Toka: Vetëm një vend prove?
Toka: Vetëm një vend prove?
ÇFARË lehtësimi! Kaloi me sukses. Studentja që kishte kaluar dy javë rraskapitëse provimesh, më në fund mori rezultate të kënaqshme. Tani mund të hynte në punën që kishte dëshiruar gjithnjë.
Shumë njerëz e konsiderojnë jetën në tokë në një mënyrë të ngjashme. E mendojnë si një provë paraprake, që duhet ta bëjnë të gjithë. Ata që «pranohen», kalojnë te diçka më e mirë, në ndonjë formë të jetës së përtejme. Do të ishte vërtet e trishtueshme nëse jeta e tanishme, që për shumë veta është një ekzistencë e thjeshtë, do të ishte më e mira që mund të pritnin njerëzit. Ndonëse i shëndetshëm dhe i pasur për pjesën më të madhe të jetës së tij, personazhi biblik Jobi vërejti: «Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime.»—Jobi 14:1.
Duke pasqyruar mendimet e shumë vetave, New Catholic Encyclopedia pohon: «Lavdia qiellore është fati që ka pasur ndër mend Perëndia për njeriun. . . . Lumturia e njeriut mund të kuptohet se vjen kur ai të arrijë parajsën qiellore.» Një anketë e kohëve të fundit, e bërë nga Kisha e Krishtit në Shtetet e Bashkuara, tregonte se 87 për qind e të anketuarve besojnë se ka mundësi të shkojnë në qiell pasi të vdesin.
Edhe shumë veta që nuk janë të krishterë shpresojnë të lënë tokën për në një vend më të mirë, pas vdekjes. Për shembull, myslimanët shpresojnë të shkojnë në një parajsë qiellore. Ithtarët e sekteve të Tokës së Pastër të budizmit, në Kinë e Japoni, besojnë se duke recituar pafundësisht «Amitabha», emrin e Budës së Dritës së Pakufizuar, do të rilindin në Tokën e Pastër ose në Parajsën Perëndimore, ku do të jetojnë në lumturi supreme.
Është interesant fakti që Bibla, libri i shenjtë më i përkthyer e më i shpërndarë në botë, nuk e paraqet tokën si një vend nga i cili të ikim, si një trampolinë për diku tjetër. Për shembull, aty thuhet: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.» (Psalmi 37:29) Në Bibël gjendet, gjithashtu, thënia e famshme e Jezuit: «Të bekuar janë ata me natyrë të butë: sepse do të trashëgojnë tokën.»—Mateu 5:5, King James Version.
Pikëpamja e përhapur në përgjithësi se qëndrimi ynë në tokë është i përkohshëm, nënkupton që vdekja është hyrja për në një jetë të përtejme parajsore. Nëse është kështu, atëherë vdekja është patjetër një bekim. Por, a e konsiderojnë njerëzit në përgjithësi vdekjen në këtë mënyrë apo përpiqen ta zgjatin këtë jetë? Përvoja tregon se kur njerëzit gëzojnë shëndet e siguri të arsyeshme, nuk duan të vdesin.
Megjithatë, duke qenë se jeta në tokë është plot me gjëra të liga e vuajtje, ka ende shumë njerëz që e konsiderojnë qiellin si vendin e vetëm për të gjetur paqe e lumturi të vërtetë. A është qielli thjesht një vend paqeje parajsore, plotësisht i imunizuar nga e liga dhe nga prishja e harmonisë? Gjithashtu, a duhet që jeta e përtejme të jetë vetëm në ndonjë sferë qiellore? Ndoshta do të habiteni kur të gjeni përgjigjet e Biblës. Ju lutemi, vazhdoni të lexoni.