Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E kam mbajtur jetën të thjeshtë që t’i shërbej Jehovait

E kam mbajtur jetën të thjeshtë që t’i shërbej Jehovait

Jetëshkrim

E kam mbajtur jetën të thjeshtë që t’i shërbej Jehovait

TREGUAR NGA KLARA GERBER MOJER

Jam 92 vjeçe dhe mezi eci, por kam ende një kujtesë të qartë e shumë të mirë. Sa mirënjohëse jam që kam pasur privilegjin t’i shërbej Jehovait që nga fëmijëria! Jeta e thjeshtë dhe jo e ndërlikuar që kam bërë, i ka kontribuar pa masë këtij thesari.

KAM lindur më 18 gusht 1907, në Alajëns, Ohajo, SHBA, dhe isha më e madhja nga të pesë fëmijët. Kur isha 8 vjeçe, në fermën tonë ku prodhoheshin bulmetra erdhi me biçikletë një shërbëtor i plotkohor i Studentëve të Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Te dera ai takoi nënën time, Laura Gerber, dhe e pyeti nëse e dinte përse lejohej ligësia. Nëna e kishte pyetur gjithnjë veten për këtë gjë.

Pasi u konsultua me babanë tonë, i cili në atë kohë gjendej në stallë, mamaja porositi koleksionin me gjashtë vëllime, Studime mbi Shkrimet. Ajo i përpiu që të gjashtë vëllimet dhe e prekën thellë të vërtetat biblike që po mësonte. Pasi studioi Vëllimin e gjashtë që titullohej Krijimi i ri, ajo e kuptoi qartë nevojën për pagëzimin e krishterë me zhytje. Duke mos ditur se si t’i gjente Studentët e Biblës, ajo i kërkoi të shoqit, babait tonë, që ta pagëzonte në përroin e vogël që kalonte nëpër fermë, edhe pse ishte muaji i ftohtë i marsit të vitit 1916.

Jo shumë kohë pas kësaj, mamaja pa në gazetë një reklamë që njoftonte një fjalim, i cili do të mbahej në Sallën e Bijave të Veteranëve, në Alajëns. Fjalimi titullohej «Plani hyjnor i epokave». Ajo reagoi menjëherë, pasi Vëllimi i parë i Studime mbi Shkrimet kishte të njëjtin titull si fjalimi. U përgatit kaloshina dhe e gjithë familja shkoi për herë të parë në mbledhje me këtë kaloshinë të tërhequr nga kuaj. Që nga ai moment e më tej, i ndiqnim mbledhjet të dielën dhe të mërkurën mbrëma, në shtëpitë e vëllezërve. Pak kohë pas kësaj, mamaja u pagëzua përsëri, kësaj radhe nga një përfaqësues i kongregacionit të krishterë. Babai, i cili ishte gjithnjë i zënë me punët e fermës, me kalimin e kohës tregoi interes për studimin e Biblës dhe u pagëzua disa vjet më vonë.

Takojmë ata që marrin drejtimin

Më 10 qershor 1917, J. F. Rutherford, atëherë president i Shoqatës Watch Tower, vizitoi qytetin Alajëns për të folur rreth temës «Përse luftojnë kombet?» Unë isha 9 vjeçe dhe shkova për të dëgjuar fjalimin bashkë me prindërit dhe me dy vëllezërit e mi më të vegjël, Uilli dhe Çarlz. Të pranishëm ishin më shumë se njëqind veta, një turmë e madhe. Pas fjalimit të vëllait Rutherford, pjesa më e madhe e të pranishmëve u mblodhën për të bërë një fotografi jashtë Teatrit Kolumbia, ku u mbajt fjalimi. Javën pasuese, në të njëjtën sallë, A. H. Macmillan mbajti një fjalim me temën «Mbretëria e Perëndisë që po vjen». Ishte një privilegj që këta vëllezër vizituan qytetin tonë të vogël.

Kongrese të hershme të paharrueshme

Kongresi i parë që ndoqa, ishte në vitin 1918 në Atuotër, Ohajo, disa kilometra larg Alajënsit. Atje mamaja e pyeti përfaqësuesin e Shoqatës për mua, nëse isha në moshën e pagëzimit. Mendova se i kisha bërë një dedikim të vlefshëm Perëndisë për të bërë vullnetin e tij, kështu që më lejuan të pagëzohesha atë ditë në një përrua afër një pemëtoreje të madhe me mollë. I ndërrova rrobat në një tendë që kishin ngritur vëllezërit për këtë qëllim dhe u pagëzova me një këmishë nate të vjetër e të trashë.

Në shtator të vitit 1919, së bashku me prindërit hipëm në një tren për të shkuar në Sanduski, Ohajo, afër liqenit Erie. Atje hipëm në një traget dhe pas pak mbërritëm në Sedar-Point, ku do të mbahej kongresi ynë i paharrueshëm. Kur zbritëm nga trageti, në dok ishte përgatitur një drekë e vogël. Mora një hamburger, që për mua ishte një luks i vërtetë ato ditë. Sa i mirë që ishte! Maksimumi i të pranishmëve në këtë kongres tetëditor ishte 7.000 veta. Nuk kishte sistem akustike, kështu që më duhej të dëgjoja me kujdes të madh.

Në këtë kongres, u prezantua revista shoqëruese e Kullës së Rojës, me titull Epoka e artë (tani Zgjohuni!). Për të ndjekur kongresin, humba javën e parë të shkollës, por gjithsesi ishte diçka që vërtet ia vlente. Sedar-Pointi ishte një qendër pushimi; në një restorant të atjeshëm kishte kuzhinierë që përgatitnin ushqime për delegatët. Por, për ndonjë arsye, kuzhinierët dhe kamerieret dolën në grevë, kështu që vëllezërit e krishterë që kishin njohuri për gatimin, iu vunë punës dhe përgatitën ushqime për delegatët. Për shumë dekada pas kësaj, populli i Jehovait i përgatiste vetë ushqimet nëpër asamble dhe nëpër kongrese.

Patëm privilegjin për t’u kthyer përsëri në Sedar-Point në shtator të vitit 1922, për një kongres nëntëditor, ku pati një maksimum me më shumë se 18.000 të pranishëm. Pikërisht atje, vëllai Rutherford na inkurajoi: «Lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni Mbretin dhe mbretërinë e tij!» Gjithsesi, unë e kisha filluar shërbimin disa vjet më parë, me shpërndarjen e fletushkave dhe të revistës Epoka e artë.

Çmueshmëri për shërbimin

Në fillim të vitit 1918, mora pjesë edhe unë për të shpërndarë nëpër fermat fqinje fletushkën Rënia e Babilonisë. Ngaqë bënte ftohtë, te stufa me dru ngrohnim një gur të butë dhe e merrnim me vete në kaloshinë për t’i mbajtur këmbët ngrohtë. Vishnim pallto të trasha dhe kapele, meqë kaloshina kishte cohë vetëm sipër dhe anash, por nuk kishte ngrohës. Megjithatë, ato ishin kohë të lumtura.

Në vitin 1920 u përgatit një botim i veçantë në format reviste i botimit Misteri i përfunduar, botim që quhej ZG. * Së bashku me prindërit shkova në Alajëns me këtë botim në dorë. Ato ditë, të gjithë predikonin të vetëm nëpër dyer, kështu që me frikë u ngjita në një verandë, ku po rrinin ulur disa njerëz. Pasi bëra prezantimin tim, një grua tha: «A s’ishte një fjalim i vogël i këndshëm?» dhe e pranoi botimin. Atë ditë lashë 13 ZG dhe kjo ishte hera e parë që bëra një prezantim më të gjatë formal nga shtëpia në shtëpi.

Kur isha rreth 15 vjeçe, mamaja u sëmur me pneumoni dhe zuri shtratin për më shumë se një muaj. Motra më e vogël, Hazeli, ishte ende fëmijë, kështu që m’u desh ta lija shkollën për të ndihmuar në punët e fermës dhe për t’u kujdesur për fëmijët e tjerë. Megjithatë, familja jonë e merrte seriozisht të vërtetën biblike dhe merrnim pjesë rregullisht në të gjitha mbledhjet e kongregacionit.

Në vitin 1928, në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, të gjithë të pranishmëve iu dha një fletushkë me titull: «Ku janë nëntë të tjerët?» Aty trajtohej Luka 17:11-19, ku Bibla thotë se vetëm njëri nga të dhjetë të lebrosurit e shëruar e falënderoi me përulësi Jezuin për shërimin e mrekullueshëm. Kjo më preku zemrën. Pyeta veten: «Sa çmueshmëri kam unë?»

Meqë tani gjërat në shtëpi po shkonin mirë e, veç kësaj, unë isha e shëndetshme dhe s’kisha asnjë përgjegjësi që të më pengonte, vendosa të largohesha nga shtëpia dhe të filloja shërbimin e pionierit, siç quhet shërbimi i plotkohor. Prindërit më inkurajuan për këtë. Kështu, së bashku me shoqen time të shërbimit, Anjez Aleta, morëm caktimin tonë dhe më 28 gusht 1928 hipëm në një tren në orën 9.00 të darkës. Secila kishte vetëm një valixhe dhe një çantë shpine për të mbajtur literaturën biblike. Në stacion, motrat dhe prindërit e mi po qanin dhe po kështu edhe ne. Mendoja se mund të mos i shihja kurrë më, pasi besonim që Harmagedoni ishte afër. Mëngjesin tjetër mbërritëm në caktimin tonë, në Bruksvill, Kentaki.

Morëm me qira një dhomë të vogël në një pension e blemë konserva me spageti, si edhe bëmë sanduiçe për vete. Çdo ditë shkonim në një drejtim të ndryshëm, punonim vetëm dhe u ofronim pronarëve të shtëpive pesë libra për një kontribut prej 1,98 dollarësh. Pak nga pak e punuam gjithë qytetin, duke takuar shumë njerëz që ishin vërtet të interesuar për Biblën.

Pas pothuajse tre muajsh, kishim takuar këdo që banonte në Bruksvill e përreth tij, si edhe në Augusta. Prandaj, u transferuam për të punuar qytetet Mejzvill, Paris dhe Riçmond. Gjatë tre vjetëve që pasuan, predikuam në shumë krahina të Kentakit ku nuk kishte kongregacione. Shpesh na ndihmonin miqtë dhe familjarët tanë nga Ohajo, të cilët vinin e bashkoheshin me ne në shërbim për një javë ose më shumë, gjatë çdo vizite.

Kongrese të tjera të paharrueshme

Kongresi në Kolumbus, Ohajo, i mbajtur më 24-30 korrik 1931, ishte vërtet i paharrueshëm. Aty u njoftua se do të identifikoheshim me emrin e bazuar në Bibël, Dëshmitarët e Jehovait. (Isaia 43:12) Më përpara, kur njerëzit na pyesnin të çfarë feje ishim, ne i përgjigjeshim «Studentët Ndërkombëtarë të Biblës». Por kjo në të vërtetë nuk na dallonte shumë mirë, sepse kishte shumë studentë të Biblës që bënin pjesë në grupe të tjera të ndryshme fetare.

Shoqja ime e shërbimit, Anjeza, ishte martuar dhe unë kisha mbetur vetëm, prandaj u entuziazmova kur u njoftua se ata që po kërkonin një shoqe ose shok shërbimi, duhej të raportonin në një vend të caktuar. Aty takova Berta dhe Elsi Gartin, si edhe Besi Ensmingerin. Ato kishin dy makina dhe po kërkonin një motër të katërt pioniere që të punonte me to. U larguam nga kongresi së bashku, edhe pse nuk ishim takuar kurrë më parë.

Në verë punuam në gjithë shtetin e Pensilvanisë. Pastaj, me afrimin e dimrit, kërkuam caktime në shtetet më të ngrohta jugore, siç ishin Karolina e Veriut, Virxhinia dhe Merilendi. Në pranverë, u kthyem përsëri në veri. Në atë kohë, kjo gjë ishte e zakonshme për pionierët. Në vitin 1934, John Booth dhe Rudolf Abul, të cilët ndiqnin të njëjtin zakon si ne, morën me vete në qytetin Hazard të Kentakit, Ralf Mojerin dhe vëllanë e tij më të vogël, Uillardin.

Ralfin e kisha takuar edhe herë të tjera, por u njohëm më mirë gjatë kongresit të madh në Uashington D.C., të mbajtur në datat 30 maj-3 qershor 1935. Unë dhe Ralfi ishim ulur bashkë në lozhë kur u mbajt fjalimi që bënte fjalë për ‘turmën e madhe’ ose ‘shumicën e madhe’. (Zbulesa 7:9-14) Deri në atë kohë, besonim se ata të turmës së madhe ishin pjesëtarë të një klase qiellore më pak besnike sesa të 144.000-t. (Zbulesa 14:1-3) Kështu që unë nuk doja të isha një prej tyre.

Kur vëllai Rutherford shpjegoi se ata të turmës së madhe ishin një klasë tokësore e përbërë nga të mbijetuar besnikë të Harmagedonit, shumë veta u habitën. Pastaj, ai i ftoi të gjithë ata të turmës së madhe të ngriheshin në këmbë. Unë për vete nuk u ngrita, kurse Ralfi po. Më vonë, gjërat m’u qartësuan në mendje, kështu që viti 1935 ishte viti i fundit kur mora nga buka dhe vera​—emblemat që paraqiten në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Sa për mamanë, ajo vazhdoi t’i merrte deri sa vdiq, në nëntor të vitit 1957.

Një shok shërbimi i përhershëm

Unë dhe Ralfi vazhduam të mbanim korrespondencë. Në atë kohë shërbeja në Lejk-Plasid, Nju-Jork, kurse ai në Pensilvani. Në vitin 1936, ai ndërtoi një dhomë-rimorkio të vogël që mund ta tërhiqte me makinën e tij. Me të, u transferua nga Potstaun, Pensilvani në Njuark, Nju-Xhersi, për kongresin që u mbajt atje në datat 16-18 tetor. Një mbrëmje, pas programit, disa nga ne pionierët shkuam për të parë dhomën-rimorkio të re të Ralfit. Ai dhe unë po qëndronim bashkë brenda dhomës-rimorkio, afër lavamanit të vogël të futur brenda, kur ai më pyeti: «Të pëlqen dhoma-rimorkio?»

Pasi bëra një shenjë pohimi, më pyeti: «A dëshiron të jetosh në të?»

«Po»,​—iu përgjigja dhe ai më dha një të puthur të përzemërt që s’do ta harroj kurrë. Disa ditë më vonë, morëm një dokument martese. Më 19 tetor, ditën pas kongresit, shkuam në Bruklin dhe vizituam ndërtesën e shtypshkronjës së Shoqatës Watch Tower. Pastaj, kërkuam të na caktohej një territor. Grant Sjutër ishte i ngarkuar me territoret dhe pyeti se kush do ta punonte këtë territor. Ralfi iu përgjigj: «Ne, nëse do të mund të martohemi.»

«Po të ktheheni në orën 5.00 pasdite, mund ta rregullojmë këtë punë»,​—u përgjigj vëllai Sjutër. Kështu, atë mbrëmje u martuam në shtëpinë e një Dëshmitari, në Bruklin Hejts. Hëngrëm darkë me disa miq në një restorant dhe pastaj morëm transportin publik për të shkuar te dhoma-rimorkio e Ralfit, në Njuark, Nju-Xhersi.

Pas pak kohe, ishim në rrugë për në Hithsvill, Virxhinia, që ishte caktimi i parë si pionierë së bashku. Punuam krahinën Northamberlend dhe pastaj u transferuam në krahinat Fulton dhe Franklin, në Pensilvani. Në vitin 1939, Ralfin e ftuan në veprën e zonës, një aktivitet në të cilin do të vizitonim disa kongregacione, me radhë. Shërbyem në kongregacionet në shtetin Tenesi. Vitin pasues, na lindi një djalë, Aleni, dhe në vitin 1941 vepra e zonës u ndërpre. Pastaj, na caktuan në Merion, Virxhinia, si pionierë specialë. Ato ditë, kjo nënkuptonte të dedikoje 200 orë në shërbim çdo muaj.

Bëjmë rregullime

Në vitin 1943, e pashë të nevojshme ta ndërpritja shërbimin si pioniere speciale. Gjithçka që arrija të bëja, duke jetuar në një dhomë-rimorkio të vogël, ishte të kujdesesha për një fëmijë të vogël, të përgatitja për të ngrënë, të laja rrobat dhe të kaloja rreth 60 orë në shërbim çdo muaj. Por Ralfi vazhdoi si pionier special.

Në vitin 1945 u transferuam në Alajëns, Ohajo, shitëm dhomën-rimorkio që kishte qenë shtëpia jonë për nëntë vjet dhe shkuam të jetonim në shtëpinë e fermës, te prindërit e mi. Pikërisht aty, në verandën kryesore, na lindi vajza jonë, Rebeka. Ralfi filloi një punë gjysmëditore në qytet dhe vazhdoi si pionier i rregullt. Unë punoja në fermë dhe bëja çfarë të mundja për ta ndihmuar që të vazhdonte të shërbente si pionier. Edhe pse familja ime na ofroi tokë të lirë dhe një shtëpi, Ralfi nuk pranoi. Ai dëshironte të mbetej siç ishte, pa pengesa, që të ndiqte më plotësisht interesat e Mbretërisë.

Në vitin 1950 u transferuam përsëri në Potstaun, Pensilvani dhe morëm me qira një shtëpi për 25 dollarë në muaj. Për 30 vjetët që pasuan, qiraja u rrit vetëm deri në 75 dollarë. E ndiem se Jehovai po na ndihmonte ta mbanim jetën të thjeshtë. (Mateu 6:31-33) Ralfi punonte tri ditë në javë si berber. Çdo javë, studionim Biblën me dy fëmijët tanë, merrnim pjesë familjarisht, si në mbledhjet e kongregacionit, ashtu edhe në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë. Ralfi shërbente si mbikëqyrës drejtues i kongregacionit në atë qytet. Duke e mbajtur jetën të thjeshtë, patëm mundësi të bënim shumë në shërbim të Jehovait.

Humb burrin tim të dashur

Më 17 maj 1981, ishim ulur në Sallën e Mbretërisë duke dëgjuar një fjalim publik. Ralfi u ndie keq, shkoi në fund të sallës dhe më solli një shënim me anë të përcjellësit, ku më thoshte se po shkonte në shtëpi. Kjo ishte një gjë kaq e pazakontë për Ralfin, saqë menjëherë i kërkova dikujt që të më shoqëronte me makinë për në shtëpi. Brenda një ore, Ralfi vdiq nga një hemorragji cerebrale e fortë. Në fund të studimit të Kullës së Rojës atë mëngjes, kongregacionit iu njoftua se ai kishte vdekur.

Atë muaj, Ralfi kishte dedikuar tashmë më shumë se 50 orë në shërbim. Karriera e tij e plotkohore si pionier përfshiu më tepër se 46 vjet. Ai kishte drejtuar studime biblike me më shumë se njëqind njerëz, të cilët ishin pagëzuar si Dëshmitarë të Jehovait. Bekimet frymore që morëm ia vlenin për çdo sakrificë që bëmë përgjatë viteve.

Mirënjohëse për privilegjet

Për 18 vjetët e fundit, kam jetuar vetëm, duke marrë pjesë në mbledhje, duke u predikuar të tjerëve me sa të mundem dhe duke studiuar Fjalën e Perëndisë. Tani jetoj në një apartament-pension për të moshuar. Kam vetëm disa orendi dhe kam zgjedhur të mos kem televizor. Por jetën e kam të mbushur plot dhe të pasur nga ana frymore. Prindërit dhe dy vëllezërit e mi ishin besnikë deri në vdekje, kurse dy motrat e mia vazhdojnë besnike në udhën e së vërtetës.

Kënaqem që djali im, Aleni, po shërben si plak i krishterë. Për shumë vjet ai ka instaluar sisteme akustike nëpër Salla Mbretërie dhe në Salla Asamblesh, si edhe ka punuar në instalimin e akustikës për kongreset e verës. Gruaja e tij është një shërbëtore besnike e Perëndisë dhe dy djemtë e tyre shërbejnë si pleq. Vajza ime, Rebeka Karres, ka kaluar më shumë se 35 vjet në shërbimin e plotkohor, duke përfshirë edhe katër vjet në Selinë Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin. Njëzet e pesë vjetët e fundit, ajo dhe burri i saj i kanë kaluar në veprën udhëtuese në pjesë në ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Jezui tha se Mbretëria është si një thesar i fshehur që mund të gjendet. (Mateu 13:44) Jam mirënjohëse që familja ime e gjeti këtë thesar shumë e shumë vjet më parë. Çfarë privilegji kur mendoj pa asnjë keqardhje për 80 vjetët e shërbimit që i kam dedikuar Perëndisë! Po ta filloja edhe një herë jetën, do ta jetoja në të njëjtën mënyrë, sepse në të vërtetë ‘dashamirësia e dashur e Perëndisë është më e mirë se vetë jeta’.​—Psalmi 63:3, BR.

[Shënimi]

^ par. 17 Misteri i përfunduar ishte vëllimi i shtatë i koleksionit Studime mbi Shkrimet, gjashtë vëllimet e para të të cilit u shkruan nga Charles Taze Russell. Misteri i përfunduar u botua pas vdekjes së Russell-it.

[Figura në faqen 23]

Në vitin 1917, në Alajëns, Ohajo, dëgjuam fjalimin e vëllait Rutherford

[Figura në faqen 23]

Me Ralfin, para dhomës-rimorkio që e kishte ndërtuar vetë

[Figura në faqen 24]

Me dy fëmijët e mi sot