoist, gjaknxehtë, mosmirënjohës dhe krenar. Mund t’i pëlqejë të shohë materiale pornografike dhe filma imoralë a të dhunshëm. Natyrisht, ka disa cilësi të mira dhe mund të ndihet në faj për gjërat e gabuara që thotë ose që bën. Megjithatë, nuk ndihet i motivuar ta ndryshojë mënyrën si mendon dhe sjelljen.—Gal. 5:19-21; 2 Tim. 3:2-5.

Kur zhveshim «personalitetin e vjetër», nuk jemi më nën pushtetin e qëndrimeve dhe zakoneve të gabuara (Shih paragrafin 5) *

5. Cilën pikëpamje realiste duhet të kemi ndërsa zhveshim personalitetin e vjetër? (Vep. 3:19)

5 Jemi të papërsosur, prandaj nuk mund t’i fshijmë krejt nga mendja e nga zemra gjithë mendimet dhe dëshirat e gabuara. Hera-herës do të veprojmë ose do të flasim në një mënyrë për të cilën do të bëhemi pishman. (Jer. 17:9; Jak. 3:2) Por kur e zhveshim personalitetin e vjetër, nuk jemi më nën pushtetin e qëndrimeve dhe zakoneve mëkatare. Ato nuk na karakterizojnë më dhe bëhemi një njeri i ri.—Isa. 55:7; lexo Veprat 3:19.

6. Pse Jehovai na nxit t’i flakim tej mendimet dhe zakonet e këqija të personalitetit të vjetër?

6 Jehovai na nxit t’i flakim tej mendimet dhe zakonet e këqija ngaqë na do shumë e dëshiron ta gëzojmë jetën. (Isa. 48:17, 18) Ai e di se, kush dorëzohet para dëshirave të gabuara, lëndon veten dhe ata që ka pranë. Jehovait i dhemb në shpirt kur ndodh një gjë e tillë.

7. Cilën zgjedhje duhet të bëjmë sipas Romakëve 12:1, 2?

7 Disa miq ose familjarë në fillim mund të na tallin që po përpiqemi të bëjmë ndryshime në personalitet. (1 Pjet. 4:3, 4) Mund të na thonë se kemi të drejtë të bëjmë ç’të duam dhe se nuk duhet t’i lejojmë të tjerët të na tregojnë ç’duhet të bëjmë. Por ata që i hedhin poshtë standardet e Jehovait, në realitet nuk janë të pavarur. Ata po lejojnë t’i modelojë bota e sunduar nga Satanai. (Lexo Romakëve 12:1, 2.) Të gjithë jemi para një zgjedhjeje: ose të mbajmë personalitetin e vjetër, të cilit i jep formë mëkati dhe bota e Satanait, ose ta lejojmë Jehovain të na transformojë në personin më të mirë që mund të jemi sot.—Isa. 64:8.

SI MUND ‘TA ZHVESHËSH’ PERSONALITETIN E VJETËR?

8. Çfarë ndihme kemi për t’i mposhtur mendimet dhe zakonet e këqija?

8 Jehovai e di se do të na duhet kohë e përpjekje që të mposhtim mendimet dhe zakonet e këqija. (Psal. 103:13, 14) Megjithatë, nëpërmjet Fjalës së tij, frymës së shenjtë dhe organizatës së tij, Jehovai na jep mençurinë, fuqinë dhe mbështetjen e nevojshme që të ndryshojmë si jemi nga brenda. Pa dyshim që tashmë e ke provuar ndihmën e tij. Le të shohim disa hapa që do të të ndihmojnë të përparosh më tej ndërsa zhvesh personalitetin e vjetër dhe kualifikohesh për pagëzim.

9. Çfarë mund të të ndihmojë të bësh Fjala e Perëndisë?

9 Përdor Biblën për të shqyrtuar me kujdes veten. Fjala e Perëndisë është si një pasqyrë; ajo mund të të ndihmojë të analizosh mënyrën si mendon, si flet dhe si vepron. (Jak. 1:22-25) Mësuesi yt i Biblës dhe Dëshmitarë të tjerë të pjekur mund të të tregojnë si ta bësh këtë. Për shembull, mund të të ndihmojnë me anë të Shkrimeve që të dallosh pikat e tua të forta dhe të dobëta. Mund të të mësojnë si të gjesh informacione të bazuara në Bibël që përmbajnë këshilla praktike se si të heqësh zakonet e këqija. E Jehovai është gjithmonë gati të të vijë në ndihmë. Ai di më mirë se kushdo si të të ndihmojë; di edhe çfarë ke në zemër. (Prov. 14:10; 15:11) Prandaj bëje shprehi t’i lutesh dhe të studiosh Fjalën e tij çdo ditë.

10. Çfarë mësove nga shembulli i Ilit?

10 Ji i bindur se standardet e Jehovait janë më të mirat. Çdo gjë që na kërkon Jehovai është për dobinë tonë. Ata që jetojnë sipas standardeve të tij, fitojnë respekt për veten e një qëllim në jetë dhe ndihen vërtet të lumtur. (Psal. 19:7-11) Ndërsa ata që i shpërfillin standardet e Jehovait, vuajnë pasojat e veprave të trupit mëkatar. Një burrë që quhet Ili tregon ç’ndodh nëse i hedhim poshtë standardet e Jehovait. Ai u rrit nga prindër që e duan Jehovain. Mirëpo në adoleshencë, Ili zgjodhi shoqëri të këqija. Filloi të merrte drogë, të bënte një jetë imorale dhe të vidhte. Ili thotë se po bëhej gjithnjë e më nevrik e më i dhunshëm. «Me pak fjalë, bëja çdo gjë që më kishin mësuar të mos bëja si i krishterë»,—pranon ai. Gjithsesi, Ili nuk e harroi atë që kishte mësuar në fëmijëri. Më vonë, filloi ta studionte përsëri Biblën. U përpoq me të gjitha forcat t’i hiqte veset dhe në vitin 2000 u pagëzua. Si ka nxjerrë dobi duke jetuar sipas standardeve të Jehovait? Ili thotë: «Tani kam paqe mendore dhe ndërgjegje të pastër.» * Pra është e qartë se ata që hedhin poshtë standardet e Jehovait, lëndojnë veten. Prapëseprapë, Jehovai është i gatshëm t’i ndihmojë të ndryshojnë.

11. Cilat gjëra urren Jehovai?

11 Mëso të urresh gjërat që urren Jehovai. (Psal. 97:10) Bibla thotë se Jehovai urren ‘sytë fodullë, gjuhën gënjeshtare, duart që derdhin gjak të pafaj’. (Prov. 6:16, 17) Gjithashtu ‘i ngjallin neveri njerëzit e dhunshëm e mashtrues’. (Psal. 5:6) Jehovai i urren aq shumë këto qëndrime dhe veprime, saqë i fshiu nga faqja e dheut gjithë të ligjtë në ditët e Noesë ngaqë e kishin mbushur tokën me dhunë. (Zan. 6:13) Të mendojmë për një shembull tjetër. Nëpërmjet profetit Malakia, Jehovai tha se i urren ata që, me pabesi, kurdisin plane për t’u divorcuar nga bashkëshorti i pafajshëm. Perëndia nuk e miraton adhurimin që i bëjnë dhe do t’u kërkojë llogari për sjelljen e tyre.—Mal. 2:13-16; Hebr. 13:4.

Mendimi për të bërë diçka që Jehovai thotë se është e keqe, duhet të na ngjallë po aq neveri sa të hamë ushqim të kalbur (Shih paragrafët 11-12)

12. Ç’do të thotë ‘ta urrejmë thellësisht të keqen’?

12 Jehovai do që ‘ta urrejmë thellësisht të keqen’. (Rom. 12:9) Fjala e përkthyer «urreni thellësisht» nënkupton një reagim të fortë emocional dhe do të thotë të kesh neveri ose të të vijë pështirë nga diçka. Përfytyro si do të reagoje nëse do të të kërkonin të haje një pjatë me ushqim të kalbur. Mund të të vinte përzierje edhe thjesht ta mendoje. Po njësoj, vetëm mendimi për të bërë diçka që Jehovai thotë se është e gabuar, duhet të na ngjallë neveri.

13. Pse duhet ta mbrojmë mendjen?

13 Mbro mendjen. Mendimet tona ndikojnë te veprimet. Ja pse Jezui na mësoi t’i përzëmë mendimet që mund të na shtyjnë drejt një mëkati serioz. (Mat. 5:21, 22, 28, 29) Ne duam t’i kënaqim zemrën Atit tonë qiellor, apo jo? Sa e rëndësishme është, pra, ta flakim tej në çast çdo mendim të keq që na vjen në mendje.

14. Çfarë tregojnë fjalët që themi, dhe cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?

14 Mbaje nën fre gjuhën. Jezui tha: «Çdo gjë që del nga goja, vjen nga zemra.» (Mat. 15:18) Pra, fjalët që themi, tregojnë shumë si jemi nga brenda. Ndaj bëji vetes këto pyetje: «A jam i vendosur të mos gënjej, edhe nëse do të futem në telashe po të them të vërtetën? Si i martuar, a bëj kujdes që të mos flirtoj me dikë të seksit tjetër? A e shmang me çdo kusht të folurit imoral? A përgjigjem me qetësi kur dikush më acaron?» Do të nxjerrësh dobi po të reflektosh për këto pyetje. I foluri mund të krahasohet me kopsat në një rrobë. Nëse i zbërthen kopsat, e ke më të lehtë ta zhveshësh atë rrobë. Po njësoj, nëse bën çmos t’i flakësh tej sharjet, gënjeshtrat dhe të folurit imoral, do ta kesh më të lehtë të zhveshësh personalitetin e vjetër.

15. Çfarë do të thotë ‘ta gozhdojmë në shtyllë’ personalitetin e vjetër?

15 Ji i gatshëm të veprosh me vendosmëri. Me anë të një ilustrimi të fuqishëm, apostulli Pavël na tregoi sa e rëndësishme duhet të jetë për ne të ndryshojmë mënyrën si jetojmë. Ai shkroi se duhet ‘ta gozhdojmë në shtyllë’ personalitetin tonë të vjetër. (Rom. 6:6) Me fjalë të tjera, ashtu si Krishti që u gozhdua në shtyllë për të bërë vullnetin e Jehovait, edhe ne duhet të jemi të gatshëm t’i asgjësojmë qëndrimet dhe zakonet që Jehovai i urren. Vetëm nëse bëjmë këto hapa, do të fitojmë një ndërgjegje të pastër dhe do të kemi shpresën të gëzojmë jetën e përhershme. (Gjoni 17:3; 1 Pjet. 3:21) Të mos harrojmë se Jehovai nuk do t’i ndryshojë standardet e veta që të na vijnë për shtat neve. Përkundrazi, ne duhet të bëjmë ndryshime brenda vetes dhe duhet ta vëmë jetën në harmoni me standardet e tij.—Isa. 1:16-18; 55:9.

16. Pse duhet të jesh i vendosur të vazhdosh t’i luftosh dëshirat e gabuara?

16 Vazhdo t’i luftosh dëshirat e gabuara. Edhe pas pagëzimit, duhet të vazhdosh t’i luftosh dëshirat mëkatare. Mendo për shembullin e një burri që quhej Maurisiu. Në moshë të re, ai filloi të jetonte si homoseksual. Më pas takoi Dëshmitarët e Jehovait dhe nisi të studionte Biblën. Maurisiu bëri ndryshime në jetë dhe në vitin 2002 u pagëzua. Ndonëse i shërben Jehovait prej vitesh, ai thotë: «E pranoj se herë pas here më është dashur të luftoj me dëshirat e papërshtatshme.» Por nuk lejon që kjo ta shkurajojë. Ai shton: «Më jep kurajë dijenia se, duke mos iu nënshtruar këtyre dëshirave, i pëlqej Jehovait.» *

17. Si të inkurajon shembulli i Nabihës?

17 Lutju për ndihmë Jehovait dhe mbështetu te fryma e tij, jo te forcat e tua. (Gal. 5:22; Filip. 4:6) Që ta zhveshim personalitetin e vjetër dhe ta mbajmë zhveshur, kërkohen përpjekje të pareshtura. Të mendojmë për shembullin e një gruaje që quhet Nabiha. I ati e braktisi kur ishte vetëm gjashtë vjeçe. «Kjo. . . më shkaktoi dhimbje të tmerrshme emocionale»,—thotë Nabiha. Ndërsa rritej, bëhej gjithnjë e më nevrike e më agresive. U përfshi në trafikun e drogës, e arrestuan dhe kaloi disa vite në burg. Dëshmitarët që bënin vizita në burg, filluan të studionin Biblën me të. Nabiha nisi të bënte ndryshime të mëdha. «Nuk ishte e vështirë t’i lija disa vese,—thotë ajo.—Por të lija duhanin ishte krejt ndryshe.» Ajo betejë zgjati më shumë se një vit, ama si përfundim ia doli ta linte. Si? Nabiha thotë: «Mbi të gjitha, lutjet pa pushim drejtuar Jehovait më ndihmuan ta lija duhanin.» Tani i inkurajon të tjerët me këto fjalë: «Jam e bindur se, nëse unë ia dola të bëja ndryshime që t’i pëlqeja Jehovait, çdokush mund t’ia dalë.» *

TI MUND TË KUALIFIKOHESH PËR PAGËZIM!

18. Sipas 1 Korintasve 6:9-11, çfarë kanë arritur të bëjnë shumë shërbëtorë të Perëndisë?

18 Në shekullin e parë, disa nga burrat dhe gratë që Jehovai i zgjodhi të mbretëronin me Krishtin, dikur kishin qenë robër të zakoneve të këqija. Për shembull, kishin qenë kurorëshkelës, homoseksualë dhe hajdutë. Mirëpo, me ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë, arritën të bënin ndryshime rrënjësore në personalitet. (Lexo 1 Korintasve 6:9-11.) Edhe sot, Bibla ka ndihmuar miliona veta të bëjnë ndryshime në jetë. * Ata kanë hequr vese të ngulitura thellë. Shembulli i tyre provon se edhe ti mund të bësh ndryshime në personalitet dhe mund t’i heqësh zakonet e këqija që të kualifikohesh për pagëzim.

19. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

19 Përveç punës për të zhveshur personalitetin e vjetër, ata që duan të pagëzohen duhet të përpiqen të veshin personalitetin e ri. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë si mund ta bëjmë këtë dhe çfarë ndihme kemi.

KËNGA 41 Atë, ma dëgjo lutjen e zemrës!

^ par. 5 Që të kualifikohemi për pagëzim, duhet të jemi të gatshëm të bëjmë ndryshime në personalitet. Ky artikull do të na ndihmojë të kuptojmë çfarë tiparesh përfshin personaliteti i vjetër, pse duhet t’i zhveshim këto tipare dhe si mund ta bëjmë këtë. Në artikullin tjetër do të shohim si mund të vazhdojmë ta veshim personalitetin e ri edhe pas pagëzimit.

^ par. 3 SHPJEGIMI I SHPREHJES: ‘Të zhveshësh personalitetin e vjetër’ do të thotë të heqësh qëndrime dhe prirje që i shkaktojnë pakënaqësi Jehovait. Kjo duhet të fillojë para pagëzimit.—Efes. 4:22.

^ par. 10 Për më shumë hollësi, shih artikullin «Bibla të ndryshon jetën—‘Duhej të kthehesha te Jehovai’», në Kullën e Rojës të 1 prillit 2012.

^ par. 16 Për më shumë hollësi, shih artikullin «Bibla të ndryshon jetën—‘Ata ishin shumë të sjellshëm me mua’», në Kullën e Rojës të 1 majit 2012.

^ par. 17 Për më shumë hollësi, shih artikullin «Bibla të ndryshon jetën—‘U bëra një e re e zemëruar dhe agresive’», në Kullën e Rojës të 1 tetorit 2012.

^ par. 64 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Kur heqim qëndrime dhe zakone të shëmtuara, është si të zhveshim një rrobë të vjetër.