Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 42

«Lum ata që mbajnë integritetin» ndaj Jehovait!

«Lum ata që mbajnë integritetin» ndaj Jehovait!

«Lum ata që mbajnë integritetin . . . dhe ecin sipas ligjit të Jehovait!»—PSAL. 119:1, shën.

KËNGA 124 Përherë besnik

PËRMBLEDHJE *

Disa bashkëbesimtarë të guximshëm që janë ose kanë qenë në burg kohët e fundit për shkak të besnikërisë ndaj sovranitetit të Jehovait (Shih paragrafët 1-2)

1-2. (a) Si u janë kundërvënë disa qeveri shërbëtorëve të Jehovait, por si reagojnë ata? (b) Pse mund të jenë të lumtur shërbëtorët e Perëndisë kur i përndjekin? (Komentoni edhe për figurën e kopertinës.)

 SOT vepra jonë është e kufizuar ose e ndaluar në mbi 30 vende përqark botës. Në disa vende, autoritetet i kanë burgosur vëllezërit e motrat tona. Pse, ç’të keqe kanë bërë? Në sytë e Jehovait, asgjë të keqe. Ata lexojnë e studiojnë Biblën, u flasin të tjerëve për bindjet e tyre dhe ndjekin mbledhjet së bashku. Gjithashtu nuk pranojnë të mbajnë anë në çështjet politike. Me gjithë kundërshtimin e egër, këta shërbëtorë besnikë të Perëndisë kanë mbajtur integritetin, * duke treguar kështu një përkushtim të pathyeshëm ndaj Jehovait. Kjo i bën shumë të lumtur!

2 Kur sheh fotografitë e disa prej këtyre Dëshmitarëve të guximshëm, ndoshta të bie në sy se janë të buzëqeshur. Kanë gëzim në zemër se e dinë që Jehovai është i kënaqur me ta që po mbajnë integritetin. (1 Kron. 29:17a) Jezui tha: «Lum ata që përndiqen për hir të drejtësisë . . . Gëzoni dhe ngazëlloni, se i madh është shpërblimi juaj.»—Mat. 5:10-12.

ATA NA LANË NJË SHEMBULL

Pjetri dhe Gjoni janë një shembull për shërbëtorët e Perëndisë sot që duhet të dalin para gjyqit e të mbrojnë besimin e tyre (Shih paragrafët 3-4)

3. Sipas Veprave 4:19, 20, si reaguan apostujt në shekullin e parë ndaj përndjekjes, dhe pse?

3 Vëllezërit dhe motrat tona po kalojnë sprova të ngjashme me ato të apostujve në shekullin e parë kur i përndoqën ngaqë predikonin për Jezuin. Gjykata e lartë judaike i urdhëroi disa herë «të mos flitnin fare e të mos mësonin në emër të Jezuit». (Vep. 4:18; 5:27, 28, 40) Si reaguan apostujt? (Lexo Veprat 4:19, 20.) E kishin të qartë se një autoritet më i lartë ‘i kishte urdhëruar t’i predikonin popullit dhe të jepnin dëshmi të plotë’ për Krishtin. (Vep. 10:42) Prandaj Pjetri dhe Gjoni, si përfaqësues të apostujve, thanë plot guxim se do t’i bindeshin Perëndisë, jo atyre gjykatësve, dhe shtuan se do të vazhdonin të flitnin për Jezuin. Në thelb u shtruan këtë pyetje autoriteteve: «Guxoni të thoni se urdhrat tuaja qëndrojnë më lart se ato të Perëndisë?»

4. Siç tregon Veprat 5:27-29, çfarë shembulli na lanë apostujt, dhe si mund t’i imitojmë?

4 Apostujt lanë një shembull të shkëlqyer që e kanë ndjekur gjithë të krishterët e vërtetë qysh nga ajo kohë. Ata ishin të vendosur ‘t’i bindeshin Perëndisë si sovran, dhe jo njerëzve’. (Lexo Veprat 5:27-29.) Pasi i rrahën ngaqë kishin mbajtur integritetin, apostujt ikën nga gjykata e lartë judaike «të gëzuar, sepse ishin quajtur të denjë të çnderoheshin për emrin e [Jezuit]» dhe vazhduan të predikonin pa u stepur.—Vep. 5:40-42.

5. Cilat pyetje kërkojnë përgjigje?

5 Shembulli i apostujve ngre disa pyetje. Për shembull, si mund të ishte në harmoni vendimi i tyre për t’iu bindur Perëndisë e jo njerëzve me urdhrin e Shkrimeve për të qenë ‘të nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta’? (Rom. 13:1) Si mund ‘t’u bindemi qeverive dhe autoriteteve’, siç tha apostulli Pavël, e njëkohësisht të mbajmë integritetin ndaj Perëndisë si Sovrani ynë?—Titit 3:1.

‘AUTORITETET MË TË LARTA’

6. (a) Kush janë ‘autoritetet më të larta’ të përmendura te Romakëve 13:1, dhe çfarë detyrimi kemi ndaj tyre? (b) Cili parim vlen për të gjithë qeveritarët njerëzorë?

6 Lexo Romakëve 13:1. Në këtë varg, termi «autoritete më të larta» nënkupton qeveritarët njerëzorë që kanë pushtet mbi të tjerët. Shërbëtorët e Perëndisë u nënshtrohen këtyre autoriteteve qeveritare. Ato ruajnë rendin, sigurohen që të zbatohet ligji, e madje në disa raste mbrojnë popullin e Jehovait. (Zbul. 12:16) Prandaj duhet t’u japim taksat, haraçet, frikën dhe nderimin që kërkojnë. (Rom. 13:7) Gjithsesi, këto qeveri njerëzore kanë autoritet vetëm ngaqë i lejon Jehovai. Jezui e bëri të qartë këtë parim kur po e merrte në pyetje guvernatori romak Ponc Pilati. Kur Pilati përmendi se kishte autoritet t’ia kursente jetën ose ta ekzekutonte, Jezui i tha: «Ti s’do të kishe aspak autoritet mbi mua, po të mos të ishte lejuar nga lart.» (Gjoni 19:11) Ashtu si në rastin e Pilatit, autoriteti i të gjithë qeveritarëve dhe politikanëve njerëzorë sot është i kufizuar.

7. Në cilat raste nuk duhet t’u nënshtrohemi qeveritarëve njerëzorë, dhe cila është pasoja kur ata e keqpërdorin autoritetin?

7 Shërbëtorët e Perëndisë u nënshtrohen qeverive njerëzore kur ligjet e tyre nuk bien ndesh me ligjet e Perëndisë. Ama nuk mund t’u bindemi njerëzve kur kërkojnë diçka që Perëndia e ndalon ose kur ndalojnë diçka që Perëndia e kërkon. Për shembull, qeveritë mund të kërkojnë që djemtë e rinj të marrin armët dhe të luftojnë. * Mund të ndalojnë përkthimin tonë të Biblës dhe botimet e bazuara tek ajo; ose mund të na urdhërojnë të mos predikojmë e të mos e adhurojmë Perëndinë së bashku. Kur qeveritarët e keqpërdorin autoritetin e tyre, siç ndodh kur përndjekin dishepujt e Krishtit, duhet të përgjigjen para Perëndisë. Jehovai vëzhgon çdo gjë!—Ekl. 5:8.

8. Ku ndryshojnë nga njëri-tjetri termat «më i lartë» dhe «tejet i lartë», dhe pse ka rëndësi kjo?

8 Fjala «më i lartë» do të thotë «më i mirë, më i madh, me rang më të lartë». Por nuk ka kuptimin «më i miri, më i madhi, i rangut suprem». Këtë kuptim e përcjell termi «tejet i lartë». Edhe pse qeveritë njerëzore quhen «autoritete më të larta», ka një autoritet tjetër me rang suprem—tejet të lartë. Në Bibël, titulli «Tejet i Larti» përdoret katër herë për Perëndinë Jehova.—Dan. 7:18, 22, 25, 27.

«TEJET I LARTI»

9. Çfarë pa në vegime profeti Daniel?

9 Profeti Daniel pa vegime që tregonin qartë epërsinë e Jehovait mbi gjithë autoritetet e tjera. Në fillim, ai pa katër bisha të stërmëdha që simbolizojnë fuqi botërore të së kaluarës dhe të ditëve tona—Babiloninë, Medo-Persinë, Greqinë dhe Romën me pasardhësin e saj, Anglo-Amerikën. (Dan. 7:1-3, 17) Pastaj Danieli pa Perëndinë Jehova të ulej në fron në Gjykatën qiellore. (Dan. 7:9, 10) E pas kësaj, profeti besnik pa diçka që shërben si një paralajmërim për qeveritarët sot.

10. Sipas Danielit 7:13, 14, 27, kujt ia jep Jehovai autoritetin për të qeverisur mbi tokën, dhe çfarë tregon kjo për Të?

10 Lexo Danielin 7:13, 14, 27. Perëndia ia heq tërë pushtetin qeverive njerëzore dhe ia jep atyre që janë më të denjë e më të fuqishëm. Kujt? ‘Dikujt si një bir njeriu’, Jezu Krishtit, dhe «të shenjtëve të Tejet të Lartit», 144.000-ve që do të qeverisin «në jetë të jetëve». (Dan. 7:18) Është e qartë se ‘Tejet i Larti’ është Jehovai, pasi vetëm ai ka autoritet të bëjë diçka të tillë.

11. Çfarë shkroi tjetër Danieli për të treguar epërsinë e Jehovait mbi kombet?

11 Ajo që pa në vegim Danieli vërteton diçka që kishte thënë më parë për «Perëndinë e qiellit»: «Ai . . . heq një mbret e vë një tjetër.» Po ashtu shkroi se «Më i Larti është Sovran në mbretërinë e njerëzve, se ia jep atë kujt të dojë». (Dan. 2:19-21; 4:17) A ka pasur raste kur Jehovai ka hequr ose ka vënë krerë shtetesh? Pa diskutim!

Jehovai ia hoqi mbretërinë Belshazarit e ia dha medëve e persëve (Shih paragrafin 12)

12. Jepni një shembull se si Jehovai hoqi mbretër nga fronet në të kaluarën. (Shih figurën.)

12 Jehovai e ka treguar qartë epërsinë e tij mbi ‘autoritetet më të larta’. Të shohim tri shembuj. Faraoni i Egjiptit skllavëroi popullin e Jehovait dhe refuzoi shumë herë që t’i linte të lirë. Mirëpo Perëndia e çliroi popullin e Tij dhe e mbyti faraonin në Detin e Kuq. (Eks. 14:26-28; Psal. 136:15) Mbreti i Babilonisë, Belshazari, shtroi një gosti ku ‘ngriti krye kundër Zotërisë së qiejve’ dhe ‘lëvdoi perëndi prej ari e argjendi’ në vend të Jehovait. (Dan. 5:22, 23) Mirëpo Perëndia e përuli atë njeri arrogant. «Po atë natë», Belshazari u vra dhe mbretëria e tij iu dha medëve e persëve. (Dan. 5:28, 30, 31) Mbreti i Palestinës, Herod Agripa I, vrau apostullin Jakov dhe burgosi apostullin Pjetër, me synimin që ta vriste edhe atë. Mirëpo Jehovai nuk e lejoi Herodin ta përmbushte planin e tij. «Engjëlli i Jehovait e goditi» dhe Herodi vdiq.—Vep. 12:1-5, 21-23.

13. Jepni një shembull se si Jehovai mundi një koalicion sundimtarësh.

13 Jehovai ka treguar se ka epërsi edhe mbi koalicione sundimtarësh. Ai luftoi për Izraelin dhe e ndihmoi të shpartallonte një aleancë prej 31 mbretërish kananitë e të pushtonte zona të mëdha të Tokës së Premtuar. (Jos. 11:4-6, 20; 12:1, 7, 24) Gjithashtu, Jehovai i dha një goditje dërrmuese mbretit Ben-Hadad dhe 32 sundimtarëve të tjerë të Sirisë që u hodhën në luftë kundër Izraelit.—1 Mbret. 20:1, 26-29.

14-15. (a) Çfarë thanë mbreti Nabukodonosor dhe mbreti Dar për sovranitetin e Jehovait? (b) Çfarë tha psalmisti për Jehovain dhe për popullin e Tij?

14 Jehovai e ka treguar sa e sa herë se është Tejet i Larti! Kur mbreti i Babilonisë, Nabukodonosori, u mburr për ‘forcën e fuqinë e tij dhe për lavdinë e madhështisë së tij’ në vend që të pranonte me përulësi se Jehovai është Ai që meriton gjithë lavdinë, Perëndia e goditi me çmenduri. Pasi u shërua, Nabukodonosori ‘lëvdoi Më të Lartin’ dhe e pranoi se «sovraniteti i [Jehovait] është i përjetshëm». Ai tha për Jehovain: «Nuk ka njeri që t’ia ndalë dorën.» (Dan. 4:30, 33-35, shën.) Një rast tjetër është kur u sprovua integriteti i Danielit dhe Jehovai e shpëtoi nga gropa e luanëve. Atëherë mbreti Dar nxori këtë dekret: «Njerëzit të nderojnë thellësisht e ta respektojnë Perëndinë e Danielit, sepse ai është Perëndia i gjallë që ekziston përjetë. Mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet kurrë, dhe sovraniteti i tij është i përjetshëm.»—Dan. 6:7-10, 19-22, 26, 27.

15 Psalmisti shkroi: «Jehovai ua ka shpartalluar komplotet kombeve, popujve ua ka prishur planet.» Pastaj shtoi: «Lum ai komb që ka Perëndi Jehovain! Lum ai popull që Ai e ka zgjedhur si pronën e vet!» (Psal. 33:10, 12) Një arsye e shkëlqyer që të mbajmë integritetin ndaj Jehovait!

SHFAQJA FINALE E FUQISË SË JEHOVAIT

Koalicioni i kombeve nuk do të matet dot kurrsesi me ushtrinë qiellore të Jehovait (Shih paragrafët 16-17)

16. Çfarë jemi të sigurt se do të ndodhë gjatë ‘shtrëngimit të madh’, dhe pse? (Shih figurën.)

16 Kemi lexuar ç’ka bërë Jehovai në të kaluarën. Çfarë mund të presim, pra, në të ardhmen e afërt? Mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i shpëtojë shërbëtorët e tij besnikë gjatë ‘shtrëngimit të madh’ që kemi para. (Mat. 24:21; Dan. 12:1) Këtë do ta bëjë kur një koalicion kombesh, i njohur si Gogu i Magogut, të hidhet në një sulm të egër mbarëbotëror kundër atyre që i qëndrojnë besnikë Jehovait. Edhe sikur ai koalicion të përfshijë të 193 anëtarët e Kombeve të Bashkuara, nuk do të matet dot kurrsesi me Tejet të Lartin dhe ushtrinë e tij qiellore! Jehovai premton: «Atëherë unë do të madhërohem, do të shenjtërohem e do të bëhem i njohur në sytë e shumë kombeve, dhe ato kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.»—Ezek. 38:14-16, 23; Psal. 46:10.

17. Ç’të ardhme ka parathënë Bibla për mbretërit e tokës dhe për ata që mbajnë integritetin ndaj Jehovait?

17 Sulmi i Gogut do të jetë shkëndija e shfaqjes finale të fuqisë së Jehovait në Armagedon, kur Ai të shfarosë «mbretërit e mbarë tokës së banuar». (Zbul. 16:14, 16; 19:19-21) Pas kësaj, «vetëm të drejtët do të banojnë në tokë dhe ata që mbajnë integritetin do të qëndrojnë në të».—Prov. 2:21, shën.

ËSHTË JETËSORE TË MBAJMË INTEGRITETIN

18. Çfarë kanë qenë të gatshëm të bëjnë shumë të krishterë të vërtetë, dhe pse? (Danieli 3:28)

18 Në rrjedhën e shekujve, shumë të krishterë të vërtetë kanë rrezikuar lirinë, e madje edhe jetën nga dashuria për Jehovain, Sovranin e tyre. Ata janë po aq të vendosur të mbajnë integritetin sa tre hebrenjtë që dolën të paprekur nga furra e zjarrtë pasi i qëndruan besnikë Tejet të Lartit.—Lexo Danielin 3:28.

19. Mbi ç’bazë do t’i gjykojë Jehovai shërbëtorët e tij, dhe çfarë duhet të bëjmë sot?

19 Psalmisti David tregoi sa rëndësi ka të mbajmë integritetin ndaj Perëndisë, kur shkroi: «Jehovai do t’i gjykojë popujt. Më gjyko, o Jehova, sipas drejtësisë sime dhe sipas integritetit tim!» (Psal. 7:8) E theksoi prapë këtë mendim, kur tha: «Integriteti dhe drejtësia më mbrojtshin!» (Psal. 25:21) Nuk ka mënyrë më të shkëlqyer për ta jetuar jetën sesa t’i qëndrojmë besnikë Jehovait, çfarëdo që të na ndodhë! Kështu do të ndihemi si psalmisti, që shkroi: «Lum ata që mbajnë integritetin . . . dhe ecin sipas ligjit të Jehovait!»—Psal. 119:1, shën.

KËNGA 122 Asgjë s’më lëkund!

^ Bibla thotë se shërbëtorët e Perëndisë duhet t’u binden autoriteteve më të larta—qeverive të botës. Mirëpo disa qeveri i kundërvihen haptas Jehovait dhe adhuruesve të tij. Si mund t’u bindemi qeveritarëve njerëzorë e njëkohësisht të mbajmë integritetin ndaj Jehovait?

^ SHPJEGIMI I SHPREHJES: Të mbajmë integritetin ndaj Jehovait përfshin të mos bëjmë kurrë kompromis me besnikërinë ndaj tij e ndaj sovranitetit të tij, edhe përballë sprovave.

^ Shih në këtë numër artikullin «Pse sot nuk luftojmë si izraelitët në lashtësi?»