Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cili është çelësi i suksesit?

Cili është çelësi i suksesit?

Cili është çelësi i suksesit?

DY TË rinj me iniciativë po përgatitnin në mënyrë sistematike një makinë me pamje të çuditshme, për të bërë një provë vendimtare. Papritur, një shkulm i fortë ere e mbërtheu aparatin e brishtë, e rrotulloi në ajër dhe me një zhurmë shurdhuese e përplasi përtokë. Të shkurajuar, burrat qëndruan në heshtje. Puna e tyre e lodhshme e bërë me merak dergjej e rrënuar në një pirg drurësh e metali.

Për Orvil dhe Uilbur Rait, ajo që ndodhi atë ditë tetori të vitit 1900 nuk ishte dështimi i parë shkurajues i përpjekjeve të tyre për të ndërtuar një makinë fluturuese më të rëndë se ajri. Tashmë ata kishin kaluar disa vjet dhe kishin harxhuar një shumë të konsiderueshme parash duke bërë eksperimente.

Megjithatë, më në fund ata u shpërblyen për ngulmimin e tyre. Më 17 dhjetor 1903, në Kiti Hok të Karolinës së Veriut, SHBA, vëllezërit Rait ia dolën mbanë të lëshonin në fluturim një prototip të vënë në lëvizje nga një motor, i cili fluturoi për 12 sekonda. Kjo ishte një kohë e shkurtër po të krahasohet me fluturimet e sotme e megjithatë mjaft e gjatë sa për të ndryshuar përgjithmonë botën!

Në shumë punë që ndërmarrim, suksesi varet gjerësisht nga ngulmimi me durim. Nëse bëhet fjalë për të mësuar një gjuhë tjetër, një zanat ose edhe për të nisur një miqësi, shumë gjëra me vlerë arrihen vetëm me anë të përpjekjeve të pandërprera. «Në nëntë nga dhjetë raste,​—thotë autori Çarls Tempëlton,​—suksesi i detyrohet kryesisht një gjëje: punës së rëndë.» Gazetari Leonard Pits Jr. vëren: «Ne njerëzit flasim për talentin, pranojmë fatin, por shumë shpesh shpërfillim gjërat më të rëndësishme. Këto janë: puna e rëndë, dështimet e shumta, të fillosh herët në mëngjes dhe të qëndrosh deri natën vonë.»

Kjo vërteton atë që kishte thënë Bibla shumë kohë më parë: «Dora e të zellshmit është ajo që do të sundojë.» (Proverbat [Fjalët e urta] 12:24, BR) Zelli nënkupton që të ngulmojmë në përpjekjet tona. Kjo është e nevojshme nëse duam të arrijmë atë që kemi si synim të bëjmë. Çfarë do të thotë të ngulmosh? Si mund të ngulmojmë në arritjen e synimeve tona dhe për çfarë duhet të ngulmojmë? Përgjigjet për këto pyetje do t’i gjejmë në artikullin vijues.

[Burimi i figurës në faqen 3]

Fotografi e Arkivave Kombëtarë të SHBA-së