Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mund t’ia dilni mbanë, sido që të jeni rritur!

Mund t’ia dilni mbanë, sido që të jeni rritur!

Mund t’ia dilni mbanë, sido që të jeni rritur!

NIKOLASI kishte pasur një prirje rebele që kur ishte fëmijë. * Me kalimin e kohës, nga konflikti që kishte brenda vetes, filloi të abuzonte me drogën dhe të pinte me tepri. Nikolasi shpjegon: «Babai im ishte i alkoolizuar dhe na shkaktoi shumë vuajtje, mua dhe motrës sime.»

Duke gjykuar nga pamja e jashtme, prindërit e Malindës ishin pjesëtarë të nderuar të shoqërisë, të cilët shkonin rregullisht në kishë. Por, ishin përfshirë thellë edhe në një kult. «Në disa praktika të kultit të tyre ata më keqtrajtonin shumë dhe ma shkatërruan gjendjen shpirtërore kur isha fëmijë»,—ankohet Malinda që tani është në të 30-tat. Ajo shton: «Për aq sa mbaj mend, ndjenja e dëshpërimit dhe e pavlefshmërisë që më janë ngulitur, kanë qenë gjithnjë pjesë e imja.»

Kush mund ta mohojë se fëmijëria e shumë vetave është shkatërruar nga dhuna, abuzimi, lënia pas dore nga prindërit dhe nga faktorë të tjerë negativë? Plagët e një fëmijërie të palumtur mund të jenë të thella. Por, a duhet që këto plagë ta shkatërrojnë përgjithnjë mundësinë e një personi për të përqafuar të vërtetën e Fjalës së Perëndisë dhe për të gjetur një masë mjaft të madhe lumturie? Sido që të jenë rritur, a mund t’ia dalin mbanë Nikolasi dhe Malinda si njerëz me integritet? Shqyrtoni fillimisht shembullin e mbretit jude, Josia.

Një shembull biblik

Josia mbretëroi në Judë për 31 vjet, në shekullin e shtatë p.e.s. (659-629 p.e.s.) Në kohën kur u bë mbret Josia, pas vrasjes së të atit, kushtet në Judë ishin shumë të këqija. Juda dhe Jerusalemi ishin mbushur me adhurues të Baalit dhe me ata që bënin përbetime në emër të perëndisë kryesor amonit, Malkamit. Sofonia, një profet i Perëndisë në atë periudhë, tha se princat e Judës ishin ‘luanë që vrumbullonin’, kurse gjyqtarët «ujqër të mbrëmjes». Për pasojë, dhuna dhe mashtrimi ishin shumë të përhapura në vend. Shumë veta thoshin në zemër të tyre: «Zoti nuk bën as të mirë as të keq.»—Sofonia 1:3–2:3; 3:1-5.

Çfarë lloj mbreti doli se ishte Josia? Kronisti Ezdra shkruan: «[Josia] bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit dhe ndoqi rrugët e Davidit, atit të tij, pa u shmangur as në të djathtë as në të majtë.» (2 Kronikave 34:1, 2) Nga sa duket, Josia ia doli mbanë të bënte atë që ishte e drejtë në sytë e Perëndisë. Por, cili ishte mjedisi i tij familjar?

Fëmijëri edukuese apo me keqtrajtime?

Kur lindi Josia, në vitin 667 p.e.s., babai i tij, Amoni, ishte vetëm 16 vjeç dhe në Judë mbretëronte gjyshi i Josisë, Manaseu. Ky ishte një nga mbretërit më të ligj që mbretëruan në Judë. Duke ndërtuar altarë për Baalin, ai «bëri plotësisht atë që është e keqe në sytë e Zotit». I kaloi bijtë e tij në zjarr, praktikoi magjinë, përdori fallin, përkrahu praktikat spiritiste dhe derdhi shumë gjak të pafajshëm. Veç këtyre, Manaseu solli në shtëpinë e Jehovait shëmbëlltyrën e gdhendur të shtyllës së shenjtë që kishte bërë. E joshi Judën dhe Jerusalemin që «të vepronin më keq se kombet që Zoti kishte shkatërruar para bijve të Izraelit».—2 Kronikave 33:1-9.

Manaseu ishte kaq i keq, saqë Jehovai bëri që ta çonin të lidhur me zinxhirë në Babiloni, një nga qytetet mbretërore të monarkut të Asirisë. Ndërsa ishte në robëri, Manaseu u pendua, u përul dhe iu lut Jehovait që ta falte. Perëndia e dëgjoi kërkesën e tij për favor dhe i riktheu mbretërinë në Jerusalem. Atëherë, Manaseu bëri reforma të cilat patën njëfarë suksesi.—2 Kronikave 33:10-17.

Çfarë ndikimi pati tek Amoni, i biri, ligësia e Manaseut dhe pendimi i tij i mëvonshëm? Ai u bë shumë i lig. Kur Manaseu u pendua dhe u përpoq ta pastronte kombin nga ndotja që vetë kishte futur, Amoni nuk veproi. Pasi trashëgoi fronin në moshën 22-vjeçare, Amoni «bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si kishte bërë Manasi, ati i tij». Në vend që të përulej para Jehovait, «Amoni madje mëkatoi gjithnjë e më shumë». (2 Kronikave 33:21-23) Kur Amoni u bë mbret i Judës, Josia ishte vetëm gjashtëvjeç. Çfarë fëmijërie të tmerrshme duhet të ketë pasur Josia!

Mbretërimi i lig i Amonit mbaroi pas dy vjetësh, kur shërbëtorët e tij bënë një komplot dhe e vranë. Por, populli i vendit i vrau komplotuesit e Amonit dhe bëri mbret Josinë, të birin.—2 Kronikave 33:24, 25.

Me gjithë rrethanat negative të fëmijërisë së tij të hershme, Josia vazhdoi të bënte atë që ishte e mirë në sytë e Jehovait. Mbretërimi i tij ishte aq i suksesshëm, saqë Bibla thotë: «Para tij nuk pati asnjë mbret që, si ai, t’i ishte kthyer Zotit me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcën, sipas tërë ligjit të Moisiut; as pas tij nuk ka dalë ndonjë si ai.»—2 Mbretërve 23:19-25.

Sa shembull nxitës është Josia për ata të cilëve mund t’u jetë dashur të durojnë një fëmijëri të tmerrshme! Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tij? Çfarë e ndihmoi Josinë të zgjidhte drejtimin e duhur dhe të qëndronte në të?

Përpiquni të njihni Jehovain

Një ndikim pozitiv që mbizotëroi gjatë viteve të hershme të jetës së Josisë ishte ai i gjyshit të tij të penduar, Manaseut. Se sa kohë kaluan bashkë dhe sa vjeç ishte Josia kur Manaseu ndreqi udhën e tij, Bibla nuk e thotë. Meqë familjet judaike ishin shumë të lidhura, Manaseu mund të jetë përpjekur ta shpëtojë nipin nga ndikimet prishëse që e rrethonin, duke i ngulitur në zemër nderimin për Perëndinë e vërtetë, Jehovain dhe për fjalën e tij. Çfarëdo fare të së vërtetës që Manaseu pati mundësi të mbillte në zemrën e Josisë, ndoshta e kombinuar edhe me ndikime të tjera pozitive, në fund dha fryte. Në vitin e tetë të mbretërimit të tij në Judë, Josia 15-vjeçar u përpoq të njihte Jehovain dhe të bënte vullnetin e tij.—2 Kronikave 34:1-3.

E vetmja lidhje frymore që disa njerëz kanë pasur në fëmijërinë e tyre ka qenë ndonjë i afërm i largët, ndonjë i njohur ose ndonjë fqinj. Megjithatë, nëse ushqehen, farat e mbjella në këtë mënyrë mund të prodhojnë fryte të mira më vonë. Malinda, e përmendur më parë, kishte një fqinj dashamirës të moshuar, i cili i çonte rregullisht revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! në shtëpi. Duke e kujtuar me mall, ajo thotë: «Ajo që më bëri më shumë përshtypje te fqinji im ishte se ai nuk i festonte festat e ndryshme. Kjo ishte e rëndësishme për mua, sepse Hallouini dhe disa festa të tjera ishin raste për praktikat ritualiste në kultin e prindërve të mi.» Dhjetë vjet më vonë, kur një shoqe e ftoi Malindën të ndiqte një mbledhje të krishterë në Sallën e Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait, asaj iu kujtua ky fqinj dhe e pranoi menjëherë ftesën. Kjo e ndihmoi që të kërkonte të vërtetën.

Përuluni para Perëndisë

Mbretërimi i Josisë u karakterizua nga reforma shumë të mëdha fetare në vendin e Judës. Pasi bëri një fushatë gjashtëvjeçare kundër idhujtarisë dhe pasi e pastroi vendin e Judës, Josia iu përvesh punës për të meremetuar shtëpinë e Jehovait. Gjatë punës për meremetimin, kryeprifti Hilkiah bëri një zbulim shumë të vlefshëm. Gjeti kopjen origjinale të ‘librit të ligjit të Zotit’. Pasi Hilkiahu ia besoi këtë gjetje të bujshme, Shafani, sekretari, i raportoi mbretit atë që kishte ndodhur. A e bënë krenar këto arritje Josinë 25-vjeçar?—2 Kronikave 34:3-18.

«Ndodhi që, kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit,—shkruan Ezdra,—ai grisi rrobat e trupit.» Kjo ishte një shprehje e ndier trishtimi, sepse ai e kuptoi që jo të gjitha urdhërimet e Perëndisë ishin kryer nga etërit e tyre. Ishte vërtet një shenjë përulësie! Mbreti menjëherë ngarkoi një delegacion prej pesë burrash që të pyetnin Jehovain nëpërmjet profeteshës Hulda. Delegacioni solli një raport që në thelb kishte këto fjalë: ‘Katastrofa do të vijë si pasojë e mosbindjes ndaj Ligjit të Jehovait. Por, ngaqë ti o mbret Josia u përule, do të mblidhesh në paqe në varrin tënd dhe nuk do ta shohësh katastrofën.’ (2 Kronikave 34:19-28) Jehovai ishte i kënaqur me qëndrimin e Josisë.

Sido që të jetë e kaluara jonë, edhe ne mund të përulemi para Perëndisë së vërtetë, Jehovait dhe të shfaqim një qëndrim nderues ndaj tij dhe Fjalës së tij, Biblës. Nikolasi, i përmendur në hyrje të artikullit, veproi kështu. Ai thotë: «Megjithëse jeta ime ishte një çorbë, për shkak të abuzimit me drogën dhe teprimit në të pirë, më interesonte Bibla dhe dëshiroja fort të kisha një qëllim në jetë. Më në fund, u takova me Dëshmitarët e Jehovait, ndryshova mënyrën time të të jetuarit dhe përqafova të vërtetën.» Po, mund të kemi një qëndrim nderues ndaj Perëndisë dhe Fjalës së tij, sido që të jenë rrethanat tona.

Nxirrni dobi nga rregullimi i Jehovait

Josia kishte nderim të thellë edhe për profetët e Jehovait. Ai jo vetëm e pyeti profeteshën Hulda, por u ndikua shumë nga profetë të tjerë të ditëve të tij. Për shembull, si Jeremia, ashtu edhe Sofonia, ishin të zënë duke shpallur denoncime të idhujtarisë që praktikohej në Judë. Sa duhet të jetë fuqizuar Josia duke i kushtuar vëmendje mesazhit të tyre, ndërsa bënte fushatën kundër adhurimit të rremë!—Jeremia 1:1, 2; 3:6-10; Sofonia 1:1-6.

«Zotëria», Jezu Krishti, ka emëruar trupin e ithtarëve të tij të mirosur, ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’, për të siguruar ushqim frymor në kohën e duhur. (Mateu 24:45-47) Me anë të botimeve të bazuara në Bibël dhe të rregullimit të kongregacionit, klasa e skllavit na tërheq vëmendjen ndaj dobive që vijnë kur u vëmë veshin këshillave biblike dhe jep sugjerime praktike për t’i zbatuar këto këshilla në jetën tonë të përditshme. Sa e përshtatshme është të përdorim rregullimin e Jehovait që na ndihmon të kapërcejmë çdo qëndrim jo të shëndetshëm, i cili mund të jetë rrënjosur thellë! Që nga fëmijëria, Nikolasit nuk e pëlqente fare autoritetin e të tjerëve. Edhe kur mësoi të vërtetën e Fjalës së Perëndisë, kjo dobësi e pengonte që t’i shërbente Jehovait më plotësisht. Të ndryshonte qëndrim nuk ishte një gjë e lehtë për të. Por, me kalimin e kohës, ia doli mbanë. Si e bëri këtë? «Me ndihmën e dy pleqve që më kuptonin,—shpjegon Nikolasi,—e pranova problemin tim dhe fillova të zbatoja këshillat e tyre të dashura biblike.» Ai shton: «Ndonëse hera-herës shkreptin ndonjë inat i vogël, tani e kam nën kontroll natyrën time rebele.»

Edhe Malinda kërkon ndihmën e pleqve kur merr vendime të rëndësishme në jetë. Në luftën kundër ndjenjës së dëshpërimit dhe të pavlefshmërisë, të cilat e kanë zanafillën në vitet e para të jetës së saj, për të janë veçanërisht të çmuar artikujt e ndryshëm nga Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Ajo thotë: «Ndonjëherë, në një artikull ka një paragraf të vetëm ose një fjali, vetëm një pjesë të vogël, që më prek. Rreth nëntë vjet më parë fillova t’i ruaja këta artikuj në një dosje, që t’i gjeja menjëherë.» Sot, tri dosjet e saj përmbajnë rreth 400 artikuj.

Jo, njerëzit s’kanë pse të mbeten viktima të përhershme të një jete të keqe familjare. Me ndihmën e Jehovait, ata mund t’ia dalin mbanë frymësisht. Ashtu si një rritje e mirë nuk siguron integritetin e një personi, një fëmijëri e keqe nuk e pengon një person që të ketë frikë Perëndie.

Pas zbulimit të librit të Ligjit gjatë punës së meremetimit të tempullit, Josia ‘bëri një besëlidhje para Zotit, duke u zotuar të ndiqte atë dhe të vazhdonte t’i bindej me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt’. (2 Kronikave 34:31) Nuk u lëkund nga ky vendim deri në frymën e fundit. Malinda dhe Nikolasi janë, po ashtu, të vendosur t’i qëndrojnë besnikë Perëndisë Jehova dhe t’ia dalin mbanë si njerëz me integritet. Qofshi edhe ju të vendosur të qëndroni afër Perëndisë dhe t’i shërbeni atij plot besim! Mund të jeni të sigurt për suksesin, sepse Jehovai premton: «Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.»—Isaia 41:10, 13.

[Shënimi]

^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.

[Figurat në faqen 26]

Ndonëse pati një fëmijëri të tmerrshme, Josia u përpoq ta njihte Jehovain dhe e bëri të suksesshme jetën e tij

[Figura në faqen 28]

Pleqtë mund t’ju ndihmojnë të kapërceni një tipar të rrënjosur thellë të personalitetit

[Figura në faqen 28]

«Kulla e Rojës» dhe «Zgjohuni!» mund t’ju ndihmojnë të mbani integritetin