Paratë apo jetën?
Paratë apo jetën?
Ndoshta keni dëgjuar për banditë që u kanë drejtuar armët në fytyrë viktimës, duke i thënë: «O jetën, o kuletën!» Sot, kjo pyetje shumë e njohur pasqyrohet në një dilemë të vështirë që hasim të gjithë, por sidomos ata që jetojnë në vende të pasura. Megjithatë, kësaj radhe, nuk është ndonjë bandit që na e bën pyetjen. Është theksi gjithnjë e më i madh që shoqëria i vë parave dhe suksesit material.
KY THEKS ka krijuar çështje dhe shqetësime të reja. Me ç’kosto duhet të vihemi në kërkim të parave ose të gjërave materiale? A mund të jemi të kënaqur duke pasur më pak gjëra materiale? A po e sakrifikojnë, në të vërtetë, njerëzit «jetën e vërtetë» në altarin e materializmit? A janë paratë bileta për një jetë të lumtur?
Mania për para
Midis dëshirave dhe pasioneve njerëzore—të ligjshme ose jo—dashuria për para konkurron për të qenë në krye të listës. Ndryshe nga dëshira për seks dhe për ushqim, mania për para mund të jetë e vazhdueshme dhe e pangopshme. Mosha e shkuar duket se nuk e ul këtë dëshirë. Në shumë raste, pleqëria, madje, mund ta shtojë interesin ose shqetësimin e një personi për paratë ose për gjërat që mund të blihen me to.
Lakmia duket se sa vjen e po shtohet. Personazhi kryesor në një film të njohur tha: «Lakmia ka sukses. Lakmia është e mirë.» Ndonëse shumë veta flitnin për vitet 80 të shekullit të 20-të si Epoka e Lakmisë, ajo që ndodhi para dhe pas asaj periudhe tregon se qëndrimi i njerëzve ndaj parave nuk ka ndryshuar shumë gjatë viteve.
Gjëja e re, ndoshta, është se shumë më tepër njerëz po shohin mundësi që ta plotësojnë menjëherë dëshirën për të pasur më tepër pasuri. Duket se pjesa më e madhe e botës, në pjesën më të madhe të kohës e harxhon pjesën më të madhe të energjisë së saj duke prodhuar dhe duke blerë gjithnjë e më shumë gjëra. Mbase edhe ju jeni të mendimit se pasja e zotërimeve materiale dhe prishja e parave është bërë një veprimtari entuziazmuese dhe, shpesh, shumë krijuese në jetën moderne.
Por, si pasojë, a janë më të lumtur njerëzit? Në përgjigje të kësaj pyetjeje, mbreti i mençur dhe shumë i pasur, Solomoni, shkroi 3.000 vjet më parë: «Kush e do paranë me para s’do të ngihet, po edhe kush e do pasurinë, farë përfitimi s’do të ketë prej saj. Edhe kjo është kotësi.» (Predikuesi 5:10, DSF ) Shkencat shoqërore bashkëkohore japin përfundime po kaq interesante.
Paratë dhe lumturia
Një nga zbulimet më të habitshme për sa i përket sjelljes njerëzore është se grumbullimi i parave dhe i gjërave materiale nuk sjell medoemos një rritje përkatëse të kënaqësisë dhe të lumturisë. Ajo që kanë arritur të kuptojnë shumë kërkues, është se pasi një person arrin njëfarë niveli pasurie, ndjenja e tij e mirëqenies nuk varet më nga sasia e të mirave materiale që ka në dispozicion.
Kështu, kërkimi i pakufizuar i të mirave materiale dhe i parave i lë shumë veta me pyetjet:
‘Duket se na pëlqen çdo gjë e re që blejmë. Por, atëherë, në fund të fundit, përse kjo nuk na e shton kënaqësinë?’Në librin e tij Happy People, shkrimtari Xhonatan Fridman vëren: «Pasi janë arritur disa të ardhura minimale, sasia e parave që ka një person nuk ka shumë peshë për sa i përket lumturisë. Mbi nivelin e varfërisë, marrëdhënia ndërmjet të ardhurave dhe lumturisë është çuditërisht e vogël.» Shumë veta kanë arritur të kuptojnë se ajo që ka vërtet rëndësi për të arritur lumturinë është që një person të ketë cilësi frymore, veprimtari domethënëse në jetë dhe vlera morale. Gjithashtu, të rëndësishme janë marrëdhëniet me të tjerët, si edhe mospasja e konflikteve dhe e kufizimeve që mund të na pengojnë të gëzojmë atë që kemi.
Shumë veta e shohin se në rrënjë të shumicës së të këqijave të sotme shoqërore është prirja për t’u përpjekur ta përdorim begatinë materiale për të zgjidhur ato që në të vërtetë janë shqetësime të brendshme. Disa komentues socialë flasin për një gjendje të përgjithshme pesimizmi dhe pakënaqësie. Vërejnë, po ashtu, prirjen gjithnjë në rritje që kanë njerëzit në shoqëritë e pasura për t’u konsultuar me terapistët ose për të kërkuar domethënie dhe paqe të brendshme nga gurutë, kultet dhe grupet që pohojnë se bëjnë terapi. Kjo është një dëshmi se të mirat materiale nuk kanë arritur t’i shtojnë domethënie të vërtetë jetës.
Fuqia dhe pafuqia e parave
Kuptohet, paratë kanë fuqi. Me to mund të blihen shtëpi të mira, veshje elegante dhe orendi marramendëse. Me to mund të blihet edhe admirimi, nënshtrimi ose lajkat, e madje mund të sjellin edhe disa miq të përkohshëm e që bëjnë ndere. Por, deri këtu arrin fuqia e parave. Gjërat për të cilat kemi më shumë nevojë nuk mund të blihen me para: dashuria e një miku të vërtetë, paqja e mendjes, si edhe pak ngushëllim të përzemërt kur jemi afër vdekjes. Gjithashtu, për ata që vlerësojnë marrëdhënien e tyre me Krijuesin, paratë nuk mund të blejnë miratimin e Perëndisë.
Mbreti Solomon, i cili i kishte të gjitha të mirat që mund të bliheshin me para në ditët e tij, e pranoi se ta vësh besimin te zotërimet materiale nuk të sjell lumturi të qëndrueshme. (Predikuesi 5:12-15) Paratë mund t’i humbasësh në ndonjë falimentim bankar ose nga inflacioni. Pasuritë e patundshme mund të shkatërrohen nga stuhi të forta. Sigurimet shoqërore, të cilat zëvendësojnë pjesërisht humbjet materiale, nuk e zëvendësojnë dot humbjen emocionale. Aksionet dhe obligacionet mund të bëhen të pavlera brenda një nate, në ndonjë rënie të papritur të kursit të aksioneve. Edhe një punë me pagë të mirë sot e ke, nesër mund të mos e kesh më.
Atëherë, si mund t’i mbajmë paratë në vendin e tyre? Çfarë roli duhet të kenë paratë ose zotërimet materiale në jetën tonë? Ju lutemi, vazhdoni ta shqyrtoni këtë çështje, për të parë se si mund të arrini të zotëroni diçka që është vërtet e vlefshme: «jetën e vërtetë».
[Figurat në faqen 4]
Zotërimet materiale nuk sjellin lumturi të qëndrueshme