Mbajtës të guximshëm të integritetit ngadhënjejnë mbi përndjekjen nga nazistët
Qëndroni të plotë dhe me bindje të patundur
Mbajtës të guximshëm të integritetit ngadhënjejnë mbi përndjekjen nga nazistët
«BIRI im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t’i përgjigjem atij që përflet kundër meje.» (Fjalët e urta 27:11) Kjo thirrje e përzemërt zbulon se krijesat inteligjente të Perëndisë janë në gjendje t’ia gëzojnë zemrën Jehovait duke i qëndruar atij besimplotë dhe besnikë. (Sofonia 3:17) Sidoqoftë, Satanai, ai që përflet kundër Jehovait, është i vendosur t’ua thyejë integritetin atyre që i shërbejnë Jehovait.—Jobi 1:10, 11.
Në veçanti që nga pjesa e parë e shekullit të 20-të, kur u hodh nga qielli në afërsi të tokës, Satanai ka shfaqur zemërim të madh kundër popullit të Jehovait. (Zbulesa 12:10, 12) Megjithëkëtë, të krishterët e vërtetë kanë qëndruar «të plotë dhe me bindje të patundur» dhe e kanë mbajtur integritetin ndaj Perëndisë. (Kolosianëve 4:12) Le të shqyrtojmë shkurtimisht një shembull të jashtëzakonshëm të mbajtjes së integritetit: shembullin e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani para dhe gjatë Luftës II Botërore.
Veprimtaria e zellshme çon në sprova integriteti
Në vitet 20 dhe në fillim të viteve 30 të shekullit të 20, Bibelforscher, siç njiheshin atëherë në Gjermani Dëshmitarët e Jehovait, shpërndanë sasi të mëdha literature biblike. Nga viti 1919 deri në vitin 1933, ata lanë mesatarisht tetë libra, broshura ose revista në çdo familje në Gjermani.
Në atë kohë, në Gjermani kishte një nga grupet më të mëdha me ithtarë të mirosur të Krishtit. Në vitin 1933, nga 83.941 vetat në mbarë botën që morën emblemat në Darkën e Zotërisë, afro 30 për qind jetonin në Gjermani. S’kaloi shumë kohë dhe këta Dëshmitarë gjermanë përjetuan sprova të tmerrshme integriteti. (Zbulesa 12:17; 14:12) Pushimet nga puna, bastisjet nëpër shtëpi dhe përjashtimet nga shkolla shumë shpejt ia lanë vendin rrahjeve, arrestimeve dhe burgosjeve. (Fotografia 1) Për pasojë, në vitet para Luftës II Botërore, Dëshmitarët e Jehovait përbënin 5 deri në 10 për qind të të gjithë atyre që mbaheshin në kampe përqendrimi.
Përse nazistët i përndiqnin Dëshmitarët?
Por, përse Dëshmitarët e Jehovait provokuan furinë e regjimit nazist? Në librin e tij, Hitler—1889-1936: Hubris, profesori i historisë Jan Kershau vëren se Dëshmitarët u bënë shënjestër e përndjekjeve, sepse nuk pranuan «t’i nënshtroheshin sundimit absolut të shtetit nazist».
Libri Betrayal—German Churches and the Holocaust (Tradhti: kishat gjermane dhe Holokausti), botuar nga profesori i historisë Robert P. Eriksen dhe profesoresha e studimeve judaike Suzana Heshel, shpjegonte se Dëshmitarët «nuk pranonin të merrnin pjesë në dhunë ose të përdornin forcën ushtarake. . . . Dëshmitarët
besonin në asnjanësinë politike, dhe kjo nënkuptonte që nuk votonin për Hitlerin dhe as nuk bënin përshëndetjen hitleriane». Kjo gjë, shton i njëjti burim, provokoi zemërimin e nazistëve dhe i vuri Dëshmitarët në shënjestër, sepse «nacional-socializmi nuk e toleronte këtë mospranim».Një protestë mbarëbotërore dhe një sulm i përgjithshëm
Me anë të një të dërguari të posaçëm, më 9 shkurt 1934, Xhozef F. Radhërfordi, i cili ishte në ballë të veprës në atë kohë, i dërgoi Hitlerit një letër proteste në përgjigje të intolerancës naziste. (Fotografia 2) Më 7 tetor 1934, letrën e Radhërfordit e pasuan rreth 20.000 letra e telegrame proteste që iu dërguan Hitlerit nga Dëshmitarë të Jehovait në 50 vende, duke përfshirë edhe Gjermaninë.
Nazistët u përgjigjën duke e shtuar përndjekjen. Më 1 prill 1935, Dëshmitarët i ndaluan në mbarë kombin. Dhe më 28 gusht 1936, Gestapoja filloi një sulm të përgjithshëm kundër tyre. Megjithatë, siç vëren libri Tradhti: kishat gjermane dhe Holokausti, Dëshmitarët «vazhduan të shpërndanin fletushka dhe ta mbanin të fortë besimin e tyre në mënyra të tjera».
Për shembull, tamam nën hundën e Gestapos, më 12 dhjetor 1936, rreth 3.500 Dëshmitarë shpërndanë dhjetëra mijë kopje të një rezolute që fliste për keqtrajtimin që po pësonin. Për sa i përket kësaj fushate, Kulla e Rojës raportonte: «Ishte një fitore e madhe për ne dhe një goditje e fortë për armikun, duke i gëzuar në mënyrë të papërshkrueshme punëtorët besimplotë.»—Romakëve 9:17.
Përndjekja nuk ia arrin qëllimit
Nazistët vazhduan të kërkonin për Dëshmitarët e Jehovait. Në vitin 1939, gjashtë mijë prej tyre ishin burgosur dhe mijëra ishin dërguar në kampet e përqendrimit. (Fotografia 3) Cila ishte gjendja në përfundim të Luftës II Botërore? Rreth 2.000 Dëshmitarë të burgosur kishin vdekur, më shumë se 250 prej tyre të ekzekutuar. Gjithsesi, profesorët Eriksen dhe Heshel shkruan se «Dëshmitarët e Jehovait në përgjithësi iu përmbajtën besimit të tyre përballë trazirave». Rrjedhimisht, kur ra regjimi i Hitlerit, më shumë se një mijë Dëshmitarë dolën fitimtarë nga kampet.—Fotografia 4; Veprat 5:38, 39; Romakëve 8:35-37.
Çfarë i dha popullit të Jehovait forcën për të duruar përndjekjen? Një i mbijetuar nga kampet e përqendrimit, Adolf Arnold, shpjegoi: «Edhe kur je i dobët fare dhe i dëshpëruar, Jehovai të shikon, e di çfarë po heq dhe do të të japë forcën e nevojshme për ta kapërcyer gjendjen dhe për të qëndruar besimplotë. Dora e tij nuk është tepër e shkurtër.»
Sa mirë zbatohen për këta të krishterë besimplotë fjalët e profetit Sofonia! Ai shpalli: «Zoti, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi që shpëton. Ai do të mbushet me gëzim për ty.» (Sofonia 3:17) Le ta imitojnë sot të gjithë adhuruesit e Perëndisë së vërtetë besimin e atyre Dëshmitarëve besnikë që e mbajtën integritetin përballë përndjekjes nga nazistët dhe t’ia gëzojnë në mënyrë të ngjashme zemrën Jehovait!—Filipianëve 1:12-14.
[Burimi i figurës në faqen 8]
Państwowe Muzeum Oświecim-Brzezinka, me mirësjelljen e USHMM Photo Archives