Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbajtësit e dritës​—Për çfarë qëllimi?

Mbajtësit e dritës​—Për çfarë qëllimi?

Mbajtësit e dritës​—Për çfarë qëllimi?

«Të kam emëruar si dritë e kombeve.»​—VEPRAT 13:47, NW.

1. Çfarë ndikimi pati mbi apostullin Pavël urdhri që gjejmë tek Veprat 13:47?

APOSTULLI Pavël tha: «Jehovai na ka dhënë këtë urdhër me këto fjalë: “Të kam emëruar si dritë e kombeve, që të jesh shpëtim deri në skajet e fundme të tokës.”» (Veprat 13:47, NW) Ai nuk tha vetëm kaq, por pranoi edhe seriozitetin e kësaj. Pasi u bë i krishterë, Pavli e dedikoi jetën e vet për t’iu bindur atij urdhri. (Veprat 26:14-20) A qëndron edhe mbi ne ky urdhër? Nëse po, përse është i rëndësishëm për ditët tona?

Kur «u shuan dritat për njerëzimin»

2. (a) Kur bota hyri në kohën e saj të fundit, çfarë e ndryshoi thellësisht klimën e saj frymore dhe morale? (b) Çfarë tha një burrë shteti britanik mbi atë që po ndodhte në gusht të 1914-ës?

2 Përpara se të lindnin shumë nga njerëzit që jetojnë sot, kjo botë hyri në kohën e saj të fundit. Ngjarje të mëdha ndoqën me shpejtësi njëra-tjetrën. Satana Djalli, nismëtari kryesor i errësirës frymore dhe morale, u hodh poshtë në tokë. (Efesianëve 6:12; Zbulesa 12:7-12) Njerëzimi, sapo ishte zhytur në Luftën e Parë Botërore. Në fillim të gushtit 1914, ministri britanik i Punëve të Jashtme, sir Edward Grey, duke qëndruar në dritaren e zyrës së tij në Londër, tha: «Dritat po shuhen në mbarë Evropën; nuk do t’i shohim më të ndezura gjatë jetës sonë.»

3. A kanë pasur sukses krerët botëror për ta bërë më të shndritshme të ardhmen e njerëzimit?

3 Në përpjekje për të ndezur sërish ato drita, në 1920 u themelua Lidhja e Kombeve. Por dritat regëtinë dobët. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit botërorë u përpoqën edhe një herë, kësaj rradhe me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Përsëri, dritat nuk u ndezën me shkëlqim. Megjithatë, duke parë ngjarjet e kohëve të fundit, krerët botërorë po bisedojnë për «një rregull të ri botëror». Por është e vështirë të thuhet se ndonjë «botë e re» e sjellë prej tyre, të ketë siguruar paqe dhe siguri të vërtetë. Përkundrazi, konfliktet e armatosura, rivaliteti etnik, kriminaliteti, papunësia, varfëria, ndotja e ambientit dhe sëmundjet, vazhdojnë të jenë pengesë që njerëzimi t’i gëzohet jetës.

4, 5. (a) Kur dhe si zbriti mbi familjen njerëzore errësira? (b) Çfarë nevojitet për të zgjidhur problemin?

4 Në të vërtetë, dritat e njerëzimit u shuan mjaft kohë më parë se 1914-a. Kjo ndodhi rreth 6.000 vjet më parë në Eden, kur prindërit tanë të parë zgjodhën për të vendosur vetë, pa mbajtur parasysh vullnetin e shprehur të Perëndisë. Përvojat e dhimbshme të njerëzimit që prej asaj kohe, nuk janë gjë tjetër veçse episode nën atë që Bibla e quan si «pushteti i errësirës.» (Kolosianëve 1:13) Nën ndikimin e Satana Djallit njeriu i parë, Adami, e zhyti botën në mëkat; dhe nga Adami mëkati dhe vdekja u shtrinë mbi mbarë njerëzimin. (Zanafilla 3:1-6; Romakëve 5:12) Kështu, njerëzimi humbi miratimin e Jehovait, Burimit të dritës dhe jetës.​—Psalmi 36:9.

5 E vetmja mënyrë që do të mundësonte shkëlqimin e sërishëm të dritave, për cilindo pjesëtar të njerëzimit, do të ishte marrja e miratimit të Jehova Perëndisë, Krijuesit të njerëzimit. Atëherë mund të hiqej «mbulesa që është hedhur mbi gjithë popujt», dënimi për shkak të mëkatit. Si do të bëhej e mundur kjo?​—Isaia 25:7.

Ai që është dhënë «si dritë e kombeve»

6. Çfarë perspektive të shkëlqyer ka vënë para nesh Jehovai, nëpërmjet Jezu Krishtit?

6 Përpara se Adami dhe Eva të përjashtoheshin nga Parajsa, Jehovai paratha një «farë» që do të ishte çliruesi i atyre që duan drejtësinë. (Zanafilla 3:15) Pasi kjo Farë e premtuar lindi si njeri, Jehovai bëri që Simeoni i moshuar, në tempullin e Jeruzalemit, ta identifikonte si «dritë për të ndriturit’ e kombevet.» (Luka 2:29-32, BK) Nëpërmjet sakrificës së jetës së përsosur njerëzore të Jezuit, njerëzit mund të liroheshin nga dënimi që rridhte prej mëkatit. (Gjonit 3:36) Në harmoni me vullnetin e Jehovait, tani ata mund të shpresonin për të marrë jetën e përhershme në përsosmëri, si pjesëtarë të Mbretërisë qiellore ose si nënshtetas në një tokë parajsore. Sa masë e mrekullueshme që është!

7. Përse na mbushin me shpresë premtimet e Isaisë 42:1-4 dhe përmbushja e tyre në shekullin e parë?

7 Vetë Jezu Krishti është garancia për përmbushjen e këtyre perspektivave të shkëlqyeshme. Në lidhje me shërimet e kryera nga Jezui mbi njerëzit e sëmurë, apostull Mateu zbatoi tek ai fjalët e Isaisë 42:1-4, që pjesërisht thotë: «Ja shërbëtori im që e sgjodha, i-dashuri im, që e pëlqeu shpirti im; do të vë Frymënë t’ime mb’atë, edhe do të dëftenjë gjyq mbë kombet.» A nuk kanë nevojë për këtë gjë njerëzit e të gjitha kombeve? Profecia vazhdon: «Nukë dotë bënjë fjalë, as nukë dotë bërtasë; as nukë dotë dëgjonjë ndonjë zën’ e ati ndëpër rrugat. Kallam të-shtypurë nukë dotë shqyenjë, edhe li që nxjerr tym nukë do të shuanjë.» Në harmoni me këtë, Jezui nuk i trajtoi keq njerëzit që ishin tashmë të pikëlluar. Ai tregoi mëshirë për ta, i mësoi mbi qëllimet e Jehovait dhe i shëroi ata.z—Mateu 12:15-21, BK.

8. Në ç’kuptim Jehovai e ka dhënë Jezuin «si një besëlidhje për popullin» dhe «si dritë e kombeve»?

8 Autori i kësaj profecie i drejtohet Shërbëtorit të tij, Jezuit: «Vetë unë, Jehovai, të kam thirrur në drejtësi e të merrja për dore. Dhe do të të shpëtoj dhe do të të jap si një besëlidhje për popujt, si dritë të kombeve, që të hapësh sytë e verbër, që të nxjerrësh nga biruca të burgosurin, jasht nga shtëpia e ndalimit ata që rrinë në errësirë.» (Isaia 42:6, 7) Po, Jehovai e ka dhënë Jezu Krishtin si një besëlidhje, si një garanci solemne të premtuar. Sa inkurajuese! Kur ishte në tokë, Jezui tregoi një interesim të vërtetë për njerëzimin; dha edhe jetën e tij për njerëzimin. Jehovai ia ka besuar atij sundimin e mbarë kombeve. S’duhet të habitemi që Jehovai i referohet atij si dritë e kombeve. Vetë Jezui tha: «Unë jam drita e botës.»​—Gjonit 8:12.

9. Përse Jezui nuk iu dedikua përmirësimit të sistemit të atëhershëm ekzistues të gjërave?

9 Për çfarë qëllimi Jezui shërbeu si dritë e botës? Pa dyshim, jo për ndonjë qëllim botëror apo materialist. Ai nuk pranoi të provonte për të ndrequr sistemin politik ekzistues dhe nuk pranoi mbretëri nga njerëzit apo nga Satanai, qeveritari i botës. (Luka 4:5-8; Gjonit 6:15; 14:30) Jezui tregoi dhembshuri të madhe për të pikëlluarit dhe i lehtësoi ata në mënyrë të tillë, që për të tjerët do të ishte e pamundur. Por ai e dinte se nuk mund të kishte asnjë lehtësim të qëndrueshëm në një shoqëri njerëzore që gjendej nën dënimin hyjnor, për shkak të mëkatit dhe që manipulohej nga forca të liga të padukshme frymore. Me mendjehollësi hyjnore, Jezui e përqëndroi gjithë jetën e tij në kryerjen e vullnetit të Perëndisë.z—Hebrenjve 10:7.

10. Në ç’mënyrë dhe për ç’qëllim Jezui shërbeu si dritë e botës?

10 Pra, në ç’mënyrë dhe për ç’qëllim shërbeu Jezui si dritë e botës? U dedikua predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Luka 4:43; Gjonit 18:37) Veç kësaj, duke dëshmuar për të vërtetën në lidhje me qëllimin e Jehovait, Jezui lavdëroi emrin e Atit të tij qiellor. (Gjonit 17:4, 6) Për më tepër, si dritë e botës, Jezui zbuloi falsitetin fetar dhe u dha kështu lirinë frymore atyre që jetonin në skllavërinë fetare. Zbuloi Satanain, si manipuluesin e padukshëm të atyre që lejojnë të përdoren prej tij. Gjithashtu, Jezui tregoi qartë se cilat ishin punët që i përkasin errësirës. (Mateu 15:3-9; Gjonit 3:19-21; 8:44) Tregoi në mënyrë të dukshme se ishte drita e botës, duke dhënë si shpërblim jetën e tij të përsosur njerëzore dhe duke u hapur kështu, atyre që ushtrojnë besim në këtë masë, rrugën për të arritur faljen e mëkateve, një lidhje të miratuar me Perëndinë dhe perspektivën e jetës së përhershme, si pjesë e familjes universale të Jehovait. (Mateu 20:28; Gjonit 3:16) Së fundi, duke mbajtur një devotshmëri të shenjtë të përsosur gjatë gjithë jetës, Jezui mbështeti sovranitetin e Jehovait dhe provoi se Djalli është një gënjeshtar, duke u dhënë kështu, atyre që e duan drejtësinë, mundësinë për të marrë bekime të përhershme. Por, a ishte Jezui i vetmi mbajtës i dritës?

«Ju jeni drita botës»

11. Çfarë duhet të bënin dishepujt e Jezuit për të qenë mbajtës të dritës?

11 Tek Mateu 5:14, Jezui u tha dishepujve të tij: «Ju jeni drita e botës.» Ata duhej të ndiqnin gjurmët e tij. Si me mënyrën e tyre të të jetuarit, ashtu edhe me predikimin e tyre ata duhej të ndihmonin të tjerët që të ktheheshin nga Jehovai, si Burimi i dritës së vërtetë. Duke imituar Jezuin, ata duhej të bënin të njohur emrin e Jehovait dhe të mbështetnin sovranitetin e Tij. Ashtu si edhe Jezui, ata duhej të shpallnin Mbretërinë e Perëndisë, si të vetmen shpresë për njerëzimin. Ata duhej të zbulonin, gjithashtu, falsitetin fetar, punët që i përkasin errësirës dhe personin e lig që është prapa tyre. Ithtarët e Krishtit duhej t’u flisnin njerëzve të çdo vendi mbi masën e dashur të Jehovait për shpëtimin me anë të Jezu Krishtit. Me sa zell e përmbushën këtë detyrë të krishterët e parë, duke filluar së pari në Jeruzalem e Judejë dhe pastaj duke lëvizur për në Samari, ashtu siç urdhëroi Jezui!​—Veprat 1:8.

12. (a) Sa larg duhej të shtrihej drita frymore? (b) Falë frymës së Jehovait, çfarë qe në gjendje të kuptonte Pavli në lidhje me Isaian 42:6 dhe si duhet të ndikojë mbi jetën tonë kjo profeci?

12 Megjithatë, predikimi i lajmit të mirë nuk duhej të kufizohej vetëm në atë fushë. Jezui i udhëzoi dishepujt e tij që të «bënin dishepuj nga të gjitha kombet.» (Mateu 28:19, NW) Në kohën e kthimit të Saulit nga Tarsa, Zotëria tregoi në mënyrë të veçantë se Sauli (që u bë apostulli Pavël) duhej t’u predikonte jo vetëm judenjve, por edhe paganëve. (Veprat 9:15) Me ndihmën e frymës së shenjtë, Pavli e kuptoi se ç’do të thoshte kjo. E kuptoi, pra, se profecia e Isaisë 42:6, që përmbushet drejtpërdrejt tek Jezu Krishti, është edhe një urdhër i hapur që u drejtohet të gjithë atyre që ushtrojnë besim tek Krishti. Prandaj, duke cituar Isaian, tek Veprat 13:47 Pavli thotë: «Jehovai na ka dhënë këtë urdhër me këto fjalë: “Të kam emëruar si dritë e kombeve, që të jesh shpëtim deri në skajet e fundme të tokës.» (NW) Ç’mund të themi për ty? A e ke për zemër detyrën për të qenë një mbajtës i dritës? A e përqëndron jetën tënde, si Jezui dhe Pavli, në kryerjen e vullnetit të Perëndisë?

Dritë dhe e vërtetë nga Perëndia për të na udhëhequr

13. Cila është lutja jonë në harmoni me Psalmin 43:3 dhe nga çfarë gabimi na ruan kjo?

13 Nëse do të përpiqeshim me mjetet tona, për «të ndezur dritat sërish», për të bërë më të shndritshme të ardhmen e njerëzimit, do të tregonim se nuk e kemi kuptuar fare kuptimin e vërtetë të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë. Pavarësisht nga ajo që bota bën në përgjithësi, të krishterët e vërtetë besojnë tek Jehovai, si Burimi i vërtetë i dritës. Ata luten ashtu si tregohet në Psalmin 43:3: «Dërgoje dritën dhe të vërtetën tënde. Ato vetë le të më udhëheqin. Le të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në tendën tënde të madhe të adhurimit.»

14, 15. (a) Në cilat mënyra Jehovai po dërgon tani dritën dhe të vërtetën e tij? (b) Si mund të tregojmë se drita dhe e vërteta e Perëndisë po na udhëheqin?

14 Jehovai vazhdon t’i përgjigjet kësaj lutjeje të shërbëtorëve të vet besnikë. Ai dërgon dritë, duke deklaruar qëllimin e tij, duke lejuar që shërbëtorët e tij ta kuptojnë dhe duke përmbushur atë që ka deklaruar. Kur i lutemi Perëndisë, ne s’e bëjmë thjesht për formalitet, vetëm sa për të marrë një pamje shenjtërie. Siç thotë psalmi, dëshira jonë e sinqertë është që të udhëhiqemi prej dritës që vjen nga Jehovai. Ne e pranojmë përgjegjësinë që vjen nga pranimi i dritës që na siguron Perëndia. Ashtu si apostulli Pavël, e kuptojmë se përmbushja e Fjalës së Perëndisë përbën një urdhër të hapur për të gjithë ata që ushtrojnë besim në të. Ne ndihemi borxhlinj ndaj të tjerëve, derisa t’u shpallim lajmin e mirë që Perëndia na ka besuar për këtë qëllim.​—Romakëve 1:14, 15.

15 Drita dhe e vërteta që ka dërguar Jehovai në kohën tonë, e bëjnë të qartë se Jezu Krishti po mbretëron aktivisht nga froni i tij qiellor. (Psalmi 2:6-8; Zbulesa 11:15) Jezui paratha se gjatë pranisë së tij mbretërore, ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohej në të gjithë tokën e banuar për dëshmi. (Mateu 24:3, 14) Kjo vepër tani kryhet në mbarë globin dhe në mënyrë intensive. Nëse e bëjmë këtë vepër gjënë më të rëndësishme të jetës sonë, atëherë, siç thotë psalmisti, drita dhe e vërteta e Perëndisë po na udhëheqin.

Vetë lavdia e Jehovait ka shkëlqyer

16, 17. Si shkëlqeu lavdia e Jehovait në 1914 mbi organizatën e tij të krahasuar me një grua dhe çfarë urdhri i dha?

16 Me një gjuhë prekëse, Shkrimet përshkruajnë mënyrën në të cilën drita hyjnore po përhapet kudo në dobi të njerëzve. Duke iu drejtuar «gruas» së Jehovait, ose organizatës së tij qiellore të përbërë nga shërbëtorët besnikë, Isaia 60:1-3 thotë: «Ngrihu, o grua, lësho dritë, sepse drita jote ka mbërritur dhe mbi ty ka shkëlqyer vetë lavdia e Jehovait. Sepse, ja, errësira vetë do të mbulojë tokën dhe terri i dendur grupet e kombeve; por mbi ty do shkëlqejë Jehovai dhe mbi ty do të shihet vetë lavdia e tij. Dhe kombet me siguri do të vijnë në dritën tënde dhe mbretërit në shndritjen e shkëlqimit tënd.»

17 Lavdia e Jehovait shkëlqeu mbi organizatën e tij qiellore të ngjashme me një grua në vitin 1914, kur pas një periudhe të gjatë pritjeje, ajo lindi Mbretërinë Mesianike, me Jezu Krishtin si Mbret. (Zbulesa 12:1-5) Drita e lavdishme e Jehovait shkëlqen me aprovim mbi të, si qevëria e drejtë për të gjithë tokën.

18. (a) Përse toka është e mbuluar nga errësira, siç është parathënë tek Isaia 60:2? (b) Si mund të dalin individë të veçantë nga errësira që mbulon tokën?

18 Në ndryshim me këtë, errësira mbuloi tokën dhe terri i dendur grupet e kombeve. Përse? Sepse kombet e hedhin tej qeverinë e Birit të dashur të Perëndisë, duke zgjedhur sundimin nga njeriu. Duke menduar se do t’i zgjidhin problemet e tyre po të mënjanonin një lloj qeverisjeje dhe të adoptonin një tjetër. Por kjo nuk sjell lehtësimin e shpresuar. Ata nuk e kuptojnë se kush qëndron prapa skenës, duke manovruar kombet nga mbretëria frymore. (2. Korintasve 4:4) Ata hedhin tej Burimin e dritës së vërtetë dhe prandaj janë në errësirë. (Efesianëve 6:12) Por, pavarësisht nga ajo që bëjnë kombet, individë të veçantë mund të dalin nga kjo errësirë. Në ç’mënyrë? Duke pasur besim në Mbretërinë e Perëndisë dhe duke iu nënshtruar asaj.

19, 20. (a) Përse dhe si ka shndritur lavdia e Jehovait mbi ithtarët e mirosur të Krishtit? (b) Për ç’qëllim Jehovai i ka bërë të mirosurit e vet, mbajtës të dritës? (c) Ashtu si ishte parathënë, në ç’mënyrë «mbretër» dhe «kombe» janë tërhequr drejt dritës që vjen nga Perëndia?

19 Krishterimi nuk ka besim në Mbretërinë e Perëndisë dhe nuk i nënshtrohet asaj. Por ithtarët e Jezu Krishtit, të mirosur me frymë, kanë. Si rezultat, drita e miratimit hyjnor të Jehovait, ka shkëlqyer mbi këta përfaqësues të dukshëm të gruas së tij qiellore dhe lavdia e tij është e dukshme mbi ta. (Isaia 60:19-21) Ata gëzojnë një dritë frymore që asnjë ndryshim i skenës politike ose ekonomike botërore, nuk mund t’ua heqë. Ata kanë marrë nga Jehovai lirimin prej Babilonisë së Madhe. (Zbulesa 18:4) Gëzojnë buzëqeshjen e tij të miratimit, sepse kanë pranuar disiplinën e tij dhe kanë mbështetur me besnikëri sovranitetin e tij. Ata kanë perspektiva të shkëlqyera për të ardhmen dhe gëzohen për shpresën që ai u ka vënë përpara.

20 Por përse Jehovai ka vepruar me ta në këtë mënyrë? Siç thotë ai vetë tek Isaia 60:21, me qëllim që ai të mund «të zbukurohet», me qëllim që emri i tij të nderohet dhe të tjerët të tërhiqen drejt tij, si drejt të vetmit Perëndi të vërtetë, për të mirën e tyre të përjetshme. Në harmoni me këtë, në 1931, këta adhurues të Perëndisë së vërtetë adoptuan emrin Dëshmitarë të Jehovait. Si rezultat i dëshmisë së tyre, a u tërhoqën «mbretër», siç kish parathënë Isaia, nga drita që ata pasqyronin? Po! Jo, qeveritarë politikë të tokës, por mbetja e atyre që janë në radhë për të qeverisur si mbretër me Krishtin, në Mbretërinë e tij qiellore. (Zbulesa 1:5, 6; 21:24) Ç’mund të themi për «kombet»? A janë tërhequr ato nga kjo dritë? S’ka asnjë dyshim se po! Asnjë komb i veçantë politik nuk është tërhequr, por një shumicë e madhe njerëzish që vijnë nga të gjitha kombet, është rreshtuar në anën e Mbretërisë së Perëndisë dhe pret me padurim që të lirohet e të hyjë në botën e re të Perëndisë. Do të jetë me të vërtetë një botë e re, ku do të mbizotërojë drejtësia.​—2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 7:9, 10.

21. Si mund të tregojmë se nuk kemi dështuar në qëllimin e dashamirësisë së pamerituar që Jehovai ka treguar, duke na lejuar që të kuptojmë vullnetin e tij?

21 A bën pjesë edhe ti në këtë shumicë në rritje të mbajtësve të dritës? Jehovai na ka lejuar të kuptojmë vullnetin e tij, me qëllim që, ashtu si Jezui, të mund të jemi mbajtës të dritës. Duke shfaqur zell në veprën që Jehovai u ka besuar shërbëtorëve të tij, le të tregojmë të gjithë se nuk kemi dështuar në qëllimin e dashamirësisë së pamerituar që na ka treguar Perëndia. (2. Korintasve 6:1, 2) Nuk ka punë më të rëndësishme se kjo në këtë kohë. Dhe nuk mund të kemi privilegj më të madh, sesa të lavdërojmë Jehovain, duke pasqyruar mbi të tjerët dritën e lavdishme që vjen prej tij.

Pyetjet për përsëritje

◻ Cilat janë shkaqet themelore të problemeve që rëndojnë sot mbi njerëzimin?

◻ Në ç’mënyrë Jezui dhe ithtarët e tij janë «drita e botës»?

◻ Si na udhëheq drita dhe e vërteta e Jehovait?

◻ Në ç’mënyrë Jehovai ka bërë të shkëlqejë lavdia e tij mbi organizatën e tij?

◻ Përse Jehovai i ka bërë shërëtorët e tij mbajtës të dritës?

[Pyetjet e studimit]

[Figurat në faqen 17]

Një ngjarje e ndodhur në Eden, na ndihmon të kuptojmë problemet që rëndojnë sot mbi njerëzimin

[Burimet]

Tom Haley/​Sipa

Paringaux/​Sipa