Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shpallin lajmin e mirë në fushat e orizit në Tajvan

Shpallin lajmin e mirë në fushat e orizit në Tajvan

Ne jemi lloji që ka besim

Shpallin lajmin e mirë në fushat e orizit në Tajvan

TAJVANI zakonisht ka shira të bollshme, që i japin mundësi të ketë dy të korra të mira orizi në vit. Por, me raste, shirat nuk vijnë atëherë kur duhet dhe filizat thahen. A dorëzohet fermeri kur ndodh kjo? Jo. Ai e di se nevojitet ngulmim. Rrit filiza të rinj dhe i mbjell fushat nga e para. Pastaj, nëse kushtet përmirësohen, fermeri merr të korra të mira. Mbjellja dhe korrja frymore disa herë janë shumë të ngjashme me këtë.

Ngulmojnë në korrjen frymore

Gjatë viteve, Dëshmitarët e Jehovait në Tajvan kanë punuar pa u lodhur për të mbjellë dhe për të korrur farërat e së vërtetës biblike në disa zona që nuk dukeshin prodhimtare. Një shembull është krahina Miao-li. Në këtë zonë kishte pasur pak reagim ndaj përpjekjeve të herëpashershme që ishin bërë për të dhënë dëshmi. Kështu, në vitin 1973 një çift i martuar pionierësh specialë u caktuan të punonin atje si lajmëtarë të Mbretërisë në kohë të plotë. Fillimisht, disa treguan interes për lajmin e mirë. Gjithsesi, shpejt ai interes u shua. Atëherë, pionierët specialë u caktuan në një zonë tjetër.

Në vitin 1991, atje u caktuan dy pioniere të tjera speciale. Por, edhe një herë, zhvillimet treguan se nuk ishte klima e duhur për rritje frymore. Pas disa vjetësh, pionieret speciale i caktuan në fusha që shpresohej të ishin më produktive. Kështu, toka u la ugare për një periudhë kohe.

Përpjekje të reja korrin sukses

Në shtator të vitit 1998 u vendos të bëhej një përpjekje për të kërkuar zona më produktive në territorin e gjerë të Tajvanit, që nuk i ishte caktuar ndonjë kongregacioni. Si do të kryhej kjo? Duke caktuar rreth 40 pionierë specialë të përkohshëm që të punonin në territoret e pacaktuara me popullsi më të dendur.

Dy qytete fqinje në krahinën Miao-li ishin mes territoreve të zgjedhura për fushatën. Katër motra beqare duhej të punonin atje për tre muaj, që të provonin territorin. Jo shumë kohë pasi mbërritën, ato shkruan raporte entuziazmuese për numrin e njerëzve të interesuar që po gjenin. Në kohën kur i mbaruan tre muajt e shërbimit si pioniere në atë zonë, ato po drejtonin shumë studime biblike në shtëpi. Formuan edhe një grup të studimit të librit me ndihmën e një plaku nga një kongregacion fqinj.

Tri nga këto motra e bënë të qartë se do t’u pëlqente të vazhdonin të kujdeseshin për «filizat» e njomë që po rriteshin kaq mirë. Rrjedhimisht, dy prej tyre u caktuan si pioniere speciale të përhershme dhe e treta vazhdoi të punonte atje si pioniere e rregullt. Një plak nga kongregacioni fqinj u transferua në atë zonë për t’i ndihmuar. Më shumë se 60 veta ishin të pranishëm në fjalimin e parë publik të mbajtur në atë zonë. Tani, kongregacioni fqinj po e ndihmon këtë grup të sapokrijuar që të mbajë mbledhje të rregullta të dielave, përveç disa studimeve të librit. Shpejt, në këtë zonë mund të formohet një kongregacion i ri.

Ngulmimi sjell bekime në pjesë të tjera të Tajvanit

Zona të tjera kanë pasur reagime të ngjashme. Në krahinën I-lan, në pjesën verilindore të ishullit, u formua një Studim i Librit i Kongregacionit në zonën ku punonin pionierët specialë të përkohshëm.

Një mbrëmje, ndërsa po bënte vizita nga shtëpia në shtëpi, një pioniere speciale e përkohshme takoi një të ri dhe i tregoi një ftesë ku ishin renditur mbledhjet e kongregacionit. Menjëherë, ai pyeti: «A mund të vij në mbledhjen që do të mbahet nesër mbrëma? Nëse po, çfarë duhet të vesh?» Shumë shpejt, kjo pioniere po drejtonte tetë studime biblike çdo javë me personat e interesuar. S’kaloi shumë dhe disa studentë biblikë po bënin plane për t’u bërë lajmëtarë të lajmit të mirë, me synimin e pagëzimit.

Një person tjetër në të njëjtin qytet kishte shkuar në kishë rregullisht për shumë vjet, por nuk arrinte të gjente asnjë që t’i mësonte Biblën. Kur dëgjoi për rregullimin e studimit biblik, ajo përfitoi nga ky rast. U inkurajua që të përgatitej më përpara për mësimin. Kur mbërriti pionierja speciale e përkohshme për të drejtuar studimin, pa se gruaja i kishte bërë «detyrat e shtëpisë» duke blerë një bllok shënimesh, ku kishte shkruar pyetjet e materialit të studimit. Pastaj kishte shkruar përgjigjet për çdo pyetje. Gjithashtu, kishte kopjuar në bllok të gjitha shkrimet e cituara në mësim. Në kohën kur motra kishte ardhur për të drejtuar studimin e parë, gruaja tashmë kishte përgatitur tri mësimet e para!

Rezultate të ngjashme u panë në qytetin Dongshi, në Tajvanin Qendror. Pionierët specialë të përkohshëm lanë më shumë se 2000 broshura në tre muajt që punuan atje. Në muajin e tretë po drejtonin 16 studime biblike. Qyteti u dëmtua rëndë nga një tërmet që goditi Tajvanin Qendror më 21 shtator 1999, por disa persona të interesuar vazhdojnë të bëjnë përparim frymor, edhe pse u duhet të udhëtojnë për një orë që të ndjekin mbledhjet në Sallën më të afërt të Mbretërisë. Po, nevojitet këmbëngulje për të pasur të korra të mira, qofshin këto materiale, qofshin frymore.

[Harta në faqen 8]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

KINË

Ngushtica e Tajvanit

TAJVAN

[Burimi]

Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.