Si mund ta kultivojmë virtytin?
Si mund ta kultivojmë virtytin?
FJALORËT e sotëm e përkufizojnë «virtytin» si «shkëlqim moral; mirësi». Virtyti është «veprim dhe mënyrë të menduari e drejtë; mirësi karakteri». Leksikografi Marvin R. Vinsent thotë se në greqishten klasike fjala e përkthyer «virtyt» tregon «shkëlqim të çdo lloji». Nuk habitemi, pra, që cilësi të tilla, si: maturia, guximi, vetëdisiplina, paanshmëria, dhembshuria, ngulmimi, ndershmëria, përulësia dhe besnikëria janë lartësuar si virtyte në një rast ose në një tjetër. Virtyti është përkufizuar edhe si «përputhje me një normë të së drejtës».
Me cilën normë shkëlqimi, mirësie dhe të drejte duhet të përputhemi? «Sipas shkollës mbizotëruese të filozofisë morale,—thuhej në revistën Newsweek,—skepticizmi që krijoi iluminizmi i ka reduktuar të gjitha idetë e së drejtës dhe të së gabuarës në çështje të shijes personale, të preferencës emocionale ose të zgjedhjes kulturore.» Por, a është thjesht shija ose preferenca një mënyrë e kënaqshme për të përcaktuar të drejtën dhe të gabuarën? Jo. Që të kultivojmë virtytin, na nevojitet një normë e besueshme e së mirës dhe e së keqes, një normë me anë të së cilës një veprim, qëndrim ose cilësi të mund të gjykohet i drejtë ose i gabuar.
Burimi i vetëm i vërtetë i normave morale
Ekziston vetëm një Burim i vërtetë për normat e sjelljes morale dhe ky është Krijuesi i njerëzimit, Perëndia Jehova. Jo shumë kohë pasi krijoi njeriun e parë, Adamin, Perëndia Jehova i dha njeriut këtë urdhër: «Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri.» (Zanafilla 2:16, 17) Perëndia Jehova i dha pemës këtë emër të veçantë për të treguar të drejtën e tij absolute për të vendosur çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për krijesat e tij. Normat e Perëndisë për të mirën dhe të keqen u bënë, kështu, baza për gjykimin ose për vlerësimin e veprimeve, të pikëpamjes dhe të karakteristikave të një personi. Pa këto norma nuk do të mund ta dallonim saktë të drejtën nga e gabuara.
Urdhri në lidhje me pemën e njohjes të së mirës dhe të së keqes vuri para Adamit dhe Evës një zgjedhje: të bindeshin ose të mos bindeshin. Për ta, virtyti nënkuptonte bindje ndaj atij urdhri. Me kalimin e kohës, Jehovai zbuloi më tej çfarë i pëlqen dhe çfarë nuk i pëlqen dhe këtë gjë e dokumentoi për ne në Bibël. Pra, të kultivojmë virtytin do të thotë të përputhemi me normat e drejta të Jehovait, të paraqitura në Shkrime.
Të njihemi plotësisht me normat e Perëndisë
Meqë Perëndia Jehova i ka përcaktuar normat e së mirës dhe të së keqes dhe i ka zbuluar në Bibël, a nuk duhet të njihemi plotësisht me to? Apostulli Pavël shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.»—2 Timoteut 3:16, 17.
Për shembull, shqyrtoni keqkuptimin që hasi Kunihito, i përmendur në artikullin e mëparshëm, kur shfaqi modestinë siç konsiderohej në kulturën e tij. Më vonë, një shikim më i kujdesshëm i normave biblike e ndihmoi që të kishte një sjellje më të ekuilibruar. Patjetër, Bibla e inkurajon modestinë dhe na këshillon kundër sigurisë së tepërt te vetja dhe kundër mendjemadhësisë. (Fjalët e urta 11:2; Mikea 6:8) Megjithatë, kur po theksonte kualifikimet për «detyrën e mbikëqyrësit», apostulli Pavël tha se është një privilegj për të cilin duhet ‘synuar’. (1 Timoteut 3:1) Ky ‘synim’ duhet bërë jo vetëm duke mos qenë mburravecë ose mendjemëdhenj, por edhe duke mos e nënvlerësuar veten më kot.
Çfarë thotë Bibla për shkëlqimin moral në sferën e biznesit? Në botën e sotme të biznesit është një praktikë e zakonshme përdorimi i metodave të dyshimta ose gjetja e rrugës më të shkurtër në lidhje me rregullat e qeverisë dhe ligjet për taksat. Megjithatë, pavarësisht nga ajo që bëjnë të tjerët, norma e Biblës është që ne duhet «të sillemi me ndershmëri në çdo gjë». (Hebrenjve 13:18) Prandaj, ne kultivojmë virtytin duke qenë të ndershëm e të paanshëm me punëdhënësit, punonjësit, klientët dhe me qeverinë. (Ligji i përtërirë 25:13-16; Romakëve 13:1; Titit 2:9, 10) Sigurisht, ndershmëria nxit mirëbesimin dhe vullnetin e mirë. Gjithashtu, hedhja me shkrim e marrëveshjeve shpesh parandalon keqkuptimet dhe ndërlikimet që mund të lindin për shkak të ‘ngjarjes së paparashikuar’.—Eklisiastiu [Predikuesi] 9:11, BR; Jakovit 4:13, 14.
Çështja e veshjes dhe e krehjes është një aspekt tjetër në të cilin duhet të kultivojmë virtytin. Zgjedhja e rrobave ndryshon sipas kulturës dhe presioni mund të jetë i fortë për të qenë në një hap me stilet dhe modat më të fundit. Por, përse duhet të ndjekim çdo trill ose modë që del? Bibla na këshillon që ‘të mos formohemi më sipas këtij sistemi’. (Romakëve 12:2) Në vend që të krijonte rregulla, apostulli Pavël nën frymëzim shkroi: «Dëshiroj që gratë të stolisen me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë, jo me modele gërshetash dhe me ar e me margaritarë dhe me rroba shumë të shtrenjta, por si u ka hije grave që pohojnë se nderojnë thellësisht Perëndinë.» (1 Timoteut 2:9, 10) Kjo normë themelore zbatohet edhe për burrat, edhe për gratë. Sigurisht, ka hapësirë për një shumëllojshmëri të këndshme stilesh që mund të vijnë nga preferenca kulturore ose shija personale.
Bibla identifikon edhe praktikat imorale që Perëndia i dënon qartësisht. Te 1 Korintasve 6:9, 10 lexojmë paralajmërimin: «Çfarë?! A nuk e dini se të padrejtët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u mashtroni. As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as burra që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale, as burra që shkojnë me burra, as hajdutë, as lakmitarë, as pijanecë, as sharës, as zhvatës nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» Ky shkrim e ndihmoi Marian, të përmendur më parë, që të kuptonte se, sipas normës së shkëlqimit moral të vendosur nga Krijuesi, marrëdhënia e saj me Huanin ishte e gabuar dhe ajo duhej ta ndërpriste atë nëse donte të kishte miratimin e Perëndisë. Qartë, për të kultivuar virtytin duhet të njihemi plotësisht me normat e Jehovait.
Të mësojmë duke përdorur zemrën
Virtyti nuk do të thotë vetëm të shmangim në mënyrë pasive atë që është e keqe. Ai ka fuqi morale. Një person i virtytshëm ka mirësi. «Virtyti,—thotë një profesor,—duhet mësuar duke përdorur zemrën, përveç mendjes.» Pra, të kultivojmë virtytin përfshin më shumë sesa një njohuri të plotë për Fjalën e Perëndisë. Kërkon meditim rreth asaj që është shkruar aty, me qëllim që zemra të na mbushet me mirënjohje për Jehovain dhe të nxitemi për t’i zbatuar parimet biblike në jetën tonë.
«Sa shumë e dua ligjin tënd!—thirri psalmisti.—Ai është përsiatja ime gjithë ditën.» (Psalmi 119:97) Gjithashtu, mbreti David shkroi: «Kujtoj ditët e lashta; bie në mendime të thella mbi tërë veprat e tua [të Perëndisë]; reflektoj mbi gjëra që kanë bërë duart e tua.» (Psalmi 143:5) Edhe ne duhet ta bëjmë meditimin e shoqëruar me lutje një pjesë përbërëse të studimit të Biblës dhe të botimeve të bazuara në Bibël.
Është e vërtetë se të gjejmë kohë për një studim të zellshëm të shoqëruar me meditim, mund të jetë një sfidë. Por, ndjekja e virtytit kërkon që të blejmë kohë nga aktivitetet e tjera. (Efesianëve 5:15, 16) Aaroni, 24 vjeç, e blen këtë kohë çdo ditë duke u zgjuar 30 minuta më shpejt sesa zgjohej më parë. Ai tregon: «Fillimisht, gjatë kësaj gjysmë ore lexoja vetëm Biblën. Vetëm së fundi kam arritur të kuptoj rëndësinë e meditimit. Prandaj, tani përdor rreth gjysmën e asaj kohe për të medituar për atë që sapo kam lexuar. Kjo ka qenë vërtet shpërblyese.» Meditimi mund të bëhet edhe në momente të tjera. Në një melodi kushtuar Jehovait, Davidi këndoi: «Të mendoj kur rri zgjuar natën.» (Psalmi 63:6) Gjithashtu, Bibla tregon: «Isaku kishte dalë aty nga mbrëmja në fushë për t’u menduar.»—Zanafilla 24:63.
Meditimi është shumë i vlefshëm për të kultivuar virtytin, sepse na ndihmon të ndihemi siç ndihet Jehovai dhe na ndihmon t’i bëjmë tonat pikëpamjet e tij. Maria, për shembull, e dinte se Perëndia e ndalon kurvërinë. Por, për të ‘urryer thellësisht atë që është e ligë dhe për t’u ngjitur pas asaj që është e mirë’, i duhej të meditonte rreth disa shkrimeve kyçe biblike. (Romakëve 12:9) U ndihmua që të kuptonte nevojën për të bërë ndryshime pasi lexoi Kolosianëve 3:5, ku nxitemi që ‘t’i bëjmë të vdesin gjymtyrët e trupit tonë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë’. Marias iu desh të pyeste veten: ‘Cilën lloj urie seksuale duhet ta bëj të vdesë? Çfarë gjëje, që mund të bëjë të më lindin dëshira të papastra, duhet të shmang? A duhet të bëj ndryshime në mënyrën se si i trajtoj personat e seksit tjetër?’
Meditimi përfshin të shqyrtojmë rezultatin e një veprimi. Pavli u bën thirrje të krishterëve që të përmbahen nga kurvëria dhe të ushtrojnë vetëkontroll që «askush të mos arrijë deri në atë pikë sa të dëmtojë dhe të cenojë të drejtat e vëllait të tij». (1 Selanikasve 4:3-7) Pyetje të vlefshme për të medituar janë: ‘Çfarë dëmi do t’i bëja vetes, familjes ose të tjerëve duke bërë këtë veprim? Si do të ndikohesha frymësisht, emocionalisht dhe fizikisht? Si u kanë dalë gjërat personave të tjerë që kanë shkelur ligjin e Perëndisë në të kaluarën?’ Ky meditim ia forcoi zemrën Marias dhe mund të bëjë të njëjtën gjë për ne.
Të mësojmë nga shembujt
A mund të mësohet virtyti në shkollë? Kjo pyetje i ka lënë ndërdyshas mendimtarët për mijëvjeçarë të tërë. Platoni, filozof grek, anonte nga mendimi se virtyti mund të mësohet në shkollë. Kurse Aristoteli arsyetonte se virtyti fitohet me praktikë. Një gazetar e përmblodhi në këtë mënyrë debatin për këtë çështje: «Me pak fjalë, etika e virtytit nuk mund të mësohet vetë. As nuk mund të mësohet nga librat e shkollës. Karakteri i mirë vjen nga jetesa në ato bashkësi . . . ku virtyti inkurajohet dhe shpërblehet.» Por, ku mund të gjejmë persona vërtet të virtytshëm? Ndërkohë që shumë kultura ofrojnë disa shembuj virtyti, të paktën te heronjtë dhe në historinë e mitologjisë, Bibla përmban shembuj të shumtë realë.
Shembulli më i spikatshëm i virtytit është Jehovai. Ai vepron gjithnjë në mënyrë të virtytshme dhe bën atë që është e drejtë dhe e mirë. Mund ta kultivojmë virtytin duke u bërë «imitues të Perëndisë». (Efesianëve 5:1) Edhe Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, ‘na la një model, që të ndjekim me kujdes gjurmët e tij’. (1 Pjetrit 2:21) Për më tepër, Bibla përmban tregime për shumë individë besnikë, si Abrahami, Sara, Jozefi, Rutha, Jobi dhe Danieli e tre shokët e tij hebrenj. Gjithashtu, nuk duhen kaluar pa vënë re shembujt e virtytit ndër shërbëtorët e Jehovait në ditët moderne.
Mund t’ia dalim mbanë
A mund t’ia dalim vërtet mbanë që të bëjmë atë që është e virtytshme në sytë e Perëndisë? Pasi kemi trashëguar papërsosmërinë, disa herë brenda nesh mund të ndizet një betejë e ashpër midis mendjes dhe mishit—midis dëshirës për të bërë atë që është e virtytshme dhe ndjekjes së prirjeve mëkatare. (Romakëve 5:12; 7:13-23) Por, këtë betejë mund ta fitojmë me ndihmën e Perëndisë. (Romakëve 7:24, 25) Jehovai ka siguruar Fjalën e tij dhe botimet e bazuara në Bibël. Duke studiuar me zell Shkrimet dhe duke medituar me lutje rreth tyre, mund të bëhemi të pastër në zemër. Nga një zemër e tillë e pastër mund të dalin mendime, fjalë dhe veprime të virtytshme. (Luka 6:45) Duke u bazuar në shembujt e Perëndisë Jehova dhe të Jezu Krishtit, mund të ndërtojmë një personalitet të perëndishëm. Gjithashtu, mund të mësojmë me siguri shumë gjëra nga individë që po i shërbejnë me besnikëri Perëndisë sot.
Apostulli Pavël u bëri thirrje lexuesve të tij që ‘të vazhdonin të konsideronin’ virtytin dhe gjërat e tjera të denja për lëvdim. Duke bërë kështu, është e sigurt se do të kemi bekimin e Perëndisë. (Filipianëve 4:8, 9) Me ndihmën e Jehovait, mund t’ia dalim mbanë të kultivojmë virtytin.
[Figura në faqen 6]
Bëjeni meditimin pjesë të studimit tuaj të Biblës
[Figura në faqen 7]
Ndërtoni një personalitet të perëndishëm duke imituar Krishtin Jezu