Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lajmërojnë Mbretërinë e Perëndisë në ishujt Fixhi

Lajmërojnë Mbretërinë e Perëndisë në ishujt Fixhi

Ne jemi lloji që ka besim

Lajmërojnë Mbretërinë e Perëndisë në ishujt Fixhi

NJË herë, Jezu Krishti foli për dy rrugë. Njëra është e gjerë dhe të çon në vdekje. Tjetra është e ngushtë, por të çon në jetë. (Mateu 7:13, 14) Për t’u dhënë mundësi njerëzve që të zgjedhin rrugën e drejtë, Perëndia Jehova vuri si qëllim që lajmi i mirë i Mbretërisë të predikohej në të gjithë botën. (Mateu 24:14) Prandaj, njerëzit kudo po e dëgjojnë mesazhin e Mbretërisë dhe disa po zgjedhin jetën, duke u bërë «lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit». (Hebrenjve 10:39) Ju ftojmë të lexoni zgjedhjen që kanë bërë në jetën e tyre disa veta në Fixhi dhe në ishujt e tjerë të afërt në Paqësorin Jugor.

Kishin besim te Jehovai

Meri ishte ende në shkollë kur e dëgjoi për herë të parë mesazhin e Mbretërisë, në vitin 1964. Për shkak të izolimit në një ishull të largët, ajo nuk pati shumë lidhje me Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, së fundi pati mundësi të merrte njohurinë e saktë të Biblës. Në atë kohë, ajo ishte martuar me një njeri që ishte kryetar fisi në fshatin e tij. Për shkak të zgjedhjes së Merit që të jetonte në përputhje me parimet biblike, i shoqi dhe të afërmit e trajtuan mizorisht dhe fshatarët e tjerë e trajtuan me përbuzje. Megjithatë, ajo u pagëzua në vitin 1991.

Pak kohë më pas, i shoqi i Merit, Josua, e zbuti qëndrimin e tij e, madje, filloi të rrinte kur Meri bënte biseda biblike me fëmijët e tyre. Josua nuk shkoi më në Kishën Metodiste. Por, si kryetar fisi, drejtonte ende mbledhjet javore të fshatit. Në sytë e fshatarëve, Josua nuk po tregohej besnik, sepse Kisha Metodiste ishte pjesë përbërëse e jetës së fshatit në Fixhi. Prandaj, pastori vendës e nxiti Josuan që të kthehej në fenë e tij të mëparshme.

Me guxim, Josua pohoi se ai dhe familja e tij e kishin bërë zgjedhjen e tyre dhe ishin të vendosur ta adhuronin Perëndinë Jehova «me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:24) Në një mbledhje të mëvonshme të fshatit, kryetari i kryetarëve vendosi që Josua dhe familja e tij të iknin nga fshati si të dëbuar. Atyre iu dha shtatë ditë afat për t’u larguar nga ishulli, si edhe nga shtëpia, toka dhe të korrat, po, nga të gjitha mjetet e tyre për të jetuar.

Vëllezërit frymorë në një ishull tjetër i erdhën në ndihmë Josuas dhe familjes së tij, duke i ndihmuar me një vend ku të rrinin dhe një tokë ku të rritnin prodhime. Josua dhe djali i madh i tij tani janë të pagëzuar, ndërsa një djalë tjetër shërben si lajmëtar i papagëzuar i lajmit të mirë. Kohët e fundit, Meri u regjistrua si pioniere e rregullt (lajmëtare e Mbretërisë në kohë të plotë). Zgjedhja e tyre për t’i shërbyer Jehovait solli si pasojë humbjen e pozitës dhe të të mirave materiale, por, ashtu si apostulli Pavël, e konsiderojnë këtë si asgjë, në krahasim me atë që kanë fituar.​—Filipianëve 3:8.

Një zgjedhje që përfshin ndërgjegjen

Të zgjedhësh për të ndjekur ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës kërkon besim dhe guxim. Kjo, me siguri, ndodhi në rastin e Suraangut, një e re e sapopagëzuar që jeton në Tarava, një nga ishujt Kiribati. Suraangu kërkoi leje për t’u përjashtuar nga një aspekt i punës së saj si infermiere në spital. Kjo kërkesë nuk u prit mirë, duke sjellë si pasojë transferimin e saj në një qendër të vogël mjekësore, në një ishull të izoluar ku nuk kishte lidhje me ata që kishin besimin e saj.

Në atë ishull, është një zakon që të sapoardhurit t’i bëjnë një ofertë «shpirtit» vendës. Njerëzit besojnë se mosbërja e kësaj do të sjellë si pasojë vdekjen. Meqë Suraangu nuk lejoi të bëhej ky akt idhujtarie për të e për ekipin e saj, fshatarët pritnin që atë ta mbyste shpirti i ofenduar. Kur Suraangut ose ekipit të saj nuk iu bë asnjë dëm, asaj iu hapën shumë mundësi për të dhënë dëshmi të shkëlqyer.

Por sprovat e Suraangut nuk kishin mbaruar. Disa nga të rinjtë e atij ishulli e konsiderojnë një sfidë të joshin të rejat që vijnë për vizitë. Megjithatë, Suraangu u rezistoi propozimeve të tyre dhe mbajti integritetin e saj ndaj Perëndisë. Në fakt, ajo pati mundësi të shërbente si pioniere e rregullt, ndonëse ishte në gatishmëri si infermiere 24 orë në ditë.

Para një feste të mbajtur për nder të Suraangut, kur kjo po përgatitej të largohej nga ishulli, pleqtë e fshatit thanë se ajo ishte misionarja e parë e vërtetë që i vizitonte. Për shkak të qëndrimit të patundur të saj për parimet biblike, të tjerë në ishull kanë reaguar mirë ndaj mesazhit të Mbretërisë.

Sfida fizike

Izolimi i disa fshatrave do të thotë që popullit të Jehovait i duhet të bëjë përpjekje të mëdha për të marrë pjesë në shërbim dhe për të ndjekur mbledhjet e krishtere. Shqyrtoni shembullin e katër Dëshmitarëve të pagëzuar​—një burrë dhe tri gra​—që kalojnë orë duke udhëtuar vajtje-ardhje për në mbledhje. Udhëtimi i tyre në këmbë përfshin kalimin e tre lumenjve, vajtje dhe ardhje. Kur niveli i ujit ngrihet, vëllai kalon i pari me not, duke mbajtur mbi kokë një kusi të madhe ku janë vendosur çantat, librat dhe rrobat për mbledhje. Pastaj, kthehet me not për të ndihmuar tri motrat.

Një grup tjetër që ndjek mbledhjet në ishullin e largët Nonouti në Kiribati, has sfida të tjetra. Shtëpia ku mblidhen ata mban vetëm shtatë a tetë njerëz. Të pranishmit e tjerë ulen jashtë dhe vështrojnë nga muret e shtëpisë të ndërtuara me rrjetë teli të dendur. Vendi i mbledhjes shihet shumë mirë nga fshatarët e tjerë që shkojnë e vijnë nga kishat e tyre hijerënda. Sigurisht, shërbëtorët e Jehovait e kuptojnë se ato që janë vërtet të dëshirueshme nga pikëpamja e Perëndisë, janë njerëzit e jo ndërtesat. (Hagai 2:7) Motra e vetme e pagëzuar në ishull është e moshuar dhe s’mund të ecë shumë. Megjithatë, në shërbim e ndihmon një e re, lajmëtare e papagëzuar, e cila e çon andej-këtej nëpër fshat, duke e shtyrë në një karrocë dore. Sa çmueshmëri që tregojnë ato për të vërtetën!

Më shumë se 2100 lajmëtarët që shërbejnë në ishujt Fixhi janë të vendosur të vazhdojnë ta shpallin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Gjithashtu, ata janë të sigurt se shumë të tjerë do të bëhen «lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit».

[Harta në faqen 8]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Australi

Fixhi