Si reagoni ndaj mosmarrëveshjeve?
Si reagoni ndaj mosmarrëveshjeve?
ÇDO ditë ne japim e marrim me shumë njerëz që kanë personalitete nga më të ndryshmet. Shpesh, kjo na sjell gëzim dhe fitojmë pikëpamje të reja. Disa herë kjo gjë shkakton edhe mosmarrëveshje, disa prej të cilave janë serioze, kurse të tjerat janë thjesht fërkime të vogla të jetës së përditshme. Cilado qoftë natyra e tyre, mënyra se si reagojmë ndaj mosmarrëveshjeve ndikon te ne mendërisht, emocionalisht dhe frymësisht.
Të bëjmë çfarë kemi në dorë për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet me gatishmëri do t’i kontribuojë një jete më të shëndetshme, si edhe marrëdhënieve më paqësore me të tjerët. Një proverb i lashtë thotë: «Një zemër e shëndoshë [e qetë, BR] është jetë për trupin.»—Fjalët e urta 14:30.
Në kontrast të dukshëm qëndron kjo e vërtetë: «Njeriu që nuk di të frenojë zemërimin e tij është si një qytet i shkrehur pa mure.» (Fjalët e urta 25:28) Cili nga ne do të donte ta linte veten të pambrojtur ndaj pushtimit të mendimeve të gabuara, që mund të na bëjnë të veprojmë në mënyra të papërshtatshme, mënyra që mund t’u sjellin dëm të tjerëve dhe neve? Përgjigjet e pakontrolluara e gjithë zemërim mund të bëjnë pikërisht këtë. Në Predikimin në Mal, Jezui rekomandoi që të shqyrtojmë qëndrimin tonë, i cili mund të ndikojë në mënyrën se si reagojmë ndaj mosmarrëveshjeve që mund të kemi me të tjerët. (Mateu 7:3-5) Në vend që të jemi kritikë ndaj të tjerëve, duhet të mendojmë se si mund të kultivojmë dhe të mbajmë miqësi me ata që kanë pikëpamje dhe prejardhje të ndryshme nga ne.
Qëndrimi ynë
Hapi i parë për të zgjidhur një mosmarrëveshje, të cilën ose e kemi menduar ne, ose është reale, është të kuptojmë se jemi të prirur ndaj mendimeve dhe qëndrimeve të gabuara. Shkrimet na kujtojnë se që të gjithë mëkatojmë dhe ‘nuk arrijmë lavdinë e Perëndisë’. (Romakëve 3:23) Veç kësaj, aftësia dalluese mund të zbulojë se burimi i problemit tonë nuk është personi tjetër. Në lidhje me këtë, le të shqyrtojmë përvojën e Jonait.
Me udhëzime nga Jehovai, Jonai kishte shkuar në qytetin Ninevi që të predikonte për gjykimin e Perëndisë që u kanosej banorëve të këtij qyteti. Përfundimi i lumtur ishte se i gjithë qyteti i Ninevisë u pendua dhe besoi te Perëndia i vërtetë. (Jonai 3:5-10) Jehovai mendoi se qëndrimi i tyre i penduar e meritonte faljen, kështu që i kurseu nga shkatërrimi. «Por kjo nuk i pëlqeu aspak Jonës, i cili u zemërua.» (Jonai 4:1) Reagimi i Jonait ndaj mëshirës së Jehovait ishte i habitshëm. Përse duhej të zemërohej ai me Jehovain? Me sa duket, Jonai ishte shqetësuar për ndjenjat e tij, duke menduar se tani s’kishte më fytyrë të dilte para të tjerëve. Nuk arriti të çmonte mëshirën e Jehovait. Me dashamirësi, Jehovai bëri që Jonai të merrte një mësim ilustrues, i cili e ndihmoi të ndryshonte qëndrimin dhe të kuptonte vlerën shumë të lartë të mëshirës së Perëndisë. (Jonai 4:7-11) Është e qartë se ajo që duhej ndryshuar ishte qëndrimi i Jonait, jo ai i Jehovait.
A mundet që, ndonjëherë, edhe neve të na duhet të ndryshojmë në mënyrë të ngjashme qëndrimin tonë ndaj një çështjeje? Apostulli Pavël na këshillon: «Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» (Romakëve 12:10) Çfarë donte të thoshte? Në një aspekt, po na inkurajon të jemi të arsyeshëm dhe t’i trajtojmë të krishterët e tjerë me respekt të thellë dhe me dinjitet. Kjo përfshin të kuptojmë se çdo individ ka privilegjin e zgjedhjes së lirë. Pavli, gjithashtu, na kujton: «Secili do të mbajë ngarkesën e vet.» (Galatasve 6:5) Prandaj, para se mosmarrëveshjet të shkaktojnë një çarje, sa e mençur do të jetë të shqyrtojmë nëse është qëndrimi ynë që duhet ndrequr! Duhet të punojmë shumë për të pasqyruar mendimet e Jehovait dhe për të ruajtur paqen me të tjerët që e duan vërtet Perëndinë.—Isaia 55:8, 9.
Mënyra e trajtimit
Imagjinoni dy fëmijë të vegjël që zihen për të marrë një lodër dhe secili tërheq fort e më fort nga vetja për ta pasur. Zënka mund të shoqërohet me fjalë plot zemërim derisa, më në fund njëri të heqë dorë nga e tija ose të ndërhyjë dikush tjetër.
Tregimi i Zanafillës na thotë se Abrahami mori vesh që kishte ndodhur një grindje midis barinjve të tij dhe atyre të Lotit, nipit të tij. Abrahami mori iniciativën për t’iu afruar Lotit dhe i tha: «Nuk duhet të ketë mosmarrëveshje midis teje dhe meje, as midis barinjve të mi dhe barinjve të tu, sepse jemi vëllezër.» Abrahami ishte i vendosur që të mos linte asnjë konflikt të dëmtonte marrëdhënien e tyre. Me çfarë çmimi? Ishte gati të sakrifikonte privilegjin e tij për të zgjedhur, si më i moshuar që ishte; i përgatitur të hiqte dorë nga diçka. Abrahami e la Lotin të zgjidhte se ku dëshironte të çonte familjen dhe kopetë e tij. Për pasojë, Loti zgjodhi për vete zonën e gjelbëruar të Sodomës dhe të Gomorrës. Abrahami dhe Loti u ndanë në paqe.—Zanafilla 13:5-12.
Për të mbajtur marrëdhënie paqësore me të tjerët, a jemi të përgatitur të veprojmë me frymën që kishte Abrahami? Episodi biblik na lë një model të bukur për të imituar kur kemi një mosmarrëveshje. Abrahami u lut: «Nuk duhet të ketë mosmarrëveshje.» Dëshira e tij e sinqertë ishte që të arrinin në një zgjidhje miqësore. Patjetër, një ftesë e tillë për të mbajtur marrëdhënie paqësore do të ndihmonte për të lënë mënjanë çfarëdo keqkuptimi. Abrahami e mbylli argumentin me shprehjen «sepse jemi vëllezër». Përse ta sakrifikonin një marrëdhënie të tillë të çmuar për hir të preferencës personale ose të krenarisë? Abrahami e mbante të qartë në mendje se çfarë ishte e rëndësishme. Këtë e bënte me respekt për veten dhe me nderim, por, në të njëjtën kohë, duke i dhënë dinjitet nipit të tij.
Ndonëse lindin disa situata ku mund të kërkohet ndërhyrja nga jashtë për të zgjidhur një mosmarrëveshje, sa më mirë do të ishte nëse çështja mund të zgjidhet privatisht! Jezui na inkurajoi të veprojmë të parët për të bërë paqe me vëllanë tonë, duke kërkuar falje po të jetë e nevojshme. * (Mateu 5:23, 24) Kjo do të kërkojë përulësi mendjeje, por Pjetri shkroi: «Ngjeshuni të gjithë me përulësi mendjeje ndaj njëri-tjetrit, sepse Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.» (1 Pjetrit 5:5) Mënyra se si i trajtojmë bashkadhuruesit ka ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhënien tonë me Perëndinë.—1 Gjonit 4:20.
Brenda kongregacionit të krishterë, mund të na kërkohet të heqim dorë nga një e drejtë, me qëllim që të mbajmë paqen. Një numër i madh i atyre
që tani shoqërohen me Dëshmitarët e Jehovait kanë hyrë në familjen e adhuruesve të vërtetë të Perëndisë brenda pesë vjetëve të fundit. Sa gëzim na sjell kjo në zemër! Mënyra se si sillemi, patjetër, ndikon te këta dhe te të tjerët në kongregacion. Kjo është një arsye e mirë për ta menduar me kujdes zgjedhjen e zbavitjes, të gjërave për të kaluar kohën, të aktiviteteve shoqërore ose të punësimit, duke mbajtur parasysh si mund të na kuptojnë të tjerët. A mund të keqkuptohet ndonjë nga veprimet ose fjalët tona dhe të bëhet, kështu, një shkak për të penguar të tjerët?Apostulli Pavël na kujton: «Gjithçka është e ligjshme, por jo gjithçka është dobiprurëse. Gjithçka është e ligjshme, por jo gjithçka ndërton. Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit.» (1 Korintasve 10:23, 24) Si të krishterë, jemi të interesuar sinqerisht për të ndërtuar dashurinë dhe unitetin e vëllazërisë së krishterë.—Psalmi 133:1; Gjoni 13:34, 35.
Fjalë që shërojnë
Fjalët mund të kenë një ndikim të fuqishëm për mirë. «Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat.» (Fjalët e urta 16:24) Tregimi për Gideonin që shmang një konflikt të mundshëm me efraimitët ilustron vërtetësinë e këtij proverbi.
Gideoni, i përfshirë thellë në betejën kundër Midianit, thirri për ndihmë fisin e Efraimit. Megjithatë, pasi mbaroi beteja, Efraimi iu kthye Gideonit dhe u ankua i pakënaqur që ai nuk i kishte thirrur në fillim të luftimeve. Tregimi thotë se «ata patën [u përpoqën me forcë të kishin, BR] një grindje të ashpër me të». Duke iu përgjigjur, Gideoni tha: «Por çfarë kam bërë unë kundër jush? Qëmtimi i Efraimit nuk vlen vallë më tepër se sjellja e Abiezerit? Perëndia ju dha në dorë princat e Madianit, Orebin dhe Zeebin, çfarë mund të bëja për ju [çfarë kam qenë në gjendje të bëj në krahasim me ju, BR]?» (Gjyqtarët 8:1-3) Me fjalët e tij qetësuese e të zgjedhura mirë, Gideoni shmangu atë që mund të kishte qenë një luftë shkatërrimtare mes fiseve. Ata të fisit të Efraimit mund të kenë pasur problem me krenarinë dhe rëndësinë e tepërt që i jepnin vetes. Megjithatë, kjo nuk e ndali Gideonin që të vepronte për të nxjerrë një rezultat paqësor. A mund të veprojmë edhe ne në mënyrë të ngjashme?
Zemërimi mund të lindë te të tjerët dhe të shkaktojë armiqësi ndaj nesh. Kuptojini ndjenjat e tyre dhe punoni për t’i kuptuar pikëpamjet e tyre. Mos ndoshta ne, në ndonjë mënyrë, u kemi kontribuar ndjenjave të tyre? Nëse po, përse të mos pranojmë pjesën që kemi pasur ne në krijimin e vështirësisë dhe të shfaqim keqardhje që e kemi shtuar problemin? Pak fjalë të menduara mirë mund të rivendosin një marrëdhënie të dëmtuar. (Jakovit 3:4) Disa që janë të zemëruar mund të kenë nevojë thjesht që t’i qetësojmë me dashamirësi. Bibla vëren se «kur mungojnë drutë, zjarri shuhet». (Fjalët e urta 26:20) Po, fjalë të zgjedhura me kujdes, të thëna me frymën e duhur, mund ta ‘fashitin zemërimin’ dhe të jenë shëruese.—Fjalët e urta 15:1.
Apostulli Pavël rekomandon: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet prej jush, jini paqësorë me të gjithë.» (Romakëve 12:18) Është e vërtetë se nuk mund t’i kontrollojmë ndjenjat e të tjerëve, por mund të bëjmë pjesën tonë për të nxitur paqen. Në vend që t’u nënshtrohemi reagimeve tona të papërsosura ose atyre të të tjerëve, tani mund të veprojmë për të zbatuar parime të shëndosha biblike. Duke reaguar ndaj mosmarrëveshjeve në mënyrën që na udhëzon Jehovai, do të kemi si përfundim paqe dhe lumturi të përhershme.—Isaia 48:17.
[Shënimi]
^ par. 13 Shih artikujt «Të falim me gjithë zemër» dhe «Mund ta fitosh vëllanë tënd», në Kullën e Rojës, 15 tetor 1999.
[Figura në faqen 24]
A ngulim këmbë që të dalë e jona?
[Figura në faqen 25]
Abrahami la një shembull të shkëlqyer, duke qenë elastik për të zgjidhur një mosmarrëveshje