Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një okulist mbjell një farë

Një okulist mbjell një farë

Një okulist mbjell një farë

Çfarë lidhjeje kanë përpjekjet e një okulisti në Lviv, Ukrainë, me formimin e një kongregacioni të gjuhës ruse të Dëshmitarëve të Jehovait në Hajfa, Izrael, rreth 2.000 kilometra dhe disa shtete më larg? Kjo është një histori që tregon vlefshmërinë e deklaratës së Biblës te Predikuesi 11:6, ku thuhet: «Mbille farën tënde në mëngjes dhe në mbrëmje mos lër dorën tënde të pushojë, sepse ti nuk e di se cili nga të dy do të dalë më mirë.»

HISTORIA fillon në vitin 1990, kur Ela, një grua e re me prejardhje hebraike, jetonte në Lviv. Ela dhe familja e saj po përgatiteshin të imigronin në Izrael. Pak kohë para se të niseshin, Ela kishte marrë takim për t’u vizituar te një okulist, i cili ishte Dëshmitar i Jehovait. Në atë kohë, vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë ishte e ndaluar. Megjithatë, okulisti u tregua i gatshëm për të ndarë me Elën bindjet e tij të bazuara në Bibël. Ajo u habit shumë kur ai i tha se Perëndia ka një emër personal. Kjo i zgjoi kureshtjen Elës dhe çoi në një bisedë të shkëlqyer biblike.

Elës i pëlqeu kaq shumë biseda, saqë kërkoi një tjetër bisedë javën vijuese dhe një tjetër përsëri pas kësaj. Interesi po i shtohej, por kishte një problem. Koha kur familja e saj do të largohej për në Izrael po afrohej me shpejtësi. Ela kishte ende kaq shumë për të mësuar! Për të shfrytëzuar në maksimum kohën e mbetur, ajo kërkoi një studim biblik çdo ditë deri në ditën e nisjes. Ndonëse nuk e rifilloi menjëherë studimin kur mbërriti në Izrael, fara e së vërtetës i kishte zënë rrënjë në zemër. Në fund të vitit, e kishte rifilluar prapë seriozisht studimin e Biblës.

Në Gjirin Persik plasi lufta dhe Izraeli u gjend nën sulmet me raketa nga Iraku. Ky ishte një argument i zakonshëm bisede. Një ditë në supermarket, Elës i kapi veshi bisedën që po bënte një familje me imigrantë që sapo kishin ardhur, të cilët flitnin rusisht. Ndonëse ishte ende duke e studiuar Biblën për vete, Ela iu afrua familjes dhe ndau me ta premtimin e Biblës për një botë paqësore. Si rezultat, gjyshja, Galina, mamaja, Natasha, djali, Sasha (Ariel) dhe vajza, Ilana, u bashkuan me Elën në studimin e Biblës.

Sasha ishte pjesëtari i parë i familjes që arriti në pikën e pagëzimit, me gjithë sprovat e shumta. Ndonëse ishte student i shkëlqyer, atë e përjashtuan nga shkolla, sepse ndërgjegjja e krishterë nuk e lejonte të merrte pjesë në stërvitjen paraushtarake, një pjesë e detyrueshme në programin mësimor të shkollës. (Isaia 2:2-4) Rasti i Sashës shkoi në Gjykatën e Lartë të Izraelit në Jerusalem. Në mënyrë të lavdërueshme, ajo urdhëroi që Sasha të pranohej përsëri në shkollë, që të arrinte ta mbaronte vitin shkollor. Rastit iu bë bujë në mbarë kombin. Për pasojë, shumë izraelitë u vunë në dijeni të bindjeve të Dëshmitarëve të Jehovait. *

Pas diplomimit nga shkolla e mesme, Sasha ndërmori shërbimin e plotkohor si Dëshmitar i Jehovait. Sot shërben si pionier special dhe plak kongregacioni. Motra e tij, Ilana, është bashkuar me të në shërbimin e plotkohor. Mamaja e tyre dhe gjyshja, janë që të dyja Dëshmitare të pagëzuara. Fara që mbolli okulisti po sillte ende fryte.

Ndërkohë, Ela vazhdoi të bënte përparim frymor dhe shumë shpejt po predikonte nga shtëpia në shtëpi. Në derën e parë që trokiti, Ela takoi Fainën, e cila kishte ardhur kohët e fundit nga Ukraina. Faina vuante nga depresioni. Më vonë, Ela mori vesh që pak para se të trokiste në derën e Fainës, gruaja e dëshpëruar i ishte lutur Perëndisë: «Nuk e di se cili je, por nëse më dëgjon, më ndihmo.» Ajo dhe Ela patën një bisedë nxitëse. Faina bëri shumë pyetje dhe shqyrtoi me kujdes përgjigjet që i jepeshin. Me kalimin e kohës, u bind se Dëshmitarët e Jehovait mësojnë të vërtetën nga Bibla. Ajo e rregulloi programin e studimeve universitare që të kalonte më shumë kohë me kongregacionin dhe në veprën e predikimit. Në maj të vitit 1994, Faina u pagëzua. Edhe ajo ndërmori shërbimin si pioniere, duke e mbajtur veten me punë me orar të shkurtuar, në fushën e informatikës.

Në nëntor 1994, ndërsa ishte në veprën e predikimit, Ela papritur u ndie shumë e dobët. Shkoi në spital ku analizat zbuluan një ulcerë hemorragjike të zorrëve. Në mbrëmje, Elës i kishte rënë niveli i hemoglobinës në 7,2. Një plak në kongregacionin e Elës, drejtuesi i Komitetit lokal të Lidhjes me Spitalet (KLS), u dha mjekëve informacione për procedurat e shumta mjekësore që nuk kërkonin përdorimin e gjakut. * Operacioni u krye me sukses pa gjak dhe Ela e mori veten plotësisht.—Veprat 15:28, 29.

Gjinekologut të Elës, Karlit, një hebre i lindur në Gjermani, i bëri shumë përshtypje kjo. Pastaj ai kujtoi që prindërit e tij, të cilët kishin mbijetuar nga Holokausti, kishin njohur Dëshmitarë të Jehovait në kampet e përqendrimit. Karli bëri shumë pyetje. Ndonëse ishte tepër i zënë me punën e tij si mjek, Karli gjeti kohë për të bërë një studim të rregullt biblik. Vitin që pasoi, ai ndiqte mbledhjet javore të krishtere.

Çfarë erdhi si pasojë nga fara që mbolli okulisti? Tashmë kemi parë çfarë ndodhi me Sashën dhe familjen e tij. Sa për Elën, ajo shërben si pioniere speciale. Vajza e saj, Ejna, sapo ka mbaruar shkollën e mesme dhe po fillon karrierën si pioniere. Edhe Faina shërben si pioniere speciale. Sa për Karlin, gjinekologun e Elës, ai tani është Dëshmitar i pagëzuar dhe shërbëtor ndihmës, duke e ndarë fuqinë shëruese të së vërtetës biblike me pacientët e tij dhe me të tjerët.

Grupi i vogël me imigrantë që flasin rusisht, i cili filloi si pjesë e kongregacionit të gjuhës hebraike në Hajfa, tani është bërë një kongregacion i zellshëm i gjuhës ruse, me më shumë se 120 lajmëtarë të Mbretërisë. Kjo rritje i detyrohet pjesërisht faktit që një okulist në Lviv përfitoi nga rasti për të mbjellë një farë!

[Shënimet]

^ par. 6 Për hollësi të mëtejshme, shih Zgjohuni!, 8 nëntor 1994, faqet 12-15, anglisht.

^ par. 9 KLS-të përfaqësojnë Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën, duke ndihmuar në komunikimin midis pacientit dhe personelit të spitalit. Ata sigurojnë, gjithashtu, informacione për trajtim alternativ mjekësor të bazuar në kërkimet më të fundit mjekësore.

[Harta në faqen 29]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

UKRAINË

IZRAEL

[Burimi]

Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figurat në faqen 30]

Ela dhe vajza e saj, Ejna

[Figura në faqen 31]

Një grup i lumtur me Dëshmitarë që flasin rusisht në Hajfa. Nga e majta në të djathtë: Sasha, Ilana, Natasha, Galina, Faina, Ela, Ejna dhe Karli