Një burrë shembullor që pranoi korrigjimin
Një burrë shembullor që pranoi korrigjimin
«KROKODILËT e Zambias hanë 30 njerëz çdo muaj.» Kështu raportohej në një gazetë afrikane disa vjet më parë. Sipas një zoologu, i cili i kapte këta zvarranikë për t’i studiuar, «për të mbajtur një krokodil duheshin 12 burra». Me një bisht të fuqishëm dhe nofulla të jashtëzakonshme, krokodili mund të jetë një kafshë tmerruese.
Duke iu referuar, me sa duket, krokodilit si «Leviathani», Krijuesi e përdori këtë «mbret mbi të gjitha bishat më madhështore» për t’i dhënë shërbëtorit të tij Job një mësim të rëndësishëm. (Jobi 41:1, 34) Kjo ndodhi rreth 3.500 vjet më parë, në vendin e Uzit, ndoshta diku aty në Arabinë Veriore. Duke përshkruar këtë krijesë, Perëndia i tha Jobit: «Askush nuk ka aq guxim sa ta provokojë. Kush, pra, është në gjendje të qëndrojë i fortë para meje?» (Jobi 41:10) Sa e vërtetë! Nëse kemi frikë nga krokodili, aq më tepër duhet të druhemi për të folur kundër Atij që e ka krijuar atë! Jobi tregoi çmueshmëri për këtë mësim, duke rrëfyer gabimin e vet.—Jobi 42:1-6.
Sa herë që përmendet Jobi, mund të na vijë ndër mend shembulli i tij besimplotë kur duroi sprovat. (Jakobit 5:11) Faktikisht, Jehovai ishte i kënaqur me Jobin edhe më përpara se besimi i tij të sprovohej rëndë. Sipas vlerësimit të Perëndisë, në atë kohë ‘nuk kishte asnjë tjetër si ai, i ndershëm, i drejtë, që të ketë frikë nga Perëndia dhe t’i largohet së keqes’. (Jobi 1:8) Kjo duhet të na shtyjë të mësojmë më shumë për Jobin, pasi, duke bërë kështu, do të ndihmohemi të kuptojmë se si mund t’i pëlqejmë edhe ne Perëndisë.
Marrëdhënia me Perëndinë ishte në vend të parë
Jobi ishte njeri i pasur. Përveç arit, ai kishte 7.000 dele, 3.000 deve, 500 gomerë, 1.000 kokë gjedhë dhe një numër shumë të madh shërbëtorësh. (Jobi 1:3) Por Jobi i besonte Jehovait, jo pasurive. Ai arsyetoi: «Në qoftë se kam pasur besim tek ari dhe arit të kulluar i kam thënë: ‘Ti je shpresa ime’, në rast se jam gëzuar sepse pasuritë e mia ishin të mëdha, dhe sepse dora ime ka grumbulluar shumë pasuri, . . . edhe ky do të ishte një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët, sepse do të kisha mohuar Perëndinë që rri aty lart.» (Jobi 31:24-28) Ashtu si Jobi, ne duhet ta vlerësojmë marrëdhënien e ngushtë me Perëndinë Jehova shumë më tepër sesa gjërat materiale.
I trajtonte me drejtësi njerëzit e tjerë
Si i trajtonte Jobi shërbëtorët e tij? Fakti që ata e konsideronin njeri të drejtë dhe që mund t’i afroheshin, tregohet nga vetë fjalët e Jobit: «Në rast se kam hedhur poshtë të drejtën e shërbëtorit tim dhe të shërbëtores sime, kur po grindeshin me mua, çfarë do të bëja kur Perëndia të ngrihej kundër meje, dhe si do t’i përgjigjesha kur të më kërkonte llogari?» (Jobi 31:13, 14) Jobi e vlerësonte mëshirën e Jehovait, prandaj i trajtonte me mëshirë skllevërit e tij. Sa shembull i shkëlqyer, veçanërisht për ata që kanë pozita mbikëqyrjeje brenda kongregacionit të krishterë! Edhe ata duhet të jenë të ndershëm, të paanshëm dhe njerëz të cilëve mund t’u afrohesh.
Gjithashtu, Jobi tregonte interes për njerëzit që nuk ishin të shtëpisë së tij. Duke zbuluar merakun që kishte për të tjerët, ai tha: «Në rast se u kam refuzuar të varfërve atë që dëshironin dhe bëra të veniten sytë e gruas së ve, . . . në qoftë se kam ngritur dorën kundër jetimit, sepse e dija që do të ndihmohesha te porta, supi im u ndaftë nga shpatulla, krahu im u theftë në bërryl!» (Jobi 31:16-22) Qofshim edhe ne po aq të vëmendshëm ndaj atyre në kongregacion që e dimë se po përjetojnë vështirësi!
Jobi i mikpriste të huajt, sepse interesohej në mënyrë altruiste për të tjerët. Kështu, ai mundi të thoshte: «Asnjë i huaj nuk e kalonte natën jashtë, sepse i hapja portat e mia udhëtarit.» (Jobi 31:31) Sa shembull i shkëlqyer është ky për shërbëtorët e Perëndisë sot! Kur në Sallën e Mbretërisë vijnë njerëz të sapointeresuar për të vërtetën biblike, nëse i mirëpresim, kjo mund të kontribuojë në progresin e tyre frymor. Sigurisht, edhe mbikëqyrësit udhëtues, si dhe të krishterë të tjerë kanë nevojë për mikpritjen tonë të dashur.—1. Pjetrit 4:9; 3. Gjonit 5-8.
Jobi kishte një qëndrim të duhur edhe ndaj armiqve të tij. Ai nuk gëzonte për katastrofat që mund t’i binin ndonjërit që e urrente atë. (Jobi 31:28, 29) Në vend të kësaj, ishte i gatshëm t’u bënte mirë këtyre njerëzve, siç duket qartë nga gatishmëria e tij për t’u lutur për tre ngushëlluesit e rremë.—Jobi 16:2; 42:8, 9; krahaso Mateun 5:43-48.
I dëlirë nga ana seksuale
Jobi ishte besnik ndaj bashkëshortes së tij, duke mos lejuar kurrë që në zemrën e tij të zhvillohej ndonjë përzemërsi e papërshtatshme për një grua tjetër. Jobi tha: «Unë kisha bërë një besëlidhje me sytë e mi; si mund ta fiksoja, pra, shikimin mbi një virgjëreshë? Jobi 31:1, 9-11.
Në rast se zemra ime është mashtruar nga një grua dhe kam përgjuar në portën e të afërmit tim, gruaja ime le të bluajë për një tjetër dhe të tjerë u përkulshin mbi të. Sepse kjo do të ishte një mbrapshti, një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët.»—Jobi nuk la që dëshirat imorale të korruptonin zemrën e tij. Përkundrazi, ai ndoqi një rrugë të ndershme. S’është për t’u habitur që Perëndia Jehova ishte i kënaqur me këtë njeri besimplotë, i cili luftonte kundër ngacmimeve imorale!—Mateu 5:27-30.
Merakosej për gjendjen frymore të familjes
Disa herë, bijtë e Jobit përgatitnin bankete, në të cilat ishin të pranishëm gjithë bijtë dhe bijat e tij. Pas këtyre ditëve të banketit, Jobi ishte shumë në merak se mos fëmijët e tij kishin mëkatuar kundër Jehovait në ndonjë mënyrë. Prandaj Jobi vepronte, siç thotë tregimi biblik: «Kur mbaronte seria e ditëve të banketit, Jobi i thërriste për t’i pastruar; ngrihej herët në mëngjes dhe ofronte olokauste sipas numrit të të gjithë atyre, sepse Jobi mendonte: ‘Ndofta bijtë e mi kanë mëkatuar dhe e kanë blasfemuar Perëndinë në zemrën e tyre.’» (Jobi 1:4, 5) Sa duhet ta ketë ngulitur kjo te familjarët e Jobit merakun e tij që ata të kishin druajtje me përnderim për Jehovain dhe të ecnin në udhët e Tij!
Sot, kryefamiljarët e krishterë duhet t’i udhëzojnë familjet e tyre sipas Fjalës së Perëndisë, Biblës. (1. Timoteut 5:8) Veç kësaj, është më se e përshtatshme të lutemi për pjesëtarët e familjes.—Romakëve 12:12.
Qëndroi me besnikëri nën sprova
Shumica e lexuesve të Biblës i njohin sprovat e rënda që ranë mbi Jobin. Satana Djalli kishte pohuar se, po të gjendej në rrethana sprovuese, Jobi do ta mallkonte Perëndinë. Jehovai e pranoi këtë sfidë dhe pa vonesë Satanai solli katastrofa mbi Jobin. Ai humbi gjithë bagëtinë që kishte. Më keq akoma, i vdiqën që të gjithë fëmijët. Pak kohë pas kësaj, Satanai e goditi Jobin me një çiban të keq nga koka te këmbët.—Jobi, kapitujt 1 dhe 2.
Cili qe rezultati? Kur e shoqja e nxiti të mallkonte Perëndinë, Jobi tha: «Ti flet si një grua pa mend. Në rast se pranojmë të mirën nga Perëndia, pse nuk duhet të pranojmë edhe të keqen?» Tregimi biblik shton: «Në të gjitha këto, Jobi nuk mëkatoi me buzët e tij.» (Jobi 2:10) Pikërisht, Jobi qëndroi me besnikëri dhe provoi kështu se Djalli është një gënjeshtar. Qëndrofshim edhe ne në mënyrë të ngjashme ndaj sprovave dhe provofshim se shërbimi ynë ndaj Perëndisë motivohet nga dashuria e pastër për Jehovain!—Mateu 22:36-38.
Pranoi me përulësi korrigjimin
Edhe pse Jobi ishte shembullor në shumë aspekte, ai nuk ishte njeri i përsosur. Ai vetë tha: «Kush mund të nxjerrë një gjë të pastër nga një gjë e papastër? Askush.» (Jobi 14:4; Romakëve 5:12) Prandaj, kur Perëndia tha se Jobi ishte i panjollë, kjo ishte e vërtetë në kuptimin që ai jetonte në harmoni me tërë atë që Perëndia priste nga një prej shërbëtorëve të tij të papërsosur e mëkatarë. Çfarë burimi inkurajimi!
Jobi e duroi sprovën e tij, por kjo zbuloi një të metë që kishte. Kur dëgjuan tërë katastrofat që i kishin rënë, atë e vizituan tre të ashtuquajtur ngushëllues. (Jobi 2:11-13) Ata e akuzuan se Jehovai po e ndëshkonte, ngaqë vetë Jobi kishte kryer mëkate të rënda. Natyrisht, Jobi u lëndua nga këto akuza të rreme dhe u përpoq energjikisht të mbrohej. Por, duke u përpjekur të justifikonte veten, ai humbi ekuilibrin. Imagjinoni, me fjalët e tij Jobi la të nënkuptohej që ishte më i drejtë se Perëndia!—Jobi 35:2, 3.
Duke qenë se Perëndia e donte Jobin, Ai përdori një djalë të ri për t’i nxjerrë në pah gabimin. Tregimi thotë: «Zemërimi i Elihut . . . u ndez kundër Jobit; zemërimi i tij u ndez, sepse ai e quante veten e tij të drejtë më tepër se Perëndia.» Siç e vërejti Elihu: «Jobi ka thënë: ‘Jam i drejtë, por Perëndia më ka hequr drejtësinë time.’» (Jobi 32:2; 34:5) Megjithatë, Elihu nuk u bashkua me tre ‘ngushëlluesit’, që në mënyrë të gabuar nxorën përfundimin se Perëndia po e dënonte Jobin për mëkatet që kishte bërë. Në vend të kësaj, Elihu shprehu siguri për besnikërinë e Jobit dhe e këshilloi: «Çështja jote qëndron para tij [Jehovait] dhe ti duhet të presësh.» Në fakt, Jobi duhej të kishte pritur Jehovain, në vend që të fliste pa u matur në mbrojtje të vetes. Elihu e siguroi Jobin: «[Perëndia] nuk do ta nënvlerësojë drejtësinë dhe bollëkun e së drejtës.»—Jobi 35:14; 37:23, BR.
Mënyra e të menduarit që kishte Jobi duhej korrigjuar. Prandaj, Jehovai i dha atij një mësim për vogëlsinë e njeriut, në krahasim me madhështinë e Perëndisë. Jehovai ia drejtoi vëmendjen nga toka, deti, qiejt me yje, kafshët dhe shumë mrekulli të tjera të krijimit. Në fund, Perëndia foli për Leviathanin, domethënë për krokodilin. Jobi e pranoi me përulësi korrigjimin dhe në këtë aspekt lë një shembull të mëtejshëm për ne.
Edhe pse mund të jemi duke shkuar mirë në shërbim të Jehovait, ne do të bëjmë gabime. Nëse gabimi është i rëndë, Jehovai mund të na korrigjojë me ndonjë mënyrë. (Fjalët e urta [Proverbat] 3:11, 12) Mund të na vijë në mendje një shkrim që bën të na vrasë ndërgjegjja. Ndoshta Kulla e Rojës ose ndonjë artikull tjetër i Shoqatës Watch Tower mund të thotë diçka që na bën të vetëdijshëm për një gabim. Ose ndoshta një i bashkëkrishterë mund të na nxjerrë në pah me dashamirësi se nuk ia kemi dalë mbanë të zbatojmë një parim të Biblës. Si do të reagojmë ndaj këtij korrigjimi? Jobi shfaqi një frymë të penduar, duke thënë: «Ndiej neveri ndaj vetes dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin.»—Jobi 42:6.
I shpërblyer nga Jehovai
Jehovai e shpërbleu Jobin, duke lejuar që ky shërbëtor i tij të jetonte edhe 140 vjet të tjerë. Gjatë asaj kohe, ai mori shumë më tepër se ato që kishte humbur. Gjithashtu, edhe pse në fund Jobi vdiq, është e sigurt se ai do të ringjallet në botën e re të Perëndisë.—Jobi 42:12-17; Ezekieli 14:14; Gjoni 5:28, 29; 2. Pjetrit 3:13.
Edhe ne mund të jemi të sigurt për miratimin dhe për bekimin e Perëndisë, nëse i shërbejmë me besnikëri dhe pranojmë çfarëdo korrigjimi të bazuar në Bibël që mund të na jepet. Si rezultat, do të kemi shpresën e sigurt të jetës në sistemin e ri të gjërave të Perëndisë. Ç’është më e rëndësishme, do të nderojmë Perëndinë. Sjellja jonë besnike do të shpërblehet dhe do të jetë një provë e mëtejshme se populli i tij i shërben atij, jo për arsye egoiste, por nga dashuria me gjithë zemër. Çfarë privilegji është për ne ta bëjmë zemrën e Jehovait të gëzohet, siç bëri Jobi besnik, i cili e pranoi me përulësi korrigjimin!—Fjalët e urta 27:11.
[Figurat në faqen 26]
Jobi tregoi merak të dashur për jetimët, për vejushat dhe për të tjerët
[Figurat në faqen 28]
Jobi u shpërblye shumë, ngaqë e pranoi me përulësi korrigjimin