Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të gjejmë lumturi të vërtetë?

Si të gjejmë lumturi të vërtetë?

Si të gjejmë lumturi të vërtetë?

NJË udhëheqës fetar budist, Dalai Lama, tha: «Besoj se vetë qëllimi i jetës sonë është të kërkojmë lumturinë.» Pastaj shpjegoi se besonte që lumturia mund të arrihet duke stërvitur ose duke disiplinuar mendjen dhe zemrën. «Mendja,—tha ai,—është pajisja bazë që na duhet për të arritur lumturi të plotë.» Ai mendon se besimi te Perëndia nuk është i nevojshëm. *

Në kontrast, shqyrtoni Jezuin që kishte besim të fortë te Perëndia dhe mësimet e të cilit kanë ndikuar te qindra milionë njerëz gjatë shekujve. Jezui interesohej për lumturinë e njerëzve. Predikimin e tij të mirënjohur në Mal ai e filloi me nëntë bekime, nëntë shprehje që fillojnë me fjalët: «Lum ata . . . » (Mateu 5:1-12) Në po atë predikim, u mësoi dëgjuesve të tij ta shqyrtonin, ta pastronin dhe ta disiplinonin mendjen e zemrën, duke i zëvendësuar mendimet e dhunshme, imorale dhe egoiste me mendime paqësore, të pastra dhe të dashura. (Mateu 5:21, 22, 27, 28; 6:19-21) Siç nxiti më vonë një nga dishepujt e tij, ne duhet të ‘vazhdojmë të konsiderojmë’ gjërat që janë ‘të vërteta, që konsiderohen serioze, që janë të drejta, të dëlira, të dashura, për të cilat flitet mirë, të virtytshme dhe të denja për lëvdim’.—Filipianëve 4:8.

Jezui e dinte se lumturia e vërtetë përfshin marrëdhëniet me të tjerët. Ne njerëzit jemi nga natyra të shoqërueshëm, prandaj nuk mund të jemi vërtet të lumtur nëse veçohemi a nëse jemi vazhdimisht në konflikt me ata që na rrethojnë. Mund të jemi të lumtur vetëm nëse e ndiejmë se të tjerët na duan dhe nëse ne i duam të tjerët. Jezui mësoi se thelbësore për këtë dashuri është marrëdhënia që kemi me Perëndinë. Veçanërisht në këtë pikë mësimi i Jezuit ndryshon nga ai i Dalai Lamës, pasi Jezui mësoi se njerëzit nuk mund të jenë vërtet të lumtur në qoftë se janë të pavarur nga Perëndia. Përse është kështu?—Mateu 4:4; 22:37-39.

Të mendojmë për nevojat frymore

Një nga bekimet thotë: «Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore.» (Mateu 5:3) Përse e tha Jezui këtë? Sepse, ndryshe nga kafshët, ne kemi nevoja frymore. Të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, mund të kultivojmë në njëfarë mase cilësitë hyjnore, si: dashuria, drejtësia, mëshira dhe mençuria. (Zanafilla 1:27; Mikea 6:8; 1 Gjonit 4:8) Nevojat tona frymore përfshijnë edhe nevojën për të pasur një qëllim në jetë.

Si mund t’i plotësojmë këto nevoja frymore? Jo nëpërmjet meditimit transhendental ose vetëm me anë të vetëshqyrtimit. Përkundrazi, Jezui tha: «Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë, por me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait.» (Mateu 4:4) Vini re se Jezui tha që Perëndia është burimi i ‘çdo shprehjeje’ jetësore për ne. Ka disa pyetje që vetëm Perëndia mund të na ndihmojë t’i gjejmë përgjigjet. Kjo kuptueshmëri është e nevojshme sidomos për kohën sot, duke marrë parasysh lulëzimin e teorive lidhur me qëllimin e jetës dhe rrugën drejt lumturisë. Libraritë ua kushtojnë sektorë të tërë të dyqanit librave që u premtojnë lexuesve shëndet, pasuri dhe lumturi. Janë krijuar edhe site Internet, të cilat flasin në mënyrë të veçantë për lumturinë.

Megjithatë, në këto fusha mendimet njerëzore janë shpesh të drejtuara keq. Ato kanë prirjen të ushqejnë dëshirat egoiste ose egon e personit. Bazohen në njohuri e përvojë të kufizuar dhe, shumë shpesh, mbështeten në premisa të rreme. Për shembull, një prirje gjithnjë e më e madhe midis shkrimtarëve të librave udhëzues për vetëndihmesë është që t’i bazojnë idetë e tyre në teorinë e «psikologjisë evolucioniste», e cila pohon se ndjenjat njerëzore janë të rrënjosura në prejardhjen tonë të supozuar nga kafshët. E vërteta është se çdo përpjekje për të gjetur lumturinë, e bazuar në një teori që shpërfill rolin e Krijuesit tonë, nuk mund të jetë e vlefshme dhe së fundi do të çojë në zhgënjim. Një profet i lashtë tha: «Njerëzit e ditur do të turpërohen. . . . Ja, kanë hedhur poshtë fjalën e Zotit, çfarë diturie mund të kenë?»—Jeremia 8:9.

Perëndia Jehova e njeh përbërjen tonë dhe e di çfarë do të na bëjë vërtet të lumtur. Ai e di përse e vuri njeriun në tokë e çfarë rezervon e ardhmja, dhe e ndan këtë informacion me ne në Bibël. Gjërat që ai zbulon në këtë libër të frymëzuar ua prekin zemrat individëve të prirur në mënyrën e duhur dhe ngjallin lumturi. (Luka 10:21; Gjoni 8:32) Kështu ndodhi me dy dishepuj të Jezuit. Pas vdekjes së tij, ata ishin të dëshpëruar. Por, pasi mësuan nga goja e vetë Jezuit të ringjallur lidhur me rolin e tij në qëllimin e Perëndisë për shpëtimin e njerëzimit, thanë: «A nuk digjej zemra jonë ndërsa po na fliste rrugës, ndërsa po na hapte plotësisht Shkrimet?»—Luka 24:32.

Një gëzim i tillë intensifikohet kur e lejojmë të vërtetën biblike të na udhëheqë në jetë. Në këtë aspekt, lumturia mund të krahasohet me një ylber. Ai shfaqet kur kushtet janë të favorshme, por bëhet më i shkëlqyeshëm, e madje duke u dyfishuar, kur kushtet janë maksimale. Le të shohim tani disa shembuj se si zbatimi i mësimeve të Biblës mund të na e shtojë edhe më shumë lumturinë.

Ta mbajmë jetën të thjeshtë

Së pari, le të shohim këshillën e Jezuit për sa i përket pasurisë. Pasi këshilloi që të mos e bëjmë rendjen pas pasurisë gjënë kryesore në jetë, ai përdori një shprehje të pazakontë. Tha: «Prandaj, nëse syri yt është i thjeshtë, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar.» (Mateu 6:19-22) Në thelb, ai tha se nëse rendim me lakmi pas pasurisë, pushtetit ose synimeve të tjera që kanë njerëzit, do të humbasim gjërat më të rëndësishme. Në fakt, siç tha Jezui në një rast tjetër, «edhe kur dikush ka bollëk, jeta e tij nuk vjen nga gjërat që zotëron». (Luka 12:15) Nëse vëmë në vend të parë gjërat që janë vërtet të rëndësishme,—marrëdhënia që kemi me Perëndinë, interesat familjare dhe gjëra të tjera të lidhura me këto—atëherë «syri» ynë do të jetë «i thjeshtë», i pashpërqendruar.

Vini re se Jezui nuk po përkrahte asketizmin ose vetëmohimin ekstrem. Në fund të fundit, vetë Jezui nuk bëri një jetë asketi. (Mateu 11:19; Gjoni 2:1-11) Në vend të kësaj, ai mësoi se ata që e konsiderojnë jetën vetëm si një mundësi për të grumbulluar pasuri, në thelb po humbasin shumë nga jeta.

Duke komentuar për disa që u pasuruan shumë, që në fillim të jetës së tyre, një specialist psikoterapie në San-Francisko, SHBA, tha se për ta paratë janë «rrënja e stresit dhe e pështjellimit». Ai shtoi se këta njerëz «blejnë dy ose tre shtëpi, një makinë dhe shpenzojnë para duke blerë sende të ndryshme. E kur kjo nuk ia ka arritur qëllimit [domethënë, nuk i ka bërë të lumtur] bëhen të dëshpëruar, të zbrazët dhe të pasigurt se çfarë do të bëjnë me jetën e tyre». Në kontrast me këtë, ata që ia vënë veshin këshillës së Jezuit për të bërë një jetë më të thjeshtë nga ana materiale dhe për të lënë hapësirë për gjërat frymore, ka shumë më tepër të ngjarë të gjejnë lumturi të vërtetë.

Tomi, një punëtor ndërtimi që banon në Havai, doli vullnetar për të ndihmuar në ndërtimin e vendeve të adhurimit në ishujt e Paqësorit, ku njerëzit nuk kanë shumë nga ana materiale. Tomi vuri re diçka në lidhje me këta njerëz të thjeshtë. Ai tha: «Vëllezërit e motrat e mia të krishtere në këta ishuj ishin vërtet të lumtur. Ata më ndihmuan ta kuptoja më qartë se paratë dhe zotërimet nuk janë sekreti i lumturisë.» Gjithashtu, vuri re vullnetarët që punonin me të në ishuj dhe pa se sa të kënaqur ishin. «Mund të kishin bërë shumë para,—tha Tomi.—Por zgjodhën t’i mbanin gjërat frymore në vend të parë dhe të kishin një stil të thjeshtë jetese.» I shtyrë nga këta shembuj, Tomi e thjeshtoi jetën që të mund t’i kushtonte më shumë kohë familjes dhe gjërave frymore, ndryshim për të cilin nuk i ka ardhur kurrë keq.

Lumturia dhe vlerësimi për veten

Për të arritur lumturinë është jetësore të kesh një ndjenjë dinjiteti personal ose vlerësimi për veten. Për shkak të papërsosmërisë njerëzore dhe të dobësisë që vjen si pasojë, disa kanë një pikëpamje negative për veten dhe, për shumë veta, këto ndjenja kanë filluar që nga fëmijëria. Mund të jetë e vështirë të mposhten ndjenjat e ngulitura thellë, por kjo mund të arrihet. Zgjidhja gjendet në zbatimin e Fjalës së Perëndisë.

Bibla na shpjegon se si ndihet Krijuesi për ne. A nuk është pikëpamja e tij më e rëndësishme se e çdo njeriu, e madje edhe se pikëpamja jonë? Vetë personifikimi i dashurisë, Perëndia, nuk na shikon me paragjykim ose me keqdashje. Ai na sheh për atë që jemi, si edhe për atë që mund të jemi. (1 Samuelit 16:7; 1 Gjonit 4:8) Në të vërtetë, personat që duan t’i pëlqejnë, ai i konsideron si të çmuar, po, të dëshirueshëm, cilatdo qofshin papërsosmëritë e tyre.—Danieli 9:23; Hageu 2:7.

Sigurisht, Perëndia nuk i shpërfill dobësitë tona dhe mëkatet që mund të kryejmë. Ai pret që të përpiqemi fort për të bërë atë që është e drejtë dhe na mbështet kur e bëjmë këtë. (Luka 13:24) Gjithsesi, Bibla thotë: «Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.» Gjithashtu, thotë: «Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot? Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.»—Psalmi 103:13; 130:3, 4.

Prandaj, mësoni ta shihni veten me sytë e Perëndisë. Dijenia se ai i konsideron të dëshirueshëm personat që e duan dhe ka besim tek ata, ndonëse mund ta konsiderojnë veten të padenjë, mund të bëjë shumë për t’jua shtuar lumturinë.—1 Gjonit 3:19, 20.

Shpresa—Jetësore për lumturinë

Një koncept që është përkrahur kohët e fundit, i quajtur psikologjia pozitive, pohon se optimizmi, i kultivuar nga mendimet pozitive dhe i përqendruar te pikat e forta personale, mund të çojë në lumturi. Pak veta do ta mohonin se pikëpamja optimiste për jetën dhe për të ardhmen na e shton lumturinë. Megjithatë, ky optimizëm duhet të jetë i bazuar në fakte, jo vetëm në mendimet ëndërrimtare. Përveç kësaj, sado optimizëm ose mendime pozitive të kemi, ato nuk do t’i eliminojnë luftën, urinë, sëmundjet, ndotjen, plakjen, shëndetin e dobët ose vdekjen, gjëra që ua heqin shumë vetave lumturinë. Gjithsesi, optimizmi ka vendin e vet.

Është interesant fakti që Bibla nuk e përdor fjalën optimizëm, por përdor një fjalë më të fuqishme: shpresë. Një fjalor, Vine’s Complete Expository Dictionary, e përkufizon «shpresën», në mënyrën që përdoret në Bibël, si «pritje e favorshme dhe e sigurt, . . . pritja e lumtur e diçkaje të mirë». Kur përdoret në Bibël, shpresa është më shumë sesa një pikëpamje optimiste për një situatë. Ajo i referohet edhe gjësë mbi të cilën është fiksuar shpresa e dikujt. (Efesianëve 4:4; 1 Pjetrit 1:3) Për shembull, shpresa e krishterë është që të gjitha gjërat e padëshirueshme të përmendura në paragrafin e mëparshëm, do të eliminohen së shpejti. (Psalmi 37:9-11, 29) Por përfshin edhe më tepër.

Të krishterët e presin me padurim kohën kur njerëzit besimplotë do të arrijnë jetën e përsosur në një tokë parajsore. (Luka 23:42, 43) Duke e zgjeruar këtë shpresë, Zbulesa 21:3, 4 thotë: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzimin dhe ai do të banojë me ta, ndërsa ata do të jenë popujt e tij. . . . Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.»

Të gjithë ata që presin të kenë një të ardhme të tillë kanë çdo arsye për të qenë të lumtur, edhe nëse rrethanat e tyre të tanishme lënë shumë për të dëshiruar. (Jakovit 1:12) Prandaj, përse të mos e shqyrtoni Biblën dhe të zbuloni përse mund t’i besoni? Forcojeni shpresën tuaj duke kaluar kohë çdo ditë me leximin e Biblës. Kjo do t’ju pasurojë frymësisht, do t’ju ndihmojë të shmangni gjërat që ua heqin njerëzve lumturinë dhe do t’jua forcojë ndjenjën e kënaqësisë. Po, sekreti thelbësor i lumturisë së vërtetë është të bëjmë vullnetin e Perëndisë. (Predikuesi 12:13) Një jetë që ndërtohet duke iu bindur normave të Biblës është jetë e lumtur, sepse Jezui tha: «Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe ruajnë atë!»—Luka 11:28.

[Shënimi]

^ par. 2 Për një budist, besimi te Perëndia nuk është i nevojshëm.

[Figurat në faqen 5]

Lumturia nuk mund të gjendet duke grumbulluar pasuri, duke u veçuar ose duke i besuar njohurisë së kufizuar të njerëzve

[Figura në faqen 6]

Një jetë e bazuar në bindjen ndaj Fjalës së Perëndisë është jetë e lumtur

[Figura në faqen 7]

Shpresa e krishterë e bën të lumtur një person