Një mbajtës drite për shumë kombe
Jetëshkrim
Një mbajtës drite për shumë kombe
HISTORIA E XHORXH JANGUT TREGUAR NGA RUTH JANG NIKOLSON
«Përse, pra, kjo heshtje në katedrat e kishave tona? . . . Çfarë lloj burrash jemi nëse do të rrinim në heshtje pasi të kishim provuar se gjërat për të cilat po ju shkruaj këtu janë të vërteta? Të mos i mbajmë njerëzit në padije, por le të shpallim të vërtetën, jo në mënyrë shfajësuese ose të fshehur.»
KËTO fjalë ishin pjesë të letrës prej 33 faqesh, të cilën babai e dërgoi që të kërkonte t’i hiqej emri nga regjistri i kishës. Ishte viti 1913. Qysh prej asaj kohe, ai u angazhua në një jetë të mbushur me ngjarje, që e çuan të shërbente si mbajtës drite për shumë kombe. (Filipianëve 2:15) Që kur isha e vogël, mblidhja histori nga të afërmit e babait dhe në materialet historike rreth përvojave të tij, dhe disa miq më ndihmuan ta rindërtoja jetën e tij. Në shumë aspekte, jeta e babait më kujton jetën e apostullit Pavël. Ashtu si ai «apostull i kombeve», babai ishte gjithnjë gati të udhëtonte për t’u çuar mesazhin e Jehovait njerëzve në çdo vend e ishull. (Romakëve 11:13, BR; Psalmi 107:1-3) Më lejoni t’ju tregoj për babanë tim, Xhorxh Jangun.
Vitet e hershme
Babai ishte djali i vogël i Xhon dhe Margaret Jangut, presbiterianë skocezë. Lindi më 8 shtator 1886, pak kohë pasi familja ishte transferuar nga Edinburgu i Skocisë, në Kolumbinë Britanike të Kanadasë Perëndimore. Tre vëllezërit e tij më të mëdhenj—Aleksandri, Xhoni dhe Malkolmi—kishin lindur në Skoci, disa vjet më parë. Merion, motra e babait, më e vogla e fëmijëve, të cilën me përkëdheli e thërritnin Neli, ishte dy vjet më e vogël se babai im.
Ndërsa rriteshin në një fermë në Saniç, jo larg Viktorias, në Kolumbinë Britanike, fëmijët kënaqeshin shumë. Në të njëjtën kohë, mësuan të mbanin mbi supe përgjegjësi. Kështu, kur prindërit ktheheshin nga ndonjë udhëtim që kishin bërë në Viktoria, punët jashtë shtëpisë ishin mbaruar dhe shtëpia ishte e pastër e në rregull.
Me kalimin e kohës, babait tim dhe vëllezërve të tij u lindi interesi për minierat, si edhe për tregtinë e drurit. Vëllezërit Jang krijuan një reputacion shumë të mirë si kërkues drurësh (njerëz që inspektonin vendin për të gjetur rezerva të mundshme drurësh) dhe si blerës e shitës druri. Im atë merrej me veprimet financiare.
Me kohë, prirja e babait ndaj gjërave frymore e çoi të vendoste të bëhej shërbëtor presbiterian. Por, rreth asaj kohe, disa fjalime në gazeta, mbajtur nga Çarlz Teiz Rasëlli, presidenti i parë i Shoqatës Zion’s Watch Tower Tract, ndikuan thellësisht në jetën e tij. Ajo që mësoi, e shtyu babanë të shkruante dhe të dërgonte letrën e dorëheqjes që përmendej në hyrje.
Me mirësjellje, por në mënyrë të qartë, babai përdori vargje biblike për të hedhur poshtë mësimet e kishës se shpirti i njeriut është i pavdekshëm dhe se Perëndia do t’i torturojë përjetësisht shpirtrat e njerëzve në zjarrin e ferrit. Gjithashtu, ai demaskoi doktrinën e Trinitetit, duke provuar se nuk kishte origjinë të krishterë dhe nuk mbështetej asgjëkundi në Shkrime. Që nga ajo kohë, ndërmori shërbimin e krishterë në imitim të Jezu Krishtit, duke i përdorur me përulësi të gjitha aftësitë dhe forcat e tij për lavdi të Jehovait.
Në vitin 1917, nën drejtimin e Shoqatës Watch Tower, babai filloi të shërbente si pelegrin, siç quheshin atëherë përfaqësuesit udhëtues të Dëshmitarëve të Jehovait. Në qytete dhe provinca përgjatë Kanadasë, ai mbante fjalime dhe paraqiste programin me filma të shkurtër dhe diapozitiva, i cili njihet si «Fotodrama e Krijimit». Teatrot mbusheshin plot gjatë vizitave të babait. Programi për vizitat e tij si pelegrin u shfaq në Kullën e Rojës deri në vitin 1921.
Një gazetë e Vinipegut raportonte se ungjilltari Jang kishte folur para 2500 vetave dhe se shumë të tjerë nuk hynin dot, sepse salla ishte plot e përplot. Në Otavë, foli për temën «Në ferr dhe rikthim». Atje, një burrë i moshuar raportoi: «Kur mbaroi fjalimin, Xhorxh Jangu ftoi një varg klerikësh në podium që ta diskutonin temën me të, por asnjëri prej tyre nuk lëvizi. Atëherë, e kuptova se kisha gjetur të vërtetën.»
Gjatë vizitave të tij si pelegrin babai përpiqej të grumbullonte sa më shumë aktivitet frymor. Pastaj, nxitonte të kapte trenin për një ndalesë tjetër të programuar. Kur udhëtonte me makinë, shpeshherë ishte në rrugë për në caktimin tjetër, shumë kohë përpara mëngjesit. Përveçse ishte i zellshëm, babai kishte reputacionin se ishte njeri i vëmendshëm ndaj të tjerëve dhe njihej për veprat dhe për bujarinë e tij të krishterë.
Ndër kongreset e shumta të hershme që ndoqi, një kongres veçanërisht i paharrueshëm ishte ai që u mbajt në Edmonton, Alberta, në Filipianëve 3:14.
vitin 1918. E gjithë familja ndodhej atje për pagëzimin e Nelit. Gjithashtu, kjo ishte edhe hera e fundit që djemtë ishin së bashku. Dy vjet më vonë, Malkolmi vdiq me pneumoni. Ashtu si tre vëllezërit dhe babai i tij, Malkolmi kishte shpresën e jetës qiellore dhe që të gjithë ata i mbetën besimplotë Perëndisë deri në vdekje.—Në fusha të huaja
Pasi babai përfundoi një turne predikimi në Kanada në shtator të vitit 1921, Xhozef F. Radhërfordi, atëherë president i Shoqatës Watch Tower, e drejtoi të vazhdonte me ishujt e Karaibeve. Kudo që babai paraqiste «Fotodramën e Krijimit», ajo pritej mirë. Nga Trinidadi, ai shkroi: «Vendi ishte plot e përplot dhe shumë njerëz u detyruan të ktheheshin mbrapsht. Natën e dytë ndërtesa ishte mbushur me njerëz.»
Pastaj, në vitin 1923, babanë e caktuan në Brazil. Atje fliste para auditorëve të mëdhenj, disa herë duke përdorur përkthyes me pagesë. Kulla e Rojës, 15 dhjetor 1923 (anglisht), raportonte: «Nga 1 qershori deri në 30 shtator, vëllai Jang ka mbajtur 21 mbledhje publike me 3600 të pranishëm gjithsej, 48 mbledhje kongregacioni me 1100 të pranishëm; ka shpërndarë literaturë falas në gjuhën portugeze, gjithsej 5000 kopje.» Shumë reaguan me interes kur babai mbajti fjalimin «Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë».
Kur në Brazil u dedikuan ndërtesa të reja, më 8 mars 1997, broshura e dedikimit raportonte: «1923: Xhorxh Jang mbërrin në Brazil. Organizon një zyrë dege në qendër të Rio-de-Zhaneiros.» Ndonëse në atë vend kishte në dispozicion literaturë biblike në spanjisht, nevojitej literaturë edhe në portugalisht, e cila është gjuha kryesore në Brazil. Kështu, më 1 tetor 1923, Kulla e Rojës filloi të botohej në portugalisht.
Babai pati shumë takime të paharrueshme në Brazil. Njëri ishte një burrë i pasur portugez me emrin Jacintu Pimentel Kabral, i cili ofroi shtëpinë e tij për mbledhje. Jacintu e pranoi shpejt të vërtetën biblike dhe më vonë u bë pjesëtar i personelit të degës. Një tjetër ishte Manuel da Silva Zhordau, një i ri portugez që punonte si kopshtar. Ai dëgjoi një fjalim publik të babait dhe ky fjalim e motivoi të rikthehej në Portugali që të shërbente si përhapës, siç quheshin atëherë shërbëtorët e plotkohorë Dëshmitarë të Jehovait.
Babai udhëtonte shumë me tren, duke i rënë Brazilit kryq e tërthor dhe ia dilte mbanë të gjente persona të interesuar. Në një nga udhëtimet e tij, takoi Boni dhe Katarina Grinin dhe qëndroi me ta për rreth dy javë, duke u shpjeguar Shkrimet. Të paktën shtatë veta nga familja e simbolizuan dedikimin e tyre ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë.
Një person tjetër që takoi ishte Sara Bellona Ferguson, në vitin 1923. Më 1867, kur ishte vajzë e re, ajo së bashku me të vëllanë, Erasmus Fulton Smith, dhe me pjesën tjetër të familjes ishte transferuar nga Shtetet e Bashkuara në Brazil. Që nga viti 1899, kishte marrë rregullisht revistën Kulla e Rojës me postë. Për Sarën, katër fëmijët e saj dhe për dikë që babai e quante teze Sali, vizita e babait ishte rasti i shumëpritur që të pagëzoheshin. Kjo ndodhi më 11 mars 1924.
S’kaloi shumë kohë dhe babai po predikonte në vende të tjera të Amerikës së Jugut. Më 8 nëntor 1924, shkroi nga Peruja: «Sapo kam mbaruar së shpërndari 17 000 fletushka në Limë dhe në Kalao.» Pastaj shkoi në Bolivi për të shpërndarë fletushka atje. Lidhur me atë vizitë, shkroi: «Ati ynë po i bekon përpjekjet. Një indian më ndihmoi. Shtëpia e tij është në burimin e lumit Amazonë. Ai do të marrë me vete 1000 fletushka dhe disa libra që t’i çojë në vendin e tij.»
Nëpërmjet përpjekjeve të babait, farërat e së vërtetës biblike u shpërndanë në shumë vende të Amerikës Qendrore dhe Jugore. Në Kullën e Rojës, 1 dhjetor 1924, raportohej: «Xhorxh Jangu tani ka më shumë se dy vjet që është në Amerikën e Jugut. . . . Ka qenë privilegji i këtij vëllai të dashur ta çojë mesazhin e së vërtetës në Punta Arenas që ndodhet në ngushticën Magelan.» Gjithashtu, babai drejtoi veprën e predikimit në vende të tilla, si: Kosta-Rikë, Panama dhe
Venezuelë. E vazhdoi predikimin, ndonëse kishte marrë malarjen dhe shëndeti i ishte keqësuar.Për në Evropë
Në mars të vitit 1925, babai u nis për në Evropë, ku shpresonte të shpërndante 300 000 fletushka biblike në Spanjë dhe në Portugali, si edhe të bënte përgatitje që vëllai Radhërford të mbante fjalime publike. Por, pasi mbërriti në Spanjë, babai shprehu rezerva që vëllai Radhërford të mbante këto fjalime, duke pasur parasysh atmosferën e intolerancës fetare.
Duke iu përgjigjur, vëllai Radhërford shkroi, duke cituar Isainë 51:16, ku thuhet: «Unë i kam vënë fjalët e mia në gojën tënde dhe të kam mbuluar me hijen e dorës sime për të vendosur qiejtë, për të hedhur themelet e tokës dhe për t’i thënë Sionit: ‘Ti je populli im.’» (King James Version) Me këtë, babai nxori si përfundim: «Sigurisht, është vullneti i Zotërisë që unë të shkoj përpara dhe t’ia lë rezultatet Atij.»
Më 10 maj 1925, vëllai Radhërford e mbajti fjalimin e tij, me ndihmën e një përkthyesi, në Teatrin Novedades në Barcelonë. Më shumë se 2000 veta ishin të pranishëm, duke përfshirë një zyrtar qeveritar dhe një truprojë speciale në platformë. Një procedurë e ngjashme u ndoq në Madrid, me 1200 të pranishëm. Interesi i lindur nga këto fjalime solli si rezultat ngritjen e një zyre dege në Spanjë, e cila u vu, siç thuhet në Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1978, «nën drejtimin e Xhorxh Jangut».
Më 13 maj 1925, vëllai Radhërford foli në Lisbonë, Portugali. Edhe atje, vizita e tij pati një sukses të madh, me gjithë përpjekjet e klerit për ta prishur mbledhjen duke bërtitur dhe duke thyer karriget. Pas fjalimeve të vëllait Radhërford në Spanjë dhe në Portugali, babai vazhdoi të shfaqte «Fotodramën» dhe, gjithashtu, mori masa që në këto vende të shtypej e të shpërndahej literaturë biblike. Në vitin 1927, raportoi se lajmi i mirë «është përhapur në çdo qytet dhe krahinë të Spanjës».
Predikon në Bashkimin Sovjetik
Caktimi tjetër misionar i babait ishte Bashkimi Sovjetik, ku mbërriti më 28 gusht 1928. Në një letër që shkroi, e cila daton më 10 tetor 1928, lexohet pjesërisht:
«Që kur erdha në Rusi, mund të lutem në të vërtetë ‘Ardhtë mbretëria jote’ nga thellësia e zemrës. Po e mësoj gjuhën, por përparimi është i ngadaltë. Përkthyesi im është një njeri shumë i veçantë, një hebre, por që beson në Krishtin dhe e do Biblën. Kam pasur disa përvoja interesante, por nuk e di sa gjatë do të më lejojnë të qëndroj. Javën e kaluar mora njoftimin për t’u larguar brenda 24 orësh, por çështja u rregullua, kështu që mund të rri më gjatë.»
Ai shkoi të takonte disa Studentë të Biblës në Harkov, tani një qytet kryesor në Ukrainë, dhe shkëmbimi i përzemërt i inkurajimit u solli atyre lot gëzimi në sy. Çdo natë u mbajt një kongres i vogël deri në mesnatë. Duke shkruar më vonë për këtë mbledhje me vëllezërit, babai vërejti: «Të shkretët vëllezër, librat e paktë ua kanë konfiskuar dhe autoritetet nuk janë miqësore, e megjithatë, ata janë të lumtur.»
Shërbimi i babait në Bashkimin Sovjetik u theksua në një broshurë të veçantë të botuar për ata që ndoqën dedikimin e ndërtesave të reja të degës në Shën Pjetërburg, Rusi, më 21 qershor 1997. Në broshurë thuhet se babai u dërgua në Moskë dhe raportohet se mori leje «për të shtypur 15 000 kopje të broshurave Liri për popujt dhe Ku janë të vdekurit?, për t’i shpërndarë në Rusi».
Pasi u kthye nga Rusia, babanë e caktuan në veprën si pelegrin në Shtetet e Bashkuara. Në Dakotën e Jugut, shkoi në shtëpinë e Nellena dhe Verda Pulit, motra të një gjaku që vite më vonë u bënë misionare në Peru. Ato shprehën çmueshmëri të madhe për shërbimin e palodhur të babait dhe vërejtën: «Në ato ditë të hershme, vëllezërit patjetër që e kishin frymën e pionierit ndërsa shkonin në këto vende të huaja, duke pasur pak të mira materiale të kësaj bote, por me një zemër plot dashuri për Jehovain. Kjo është ajo që i shtyu të kryenin atë që bënë.»
Martesa dhe turneu i dytë
Gjatë viteve, babai kishte pasur korrespondencë me Klara Hubertin nga ishulli Manitulin, Ontario. Ata ishin që të dy të pranishëm në kongresin në Kolumbus, Ohajo, më 26 korrik 1931, kur Studentët e Biblës morën emrin Dëshmitarët e Jehovait. (Isaia 43:10-12) Një javë më vonë u martuan. Pak kohë më pas, babai ishte përsëri larg, në turneun e dytë misionar në ishujt e Karaibeve. Atje, ndihmoi për të organizuar mbledhjet dhe për të stërvitur të tjerët në shërbimin shtëpi më shtëpi.
Mamaja merrte fotografi, kartolina dhe letra nga Surinami, Shën Kitsi dhe nga shumë vende të tjera. Letrat raportonin për progresin e veprës së predikimit dhe disa herë përfshinin fakte për zogjtë, kafshët dhe bimët që rriteshin në atë vend ku ndodhej. Në qershor të 1932-shit, babai e përfundoi caktimin e tij në Karaibe dhe, duke udhëtuar me anije në klasin e fundit si zakonisht, u kthye në Kanada. Pas kësaj, ai dhe mamaja morën pjesë në veprën e predikimit në kohë të plotë së bashku, duke e kaluar dimrin e 1932-1933 në zonën e Otavës me një grup të madh shërbëtorësh të tjerë të plotkohorë.
Një jetë e shkurtër familjare
Në vitin 1934 lindi vëllai im, Davidi. Kur ishte i vogël, rrinte në këmbë mbi kutinë e kapeles së mamasë dhe praktikonte «fjalimet» e tij. Gjatë gjithë jetës, ai ka treguar zell për Jehovain, ashtu si i ati. Që të tre udhëtonin me makinë, sipër së cilës ishin lidhur pajisjet e altoparlantit, dhe vizitonin kongregacionet nga bregu lindor në bregun perëndimor të Kanadasë. Unë linda në vitin 1938, kur babai shërbente në Kolumbinë Britanike. Davidi kujton se, ndërsa babai më vuri në krevat, mamaja dhe Davidi u gjunjëzuan bashkë me të përqark krevatit, ndërkohë që babai bëri një lutje falënderimi për mua.
Në dimrin e vitit 1939, jetonim në Vankuver, ndërsa babai vizitonte kongregacionet në atë zonë. Mes letrave të shumta që kemi mbledhur gjatë viteve ishte njëra që datonte më 14 janar 1939, e shkruar kur ishte në Vernon, në Kolumbinë Britanike. Babai ia drejtonte letrën Klarës, Davidit dhe Ruthës, duke thënë: «Nga një puthje të vogël dhe nga një përqafim.» Brenda kishte një mesazh për secilin prej nesh. Ai fliste për të korrën që ishte e madhe në atë vend, por punëtorët ishin pak.—Mateu 9:37, 38.
Një javë pasi u kthye në Vankuver nga caktimi i tij, babai ra pa ndjenja gjatë një mbledhjeje. Diagnoza e mëvonshme zbuloi se kishte një tumor kanceroz në tru. Më 1 maj 1939 mbaroi jetën e tij tokësore. Unë isha nëntëmuajshe dhe Davidi ishte rreth pesëvjeç. Mamaja e dashur, e cila kishte, gjithashtu, shpresën qiellore, i mbeti besnike Perëndisë deri në vdekje, më 19 qershor 1963.
Ajo që provonte babai rreth privilegjit për ta çuar lajmin e mirë në shumë vende, përshkruhet bukur në një nga letrat që i kishte dërguar mamasë. Pjesërisht thuhej: «Jehovai me dashamirësi më lejoi të shkoja në këto vende si një dritë për të mbajtur mesazhin e Mbretërisë. I lavdëruar qoftë emri i tij i shenjtë. Përmes brishtësisë, paaftësisë dhe dobësisë, lavdia e tij ndriçon.»
Tani, fëmijët, nipërit dhe stërnipërit e Xhorxh dhe Klara Jangut i shërbejnë, gjithashtu, Perëndisë tonë të dashur, Jehovait. Më kanë thënë se babai citonte shpesh Hebrenjve 6:10, ku thuhet: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën dhe mundimin tuaj të dashurisë që treguat për emrin e tij.» As ne nuk e kemi harruar veprën e babait.
[Figura në faqen 23]
Im atë, djathtas, me tre vëllezërit e tij
[Figurat në faqen 25]
Babai (në këmbë) me vëllezërit Uduorth, Radhërford dhe Mekmillan
Poshtë: babai (majtas) në grup me vëllanë Rasëll
[Figurat në faqen 26]
Babai dhe mamaja
Poshtë: Dita e dasmës së tyre
[Figura në faqen 27]
Me Davidin dhe mamanë, disa vjet pas vdekjes së babait