Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai i jep fuqi të lodhurit

Jehovai i jep fuqi të lodhurit

Jehovai i jep fuqi të lodhurit

«[Jehovai] i jep fuqi të lodhurit dhe bën që ai pa energji dinamike të ketë fuqi të plotë me bollëk.»​—ISAIA 40:29, BR.

1. Ilustroni fuqinë që gjendet në gjërat që ka krijuar Perëndia.

JEHOVAI është i pakufishëm në fuqi. Sa shumë energji dinamike gjendet në gjërat që ka krijuar! Atomi mikroskopik, elementi bazë i të gjitha gjërave, është kaq i vogël, saqë një pikë e vetme uji përmban njëqind kuintilionë atome. * E gjithë jeta në globin tonë varet nga energjia që çlirojnë reaksionet atomike në diell. Por, sa energji diellore nevojitet për të mbështetur jetën në tokë? Toka merr vetëm disa të miliardat e energjisë që prodhon dielli. Megjithatë, matematikani Sër Fred Hoil, në librin e tij Astronomia thotë se «fraksioni shumë i vogël i energjisë diellore që vjen në Tokë . . . është rreth 100.000 herë më i madh se tërë energjia e përdorur në industritë botërore».

2. Në thelb, çfarë thotë Isaia 40:26 për fuqinë e Jehovait?

2 Edhe nëse mendojmë për atomin, edhe nëse e kthejmë vëmendjen nga universi i paanë, mbetemi të mahnitur nga fuqia madhështore e Jehovait. Nuk habitemi që ai mundi të thoshte: «Ngrijini sytë lart dhe shikoni. Kush i ka krijuar këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre, madje, me numër, të cilat i thërret të gjitha, madje me emër. Falë bollëkut të energjisë dinamike, duke qenë se është edhe energjik në fuqi, asnjë prej tyre nuk mungon.» (Isaia 40:26, BR) Po, Jehovai është «energjik në fuqi» dhe është Burimi i «energjisë dinamike» që u përdor për të sjellë në ekzistencë tërë universin.

Nevojitet më shumë se fuqi normale

3, 4. (a) Cilët janë disa faktorë që mund të na bëjnë të lodhemi? (b) Cila pyetje meriton shqyrtim?

3 Perëndia nuk ka kufi në fuqinë e tij, kurse njerëzit lodhen. Kudo që shkojmë, shohim njerëz të lodhur. Ata ngrihen nga gjumi të lodhur, shkojnë në punë a në shkollë të lodhur, kthehen në shtëpi të lodhur dhe shkojnë të flenë jo vetëm të lodhur, por të rraskapitur. Disa do të donin të shkonin diku dhe të bënin pak pushim, i cili u nevojitet kaq shumë. Si shërbëtorë të Jehovait, edhe ne lodhemi, sepse jeta jonë me devocion hyjnor kërkon të përpiqemi fuqimisht. (Marku 6:30, 31; Luka 13:24; 1 Timoteut 4:8) Gjithashtu, ka edhe shumë faktorë të tjerë që na e shterojnë fuqinë.

4 Ndonëse jemi të krishterë, nuk jemi të imunizuar nga problemet që kalojnë njerëzit në përgjithësi. (Jobi 14:1) Sëmundjet, dështimet financiare ose vështirësi të tjera të zakonshme për jetën mund të na shkaktojnë shkurajim, së bashku me pasojat e tij dobësuese. Këtyre sfidave u shtohen sprovat që janë karakteristike për ata që persekutohen për hir të drejtësisë. (2 Timoteut 3:12; 1 Pjetrit 3:14) Për shkak të presioneve të përditshme nga bota dhe të kundërshtimit ndaj veprës sonë të predikimit të Mbretërisë, disa prej nesh mund të jenë kaq të sfilitur saqë ndihen sikur po e ngadalësojnë ritmin në shërbimin e Jehovait. Për më tepër, duke u përpjekur të na thyejë integritetin ndaj Perëndisë, Satana Djalli po përdor çdo mjet që ka në dispozicion. Atëherë, si mund ta marrim forcën frymore që na nevojitet për të mos u lodhur e për të mos hequr dorë?

5. Përse na duhet më shumë se forca njerëzore për të kryer shërbimin e krishterë?

5 Për forcë frymore, duhet të mbështetemi te Jehovai, Krijuesi i gjithëfuqishëm. Apostulli Pavël e theksoi se shërbimi i krishterë do të kërkonte më shumë se fuqinë normale të njerëzve të papërsosur. Ai shkroi: «E kemi këtë thesar në enë prej balte, që fuqia përtej asaj që është normale të jetë e Perëndisë dhe jo ajo që vjen nga ne.» (2 Korintasve 4:7) Të krishterët e mirosur po e kryejnë «shërbimin e pajtimit» me mbështetjen e shokëve të tyre që kanë shpresë tokësore. (2 Korintasve 5:18; Gjoni 10:16; Zbulesa 7:9) Duke qenë se ne, njerëzit e papërsosur, po e kryejmë veprën e Perëndisë përballë persekutimit, nuk mund ta kryejmë atë vetëm me forcat tona. Jehovai na ndihmon me anë të frymës së tij të shenjtë dhe, në këtë mënyrë, dobësia jonë lartëson fuqinë e tij. Sa na ngushëllon siguria se «Zoti i përkrah të drejtët»!​—Psalmi 37:17.

‘Jehovai është energjia jonë jetësore’

6. Si na sigurojnë Shkrimet se Jehovai është Burimi i forcës sonë?

6 Ati ynë qiellor është «energjik në fuqi» dhe e ka të lehtë të na japë fuqi. Në fakt, na thuhet: «[Jehovai] i jep fuqi të lodhurit dhe bën që ai pa energji dinamike të ketë fuqi të plotë me bollëk. Djemtë do të rraskapiten e do të lodhen dhe të rinjtë me siguri do të pengohen, por ata që shpresojnë te Jehovai do të rifitojnë fuqi. Ata do të ngjiten me krahë si shqiponja. Do të vrapojnë dhe nuk do të lodhen, do të ecin dhe nuk do të rraskapiten.» (Isaia 40:29-31, BR) Për shkak të presioneve gjithnjë në rritje, disa herë mund të ndihemi si një vrapues i rraskapitur, të cilin duket se këmbët nuk e çojnë dot më tutje. Por vija e finishit në garën për jetë është tamam para nesh dhe nuk duhet të dorëzohemi. (2 Kronikave 29:11) Kundërshtari ynë, Djalli, po endet «si një luan që vrumbullit» dhe dëshiron të na ndalojë. (1 Pjetrit 5:8) Le të mos harrojmë se ‘Zoti është forca jonë dhe mburoja jonë’ dhe ka marrë masa të bollshme ‘për t’i dhënë fuqi të lodhurit’!​—Psalmi 28:7.

7, 8. Çfarë provash ka se Jehovai e forcoi Davidin, Habakukun dhe Pavlin?

7 Jehovai i dha Davidit forcën e nevojshme për të vazhduar përballë pengesave të mëdha. Kështu, me besim e siguri të plotë, Davidi shkroi: «Nga Perëndia do të marrim energji jetësore dhe ai vetë do t’i shtypë kundërshtarët tanë.» (Psalmi 60:12, BR) Gjithashtu, Jehovai i dha energji Habakukut që të përfundonte caktimin e tij si profet. Te Habakuku 3:19 thuhet: «Zoti është forca ime [energjia ime jetësore, BR]; ai do ti bëjë këmbët e mia si ato të drurëve dhe do të më bëjë të ec mbi lartësitë e mia.» Gjithashtu, vlen të përmendet edhe shembulli i Pavlit, i cili shkroi: «Për çdo gjë kam forcë në saje të [Perëndisë] që më jep fuqi.»​—Filipianëve 4:13.

8 Ashtu si Davidi, Habakuku dhe Pavli, ne duhet të ushtrojmë besim në aftësinë e Perëndisë për të na forcuar dhe në fuqinë e tij për të na shpëtuar. Të vetëdijshëm se Zotëria Sovran Jehova është Burimi ynë i «energjisë jetësore», le të shqyrtojmë tani disa mënyra për të marrë forcë frymore nga masat që siguron me bollëk Perëndia.

Masa frymore për të na fuqizuar

9. Çfarë roli kryejnë botimet e krishtere për të na ushqyer?

9 Studimi i zellshëm i Shkrimeve me ndihmën e botimeve të krishtere mund të na fuqizojë dhe të na mbështetë. Psalmisti këndoi: «Lum njeriu . . . që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit dhe që mendon thellë [lexon, BR] ditë e natë mbi ligjin e tij. Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.» (Psalmi 1:1-3) Ashtu si duhet të hamë për të mbajtur forcën fizike, po ashtu duhet të marrim ushqimin frymor që siguron Perëndia nëpërmjet Fjalës së tij dhe botimeve të krishtere, për të mbajtur forcën frymore. Prandaj, studimi kuptimplotë dhe meditimi janë thelbësorë.

10. Kur mund ta gjejmë kohën për studim dhe meditim?

10 Është vërtet shpërblyese të meditojmë për «gjërat e thella të Perëndisë». (1 Korintasve 2:10) Por, kur mund ta gjejmë kohën për meditim? Isaku, djali i Abrahamit, «kishte dalë aty nga mbrëmja në fushë për t’u menduar». (Zanafilla 24:63-67) Psalmisti David ‘mendonte për Perëndinë kur rrinte zgjuar natën’. (Psalmi 63:6) Mund ta studiojmë Fjalën e Perëndisë dhe të meditojmë rreth saj në mëngjes, në mbrëmje, natën​—me pak fjalë, në çdo kohë. Ky studim dhe meditim çon në një nga masat e tjera forcuese frymësisht që ka siguruar Jehovai: lutja.

11. Përse duhet t’i japim rëndësi të madhe lutjes së rregullt?

11 Lutja e rregullt që i bëjmë Perëndisë ndihmon për të na fuqizuar. Atëherë, le të ‘ngulmojmë në lutje’! (Romakëve 12:12) Ndonjëherë, na duhet të bëjmë një kërkesë specifike për mençuri dhe forcë, të cilat na nevojiten për të përballuar një sprovë. (Jakovit 1:5-8) Gjithashtu, le ta falënderojmë dhe ta lëvdojmë Perëndinë, kur vërejmë përmbushjen e qëllimeve të tij ose kur shohim se na ka forcuar për të vazhduar në shërbimin e tij. (Filipianëve 4:6, 7) Nëse qëndrojmë afër Jehovait në lutje, ai nuk do të na braktisë kurrë. «Ja,​—këndoi Davidi,​—Perëndia është ndihma ime.»​—Psalmi 54:4.

12. Përse duhet t’i kërkojmë Perëndisë frymën e tij të shenjtë?

12 Ati ynë qiellor na fuqizon dhe na forcon me anë të frymës së tij të shenjtë ose forcës aktive. Pavli shkroi: «Bie në gjunjë përpara Atit . . . që sipas pasurisë së lavdisë së tij, ai t’ju mundësojë të bëheni të fuqishëm në njeriun që jeni përbrenda, me fuqi nëpërmjet frymës së tij.» (Efesianëve 3:14-16) Duhet të lutemi për frymën e shenjtë, të sigurt se Jehovai do të na bekojë me të. Jezui arsyetoi: sikur një fëmijë t’i kërkojë peshk, a do t’i japë gjarpër një baba i dashur? Patjetër që jo. Prandaj, nxori përfundimin: «Nëse ju, edhe pse jeni [mëkatarë dhe, prandaj, pak a shumë] të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, sa më shumë akoma Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!» (Luka 11:11-13) Le të lutemi me një siguri të tillë dhe të kujtojmë gjithnjë se shërbëtorët besimplotë të Perëndisë mund të ‘bëhen të fuqishëm’ nëpërmjet frymës së tij!

Kongregacioni, një ndihmë fuqizuese

13. Si duhet t’i konsiderojmë mbledhjet e krishtere?

13 Jehovai na fuqizon me anë të mbledhjeve të kongregacionit të krishterë. Jezui tha: «Aty ku janë dy ose tre të mbledhur së bashku në emrin tim, unë jam aty, mes tyre.» (Mateu 18:20) Kur Jezui bëri këtë premtim, po trajtonte çështje që kishin nevojë për vëmendjen e atyre që merrnin drejtimin në kongregacion. (Mateu 18:15-19) Megjithatë, në parim fjalët e tij aplikohen për të gjitha mbledhjet, asambletë dhe kongreset tona, të cilat hapen dhe mbyllen me lutje në emrin e tij. (Gjoni 14:14) Prandaj, është një privilegj të marrim pjesë në mbledhje të tilla të krishtere, sado të jenë të pranishmit, një numër i vogël ose mijëra veta. Pra, le të shfaqim mirënjohje për këto raste që janë projektuar për të na forcuar frymësisht dhe për të na nxitur në dashuri dhe vepra të shkëlqyera.​—Hebrenjve 10:24, 25.

14. Çfarë dobish marrim nga përpjekjet e pleqve të krishterë?

14 Pleqtë e krishterë sigurojnë ndihmë dhe inkurajim frymor. (1 Pjetrit 5:2, 3) Pavli i ndihmoi dhe i inkurajoi kongregacionet ku shërbeu, siç bëjnë sot mbikëqyrësit udhëtues. Në fakt, ai dëshironte me zjarr të ishte me bashkëbesimtarët që të kishte një shkëmbim ndërtues inkurajimi. (Veprat 14:19-22; Romakëve 1:11, 12) Të tregojmë gjithnjë çmueshmëri për pleqtë tanë lokalë dhe për mbikëqyrësit e tjerë të krishterë, të cilët luajnë rol të rëndësishëm në forcimin tonë frymor.

15. Si provojnë bashkëbesimtarët në kongregacionin tonë se janë «një ndihmë fuqizuese»?

15 Bashkëbesimtarët që përbëjnë kongregacionin tonë mund të jenë «një ndihmë fuqizuese». (Kolosianëve 4:10, 11) Si ‘shokë të vërtetë’, ata mund të na ndihmojnë në kohë dëshpërimi. (Proverbat [Fjalët e urta] 17:17, BR) Në vitin 1945, për shembull, 220 shërbëtorë të Perëndisë u morën nga kampi i përqendrimit të Saksenhauzenit në mbikëqyrjen e rojave naziste dhe përballuan një udhëtim prej 200 kilometrash. Udhëtuan në grup dhe më të fortët shtynin më të dobëtit në disa qerre të vogla. Rezultati? Në këtë marshim të vdekjes, që u mori jetën më shumë se 10.000 të burgosurve të tjerë të kampit të përqendrimit, nuk vdiq asnjë Dëshmitar i Jehovait. Tregime të tilla që shfaqen në botimet e Shoqatës Watch Tower, duke përfshirë edhe Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait dhe Dëshmitarët e Jehovait​—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë (anglisht), provojnë se Perëndia e fuqizon popullin e tij, që të mos dorëzohet.​—Galatasve 6:9. *

Të forcuar nga shërbimi në fushë

16. Si na forcon frymësisht pjesëmarrja e rregullt në shërbim?

16 Pjesëmarrja e rregullt në veprën e predikimit të Mbretërisë na forcon frymësisht. Ky aktivitet na ndihmon të përqendrohemi te Mbretëria e Perëndisë dhe t’i kemi sytë nga përjetësia e nga perspektivat e saj të bekuara. (Juda 20, 21) Premtimet biblike, për të cilat flasim në shërbim, na japin shpresë dhe mund të na bëjnë po aq të vendosur sa edhe profeti Mikea, i cili tha: «Ne do të ecim në emër të Zotit, Perëndisë tonë, përjetë.»​—Mikea 4:5.

17. Cilat sugjerime ofrohen për sa u përket studimeve biblike në shtëpi?

17 Vetë marrëdhënia jonë me Jehovain forcohet, ndërsa i përdorim më shumë Shkrimet për të mësuar të tjerët. Për shembull, kur drejtojmë studime biblike në shtëpi me ndihmën e librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, është e mençur të lexojmë dhe të shqyrtojmë disa nga shkrimet e cituara. Kjo e ndihmon studentin dhe forcon kuptueshmërinë tonë frymore. Nëse një student e ka të vështirë të kuptojë një koncept ose një ilustrim biblik, mund të përdoret më shumë se një seancë studimi për të trajtuar një kapitull të vetëm nga libri Njohuria. Sa të kënaqur jemi kur përgatitemi mirë dhe bëjmë një përpjekje të mëtejshme për t’i ndihmuar të tjerët që t’i afrohen Perëndisë!

18. Ilustroni si po përdoret me efektshmëri libri Njohuria.

18 Çdo vit, libri Njohuria përdoret me efektshmëri për të ndihmuar mijëra veta që të bëhen shërbëtorë të dedikuar të Jehovait dhe kjo përfshin shumë që nuk kanë pasur lidhje me Biblën. Për shembull, kur ishte fëmijë, një hinduist në Sri-Lankë dëgjoi rastësisht një Dëshmitare që fliste për Parajsën. Disa vjet më vonë, ky djalë iu afrua Dëshmitares dhe, shumë shpejt, i shoqi i saj filloi një studim biblik me të. Në fakt, i riu vinte çdo ditë për studim dhe libri Njohuria u përfundua në një kohë relativisht të shkurtër. Filloi t’i ndiqte të gjitha mbledhjet, i preu lidhjet me fenë e tij të mëparshme dhe u bë një lajmëtar i Mbretërisë. Në kohën kur u pagëzua, tashmë po drejtonte një studim biblik me një të njohurin e tij.

19. Ndërsa kërkojmë së pari Mbretërinë, për çfarë mund të jemi të sigurt?

19 Të kërkojmë së pari Mbretërinë na sjell një gëzim që na forcon. (Mateu 6:33) Ndonëse përjetojmë sprova të ndryshme, ne vazhdojmë ta shpallim me lumturi e me zell lajmin e mirë. (Titit 2:14) Shumë prej nesh po plotësojnë kërkesat e shërbimit të plotkohor si pionierë dhe disa po shërbejnë atje ku nevoja për ungjillëzues është më e madhe. Sido që të jetë, nëse po i çojmë përpara me gëzim interesat e Mbretërisë në këto mënyra ose në mënyra të tjera, jemi të sigurt se Jehovai nuk do ta harrojë veprën tonë dhe dashurinë që tregojmë për emrin e tij.​—Hebrenjve 6:10-12.

Të vazhdojmë me forcën e Jehovait

20. Si mund ta tregojmë se i drejtohemi Jehovait për forcë?

20 Me çdo mënyrë, le të tregojmë se shpresojmë te Jehovai dhe se i drejtohemi atij për forcë. Këtë mund ta bëjmë duke nxjerrë plotësisht dobi nga masat frymore që siguron ai nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm’. (Mateu 24:45) Studimi i Fjalës së Perëndisë me ndihmën e botimeve të krishtere, i bërë personalisht dhe në kongregacion, lutja me gjithë zemër, ndihma frymore e pleqve, shembujt e shkëlqyer të bashkëbesimtarëve besnikë dhe pjesëmarrja e rregullt në shërbim janë ndër masat që na e forcojnë marrëdhënien me Jehovain dhe na japin fuqi që të vazhdojmë në shërbimin e tij të shenjtë.

21. Si e shprehën apostujt Pjetër dhe Pavël nevojën për forcën që jep Perëndia?

21 Pavarësisht nga brishtësia jonë njerëzore, Jehovai do të na forcojë që të bëjmë vullnetin e tij, nëse mbështetemi tek ai për ndihmë. I vetëdijshëm për nevojën e një ndihme të tillë, apostulli Pjetër shkroi: «Nëse dikush shërben, le të shërbejë si të varej nga forca që jep Perëndia.» (1 Pjetrit 4:11) Edhe Pavli e tregoi se mbështetej në forcën e dhënë nga Perëndia kur tha: «Gjej ëndje në dobësi, në fyerje, në raste nevoje, në persekutime dhe vështirësi për Krishtin. Sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.» (2 Korintasve 12:10) Le të shfaqim edhe ne të njëjtën bindje e t’i sjellim lavdi Zotërisë Sovran Jehova, i cili i jep fuqi të lodhurit!​—Isaia 12:2.

[Shënimet]

^ par. 1 Ky numër është shifra 1 me 20 zero pas.

^ par. 15 Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

Si do të përgjigjeshit?

• Përse populli i Jehovait ka nevojë për më shumë se fuqi normale?

• Çfarë prove biblike ka se Perëndia u jep fuqi shërbëtorëve të tij?

• Cilat janë disa masa frymore që ka siguruar Jehovai për të na forcuar?

• Si mund ta tregojmë se i drejtohemi Perëndisë për forcë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 12]

Marrëdhënia jonë me Jehovain forcohet, ndërsa përdorim Biblën për të mësuar të tjerët