A do ta mundë ndonjëherë e mira të ligën?
A do ta mundë ndonjëherë e mira të ligën?
GATI dy mijë vjet më parë, Jezu Krishti, një i pafajshëm, doli në gjyq. Njerëz të ligj dëshironin ta vrisnin, sepse thoshte të vërtetën. Në mënyrë false u akuzua për kryengritje dhe turma me zë të lartë kërkoi ekzekutimin e tij. Një guvernator romak, i shqetësuar më shumë për prestigjin e vet politik, sesa për jetën e një zdrukthëtari të thjeshtë, e dënoi Jezuin me një vdekje mizore. Në pamje të parë, gjithçka të lë të kuptosh sikur e keqja kish triumfuar mbi të mirën.
Megjithatë, një natë para se të ekzekutohej, Jezui u kishte thënë dishepujve të tij: «Unë e munda botën.» (Gjoni 16:33) Ç’ka dashur të thotë? Pjesërisht, se e keqja as nuk e kishte zemëruar dhe as që e kishte bërë të hakmerrej. Bota s’kish mundur ta fuste në një kallëp të lig. (Krahaso Romakët 12:2, Phillips.) Edhe duke vdekur, ai u lut për ekzekutuesit e tij, duke thënë: «Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!»—Luka 23:34.
Deri në frymën e fundit të jetës, Jezui tregoi se e liga mund të mposhtet. I nxiti dishepujt e vet që të vazhdonin betejën e tyre kundër së ligës. Por si mund të bëhej kjo? Duke dëgjuar këshillat e Shkrimeve si: «Askujt mos ia ktheni të keqen me të keqe!» dhe « . . . ngadhënje mbi të keqen me vepra të mira», ashtu siç bëri edhe Jezui. (Romakëve 12:17, 21) Por a është praktike një sjellje e tillë?
Duke luftuar të ligën në Dakau
Elsa ishte një grua gjermane e burgosur në Dakau, e cila i dha një vajze 14 vjeçare ruse një dhuratë të çmuar, dhuratën e besimit dhe të shpresës.
Dakau ishte një kamp famëkeq përqëndrimi, ku mijëra veta gjetën vdekjen dhe qindra të tjerë, duke përfshirë edhe vajzën e re ruse, iu nënshtruan eksperimenteve të tmerrshme mjekësore. Dakau dukej si kulmi i ligësisë. Megjithatë, edhe në një tokë në dukje shterpë, e mira lindi dhe madje u shumua.
Elsa ndjente një trishtim të thellë për atë vajzë adoleshente, të cilën e kishin detyruar të shihte edhe se si SS-ët përdhunonin me egërsi të ëmën. Elsa, duke rrezikuar jetën e saj, gjente rastin për t’i folur vajzës mbi të mirën dhe të keqen dhe mbi shpresën biblike për ringjalljen. I mësoi mikes së vogël që të donte dhe jo të urrente. Dhe falë Elsës, vajza ruse i mbijetoi tmerret e Dakaut.
Elsa veproi kështu, sepse donte të ndiqte shembullin altruist të Krishtit. Si Dëshmitare e Jehovait, ajo kishte mësuar të mos ia kthente të keqes me të keqe dhe besimi e shtynte për të ndihmuar edhe të tjerët që të vepronin kështu. Edhe pse vuajti në Dakau, ajo korri një fitore morale mbi një regjim të lig. Dhe nuk qe e vetmja.
Poul Johnson, në librin e tij Historia e krishterimit (A History of Christianity), nënvizoi se «[Dëshmitarët e Jehovait] refuzuan çfarëdolloj bashkëpunimi me shtetin nazist, të cilin ata e denoncuan si totalisht të lig. . . . Nëntëdhjetë e nëntë për qind e tyre pësoi përndjekje në një formë apo në tjetrën.» A ishte një luftë e pashpresë? Sociologia polake Anna Pawelczynska, thotë për Dëshmitarët: «Ky grup i vogël të burgosurish, ishte një forcë ideologjike solide dhe ata e fituan betejën e tyre kundër nazizmit.»—Values and Violence in Auschwitz.
Megjithatë, shumë prej nesh duhet të luftojnë kryesisht të keqen brenda vetes, sesa atë të jashtme. Është një luftë e brendshme.
Të mundim të keqen brenda nesh
Apostulli Pavël e përshkroi kështu këtë luftë: «Nuk e bëj të mirën që dua, por të keqen që nuk e dëshiroj, atë e bëj.» (Romakëve 7:19) Siç e dinte mirë edhe Pavli, jo gjithmonë na është e natyrshme të bëjmë mirë.
Eugeni *, ishte një i ri spanjoll që për dy vjet të gjatë iu desh të luftonte kundër prirjeve të veta të këqija. «M’u desh të isha i ashpër me veten,—shpjegon ai.—Qysh prej fëmijërisë kisha prirjen për të bërë një jetë imorale. Gjatë adoleshencës, me dëshirë merrja pjesë në orgji homoseksuale dhe të them të vërtetën, ajo lloj jete më pëlqente.» Por çfarë e shtyu që më në fund të ndryshonte?
«Doja t’i pëlqeja Perëndisë dhe në Bibël lexova se ai nuk e miratonte mënyrën time të jetesës,—thotë Eugeni.—Kështu vendosa të bëhesha një tjetër lloj njeriu. Çdo ditë, m’u desh të luftoja kundër mendimeve negative, të ndyra që ende vërshonin në mendjen time. Isha i vendosur për ta fituar këtë betejë dhe pandërprerë lutesha që Perëndia të më ndihmonte. Mbas dy vjetësh më e keqja kaloi, edhe pse ende më duhej të isha i ashpër me veten. Por ia vlente të luftoja. Tani kam respekt për veten, një martesë të lumtur dhe çka është më e rëndësishmja, kam një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. Nga përvoja personale e di se mendimet e liga, nëse përpiqemi me të vërtetë, mund të dëbohen para se të japin fryte.»
E mira e mund të ligën sa herë që largojmë një mendim të lig, sa herë që nuk ia kthejmë të keqes me të keqe. Megjithatë, sado të rëndësishme qofshin, këto fitore nuk eliminojnë dy burimet kryesore të së ligës. Sado fort që të përpiqemi, nuk mund ta mposhtim plotësisht dobësinë tonë të trashëguar dhe Satanai ende vazhdon ta ushtrojë ndikimin e tij të lig mbi njerëzimin. Pra, a mund të ndryshojë ndonjëherë kjo gjendje?
Të asgjësohet Djalli
Besnikëria deri në vdekje e Jezuit, ishte një dështim i madh për Satanain. Ai nuk mundi ta thyente integritetin e Jezuit dhe ky dështim shënoi fillimin e fundit të Satanait. Siç shpjegon Bibla, Jezui e provoi vdekjen që «nëpërmjet vdekjes së tij, të asgjësonte . . . Djallin.» (Hebrenjve 2:14, NW) Pas ringjalljes, Jezui u tha dishepujve të tij: «Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.» (Mateu 28:18) Dhe ky pushtet do të përdorej për të asgjësuar Satanain.
Libri i Zbulesës (Apokalipsi) përshkruan ditën kur Jezui do të dëbonte prej qiejve Satanain. Ky Kryekeqbërës, bashkë me demonët e tij, do të kufizohej në afërsi të tokës. Si rezultat, Bibla paralajmëron se e keqja do të përhapej: «Vaj për tokë dhe për det, sepse Djalli ra ndër ju, tepër i hidhur sepse e di se nuk i mbetet por pak kohë!»—Zbulesa 12:7-9, 12.
Profecia biblike tregon se kjo ngjarje historike ka ndodhur tashmë, rreth kohës së Luftës së Parë Botërore. * Kjo shpjegon rritjen e dukshme të së keqes që kemi parë në kohën tonë. Por së shpejti, Satanai nuk do të jetë më në gjendje që të shkaktojë dëm, kështu që nuk do të mund të ushtrojë më ndikim mbi askënd.—Shiko Zbulesa 20:1-3.
Çfarë do të thotë e gjithë kjo për njerëzimin?
«Nuk do të bëjnë asnjë të keqe»
Si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, Jezui së shpejti do ta përdorë «pushtetin e tij në tokë», për të organizuar një program riedukimi frymor. «Banorët e tokës prodhimtare me siguri do të mësojnë drejtësi.» (Isaia 26:) Dobitë do të jenë të dukshme për të gjithë. Bibla na siguron: «Ata nuk do të shkaktojnë asnjë dëm [“ata nuk do të bëjnë asnjë të keqe”, Green’s Interlinear Hebrew/Greek English Bible], asnjë shkatërrim . . . sepse sigurisht toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbulojnë vetë detin.»— 9Isaia 11:9.
Qysh tani, mund të mposhtim shumë prej prirjeve tona të liga. Kur ndikimi demonik të jetë zhdukur, sigurisht që do të jetë shumë, shumë më e lehtë për «t’i ikë të keqes e të bëjmë të mirën.»—1. Pjetrit 3:11.
Kemi shkaqe të forta për të besuar, se e mira do ta mund të ligën, sepse Perëndia është i mirë dhe me ndihmën e tij ata që dëshirojnë të bëjnë mirë mund ta mposhtin të ligën, ashtu si tregoi Jezui me vetë shembullin e tij. (Psalmi 119:68) Ata që dëshirojnë të luftojnë të keqen, mund të shohin përpara për një jetë të qeverisur nga Mbretëria e Perëndisë, një qeveri e angazhuar për të fshirë të ligën një herë e përgjithmonë. Psalmisti ka përshkruar rezultatet: «Sa për dashamirësinë e dashur dhe të vërtetën, ato janë puqur me njëra-tjetrën; drejtësia dhe paqja janë puthur me njëra-tjetrën. E vërteta vetë do të mbijë nga toka dhe vetë drejtësia do të shohë poshtë nga qiejt.»—Psalmi 85:10, 11.
[Shënimet]
^ par. 14 Nuk është emri i tij i vërtetë
^ par. 20 Për hollësi të mëtejshme, shiko faqet 20-22 të librit Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.