Mund t’i bësh ballë shkurajimit!
Mund t’i bësh ballë shkurajimit!
NJË njeri i mençur, një herë shkroi: «A je treguar i shkurajuar në ditën e angështisë? Fuqia jote do të jetë e pakët.» (Proverbat [Fjalët e urta] 24:10, BR) Nëse ke qenë ndonjëherë i shkurajuar, ndoshta do të jesh dakord me këtë deklaratë.
Askush nuk është i imunizuar ndaj efekteve të shkurajimit. Një krizë e lehtë shkurajimi mund të zgjatë një ose dy ditë e pastaj të fashitet. Por kur janë në lojë mllefi ose ndjenjat e lënduara, problemi mund të zgjatë shumë më tepër. Disa të krishterë që kanë qenë besimplotë për shumë vjet, janë shkurajuar kaq shumë, saqë madje kanë pushuar së shkuari në mbledhjet e kongregacionit dhe në shërbimin në fushë.
Nëse ndihesh i shkurajuar, merr zemër! Shërbëtorët besimplotë në kohët e kaluara i kanë bërë ballë me sukses shkurajimit dhe, me ndihmën e Perëndisë, edhe ti mund t’i bësh ballë.
Kur të tjerët të lëndojnë në ndjenja
Nuk mund të presësh që të jesh i mbrojtur nga çdo fjalë e pakujdesshme ose nga çdo veprim i pamenduar. Megjithatë, mund të refuzosh që t’i lejosh papërsosmëritë e të tjerëve të ndërhyjnë në shërbimin që i bën Jehovait. Nëse dikush të ka lënduar në ndjenja, mund të të duket e dobishme të shqyrtosh se si e përballoi një situatë shkurajuese Hana, mamaja e Samuelit.
Hana dëshironte shumë të kishte fëmijë, por ishte shterpë. Gruaja e dytë e burrit të saj, Penina, tashmë i kishte lindur atij djem e vajza. Në vend që të tregonte mirëkuptim për hallin e Hanës, Penina e konsideronte atë si një rivale dhe shfaqte ndaj saj një qëndrim të tillë, saqë Hana «qante dhe nuk hante më».—1 Samuelit 1:2, 4-7.
Një ditë, Hana shkoi në tabernakull për t’u lutur. Eliu, kryeprifti i Izraelit, vërente se ajo lëvizte vetëm buzët. Duke mos e kuptuar se Hana po lutej, Eliu nxori përfundimin se ajo duhej të ishte e dehur. «Deri kur do të jesh e dehur?—e pyeti ai.—Të daltë pija!» (1 Samuelit 1:12-14) A mund ta imagjinosh si duhet të jetë ndier Hana? Ajo kishte ardhur në tabernakull për të gjetur inkurajim. Patjetër, nuk priste që të akuzohej pa të drejtë nga një prej burrave më me autoritet në Izrael!
Ashtu si shkuan gjërat, Hana mund të ishte shkurajuar shumë. Ajo mund të kishte ikur nga tabernakulli menjëherë, duke u betuar që të mos kthehej më aty për sa kohë që Eliu do të shërbente si kryeprift. Megjithatë, është e qartë se Hana e vlerësonte marrëdhënien e saj me Jehovain. E dinte se ai nuk do të kënaqej nëse ajo do të vepronte kështu. Tabernakulli ishte qendra e adhurimit të pastër. Jehovai kishte vënë emrin e vet atje. Dhe, sado që ishte i papërsosur, Eliu ishte përfaqësuesi i zgjedhur i Jehovait.
Përgjigjja me respekt që i dha Hana Eliut për akuzën e tij, siguron një shembull të shkëlqyer për ne sot. Ajo nuk lejoi që ta akuzonin pa të drejtë, por, gjithsesi, u përgjigj me shumë respekt. «Jo, imzot,—u përgjigj ajo,—unë jam një grua e vrarë në frymë dhe nuk kam pirë as verë, as pije të tjera dehëse, por isha duke hapur zemrën time para Zotit. Mos mendo se shërbëtorja jote është një grua e çoroditur, sepse ka qenë dhembja dhe hidhërimi i pamasë që më shtynë të flas deri tani.»—1 Samuelit 1:15, 16.
A arriti të shpjegohej Hana? Patjetër që po. Megjithatë, i foli me takt Eliut, duke mos i lejuar vetes që ta kritikonte për akuzën e rreme që i kishte bërë. Ai, nga ana e tij, iu përgjigj me dashamirësi 1 Samuelit 1:17, 18.
duke i thënë: «Shko në paqe dhe Perëndia i Izraelit të dhëntë atë që i kërkove.» Pasi u zgjidh çështja, Hana «iku në rrugën e saj, nisi të ushqehet dhe pamja e saj nuk ishte më e trishtuar».—Çfarë mësojmë nga ky tregim? Hana veproi shpejt për të korrigjuar një keqkuptim, por e bëri këtë me respekt të thellë. Rrjedhimisht, ruajti një marrëdhënie të shkëlqyer me Jehovain dhe me Eliun. Sa shpesh me komunikimin e mirë dhe me pak takt mund të pengojmë që probleme të vogla të shndërrohen në më të mëdha!
Duhet pranuar se zgjidhja e mosmarrëveshjeve me të tjerët kërkon përulësi dhe elasticitet nga të dyja palët. Nëse një bashkëbesimtar nuk reagon ndaj përpjekjeve të tua për të zgjidhur një mosmarrëveshje, mund të të duhet ta lësh çështjen në duart e Jehovait, duke besuar se ai do ta zgjidhë në kohën dhe në mënyrën e tij.
A ke humbur një privilegj shërbimi?
Disa kanë rënë në dëshpërim, sepse u është dashur të heqin dorë nga një privilegj në shërbimin e Perëndisë që e çmonin shumë. U pëlqente t’u shërbenin vëllezërve dhe kur e kanë humbur privilegjin, kanë menduar se nuk ishin më të dobishëm për Jehovain ose për organizatën e tij. Nëse edhe ti ndihesh kështu, mund të fitosh gjykim të thellë nga shqyrtimi i shembullit të shkrimtarit biblik Mark, i quajtur edhe Gjon Mark.—Veprat 12:12.
Marku i shoqëroi Pavlin dhe Barnabën në udhëtimin e tyre të parë misionar, por në gjysmë të udhëtimit, u largua nga ata dhe u kthye në Jerusalem. (Veprat 13:13) Më vonë, Barnaba donte që Marku të shkonte me ta në një udhëtim tjetër. Megjithatë Bibla thotë: «Pavli mendonte se nuk ishte e përshtatshme që ta merrnin atë me vete, meqë kishte ikur prej tyre nga Pamfilia e nuk kishte shkuar me ta në vepër.» Barnaba nuk ishte i një mendimi. «Atëherë,—vazhdon tregimi,—ndodhi një shpërthim i fortë zemërimi, kështu që [Pavli dhe Barnaba] u ndanë nga njëri-tjetri. Barnaba mori me vete Markun dhe lundroi për në Qipro. Pavli zgjodhi Silën dhe . . . iku.»—Veprat 15:36-40.
Marku duhet të jetë ndier i shkatërruar kur ka marrë vesh se apostulli i respektuar Pavël nuk donte të punonte me të dhe se një grindje në lidhje me kualifikimet e tij kishte çuar në një ftohje ndërmjet Pavlit dhe Barnabës. Por historia nuk mbaron këtu.
Pavli dhe Sila kishin nevojë edhe për një shok tjetër udhëtimi. Kur arritën në Listra, gjetën dikë për të zëvendësuar Markun, një të ri me emrin Timote. Tani, në kohën kur u zgjodh, Timoteu mund të kishte vetëm dy ose tre vjet që ishte pagëzuar. Kurse Marku ishte shoqëruar me kongregacionin e krishterë që nga krijimi i tij, madje, më gjatë sesa vetë Pavli. Megjithatë, ishte Timoteu ai që mori këtë caktim të privilegjuar.—Veprat 16:1-3.
Si reagoi Marku kur mori vesh se e kishin zëvendësuar me një djalë më të ri, me më pak përvojë? Bibla nuk e thotë. Megjithatë, ajo tregon se Marku vazhdoi të merrte pjesë gjallërisht në shërbimin e Jehovait. Ai përfitoi nga privilegjet që kishte në dispozicion. Ndonëse nuk kishte mundësi të shërbente me Pavlin dhe Silën, ai pati mundësi të udhëtonte me Barnabën për në Qipro, që ishte territori i vendlindjes së Barnabës. Gjithashtu, Marku shërbeu bashkë me Pjetrin në Babiloni. Së fundi, ai pati edhe rastin të punonte me Pavlin, si edhe me Timoteun, në Romë. (Kolosianëve 1:1; 4:10; 1 Pjetrit 5:13) Madje, më vonë Marku u frymëzua për të shkruar një nga katër Ungjijtë!
Nga e gjithë kjo mund të marrim një mësim të vlefshëm. Marku nuk u shqetësua kaq shumë për një privilegj të humbur, sa të mos çmonte privilegjet që ende mund t’i kishte. Marku u mbajt i zënë në shërbim të Jehovait dhe Jehovai e bekoi.
Prandaj, nëse ke humbur një privilegj, mos u shkurajo. Nëse mban qëndrim pozitiv dhe mbahesh i zënë në shërbim, mund të marrësh privilegje të tjera. Ka shumë për të bërë në veprën e Zotërisë.—1 Korintasve 15:58.
Një shërbëtor besnik shkurajohet
Nuk është e lehtë të luftojmë me të gjitha forcat për besimin. Disa herë, mund të shkurajohemi. Pastaj mund të ndihemi edhe fajtorë që jemi shkurajuar, duke nxjerrë si përfundim se një shërbëtor besnik i Perëndisë nuk duhet të ndihet kurrë kështu. Mendoni për Elijan, një nga profetët e shquar të Izraelit.
Kur Jezabela, mbretëresha e Izraelit, një përkrahëse fanatike e adhurimit të Baalit, mori vesh se Elija kishte vrarë profetët e Baalit, u betua se do ta vriste atë. Elija kishte përballuar armiq më të mëdhenj se Jezabela, por, papritur, u shkurajua kaq shumë, saqë dëshiroi të vdiste. (1 Mbretërve 19:1-4) Si ka mundësi që kishte ndodhur kjo? Ai kishte harruar diçka.
Elija kishte harruar t’i drejtohej Jehovait si Burimi i forcës së tij. Kush i kishte dhënë Elijas fuqinë për të ngritur të vdekurit dhe për të përballuar profetët e Baalit? Jehovai. Patjetër, Jehovai mund t’i jepte forcë që të përballonte zemërimin e mbretëreshës Jezabel.—1 Mbretërve 17:17-24; 18:21-40; 2 Korintasve 4:7.
Kushdo mund të lëkundet përkohësisht në besimin te Jehovai. Ashtu si Elija, ndoshta disa herë mund të ndodhë që të përvetësosh një pikëpamje njerëzore për ndonjë problem, në vend që të përdorësh ‘mençurinë nga lart’ për ta përballuar atë. (Jakovit 3:17) Megjithatë Jehovai nuk e braktisi Elijan për këtë çast të përkohshëm dobësie.
Elija kishte ikur në Beer-Sheba dhe më pas në shkretëtirë, ku mendonte se askush nuk mund ta gjente. Por Jehovai e gjeti. Ai dërgoi një engjëll për ta ngushëlluar. Engjëlli u sigurua që Elija të kishte bukë të sapopjekur për të ngrënë dhe ujë freskues për të pirë. Pasi Elija kishte pushuar, engjëlli e drejtoi që të udhëtonte pothuajse 300 kilometra deri në malin Horeb, ku Jehovai do ta forconte më tej.—1 Mbretërve 19:5-8.
Në malin Horeb, Elija qe dëshmitar i një shfaqjeje besimforcuese të fuqisë së Jehovait. Pastaj, me një zë të qetë e të ulët, Jehovai e siguroi se nuk ishte i vetëm. Jehovai ishte me të dhe 7.000 vëllezër të tij ishin, gjithashtu, me të, ndonëse Elija nuk i njihte. Përfundimisht, Jehovai i caktoi një punë për të bërë. Ai nuk e kishte hedhur poshtë Elijan si profetin e tij!—1 Mbretërve 19:11-18.
Ndihma është në dispozicion
Nëse të ndodh në ndonjë rast të kesh një krizë të lehtë shkurajimi, mund të vëresh që do të ndihesh më mirë nëse bën pak më shumë pushim ose ha ushqime me vlera ushqyese. Nejthën H. Nori, i cili shërbeu si anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait deri sa vdiq në vitin 1977, një herë tha se problemet e mëdha shpesh duken shumë më të vogla, pas një nate me gjumë të mirë. Gjithsesi, kur problemi është i vazhdueshëm, kjo mënyrë qetësimi mund të mos jetë e mjaftueshme dhe do t’ju duhet ndihmë për ta luftuar shkurajimin.
Jehovai dërgoi një engjëll për të forcuar Elijan. Sot, Perëndia siguron inkurajim nëpërmjet pleqve dhe të krishterëve të tjerë të pjekur. Pleqtë mund të jenë vërtet «si një mbrojtje nga era». (Isaia 32:1, 2) Por, për të marrë inkurajimin prej tyre, mund të të duhet ta bësh ti hapin e parë. Sado i shkurajuar që ishte, Elija udhëtoi deri në malin Horeb për të marrë udhëzime nga Jehovai. Ne i marrim udhëzimet forcuese nëpërmjet kongregacionit të krishterë.
Kur e pranojmë ndihmën dhe me guxim përballojmë sprovat, që mund të jenë ndjenja të lënduara ose humbja e privilegjeve, mbajmë anën e Jehovait në një çështje të rëndësishme. Në cilën çështje? Satanai pohoi se njerëzit i shërbejnë Jehovait vetëm nga interesi për veten e tyre. Satanai nuk e mohon se do t’i shërbejmë Perëndisë kur çdo gjë në jetë shkon vaj, por ai pohon se nuk do t’i shërbejmë më Perëndisë kur të hasim probleme. (Jobi, kapitujt 1 dhe 2) Duke vazhduar pa u lëkundur në shërbim të Jehovait, pavarësisht nga shkurajimi, mund të ndihmojmë për t’i dhënë përgjigje akuzës shpifëse të Djallit.—Fjalët e urta 27:11.
Hana, Marku dhe Elija, që të tre kishin probleme, të cilat ua hoqën për pak kohë gëzimin. Megjithatë, ata u bënë ballë problemeve dhe bënë një jetë shpërblyese. Me ndihmën e Jehovait, edhe ti mund t’i bësh ballë shkurajimit!