Jetë me rreziqe
Jetë me rreziqe
«Nuk ka as edhe një gjë të vetme që bëjmë në një ditë të zakonshme, duke përfshirë edhe gjumin, e cila të mos jetë mjaft e rrezikshme sa për të qenë gjëja e fundit që bëjmë.»—Revista Discover.
JETËN e kanë krahasuar me ecjen nëpër një fushë të minuar, sepse dëmtimi ose vdekja mund të vijë në çdo kohë dhe, shpesh, pa paralajmërim. Faktorët që përbëjnë rrezik ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Në ta përfshihen aksidentet rrugore, lufta civile, zia e bukës, SIDA, kanceri, sëmundjet e zemrës dhe shumë e shumë gjëra të tjera. Për shembull, në Afrikën Subsahariane, SIDA është bërë vrasësi numër një. Sipas U.S.News & World Report, në një vit të fundit, kjo sëmundje «ka marrë 2,2 milionë jetë njerëzish, 10 herë sa vdekjet që kanë shkaktuar të gjitha luftërat civile në Afrikë».
Ndërkohë, bota harxhon para me miliarda për të zgjatur jetën dhe për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve dhe të gjymtimeve. Shumë nga idetë që propozohen, si për shembull, një dietë e shëndetshme ushqimi dhe pijesh, si edhe ushtrimet fizike, mund të sjellin disa rezultate të dobishme. Megjithatë, ekziston një burim informacionesh të besueshme për çdo aspekt të rëndësishëm të jetës, i cili mund të na ndihmojë të bëjmë një jetë më të sigurt e më të shëndetshme. Ky burim është Bibla. Ajo përmban udhëzime për trajtimin e një shumëllojshmërie çështjesh që ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien tonë. Sigurisht, Bibla nuk e trajton çdo problem me hollësi. Megjithatë, siguron parime të shkëlqyera për të na udhëhequr në çështje të tilla, si: zakonet e të ngrënit, shëndeti fizik, qëndrimi mendor, seksi, përdorimi i alkoolit, i duhanit dhe i të ashtuquajturave droga për t’u argëtuar, si edhe në shumë gjëra të tjera.
Për shumë veta, jeta është e rënduar edhe nga pasiguritë financiare. Edhe këtu, Bibla na vjen në ndihmë. Ajo jo vetëm që inkurajon një pikëpamje të mençur për paratë dhe për administrimin e tyre, por edhe tregon si të jemi punonjës ose punëdhënës më të mirë. E thënë thjesht, Bibla është një udhërrëfyese me vlerë, jo vetëm për të pasur siguri financiare dhe mirëqenie fizike, por edhe për vetë jetën. A do t’ju pëlqente të shihnit sa praktike mund të jetë Bibla sot? Atëherë, ju lutemi, vazhdoni të lexoni.