A do ta sjellë feja paqen botërore?
A do ta sjellë feja paqen botërore?
NGA data 28 deri më 31 gusht 2000, më shumë se 500 përfaqësues nga 73 vende u mblodhën në qytetin e Nju-Jorkut. U takuan në selinë e Kombeve të Bashkuara për «Takimin e nivelit të lartë të udhëheqësve fetarë e shpirtërorë lidhur me paqen botërore të mijëvjeçarit». Udhëheqësit—shumë prej tyre të veshur me çallma, me rroba ngjyrë shafrani, me kurora pendësh ose me veladonë të gjatë të zinj—përfaqësonin një shumicë besimesh. Ndër këto besime ishin: bahai, budizmi, hinduizmi, islamizmi, jainizmi, judaizmi, sikizmi, shintoizmi, taoizmi, zoroastrianizmi dhe fetë e të ashtuquajturit krishterim.
Delegatët u takuan në selinë e Kombeve të Bashkuara për dy ditët e para të konferencës katërditore. Megjithatë, konferencën nuk e organizuan ose ta financonin Kombet e Bashkuara, por fondacione të ndryshme. Sidoqoftë, edhe Kombet e Bashkuara, edhe udhëheqësit fetarë folën për rëndësinë e bashkëpunimit me njëri-tjetrin, me qëllim që t’i sjellin fundin varfërisë, racizmit, problemeve të mjedisit, luftës dhe armëve të shkatërrimit në masë.
Delegatët nënshkruan një dokument me titull «Zotim për paqen globale». Ndonëse pranon që dhuna dhe lufta «disa herë kryhen në emër të fesë», dokumenti deklaronte se nënshkruesit do të «bashkëpunojnë me Kombet e Bashkuara . . . për të arritur paqen». Megjithatë, nuk pati ndonjë rezolutë specifike që të tregonte se si mund të bëhej kjo.
Ditën e dytë, Baua Xheini, sekretari i përgjithshëm i këtij takimi, i përfundoi komentet e tij hyrëse duke shpjeguar se disa vjet më parë, kishte vënë re në selinë e Kombeve të Bashkuara një pikturë. Aty paraqitej një njeri më i gjatë se ndërtesa e Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara. Ai po trokiste te ndërtesa, si të ishte një derë. Poshtë pikturës, ishte diçitura «Princi i Paqes». Zoti Xhein tha: «[Piktura] më bëri shumë përshtypje në çastin kur e pashë. Pyeta disa njerëz se çfarë nënkuptonte [ajo]. Sot mendoj se e kam përgjigjen. Mbledhja e të gjithëve ju këtu, udhëheqësve shpirtërorë dhe fetarë të botës, më tregon se [ky] është princi i paqes që troket në derën e Kombeve të Bashkuara.»
Bibla paraqet një pikëpamje të ndryshme. Ajo tregon se Princi i Paqes është Jezu Krishti. Ai do ta sjellë paqen globale jo nëpërmjet përpjekjeve të udhëheqësve politikë a fetarë të kësaj bote, por me anë të Mbretërisë së Perëndisë. Është kjo Mbretëri, qeveria qiellore e Perëndisë, ajo që do t’ia dalë ta bashkojë njerëzimin e bindur dhe do të bëjë që vullneti i Perëndisë të zbatohet në tokë.—Isaia 9:5; Mateu 6:9, 10.