Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai më ka mbështetur në të gjitha ditët e mia

Jehovai më ka mbështetur në të gjitha ditët e mia

Jetëshkrim

Jehovai më ka mbështetur në të gjitha ditët e mia

TREGUAR NGA FORREST LI

Policia sapo na kishte konfiskuar gramafonët dhe literaturën biblike. Lufta II Botërore u kishte dhënë kundërshtarëve një justifikim për ta bindur guvernatorin e ri të përgjithshëm të Kanadasë që ta shpallte të paligjshme veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo ndodhi më 4 korrik 1940.

PA U stepur nga ajo që ndodhi, morëm literaturë tjetër në vendin ku ishte vendosur dhe vazhduam predikimin. Do t’i kujtoj gjithnjë fjalët e babait në atë rast: «Nuk ndalojmë aq kollaj. Jehovai na ka urdhëruar që të predikojmë.» Në atë kohë, isha një djalë dhjetëvjeçar tërë energji. Por, edhe sot, vendosmëria dhe zelli i babait për shërbimin janë ende një përkujtues i vazhdueshëm se si i mbështet besnikët e tij Perëndia ynë, Jehovai.

Herën tjetër kur na ndaloi policia, jo vetëm që na morën literaturën, por edhe e futën babanë në burg, duke e lënë mamanë vetëm, me katër fëmijë. Kjo ndodhi në shtator të vitit 1940, në Saskaçevan. Jo shumë kohë më pas më përjashtuan nga shkolla, sepse ndiqja ndërgjegjen time të stërvitur nga Bibla dhe nuk përshëndetja flamurin e nuk këndoja himnin kombëtar. Vazhdimi i shkollës me korrespondencë më dha mundësi të kisha një program elastik dhe mora pjesë më plotësisht në veprën e predikimit.

Në vitin 1948 u bë një thirrje për pionierë—Dëshmitarë të Jehovait që janë shërbëtorë në kohë të plotë—që të transferoheshin në bregun lindor të Kanadasë. Kështu, shkova për të shërbyer si pionier në Halifaks, Nova-Skotia dhe në Kepin Uolf, në ishullin Princ Eduard. Vitin që pasoi, pranova ftesën për të punuar dy javë në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Toronto. Këto dy javë u shndërruan në më shumë se gjashtë vite shpërblyese shërbimi. Më pas, takova Mirnën, e cila kishte të njëjtën dashuri si unë për Jehovain dhe u martuam në dhjetor të vitit 1955. U vendosëm në Milton, Ontario dhe, shumë shpejt, atje u formua një kongregacion i ri. Kati i nëndheshëm i shtëpisë sonë u bë Salla e Mbretërisë.

Dëshira për të zgjeruar shërbimin

Në vitet që pasuan, u bëmë prindër të gjashtë fëmijëve, të cilët erdhën shpejt e shpejt njëri pas tjetrit. E para ishte vajzë, Miriami. Pastaj erdhën Sharmeni, Marku, Aneta, Granti dhe në fund Gleni. Shpesh kthehesha nga puna dhe i gjeja të vegjlit ulur përtokë rreth e qark oxhakut, ndërsa Mirna u lexonte nga Bibla, duke u shpjeguar tregimet biblike dhe duke u ngulitur në zemër dashuri të vërtetë për Jehovain. Falë mbështetjes së saj të dashur, të gjithë fëmijët tanë fituan njohuri të mjaftueshme për Biblën që në moshë të njomë.

Zelli që kishte pasur babai për shërbimin më kishte lënë mbresa të pashlyeshme në mendje e në zemër. (Fjalët e urta 22:6) Kështu, në vitin 1968, kur familjet e Dëshmitarëve të Jehovait u ftuan të transferoheshin në Amerikën Qendrore dhe në Amerikën e Jugut për të ndihmuar në veprën e predikimit, edhe ne si familje donim t’i përgjigjeshim kësaj thirrjeje. Në atë kohë, fëmijët ishin të moshës nga 5 deri në 13 vjeç, dhe asnjëri prej nesh nuk dinte as edhe një fjalë spanjisht. Duke ndjekur udhëzimet që ishin dhënë, bëra një udhëtim në disa vende për të kontrolluar kushtet e jetesës. Pasi u ktheva, i shqyrtuam me lutje si familje mundësitë tona dhe vendosëm të transferoheshim në Nikaragua.

Shërbimi në Nikaragua

Në tetor të vitit 1970 ishim në shtëpinë e re dhe, brenda tri javësh, më caktuan një pjesë të vogël në program në një mbledhje të kongregacionit. Me spanjishten time të çalë, mezi ia dola mbanë ta bëja pjesën dhe e përfundova duke e ftuar të gjithë kongregacionin në shtëpinë tonë, të shtunën në orën 9.30 të mëngjesit, për cerveza. Kisha ndër mend të thosha servicio, fjala për shërbimin në fushë, por, në të vërtetë, i kisha ftuar të gjithë për të pirë birrë. Të mësoja gjuhën ishte vërtet një sfidë!

Fillimisht, shkruaja një prezantim në dorë dhe e provoja rrugës duke shkuar te një derë. Thosha: «Me librin ju vjen një studim biblik pa pagesë në shtëpi.» Një person që e pranoi ftesën, më vonë tha se i ishte dashur të vinte në mbledhjet tona për të kuptuar se çfarë po përpiqesha t’i thosha. Ky burrë u bë Dëshmitar i Jehovait. Sa e dukshme është se, në të vërtetë, është Perëndia ai që i bën farërat e së vërtetës të rriten në zemrat e përulura, siç e pranoi edhe apostulli Pavël!—1 Korintasve 3:7.

Pasi kaluam rreth dy vjet në Managua, i cili është kryeqyteti, na u kërkua të transferoheshim në pjesën jugore të Nikaraguas. Atje punuam me kongregacionin në Rivas dhe me grupet e izoluara fqinje, ku kishte persona të interesuar. Pedro Penja, një Dëshmitar besnik i moshuar, më shoqëronte kur vizitonim këto grupe. Njëri nga grupet ndodhej në një ishull vullkanik në liqenin Nikaragua, ku kishte vetëm një familje Dëshmitarësh të Jehovait.

Ndonëse kishte shumë pak gjëra materiale, kjo familje bëri shumë përpjekje për të treguar çmueshmëri për vizitën tonë. Mbrëmjen që arritëm atje, për ne ishte bërë gati një darkë. Qëndruam për një javë dhe shumë nga njerëzit e dashur atje, që e donin Biblën, e ndanë ushqimin e tyre me ne. U kënaqëm jashtë mase kur të dielën fjalimin publik të bazuar në Bibël e ndoqën 101 veta.

Mendoj se fuqia mbështetëse e Jehovait u bë e dukshme kur, në një rast tjetër, duhej të vizitonim një grup personash të interesuar në malet afër kufirit të Kosta-Rikës. Ditën që duhej të niseshim, Pedroja erdhi të më merrte, por unë isha në shtrat me malarje. «Nuk vij dot, Pedro»,—i thashë. Duke ma vënë dorën në ballë, ai u përgjigj: «Paske temperaturë të lartë, por duhet të vish se s’bën! Vëllezërit na presin.» Pastaj bëri një nga lutjet më të ndiera që kam dëgjuar ndonjëherë.

Pas kësaj, i thashë: «Shko merr një fresco (lëng frutash) për vete. Për dhjetë minuta jam gati.» Në zonën që vizituam jetonin dy familje Dëshmitarësh, të cilët u kujdesën në mënyrë të shkëlqyer për ne. Ditën tjetër dolëm të predikonim me ta, ndonëse isha ende i dobët dhe me temperaturë. Sa forcuese ishte kur pamë më shumë se njëqind veta të pranishëm në mbledhjen e së dielës!

Përsëri në lëvizje

Në vitin 1975, na lindi fëmija i shtatë, Voni. Vitin që pasoi, na u desh të ktheheshim në Kanada për arsye financiare. Largimi nga Nikaragua nuk ishte i lehtë, sepse, gjatë qëndrimit atje, e kishim ndier vërtet fuqinë mbështetëse të Jehovait. Në kohën kur u larguam, më shumë se 500 veta në territorin e kongregacionit tonë ndiqnin mbledhjet.

Më parë, kur unë dhe vajza e madhe, Miriami, ishim emëruar pionierë specialë në Nikaragua, ajo më pyeti: «Babi, nëse do të të duhet ndonjëherë të kthehesh në Kanada, a do të më lësh të qëndroj këtu?» Nuk kisha për qëllim të largohesha ndonjëherë që andej, prandaj i kisha thënë: «Patjetër që do të të lë!» Kështu që, kur u larguam, Miriami qëndroi atje dhe vazhdoi shërbimin e plotkohor. Më vonë, u martua me Endrju Ridin. Në vitin 1984, ndoqën klasën e 77-të të Galaadit, shkollën misionare të Dëshmitarëve të Jehovait, e cila atëherë ndodhej në Bruklin, Nju-Jork. Tani Miriami shërben së bashku me të shoqin në Republikën Domenikane, duke përmbushur dëshirën që i ngulitën në zemër misionaret e shkëlqyera në Nikaragua.

Ndërkohë, fjalët e babait «nuk ndalojmë aq kollaj» më vlonin ende në zemër. Kështu, në vitin 1981, kur kishim kursyer mjaft para sa për t’u kthyer në Amerikën Qendrore, u transferuam përsëri, kësaj radhe në Kosta-Rikë. Gjatë kohës që shërbenim atje, na ftuan të ndihmonim për ndërtimin e ndërtesave të degës së re atje. Por, në vitin 1985, djali ynë Granti kishte nevojë për kujdes shëndetësor, kështu që u kthyem në Kanada. Gleni qëndroi në Kosta-Rikë për të punuar në projektin e ndërtimit të degës, kurse Aneta dhe Sharmeni shërbenin si pioniere speciale. Ata nga ne që lanë Kosta-Rikën, nuk e mendonin kurrë që nuk do të ktheheshin më atje.

Përballoj një problem të rëndë

Dita e 17 shtatorit 1993 ishte e bukur dhe me diell. Së bashku me djalin e madh, Markun, po mbulonim një çati. Punonim krah për krah dhe flitnim për gjëra frymore, siç e kishim zakon. Nuk e di se si e humba ekuilibrin dhe rashë nga çatia. Kur u përmenda, gjithçka që mund të shihja ishin drita të forta dhe njerëz të veshur me të bardha. Gjendesha në dhomën e urgjencës në spital.

Për shkak të asaj që thotë Bibla, reagimi im i parë ishte: «Pa gjak, pa gjak!» (Veprat 15:28, 29) Sa u qetësova kur dëgjova Sharmenin që tha: «S’ka problem, babi. Jemi të gjithë këtu.» Më vonë mora vesh se mjekët e kishin parë dokumentin tim mjekësor dhe nuk ishte bërë fjalë kurrë për të përdorur gjak. Kisha thyer qafën dhe isha tërësisht i paralizuar, madje, as nuk kisha mundësi të merrja frymë vetë.

Duke qenë i ngujuar aty, kisha nevojë më shumë se kurrë që Jehovai të më mbështeste. Trakeotomia, e cila u bë për të më vënë një tub për frymëmarrje, ma bllokoi kalimin e ajrit për te kordat e zërit. Nuk mund të flitja dot. Njerëzit duhej të më shihnin lëvizjet e buzëve për të kuptuar atë që po përpiqesha të thosha.

Shpenzimet u rritën me të shpejtë. Duke qenë se ime shoqe dhe pjesa më e madhe e fëmijëve ishin në shërbimin e plotkohor, pyetja veten nëse do t’u duhej ta linin këtë shërbim për t’u kujdesur për këto përgjegjësi financiare. Por, Marku arriti të siguronte një punë e cila, vetëm në tre muaj, ndihmoi për të mbuluar shumicën e shpenzimeve. Rrjedhimisht, të gjithë patën mundësi të mbeteshin në shërbimin e plotkohor, përveç meje dhe gruas sime.

Qindra kartolina dhe letra nga gjashtë vende të ndryshme mbulonin muret e dhomës sime në spital. Jehovai po më mbështeste me të vërtetë. Kongregacioni e ndihmoi, gjithashtu, familjen time duke u siguruar ushqime për një pjesë të kohës, gjatë pesë muajve e gjysmë që isha në repartin e reanimacionit. Çdo ditë, një plak i krishterë kalonte pasditen me mua, duke më lexuar pjesë nga Bibla dhe nga botimet biblike, si edhe duke treguar përvoja inkurajuese. Dy pjesëtarë të familjes përgatiteshin me mua për çdo mbledhje kongregacioni, kështu që nuk e humbisja asnjëherë ushqimin jetësor frymor.

Ndërsa isha ende në spital, u morën masa që të ndiqja një program të asamblesë speciale njëditore. Personeli i spitalit mori masa që një infermiere e kualifikuar dhe një teknike e aparatit të frymëmarrjes të më shoqëronin gjithë ditën. Sa kënaqësi ishte të isha përsëri me vëllezërit e krishterë dhe motrat e krishtere! Nuk do ta harroj kurrë çastin kur qindra veta ishin rreshtuar, duke pritur radhën për të më përshëndetur.

Mbaj gjendjen frymore

Rreth një vit pas aksidentit, pata mundësi të kthehesha prapë në shtëpi, ndonëse më duhet ende kujdesi i infermiereve për 24 orë në ditë. Një furgon i pajisur në mënyrë të posaçme më jep mundësi të shkoj në mbledhje, të cilat rrallëherë i humbas. Megjithatë, më duhet ta pranoj se duhet vendosmëri për të shkuar atje. Që kur kam ardhur në shtëpi, kam pasur mundësi të ndjek të gjitha kongreset krahinore.

Së fundi, në shkurt të vitit 1997, e rifitova aftësinë për të folur në një masë të kufizuar. Disa nga infermieret më dëgjojnë me vlerësim kur ndaj me to shpresën time të bazuar në Bibël. Një infermiere më ka lexuar të gjithë librin Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, si edhe botime të tjera të Shoqatës Watch Tower. Kam korrespondencë me shumë njerëz, duke përdorur një shkop për të vënë në punë kompjuterin. Ndonëse e kam shumë të lodhshme të shkruaj në këtë mënyrë, është shpërblyese që jam në gjendje të mbetem i përfshirë në shërbim.

Vuaj shumë nga dhembjet nevralgjike. Por duket se kur jam duke ndarë të vërtetat biblike me të tjerët ose kur dëgjoj të m’i lexojnë të tjerët, ndiej njëfarë lehtësimi. Ndonjëherë jap edhe dëshmi rrugore, së bashku me gruan që më mbështet shumë, e cila shpjegon për mua kur kam nevojë për ndihmë. Në disa raste kam pasur mundësi të shërbej si pionier ndihmës. Shërbimi si plak i krishterë më jep një ndjenjë gëzimi, veçanërisht kur vëllezërit vijnë tek unë në mbledhje ose më vizitojnë në shtëpi dhe jam në gjendje t’i ndihmoj e t’i inkurajoj.

Duhet ta pranoj se është e lehtë të të zërë trishtimi. Prandaj, sa herë që ndihem i rënë shpirtërisht, menjëherë lutem që të mund të kem gëzim. Ditë e natë i lutem Jehovait që të vazhdojë të më mbështetë. Një letër ose vizita e ndonjë personi gjithnjë më çel. Edhe leximi i revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! ma mbush mendjen me mendime ndërtuese. Disa herë, këto revista m’i lexojnë infermieret. Që nga koha e aksidentit, e kam dëgjuar shtatë herë leximin e Biblës në kaseta. Këto janë disa nga mënyrat e ndryshme se si më ka mbështetur Jehovai.—Psalmi 41:3.

Ndryshimi i rrethanave më ka dhënë shumë kohë për të medituar se si Mësuesi ynë i Madh, Jehovai, na mëson për jetën. Ai na jep njohuri të saktë për vullnetin dhe për qëllimin e tij, shërbim domethënës, këshilla për sekretin e lumturisë familjare dhe aftësi dalluese për të ditur çfarë të bësh në kohë vështirësish. Jehovai më ka bekuar me një grua besnike e të mrekullueshme. Edhe fëmijët më kanë qëndruar me besnikëri përkrah dhe është një gëzim për mua që ata të gjithë kanë marrë pjesë në shërbimin e plotkohor. Në fakt, më 11 mars 2000, djali ynë Marku dhe gruaja e tij, Elisoni, u diplomuan në klasën e 108-të të Shkollës së Galaadit dhe u caktuan në Nikaragua. Unë dhe ime shoqe patëm mundësi të ishim të pranishëm në diplomimin e tyre. Mund të them me të vërtetë se vështirësitë më kanë ndryshuar jetën, por jo zemrën.—Psalmi 127:3, 4.

E falënderoj Jehovain për mençurinë që ka siguruar, duke më dhënë mundësi t’i kaloj familjes sime trashëgiminë frymore që mora. Forcohem dhe inkurajohem kur shoh fëmijët e mi që i shërbejnë Krijuesit të tyre me një qëndrim të ngjashëm me atë të babait tim, i cili tha: «Nuk ndalojmë aq kollaj. Jehovai na ka urdhëruar që të predikojmë.» Me të vërtetë, Jehovai na ka mbështetur, mua dhe familjen time, në të gjitha ditët tona.

[Figura në faqen 24]

Me babanë, vëllezërit dhe motrën, para karrocës-shtëpi që përdornim gjatë ditëve të shërbimit si pionierë. Unë jam djathtas

[Figura në faqen 26]

Me gruan, Mirnën

[Figura në faqen 26]

Një fotografi e familjes e kohëve të fundit

[Figura në faqen 27]

Ende jap dëshmi me letra