Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nuk ishim vetëm, kur besimi na u sprovua

Nuk ishim vetëm, kur besimi na u sprovua

Nuk ishim vetëm, kur besimi na u sprovua

Viki ishte një foshnjë e ëmbël, e shëndetshme, e lezetshme dhe plot jetë. Vërtet, kur lindi ajo, në pranverën e vitit 1993, lumturia jonë nuk kishte kufi. Jetonim në një qytet të vogël në jug të Suedisë dhe jeta ishte e mrekullueshme.

MIRËPO, kur Viki ishte njëvjeçe e gjysmë, na u duk sikur e gjithë bota jonë u përmbys. Ajo nuk kishte qenë mirë me shëndet për njëfarë kohe, prandaj e çuam në spital. Nuk do ta harrojmë kurrë çastin kur mjeku na tha se vajza jonë vuante nga leucemia limfoblastike akute, një formë kanceri që shfaqet te fëmijët dhe prek rruazat e bardha të gjakut.

Nuk arrinim ta kuptonim e ta pranonim që vajza jonë e vogël ishte prekur nga kjo sëmundje e tmerrshme. Ajo sapo kishte filluar ta kuptonte botën që e rrethonte dhe tani mund të vdiste. Duke u përpjekur të na ngushëllonte, mjeku tha se mund të përdorej një trajtim mjekësor mjaft i suksesshëm, i cili përfshinte kimioterapinë dhe disa transfuzione gjaku. Kjo ishte një goditje tjetër për ne.

Na vihet në provë besimi

Sigurisht, ne e donim vajzën tonë dhe donim trajtimin më të mirë mjekësor për të. Por, as që bëhej fjalë për transfuzionet e gjakut. Ne e besojmë në mënyrë të patundur Fjalën e Perëndisë, Biblën, ku thuhet qartë se të krishterët duhet të ‘përmbahen nga gjaku’. (Veprat 15:28, 29) Veç kësaj, e dinim se transfuzionet e gjakut janë të rrezikshme në vetvete. Mijëra veta kanë marrë sëmundje dhe kanë vdekur nga transfuzionet. E vetmja mundësi tjetër ishte një trajtim mjekësor me cilësi të lartë, por që nuk përfshinte transfuzione gjaku. Në këtë fushë filloi tani lufta jonë për besimin.

Çfarë mund të bënim? U lidhëm me Shërbimin e Informacionit Spitalor në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Suedi, për t’i kërkuar ndihmë. * Menjëherë u dërguan fakse në spitale të ndryshme nëpër Evropë, në kërkim të një spitali dhe të një mjeku që do të ishte i gatshëm të bënte kimioterapinë pa përdorur transfuzionet e gjakut. Zelli dhe dashuria që treguan vëllezërit tanë të krishterë për të na ndihmuar na forcuan shumë. Nuk ishim vetëm, në luftën tonë për besimin.

Brenda disa orëve, u gjet një spital dhe një mjek në Homburg-Saar, Gjermani. U morën masa që të udhëtonim me avion që ditën tjetër për ta vizituar Vikin te ky mjek. Kur arritëm atje, kishin dalë për të na pritur vëllezërit tanë të krishterë nga kongregacioni i Dëshmitarëve të Jehovait në Homburg, si edhe disa të afërm. Po ashtu, një përfaqësues i Komitetit vendës të Lidhjes me Spitalet na priti me ngrohtësi. Ai na shoqëroi për në spital dhe na dha gjithë mbështetjen që mundte. U ndiem të ngushëlluar duke parë se edhe në një vend të huaj, kishim vëllezër frymorë që na qëndronin afër.

Kur takuam dr. Grafin në spital, u ngushëlluam përsëri. Ai ishte shumë mirëkuptues dhe na siguroi se do të bënte gjithçka që mundej për ta mjekuar Vikin pa transfuzione gjaku. Edhe sikur niveli i hemoglobinës t’i binte deri në 5 g/dl, ai do të ishte i gatshëm ta vazhdonte mjekimin pa transfuzione gjaku. Gjithashtu, tha se diagnostikimi i shpejtë dhe veprimi i menjëhershëm për ta çuar Vikin atje, jepnin mundësi të mira që mjekimi të kishte sukses. E pranoi se kjo do të ishte hera e parë që ai do të bënte kimioterapinë pa bërë transfuzione gjaku, në një rast si të Vikit. Ishim shumë mirënjohës dhe e admironim guximin dhe vendosmërinë e dr. Grafit për të na ndihmuar.

Probleme ekonomike

Tani, pyetja ishte: Si do të paguanim për mjekimet e Vikit? Shtangëm kur na informuan se dy vjet mjekime do të kushtonin rreth 150.000 marka gjermane. Nuk kishim as edhe një pjesë të atyre parave e, megjithatë, ishte e domosdoshme që Viki t’i fillonte menjëherë mjekimet. Meqë kishim ikur nga Suedia për të kërkuar mjekim në Gjermani, nuk përfitonim asnjë sigurim shëndetësor. Pra, ishim atje, me vajzën tonë të vogël të sëmurë dhe me ekspertizën mjekësore gati për të na ndihmuar, por nuk kishim mjaft para.

Spitali na erdhi në ndihmë dhe na tha se mjekimet do të fillonin menjëherë, nëse do të bënim një parapagim prej 20.000 markash dhe do të firmosnim një garanci për të paguar pjesën tjetër. Kishim disa kursime dhe me ndihmën e dashur të miqve dhe të të afërmve patëm mundësi t’i paguanim 20.000 markat—por, si do ta paguanim pjesën tjetër?

Edhe një herë, na ndihmuan të kujtonim se nuk ishim vetëm në luftën tonë për besimin. Një vëlla frymor, të cilin atëherë nuk e njihnim, ishte i gatshëm të mbante përgjegjësinë për pjesën tjetër të parave. Sidoqoftë, nuk na u desh ta përdornim ndihmën e tij bujare, sepse arritëm të bënim rregullime të tjera.

Ekspertiza mjekësore në punë

Kimioterapia filloi. Kaluan ditë dhe javë. Disa herë, ishte shumë e vështirë dhe e lodhshme, si për vajzën tonë të vogël, ashtu edhe për ne. Nga ana tjetër, ishim shumë të lumtur e mirënjohës sa herë që jepte shenja përmirësimi. Kimioterapia zgjati tetë muaj. Niveli më i ulët i hemoglobinës që pati Viki ishte 6 g/dl dhe dr. Grafi e mbajti premtimin e tij.

Kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet dhe një kontroll i fundit i lëngut të shtyllës kurrizore tregoi se vajza jonë nuk kishte më gjurmë leucemie. Tani ajo është një vajzë e lumtur pa asnjë shenjë sëmundjeje. Vërtet, duket një mrekulli që Viki është shëruar në mënyrë kaq të plotë. Jemi të vetëdijshëm se shumë fëmijë me të njëjtën sëmundje vdesin edhe pse bëjnë kimioterapi dhe marrin transfuzione gjaku.

Lufta jonë për besimin ka përfunduar me fitore, por jo pa ndihmën e të afërmve, të vëllezërve dhe motrave të krishtere dhe të specialistëve mjekësorë. Shërbimi i Informacionit Spitalor na dha mbështetje të plotë 24 orë në ditë. Dr. Grafi dhe kolegët e tij përdorën gjithë aftësitë e tyre për ta ndihmuar Vikin që të shërohej. Për të gjitha këto, jemi vërtet mirënjohës.

Besimi na është forcuar

Por, më shumë se të gjithë, falënderojmë Perëndinë tonë, Jehovain, për kujdesin e tij të dashur dhe për forcën që morëm nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës. Kur shohim prapa, e kuptojmë sa shumë kemi mësuar dhe sa forcuese për besimin tonë ka qenë kjo përvojë e vështirë në jetë.

Tani, dëshira jonë e thellë është të mbajmë marrëdhënien e ngushtë me Perëndinë Jehova dhe t’i mësojmë vajzës sonë vlerën që ka të jetuarit në harmoni me kërkesat e tij. Po, duam t’i japim asaj trashëgiminë e mirë frymore të jetës së përhershme në Parajsën e ardhshme këtu në tokë.—Nga bashkëpunëtorët tanë.

[Shënimi]

^ par. 7 Shërbimi i Informacionit Spitalor mbikëqyr një rrjet ndërkombëtar të Komiteteve të Lidhjes me Spitalet. Këto, nga ana e tyre, përbëhen nga vullnetarë të krishterë që janë të stërvitur për të nxitur bashkëpunimin ndërmjet mjekëve dhe pacientëve të tyre Dëshmitarë. Ka më shumë se 1.400 Komitete të Lidhjes me Spitalet që ndihmojnë pacientët në më tepër se 200 vende.