Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pasuria e bujarisë sjell gëzim

Pasuria e bujarisë sjell gëzim

Pasuria e bujarisë sjell gëzim

SI MBIKËQYRËS i dashur i krishterë, apostulli Pavël kishte për zemër interesat më të mira të bashkëbesimtarëve të tij. (2 Korintasve 11:28) Kështu, kur në mes të viteve 50 të shekullit të parë të e.s., ai organizoi një mbledhje parash për të krishterët nevojtarë në Jude, e përdori këtë rast për të dhënë një mësim të vlefshëm për sa i përket bujarisë. Pavli e theksoi se Jehovai e vlerëson shumë dhënien me gëzim: «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër të vet, jo me pahir ose me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.»​—2 Korintasve 9:7.

Në varfëri të thellë, por dorëdhënë

Shumica e të krishterëve të shekullit të parë nuk ishte e dalluar në rang shoqëror. Pavli vërejti se midis tyre nuk kishte «shumë të fuqishëm». Ata ishin «gjërat e dobëta të botës», «gjërat e papërfillshme të botës». (1 Korintasve 1:26-28) Për shembull, të krishterët që jetonin në Maqedoni ishin ‘në varfëri të thellë’ dhe «nën mundim». Megjithatë, ata besimtarë të përulur maqedonas u lutën që të kishin privilegjin për të kontribuar financiarisht në «shërbimin e lënë mënjanë për të shenjtët» dhe ajo që dhanë, siç e dëshmoi Pavli, ishte «përtej mundësive të tyre reale».​—2 Korintasve 8:1-4.

Gjithsesi, kjo dhënie bujare nuk u gjykua nga sasia e dhënë. Përkundrazi, të rëndësishme ishin motivimi, gatishmëria për të dhënë dhe prirja e zemrës. Pavli u tregoi të krishterëve korintas se në bërjen e kontributeve përfshihet mendja dhe zemra. Ai tha: «E njoh gatishmërinë tuaj të mendjes, për të cilën po mburrem në lidhje me ju përpara maqedonasve, . . . dhe zelli juaj u ka dhënë shtytje shumicës prej tyre.» Të krishterët korintas ishin ‘të vendosur në zemrën e tyre’ për të dhënë me bujari.​—2 Korintasve 9:2, 7.

‘U shtynë nga fryma e tyre’

Apostulli Pavël mund të ketë pasur ndër mend një shembull të mëparshëm të dhënies bujare, që ndodhi në shkretëtirë më shumë se 15 shekuj para kohës së tij. Të 12 fiset e Izraelit ishin çliruar nga skllavëria në Egjipt. Tani ishin në rrëzë të malit Sinai dhe Jehovai u urdhëroi të ndërtonin një tabernakull për adhurim dhe ta pajisnin me mjete adhurimi. Kjo do të kërkonte shumë pasuri dhe kombit iu bë ftesa për të kontribuar.

Si reaguan ata izraelitë? «Tërë ata që ishin të shtyrë nga zemra e tyre dhe tërë ata që ishin të shtyrë nga fryma e tyre, erdhën për t’i sjellë ofertën e tyre Zotit për veprën e çadrës së mbledhjes.» (Eksodi 35:21) A bëri një ofertë bujare kombi? Plotësisht! Moisiut i dhanë raportin vijues: «Populli po sjell shumë më tepër nga sa nevojitet për të kryer punimet që Zoti ka urdhëruar të bëhen.»​—Eksodi 36:5.

Cila ishte gjendja financiare e izraelitëve në atë kohë? Jo shumë kohë më parë, ata kishin qenë skllevër të mjerë, ‘të shtypur me angaritë e tyre’; të tjerët ‘ua nxinin jetën’, një jetë plot ‘pikëllim’. (Eksodi 1:11, 14; 3:7; 5:10-18) Prandaj, nuk ka të ngjarë të ishin të begatë materialisht. Vërtet, izraelitët u larguan nga vendi i skllavërisë së tyre me kope bagëtish të imta dhe të trasha. (Eksodi 12:32) Por, ato mund të mos kenë qenë shumë, sepse, shumë shpejt pasi u larguan nga Egjipti, ata u ankuan se nuk kishin as mish, as bukë për të ngrënë.​—Eksodi 16:3.

Pra, ku i gjetën izraelitët gjërat e vlefshme që kontribuan për ndërtimin e tabernakullit? Nga ish-pronarët e tyre, egjiptasit. Bibla thotë: «Bijtë e Izraelit . . . u kërkuan egjiptasve sende argjendi, sende ari dhe rroba. . . . [Egjiptasit] i jepnin atë që kërkonte.» Këto veprime bujare nga ana e egjiptasve ishin një bekim nga Jehovai, jo nga faraoni. Në dokumentimin hyjnor thuhet: «Zoti bëri që egjiptasit ta shikonin me sy të mirë popullin dhe t’i jepnin atë që kërkonte.»​—Eksodi 12:35, 36.

Imagjinoni, pra, si ndiheshin izraelitët. Breza të tërë kishin vuajtur nga skllavëria e hidhur dhe nga privimi. Tani ishin të lirë dhe kishin zotërime të pasura materiale. Si do të ishin ndier duke dhënë një pjesë të atyre zotërimeve? Mund të kishin menduar se i kishin merituar ato dhe kishin të drejtën për t’i mbajtur. Megjithatë, kur iu kërkua të kontribuonin financiarisht për të mbështetur adhurimin e pastër, e bënë këtë, dhe jo pa dëshirë ose dorështrënguar. Nuk e harruan se Jehovai u kishte bërë të mundur t’i kishin këto gjëra materiale. Kështu, dhanë me bollëk nga argjendi, ari dhe bagëtitë e tyre. Ishin me «zemër bujare». Ishin «të shtyrë nga zemra». «Të shtyrë nga fryma e tyre.» Kjo ishte vërtet ‘një ofertë vullnetare që i ishte çuar Zotit’.​—Eksodi 25:1-9; 35:4-9, 20-29; 36:3-7.

Gatishmëri për të dhënë

Sasia e kontributit nuk paraqet medoemos një tablo reale të bujarisë së dhënësit. Një herë, Jezu Krishti po shikonte njerëzit që hidhnin para në arkat e thesarit të tempullit. Të pasurit hidhnin shumë monedha, por Jezuit i bëri përshtypje një vejushë nevojtare që hodhi dy monedha të vogla, me shumë pak vlerë. Ai tha: «Kjo vejushë, edhe pse e varfër, hodhi më shumë se të gjithë ata. . . . Nga skamja e saj, [ajo] hodhi të gjitha mjetet e jetesës që kishte.»​—Luka 21:1-4; Marku 12:41-44.

Komentet që u bëri Pavli korintasve ishin në harmoni me këtë mendim të Jezuit. Kur bëhej fjalë për kontributet për të ndihmuar bashkëbesimtarët nevojtarë, Pavli vërejti: «Nëse ekziston së pari gatishmëria, kjo është veçanërisht e pranueshme sipas asaj që një njeri ka, jo sipas asaj që nuk ka.» (2 Korintasve 8:12) Në fakt, kontributet nuk janë një çështje konkurrence ose krahasimi. Një njeri jep sipas mjeteve që ka dhe Jehovait i pëlqen fryma e bujarisë.

Ndonëse asnjeri nuk mund ta pasurojë, në fakt, Jehovain, i cili zotëron gjithçka, dhënia e kontributeve është një privilegj që u jep adhuruesve rast për të shfaqur dashurinë që kanë për të. (1 Kronikave 29:14-17) Kontributet që jepen jo për t’u dukur ose për motive të tjera egoiste, por me qëndrimin e duhur dhe për të çuar përpara adhurimin e vërtetë, sjellin gëzim dhe bekimin e Perëndisë. (Mateu 6:1-4) Jezui tha: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.» (Veprat 20:35) Mund ta kemi edhe ne këtë lumturi, duke dhënë nga forca jonë në shërbim të Jehovait dhe duke vënë mënjanë diçka nga zotërimet tona materiale, për mbështetjen e adhurimit të vërtetë dhe ndihmën e atyre që e meritojnë.​—1 Korintasve 16:1, 2.

Gatishmëria për të dhënë sot

Sot, Dëshmitarët e Jehovait drithërohen kur vërejnë progresin mbarëbotëror në predikimin e ‘këtij lajmi të mirë të mbretërisë’. (Mateu 24:14) Gjatë dekadës së fundit të shekullit të 20-të, më shumë se 3.000.000 veta u pagëzuan për të simbolizuar dedikimin e tyre ndaj Perëndisë Jehova dhe u formuan rreth 30.000 kongregacione të reja. Po, një e treta e kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait që ekzistojnë sot, u formuan gjatë dhjetë viteve të kaluara! Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje është rezultat i punës së palodhur të të krishterëve të vërtetë, burra e gra, që japin nga koha dhe energjitë e tyre për të vizituar fqinjët dhe për t’u treguar qëllimet e Jehovait. Një pjesë e rritjes është rezultat i punës së misionarëve, të cilët lënë shtëpitë e tyre dhe udhëtojnë në vende të largëta për të ndihmuar atje me veprën e predikimit të Mbretërisë. Rritja ka sjellë si rezultat organizimin e qarqeve të reja, që kanë bërë të nevojshëm emërimin e mbikëqyrësve të tjerë qarkorë. Përveç kësaj, janë nevojitur më shumë Bibla për përdorim në predikim dhe në studimin personal. Është nevojitur më shumë literaturë e shtypur. Dhe, në shumë vende është dashur të zgjerohen ndërtesat e degëve ose të zëvendësohen me prona më të mëdha. Që të gjitha këto nevoja të mëtejshme janë plotësuar me ndihmën e kontributeve vullnetare nga populli i Jehovait.

Nevoja për Salla Mbretërie

Me rritjen në numrin e Dëshmitarëve të Jehovait, një nevojë e veçantë që është bërë e dukshme është ajo për Salla Mbretërie. Studime të bëra në fillim të vitit 2000 zbuluan nevojën për më shumë se 11.000 Salla Mbretërie në vendet në zhvillim, ku mundësitë financiare janë të kufizuara. Të marrim në shqyrtim Angolën. Me gjithë vitet e luftës civile, ky vend po përjeton një rritje mesatare vjetore me rreth 10 për qind në numrin e lajmëtarëve të Mbretërisë. Gjithsesi, shumica e 675 kongregacioneve në këtë vend të madh të Afrikës, mblidhen në mjedise përjashta. Në vend ka vetëm 22 Salla Mbretërie dhe prej këtyre, vetëm 12 kanë ndonjë lloj çatie.

Një situatë e ngjashme ekziston në Republikën Demokratike të Kongos. Ndonëse në kryeqytet, në Kinshasa, ka pothuajse 300 kongregacione, ekzistojnë vetëm dhjetë Salla Mbretërie. Në shkallë kombëtare, ky vend ka një nevojë të menjëhershme për më shumë se 1.500 Salla Mbretërie. Për shkak të rritjes së shpejtë në vendet e Evropës Lindore, Rusia dhe Ukraina raportojnë një nevojë të përbashkët për qindra Salla Mbretërie. Rritja e shpejtë në Amerikën Latine është më e theksuar në Brazil, ku ka më shumë se gjysmë milioni Dëshmitarë dhe një nevojë të madhe për më shumë Salla Mbretërie.

Për të plotësuar nevojat në të tilla vende, Dëshmitarët e Jehovait po kryejnë një program të përshpejtuar për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Programi financohet nga kontributet bujare të vëllazërisë mbarëbotërore, kështu që edhe kongregacionet më të varfra të jenë në gjendje të kenë një qendër të përshtatshme adhurimi.

Si në kohën e Izraelit të lashtë, arritjet mund të jenë të mëdha, sepse të krishterët e vërtetë ‘e nderojnë Jehovain me pasurinë e tyre’. (Fjalët e urta 3:9, 10) Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait dëshiron të përfitojë nga ky rast për t’i shprehur mirënjohje të thellë të gjithë atyre që kanë qenë të shtyrë nga zemra për të marrë pjesë në këtë dhënie vullnetare. Mund të jemi të sigurt se fryma e Jehovait do të vazhdojë t’i nxitë zemrat e popullit të tij që të mbështetin nevojat e veprës së Mbretërisë, vepër që zgjerohet gjithnjë e më shumë.

Ndërsa përhapja mbarëbotërore vazhdon, le të kërkojmë vazhdimisht mundësi për të treguar gëzimin dhe gatishmërinë tonë duke dhënë nga forca, koha dhe burimet tona! Le të provojmë gëzimin e vërtetë që jep kjo frymë dhënieje!

[Kutia në faqen 29]

«PËRDORINI ME MENÇURI!»

«Jam dhjetëvjeçe. Po ju dërgoj këto para që të blini letër ose ndonjë gjë tjetër për të bërë libra.»​—Sindi.

«Dëshiroj t’ju dërgoj këto para që të bëni më shumë libra për ne. I kam kursyer duke ndihmuar babin tim. Prandaj, përdorini me mençuri!»​—Pami, shtatëvjeçare.

«Më erdhi keq për uraganin. Shpresoj të jeni që të gjithë mirë. Këto [dy dollarë] janë të gjitha paratë që kisha në kutinë time të kursimeve.»​—Elisona, katërvjeçare.

«Më quajnë Rudi dhe jam 11 vjeç. Vëllai im, Ralfi, është gjashtëvjeç dhe motra, Xhudita, dyvjeçe e gjysmë. Kemi tre muaj që kursejmë nga paratë që na japin, për të ndihmuar vëllezërit tanë në [një vend të copëtuar nga lufta]. Patëm mundësi të kursenim 20 dollarë që po jua dërgojmë tani.»

«Më vjen keq për vëllezërit [e goditur nga uragani]. Fitova 17 dollarë duke punuar me babin. Nuk po i dërgoj këto para për ndonjë gjë në veçanti, prandaj jua lë juve të vendosni.»​—Meklini, tetëvjeçar.

[Kutia në faqen 31]

Mënyrat që zgjedhin disa për të dhënë

KONTRIBUTE PËR VEPRËN MBARËBOTËRORE

Shumë veta vënë mënjanë ose planifikojnë një shumë, të cilën e vendosin në kutitë e kontributeve që kanë etiketën «Kontribute për veprën mbarëbotërore​—Mateu 24:14». Çdo muaj, kongregacionet ia dërgojnë këto shuma ose qendrës botërore në Bruklin, Nju-Jork, ose zyrës së degës lokale.

Kontributet vullnetare në para mund të dërgohen, gjithashtu, drejtpërdrejt në Zyrën e Thesarit, Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, 25 Columbia Heights, Brooklyn, New York 11201-2483 ose në Zyrën e Shoqatës që shërben në shtetin tënd. Po ashtu, mund të dhurohen edhe bizhuteri ose sende të tjera me vlerë. Këto kontribute duhet të shoqërohen nga një letër e shkurtër që pohon se një gjë e tillë është një dhuratë pa kushte.

RREGULLIMI I KONTRIBUTEVE ME KUSHT

Paratë mund t’i jepen Shoqatës Watch Tower, nën një rregullim të veçantë, sipas të cilit, në rast nevoje personale, ato i kthehen dhënësit. Për më shumë informacione, të lutemi kontakto me Zyrën e Thesarit në adresën e paraqitur më lart.

DHËNIE E PLANIFIKUAR

Përveç dhurimit pa kusht dhe dhënies me kusht të parave, ka metoda të tjera dhënieje në dobi të shërbimit të Mbretërisë në mbarë botën. Ato përfshijnë:

Sigurimet: Shoqata Watch Tower mund të specifikohet si përfituesja e një dëftese sigurimi jete ose në një plan largimi nga puna a daljeje në pension.

Llogaritë bankare: Llogaritë bankare, certifikatat e depozitimeve ose llogaritë individuale të pensioneve mund të vendosen në mirëbesim të ose të pagueshme pas vdekjes, Shoqatës Watch Tower, në përputhje me kërkesat e bankës lokale.

Aksionet dhe obligacionet: Aksionet dhe obligacionet mund t’i dhurohen Shoqatës Watch Tower si një dhuratë pa kushte.

Pasuria e patundshme: Pasuria e patundshme e shitshme mund t’i dhurohet Shoqatës Watch Tower ose duke e dhënë si dhuratë pa kushte, ose duke i rezervuar dhuruesit një pjesë të pasurisë së patundshme, ku ai të mund të vazhdojë të jetojë gjatë jetës së tij ose të saj. Një person duhet të kontaktojë me Shoqatën para se t’i bëjë asaj një akt kalimi të ndonjë pasurie të patundshme.

Testamentet dhe lëniet në mirëbesim: Prona ose paratë mund t’i lihen si trashëgimi Shoqatës Watch Tower, nëpërmjet një testamenti të ekzekutuar ligjërisht ose Shoqata mund të specifikohet si përfituese e një marrëveshjeje mirëbesimi. Një dhënie me përfitim në mirëbesim ndaj një organizate fetare, mund të sigurojë nxjerrjen e disa dobive lidhur me taksat.

Siç kuptohet nga termi «dhënie e planifikuar», këto lloj kontributesh kërkojnë zakonisht njëfarë planifikimi nga ana e dhuruesit. Për të ndihmuar individët që dëshirojnë t’i sjellin dobi Shoqatës, përmes ndonjërës nga metodat e dhënies së planifikuar, Shoqata ka përgatitur një broshurë në gjuhën angleze dhe spanjolle, të titulluar Charitable Planning to Benefit Kingdom Service Worldwide (Dhënie e planifikuar në dobi të shërbimit të Mbretërisë në mbarë botën). Broshura u shkrua në përgjigje të pyetjeve të shumta që i janë bërë Shoqatës në lidhje me dhuratat, testamentet dhe lëniet në mirëbesim. Gjithashtu, ajo përmban informacion plotësues të dobishëm në lidhje me pasurinë e patundshme, planifikimin financiar dhe atë të taksave. Dhe është bërë për të ndihmuar individët në Shtetet e Bashkuara që po planifikojnë t’i bëjnë tani një dhuratë të veçantë Shoqatës ose që të lënë një trashëgimi pas vdekjes, që të zgjedhin metodën më dobiprurëse dhe më të efektshme, duke marrë parasysh familjen e tyre dhe rrethanat personale. Kjo broshurë mund të merret duke i kërkuar drejtpërdrejt një kopje Zyrës së Dhënies së Planifikuar.

Pas leximit të broshurës dhe këshillimit me Zyrën e Dhënies së Planifikuar (Charitable Planning Office), shumë kanë mundur të ndihmojnë Shoqatën dhe ndërkohë të nxjerrin shumë dobi lidhur me taksat nga bërja e kësaj. Zyra e Dhënies së Planifikuar duhet të informohet dhe të marrë një kopje për çdo dokument që i përket cilitdo prej këtyre rregullimeve. Nëse jeni të interesuar për ndonjë prej këtyre rregullimeve të dhënies së planifikuar, duhet të kontaktoni me Zyrën e Dhënies së Planifikuar, duke shkruar ose telefonuar në adresën e radhitur më poshtë a në zyrën e Shoqatës që shërben në shtetin tuaj.

CHARITABLE PLANNING OFFICE

Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania

100 Watchtower Drive, Patterson, New York 12563-9204

Telefoni: (845) 306-0707