Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Nëse Perëndia është me ne, kush do të jetë kundër nesh?»

«Nëse Perëndia është me ne, kush do të jetë kundër nesh?»

«Nëse Perëndia është me ne, kush do të jetë kundër nesh?»

«Ç’të themi, pra, për këto gjëra? Nëse Perëndia është me ne, kush do të jetë kundër nesh?»—ROMAKËVE 8:31.

1. Cilët u larguan nga Egjipti bashkë me izraelitët dhe çfarë i shtyu ta bënin këtë?

KUR izraelitët nisën udhëtimin drejt lirisë, pasi kishin kaluar 215 vjet në Egjipt—një pjesë të mirë të asaj kohe në skllavëri—«me ta iku gjithashtu një përzierje e madhe njerëzish». (Eksodi [Dalja] 12:38) Këta joizraelitë kishin përjetuar dhjetë plagë të tmerrshme, të cilat kishin bërë kërdinë në Egjipt dhe i kishin bërë objekt talljesh perënditë e rreme të tij. Në të njëjtën kohë, kishin parë, sidomos që nga plaga e katërt e më tej, aftësinë e Jehovait për ta mbrojtur popullin e vet. (Eksodi 8:23, 24) Ndonëse nuk kishin shumë njohuri për qëllimet e Jehovait, këta joizraelitë ishin të sigurt për një gjë: perënditë e Egjiptit nuk kishin arritur t’i mbronin egjiptianët, kurse Jehovai ishte treguar i fortë në dobi të izraelitëve.

2. Përse Rahaba i përkrahu zbuluesit izraelitë dhe përse besimi i saj te Perëndia i tyre nuk ishte i pavend?

2 Dyzet vjet më vonë, pikërisht para se izraelitët të hynin në tokën e Premtuar, Josiu, pasuesi i Moisiut, dërgoi dy burra që të vëzhgonin vendin. Atje, këta takuan Rahabën, një banore të Jerikosë. Ajo kishte dëgjuar për veprat e fuqishme të Jehovait në mbrojtje të izraelitëve gjatë 40 vjetëve që kur kishin dalë nga Egjipti. Prandaj, e dinte se, nëse donte bekimin e Perëndisë, duhej të përkrahte popullin e tij. Për shkak të vendimit të mençur që mori, ajo dhe familja e saj u kursyen nga shkatërrimi kur më vonë izraelitët pushtuan qytetin. Mënyra e mrekullueshme në të cilën u shpëtuan ata, ishte në vetvete një dëshmi e pagabueshme se Perëndia ishte me ta. Kështu, besimi i Rahabës te Perëndia i izraelitëve nuk kishte qenë i pavend.—Jozueu (Josiu) 2:1, 9-13; 6:15-17, 25.

3. (a)Çfarë mrekullie kreu Jezui afër qytetit të rindërtuar të Jerikosë dhe si reagoi kleri judaik? (b) Çfarë arritën të kuptonin disa hebrenj dhe më vonë shumë johebrenj?

3 Pesëmbëdhjetë shekuj më vonë, afër qytetit të rindërtuar të Jerikosë Jezu Krishti shëroi një lypës të verbër. (Marku 10:46-52; Luka 18:35-43) Ky njeri iu lut Jezuit që t’i shfaqte mëshirë, duke treguar se e pranonte që Jezui kishte përkrahjen e Perëndisë. Nga ana tjetër, udhëheqësit fetarë judenj dhe pasuesit e tyre, në përgjithësi, nuk donin t’i pranonin mrekullitë që kreu Jezui si provë se ai po bënte veprën e Perëndisë. Përkundrazi, kërkonin të gjenin të meta tek ai. (Marku 2:15, 16; 3:1-6; Luka 7:31-35) Edhe kur u gjendën përballë faktit se Jezui ishte ringjallur pasi ata e kishin vrarë, nuk donin të pranonin se kjo ishte vepër e Perëndisë. Në vend të kësaj, u vunë në krye të punës për të përndjekur ithtarët e Jezuit, duke u përpjekur ta pengonin veprën e tyre të ‘shpalljes së lajmit të mirë të Zotërisë Jezu’. Por disa hebrenj, dhe më vonë shumë johebrenj, u kushtuan vëmendje këtyre ngjarjeve dhe i vlerësuan siç duhej. Për ta, ishte e qartë se Perëndia i kishte hedhur poshtë udhëheqësit judenj të vetëquajtur të drejtë dhe po përkrahte ithtarët e përulur të Jezu Krishtit.—Veprat 11:19-21.

Cilët kanë sot përkrahjen e Perëndisë?

4, 5. (a)Si mendojnë disa njerëz lidhur me zgjedhjen e fesë? (b) Cila është pyetja kryesore që na ndihmon për të identifikuar fenë e vërtetë?

4 Për çështjen e fesë së vërtetë, një klerik tha kohët e fundit në një intervistë televizive: «Këmbëngul se një fe është e vërtetë në qoftë se e bën njeriun një person më të mirë, kur ai ose ajo jeton sipas kësaj feje.» Kuptohet, feja e vërtetë i bën më të mirë njerëzit. Por, nëse një fe i bën njerëzit më të mirë, a provon kjo në vetvete se ajo ka përkrahjen e Perëndisë? A është ky kriteri i vetëm për të përcaktuar nëse një fe është e vërtetë?

5 Të gjithë e vlerësojnë faktin që mund të bëjnë zgjedhje personale, duke përfshirë edhe zgjedhjen se cilën fe të ndjekin. Por, edhe pse një person ka lirinë për të zgjedhur, kjo nuk jep sigurinë se do të bëjë zgjedhjen e drejtë. Disa, për shembull, e zgjedhin fenë në bazë të përmasave që ka, të pasurisë, të madhështisë së riteve ose në bazë të lidhjeve familjare. Asnjëra nga këto gjëra nuk është në asnjë mënyrë vendimtare për të përcaktuar nëse një fe është feja e vërtetë apo jo. Pyetja kyçe në këtë çështje është: Cila fe i nxit ithtarët e saj të bëjnë vullnetin e Perëndisë dhe jep dëshmi të forta se ka përkrahjen hyjnore, kështu që pasuesit e saj mund të thonë të sigurt «Perëndia është me ne»?

6. Cilat fjalë të Jezuit hedhin dritë mbi çështjen e fesë së vërtetë dhe të rreme?

6 Jezui vendosi rregullin për ta dalluar adhurimin e vërtetë nga ai i rremë, kur tha: «Kini kujdes nga profetët e rremë, që vijnë te ju të veshur si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë. Do t’i njihni prej fryteve të tyre.» (Mateu 7:15, 16; Malakia 3:18) Le të rishikojmë disa nga ‘frytet’ ose shenjat identifikuese të fesë së vërtetë. Në këtë mënyrë, duke qenë plotësisht të çiltër me veten, mund ta përcaktojmë se cilët kanë sot përkrahjen hyjnore.

Shenja identifikuese të atyre që kanë përkrahjen e Perëndisë

7. Çfarë do të thotë t’u mësosh të tjerëve vetëm atë që është e bazuar në Bibël?

7 I bazojnë mësimet e tyre në Bibël. Jezui tha: «Ajo që mësoj nuk është e imja, por i përket atij që më dërgoi. Nëse dikush dëshiron të bëjë vullnetin e Tij, ai do ta dijë për mësimin, në është nga Perëndia apo unë flas nga vetja ime.» Gjithashtu, tha: «Ai që është nga Perëndia, i dëgjon fjalët e Perëndisë.» (Gjoni 7:16, 17; 8:47) Logjikisht, për të pasur përkrahjen e Perëndisë, një person duhet t’u mësojë të tjerëve vetëm atë që Perëndia zbulon në Fjalën e tij dhe të hedhë poshtë mësimet e bazuara në mençurinë ose në traditën njerëzore.—Isaia 29:13; Mateu 15:3-9; Kolosianëve 2:8.

8. Përse është e rëndësishme ta përdorim emrin e Perëndisë në adhurim?

8 E përdorin dhe e bëjnë të njohur emrin e Perëndisë, Jehova. Isaia paratha: «Në atë ditë me siguri do të thoni: ‘Jepini falënderime Jehovait! Thërritni emrin e tij. Bëni të njohura mes kombeve veprat e tij. Përmendni që emri i tij është lartësuar. Këndojini melodi Jehovait, sepse ka vepruar në një mënyrë të pashoqe. Kjo është bërë e njohur në të gjithë tokën.’» (Isaia 12:4, 5, BR) Jezui i mësoi ithtarët e tij që të luten: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9) Prandaj, çfarëdo që të ishin, hebrenj ose johebrenj, të krishterët duhej të shërbenin si «një popull për emrin e [Perëndisë]». (Veprat 15:14) Është e qartë se Perëndia është i kënaqur të përkrahë ata që e kanë për nder të jenë «një popull për emrin e tij».

9. (a)Përse anëtarët e fesë së vërtetë i karakterizon gëzimi? (b) Si e bën Isaia dallimin midis fesë së vërtetë dhe asaj të rreme?

9 Pasqyrojnë personalitetin e gëzuar të Perëndisë. Si autori i ‘lajmit të mirë’, Jehovai është ‘Perëndia i lumtur’. (1 Timoteut 1:11) Pra, si mund të jenë adhuruesit e tij të palumtur ose vazhdimisht pesimistë? Me gjithë vuajtjet që sjell bota dhe me problemet personale, të krishterët e vërtetë ruajnë një frymë të gëzuar, sepse gostiten rregullisht me ushqim të bollshëm frymor. Isaia bën dallimin midis tyre dhe atyre që praktikojnë fenë e rreme: «Kështu thotë Zoti, Zoti: ‘Ja, shërbëtorët e mi do të hanë, por ju do të keni uri; ja, shërbëtorët e mi do të pinë, por ju do të keni etje; ja, shërbëtorët e mi do të gëzohen, por ju do të jeni të shushatur; ja, shërbëtorët e mi do të këndojnë për gëzimin e zemrës së tyre, por ju do të bërtisni për ankthin e zemrës dhe do të ulërini për vuajtjen e frymës.’»—Isaia 65:13, 14.

10. Si e shmangin ata që kanë fenë e vërtetë të mësojnë duke eksperimentuar?

10 Sjelljen dhe vendimet e tyre i bazojnë në parimet e Biblës. «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd,—na këshillon shkrimtari i Fjalëve të urta,—pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.» (Fjalët e urta [Proverbat] 3:5, 6) Perëndia i përkrah ata që i kërkojnë atij drejtim, në vend që t’u besojnë teorive kontradiktore të njerëzve që shpërfillin mençurinë hyjnore. Në masën që një person është i gatshëm ta modelojë jetën sipas Fjalës së Perëndisë, ai do të shmangë që të mësojë duke eksperimentuar.—Psalmi 119:33; 1 Korintasve 1:19-21.

11. (a) Përse pjesëtarët e fesë së vërtetë nuk mund të ndahen në klasë kleri dhe klasë besimtarësh të thjeshtë? (b) Çfarë shembulli duhet të lënë për kopenë ata që marrin drejtimin në popullin e Perëndisë?

11 Janë të organizuar sipas modelit të kongregacionit të krishterë të shekullit të parë. Jezui dha parimin: «Mos u quani Rabi, sepse mësuesi juaj është një i vetëm, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. Veç kësaj, mos quani askënd atin tuaj mbi tokë, sepse Ati juaj është një i vetëm, Qiellori. As mos u quani ‘udhëheqës’, sepse Udhëheqësi juaj është një i vetëm, Krishti. Por më i madhi mes jush duhet të jetë shërbëtori juaj.» (Mateu 23:8-11) Në një kongregacion ku të gjithë janë vëllezër është e pamundur të ketë një klasë arrogante kleri që e nderon veten me tituj pompozë dhe që e ngre veten mbi një klasë të thjeshtë besimtarësh. (Jobi 32:21, 22) Atyre që kullotin kopenë e Perëndisë u thuhet që ta bëjnë këtë «jo me detyrim, por vullnetarisht; as nga dashuria për fitim të pandershëm, por me gatishmëri; as duke u sjellë si padronë me ata që janë trashëgimia e Perëndisë, por duke u bërë shembuj për kopenë». (1 Pjetrit 5:2, 3) Barinjtë e vërtetë të krishterë nuk përpiqen ta bëjnë veten zotërinj mbi besimin e të tjerëve. Si bashkëpunëtorë në shërbim të Perëndisë, përpiqen vetëm që të lënë një shembull të shkëlqyer.—2 Korintasve 1:24.

12. Cilën pikëpamje të drejtpeshuar për qeveritë njerëzore kërkon Perëndia nga ata që dëshirojnë të kenë përkrahjen e tij?

12 U nënshtrohen qeverive njerëzore, por, megjithatë, qëndrojnë asnjanës. Ai që nuk është «i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta», nuk mund të presë që të ketë përkrahjen e Perëndisë. Përse jo? Sepse «autoritetet ekzistuese janë vendosur në pozitat e tyre relative nga Perëndia. Prandaj, ai që kundërshton autoritetin i është kundërvënë rregullit të Perëndisë». (Romakëve 13:1, 2) Megjithatë, Jezui e pranoi mundësinë e një përplasjeje interesash, kur tha: «Paguajini Cezarit, gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë, gjërat e Perëndisë.» (Marku 12:17) Ata që dëshirojnë të kenë përkrahjen e Perëndisë duhet të ‘vazhdojnë . . . të kërkojnë më parë mbretërinë [e Perëndisë] dhe drejtësinë e tij’. Por, në të njëjtën kohë, duhet t’u binden atyre ligjeve të vendit që janë në harmoni me përgjegjësitë më të mëdha që kanë para Perëndisë. (Mateu 6:33; Veprat 5:29) Jezui e theksoi asnjanësinë, kur tha për dishepujt e tij: «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» Më vonë, shtoi: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.»—Gjoni 17:16; 18:36.

13. Çfarë roli luan dashuria për identifikimin e popullit të Perëndisë?

13 Janë të paanshëm, duke bërë ‘atë që është e mirë ndaj të gjithëve’. (Galatasve 6:10) Dashuria e krishterë nuk njeh anshmëri dhe i pranon të gjithë njerëzit, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, gjendja ekonomike o arsimore, kombësia ose gjuha. Fakti që bëjnë atë që është e mirë ndaj të gjithëve dhe, sidomos, ndaj atyre që janë të lidhur me ta në besim ndihmon për të identifikuar se cilët kanë përkrahjen e Perëndisë. Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.»—Gjoni 13:35; Veprat 10:34, 35.

14. Njerëzit që kanë miratimin e Perëndisë a kanë medoemos miratimin e të gjithëve? Shpjegoni.

14 Janë të gatshëm të vuajnë përndjekjen ngaqë bëjnë vullnetin e Perëndisë. Jezui i paralajmëroi ithtarët e tij: «Nëse më kanë persekutuar mua, do t’ju persekutojnë edhe ju; nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën.» (Gjoni 15:20; Mateu 5:11, 12; 2 Timoteut 3:12) Ata që kanë përkrahjen e Perëndisë nuk janë parë asnjëherë me sy të mirë, si Noeja, i cili e dënoi botën nëpërmjet besimit të tij. (Hebrenjve 11:7) Sot, ata që dëshirojnë përkrahjen e Perëndisë nuk guxojnë ta zbutin fjalën e Perëndisë ose të bëjnë kompromis me parimet hyjnore, për të shmangur përndjekjen. Për sa kohë që i shërbejnë me besnikëri Perëndisë, e dinë se njerëzve do t’u ‘vijë çudi dhe do të vazhdojnë t’i shajnë’.—1 Pjetrit 2:12; 3:16; 4:4.

Koha për të peshuar faktet

15, 16. (a) Cilat pyetje do të na ndihmojnë të identifikojmë grupin fetar që ka përkrahjen e Perëndisë? (b) Çfarë përfundimi kanë nxjerrë miliona njerëz dhe përse?

15 Pyeteni veten: ‘Cili grup fetar është i njohur për faktin që i përmbahet ngushtësisht Fjalës së Perëndisë, edhe kur mësimet e saj ndryshojnë nga bindjet e shumicës së njerëzve? Cilët e theksojnë rëndësinë e emrit personal të Perëndisë, madje duke e përdorur për të identifikuar veten e tyre? Cilët e tregojnë në mënyrë optimiste Mbretërinë e Perëndisë si zgjidhjen e vetme të të gjitha problemeve njerëzore? Cilët u përmbahen normave biblike të sjelljes, edhe pse rrezikojnë që të tjerët t’i shohin si të ishin jashtë mode? Cili grup është i njohur se nuk ka një kler që paguhet, pasi të gjithë pjesëtarët e grupit janë predikues? Cilët lavdërohen sepse janë shtetas që u binden ligjeve, ndonëse nuk marrin pjesë në politikë? Cilët harxhojnë me dashuri kohën dhe paratë e tyre për t’i ndihmuar të tjerët të mësojnë për Perëndinë dhe për qëllimet e tij? Dhe, me gjithë këto gjëra pozitive, cilët janë ata që, prapëseprapë, i përçmojnë, i tallin dhe i përndjekin?’

16 Miliona njerëz anembanë botës kanë peshuar faktet dhe janë bindur se vetëm Dëshmitarët e Jehovait po praktikojnë fenë e vërtetë. E kanë arritur këtë përfundim duke u bazuar në atë që mësojnë Dëshmitarët e Jehovait, në mënyrën se si sillen dhe në dobitë që ka sjellë feja e tyre. (Isaia 48:17) Miliona njerëz po thonë, në të vërtetë, atë që ishte parathënë te Zakaria 8:23: «Ne duam të vijmë me ju sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju.»

17. Përse Dëshmitarët e Jehovait nuk janë jomodestë kur thonë se kanë fenë e vërtetë?

17 A janë jomodestë Dëshmitarët e Jehovait duke treguar se vetëm ata kanë përkrahjen e Perëndisë? Në të vërtetë, jo më shumë sesa izraelitët në Egjipt që pohuan se kishin përkrahjen e Perëndisë, pavarësisht nga ato që besonin egjiptianët. Dhe as më shumë sesa të krishterët e shekullit të parë që pohuan se kishin përkrahjen e Perëndisë, duke lënë jashtë fetarët judenj. Faktet flasin vetë. Në 235 vende, Dëshmitarët e Jehovait po bëjnë veprën që Jezui paratha se do të bënin ithtarët e tij të vërtetë në kohën e fundit: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:14.

18, 19. (a) Përse nuk ka asnjë arsye që Dëshmitarët e Jehovait të heqin dorë nga vepra e tyre e predikimit, ndonëse kanë kundërshtime? (b) Si e mbështet Psalmi 41:11 faktin që Dëshmitarët kanë përkrahjen e Perëndisë?

18 Dëshmitarët e Jehovait do të vazhdojnë ta kryejnë këtë detyrë, duke mos lejuar kurrë që përndjekja ose kundërshtimi ta pengojë veprën e tyre. Vepra e Jehovait duhet dhe do të kryhet. Çdo përpjekje që të tjerët kanë bërë gjatë shekullit të kaluar për t’i penguar Dëshmitarët që të mos kryejnë veprën e Perëndisë ka përfunduar me dështim, sepse Jehovai ka premtuar: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses, dhe çdo gjuhë që do të ngrihet të gjykojë kundër teje, ti do ta dënosh. Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Zotit dhe drejtësia e tyre vjen nga unë.»—Isaia 54:17.

19 Fakti që Dëshmitarët e Jehovait tani janë më të fortë e më veprues se kurrë më parë—dhe këtë e bëjnë përballë kundërshtimit në mbarë botën—është një provë se Jehovai gjen kënaqësi në atë që po bëjnë ata. Mbreti David tha: «Nga kjo e di se ti ke gjetur kënaqësi tek unë, sepse armiku im nuk brohoret me ngadhënjim kundër meje.» (Psalmi 41:11, BR; 56:9, 11) Armiqtë e Perëndisë nuk do të jenë kurrë në gjendje të triumfojnë mbi popullin e Jehovait, sepse Udhëheqësi i tyre, Jezu Krishti, po ecën përpara drejt fitores përfundimtare!

A mund të përgjigjeni?

• Cilët janë disa shembuj të lashtë të njerëzve që patën përkrahjen e Perëndisë?

• Cilat janë disa shenja identifikuese të fesë së vërtetë?

• Përse jeni të bindur, personalisht, se Dëshmitarët e Jehovait kanë përkrahjen e Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 13]

Ata që dëshirojnë të kenë përkrahjen e Perëndisë duhet t’i bazojnë mësimet e tyre vetëm në Fjalën e tij

[Figura në faqen 15]

Pleqtë e krishterë shërbejnë si shembuj për kopenë