Besimi i tyre u shpërblye
Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Besimi i tyre u shpërblye
APOSTULLI Pavël ishte njeri me besim të jashtëzakonshëm dhe i inkurajoi bashkëbesimtarët që edhe ata të zhvillonin besimin. Ai tha: «Ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë [me zell, BR] atë.» (Hebrenjve 11:6) Përvojat vijuese nga Mozambiku tregojnë se si e shpërblen Jehovai besimin e fortë dhe si u përgjigjet lutjeve të zellshme.
• Një motër e ve në provincën veriore të Niasës ishte në merak se si do të shkonte në Kongresin Krahinor «Udha hyjnore e jetës» së bashku me gjashtë fëmijët e saj. Burimi i vetëm i të ardhurave ishte shitja e mallrave në tregun lokal, por kur u afrua data e kongresit, ajo kishte para vetëm për biletat e vajtjes, për vete dhe fëmijët. Megjithatë, vendosi të kishte besim te sigurimet e Jehovait dhe vazhdoi me planet e saj për të qenë e pranishme në kongres.
Hipi në tren së bashku me gjashtë fëmijët. Gjatë udhëtimit, iu afrua fatorinoja për biletën. Duke vënë re distinktivin, ai e pyeti se çfarë ishte ai identifikim. Motra i tha se distinktivi shërbente për ta identifikuar si delegate në kongresin krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait. «Ku do të mbahet ky kongres?»—pyeti fatorinoja. Pasi mori vesh se kongresi mbahej në provincën fqinje të Nampulës, rreth 300 kilometra larg, papritur ai ua dha me gjysmë çmimi biletat. Pastaj, i dha asaj dhe familjes së saj bileta kthimi për gjysmën tjetër të parave të biletave. Sa e lumtur ishte ajo që e vuri besimin te Jehovai!—Psalmi 121:1, 2.
• Për rreth 25 vjet, një grua shumë fetare i lutej Perëndisë që t’i tregonte mënyrën e drejtë për ta adhuruar. Kisha ku merrte pjesë ajo i përziente ceremonitë fetare me ritet tradicionale dhe ajo dyshonte se kjo formë adhurimi i pëlqente Perëndisë.
Ajo tregon: «I kisha kujtuar gjithnjë fjalët e Jezuit që i gjejmë te Mateu 7:7: ‘Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet.’ Me këtë shkrim në mendje, i lutesha rregullisht Perëndisë që të më udhëhiqte drejt së vërtetës. Një ditë, pastori i kishës sonë u kërkoi të gjithë atyre që punonin në tregun lokal që t’i çonin atij një sasi parash dhe disa nga mallrat e tyre, me qëllim që t’i bekonte. Kjo kërkesë m’u duk jobiblike, kështu që nuk solla asgjë. Kur pastori pa se nuk kisha sjellë një ‘ofertë’, filloi të më fyente para gjithë anëtarëve të kishës. Atë ditë e kuptova se kjo nuk ishte mënyra që Perëndia dëshiron ta adhurojnë, kështu që e lashë kishën. Ndërkohë, vazhdova të ngulmoja në lutje për të gjetur të vërtetën.
Më në fund, mora guximin dhe takova një të afërmin tim që është Dëshmitar i Jehovait. Ai më ofroi një fletushkë dhe duke e lexuar, e kuptova menjëherë se Perëndia po u përgjigjej lutjeve të mia. Me kalimin e kohës, edhe shoku im filloi t’i çmonte të vërtetat biblike dhe e njohëm zyrtarisht martesën tonë. Gjithsesi, më vonë bashkëshorti im u sëmur rëndë. Por deri sa vdiq, ai më inkurajoi të ngulmoja në udhën e së vërtetës, që të mund të takoheshim përsëri në Parajsë.
I jam përgjithnjë mirënjohëse Jehovait që iu përgjigj lutjeve të mia dhe më tregoi mënyrën e drejtë për ta adhuruar. Gjithashtu, lutjet e mia janë plotësuar, sepse që të tetë fëmijët e mi janë bërë shërbëtorë të dedikuar të Jehovait.»