Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Si duhet ta shohin të krishterët e vërtetë praktikën e zakonshme të disa individëve, të cilët u japin të tjerëve kopje të programeve tregtare software për kompjuterë?
Disa mund të përpiqen në mënyrë të gabuar ta justifikojnë këtë praktikë, duke iu referuar fjalëve të Jezuit: «Falas morët, falas jepni.» Sigurisht Jezui nuk po i referohej dhënies falas të kopjeve të literaturës ose të programeve kompjuterike (software) të mbrojtura nga e drejta e autorit, pasi përdorimi i këtij materiali kontrollohet me ligj. Ai nënkuptonte dhënien si pjesë të shërbimit. Jezui u tha apostujve që po niseshin për në qytete e fshatra të ndryshme se duhej të predikonin Mbretërinë, të shëronin të sëmurë dhe të dëbonin demonë. Në vend që të kërkonin pagesë për këtë, apostujt duhej të ‘jepnin falas’.—Mateu 10:7, 8.
Duke qenë se numri i kompjuterëve personalë dhe të biznesit është shtuar jashtë mase, shumë njerëz
kanë pasur nevojë për programe software. Zakonisht, këto duhen blerë. Vërtet, disa individë shkruajnë programe kompjuterike që i vënë në dispozicion falas dhe që thonë se të tjerët mund t’i kopjojnë e t’ua japin atyre që duan. Por, shumica e programeve software shitet me rrugë tregtare. Qofshin për përdorim personal në shtëpi, qofshin për biznes, nga përdoruesit e programeve software pritet që t’i blejnë ato, të paguajnë për to. Nëse dikush do të merrte ose do të kopjonte një program software pa paguar, kjo do të ishte e paligjshme, siç do të ishte fotokopjimi në masë i librave, edhe sikur këto fotokopje të shpërndaheshin falas.Shumica e programeve kompjuterike (duke përfshirë edhe lojërat) kanë një licensë, ku nga pronari ose përdoruesi kërkohet që të jetë në harmoni me masat dhe kufizimet e saj specifike. Shumë nga këto licensa deklarojnë se programin mund ta instalojë dhe ta përdorë vetëm një person, zakonisht, duke e instaluar vetëm në një kompjuter, qoftë ky kompjuter shtëpie ose në ndonjë biznes a shkollë. Disa licensa thonë se përdoruesi mund të bëjë një kopje rezervë për vete, por nuk duhet të bëjë kopje për të tjerët. Nëse pronari ka dëshirë ta japë të gjithë programin (duke përfshirë licensën dhe dokumentacionin), mund ta bëjë këtë. Megjithatë, në këtë mënyrë ai i jep fund së drejtës së tij për ta përdorur programin. Licensat ndryshojnë nga njëra-tjetra, kështu që një person i cili blen një program ose të cilit i ofrohet një i tillë, duhet të shikojë çfarë përmban licensa e atij programi.
Shumë kombe janë palë pjesëmarrëse të marrëveshjeve për mbrojtjen e të drejtave të autorit, të cilat mbrojnë «pronën intelektuale», siç janë programet kompjuterike dhe ato përpiqen të vënë në zbatim ligjet për të drejtat e autorit. Për shembull, në gazetën The New York Times të 14 janarit 2000, raportohej se «policët gjermanë e danezë arrestuan anëtarët e asaj që e përshkruan si një bandë kryesore e piratëve të programeve software», e cila kopjonte dhe shpërndante programe e lojëra kompjuterike, madje, duke i shitur disa edhe në Internet.
Cili është qëndrimi i kongregacionit të krishterë në këtë çështje? Jezui tha: «Paguajini Cezarit, gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë, gjërat e Perëndisë.» (Marku 12:17) Kjo kërkon që të krishterët t’u binden ligjeve të vendit të tyre, të cilat nuk bien në kundërshtim me ligjin e Perëndisë. Në lidhje me qeveritë, apostulli Pavël shkroi: «Çdo shpirt le të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta . . . Ai që kundërshton autoritetin i është kundërvënë rregullit të Perëndisë; ata që i janë kundërvënë atij marrin mbi vete gjykimin.»—Romakëve 13:1, 2.
Pleqtë e kongregacionit të krishterë nuk janë përgjegjës për të kontrolluar kompjuterët e të tjerëve, sikur të ishin të autorizuar të argumentonin e të kontrollonin zbatimin e ligjeve për të drejtat e autorit. Por ata besojnë dhe u mësojnë të tjerëve se të krishterët nuk duhet të marrin asgjë që nuk u përket dhe duhet të përpiqen t’u binden ligjeve. Kjo i mbron të krishterët që të mos dënohen si shkelës të ligjit dhe u jep mundësi të kenë ndërgjegje të mirë para Perëndisë. Pavli shkroi: «Prandaj, keni arsye detyruese për të qenë të nënshtruar, jo vetëm për shkak të atij zemërimi, por edhe për shkak të ndërgjegjes suaj.» (Romakëve 13:5) Në mënyrë të ngjashme, Pavli shprehu dëshirën e të krishterëve të vërtetë me fjalët: «Jemi të bindur që kemi një ndërgjegje të pastër, duke qenë se duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»—Hebrenjve 13:18.
[Kutia në faqen 29]
Disa biznese dhe shkolla blejnë licensa për përdorim nga shumë veta, të cilat lejojnë një numër maksimal përdoruesish për të përdorur programin. Në vitin 1995, në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait u trajtua një artikull që përfshinte këtë këshillë:
«Shumica e shoqërive që përgatitin dhe shesin programe kompjuterike i mbrojnë ato me të drejta të autorit, dhe japin një licensë ku përmblidhet se si mund të përdoren ligjërisht programet. Licensa zakonisht thotë që zotëruesi nuk mund t’u japë të tjerëve kopje të programit; në fakt, ligjet ndërkombëtare të së drejtës së autorit e quajnë jo të ligjshme të veprohet kështu. . . . Disa firma të mëdha shesin kompjutera që përmbajnë programe të parainstaluar dhe me licensa. Sidoqoftë disa dyqane kompjuterësh nuk i japin licensat sepse programet që ata kanë parainstaluar janë kopje të paligjshme, që nënkuptojnë se blerësi shkel ligjin në përdorimin e programeve. Në lidhje me këtë, të krishterët duhet të shmangin futjen ose furnizimin me materiale nga tabelat elektronike të buletineve që kanë të drejta të rezervuara (siç janë botimet e Shoqatës) dhe që janë kopjuar pa ndonjë leje ligjore nga pronarët.»