«A i dënon vërtet Perëndia njerëzit që të digjen në ferr?»
«A i dënon vërtet Perëndia njerëzit që të digjen në ferr?»
«Mos studioni gjë për teologji?»
Kjo pyetje i kapi në befasi Joelin dhe Karlin. Dy të rinjtë—vullnetarë që shërbejnë në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork—po shfletonin disa libra në një librari aty afër. Ndërsa Joeli shqyrtonte treguesit biblikë, Karli i tregonte për një bisedë që kishte bërë në shërbim. Pasi i kapi veshi disa pjesë të kësaj bisede, një burrë që ishte aty afër u nxit që t’u afrohej e t’i pyeste.
Gjithsesi, ai burrë nuk ishte i interesuar vetëm nëse këta të rinj po studionin për teologji, por kishte një pyetje personale. Ai shpjegoi: «Unë jam jude dhe disa nga miqtë e mi të krishterë më kanë thënë se do të digjem në ferr, ngaqë judenjtë e hodhën poshtë Jezuin. Kjo gjë më shqetëson shumë. Një ndëshkim i tillë nga një Perëndi i dashur nuk më duket i drejtë. A i dënon vërtet Perëndia njerëzit që të digjen në ferr?»
Joeli dhe Karli i thanë këtij njeriu të çiltër se ishin studiues të zellshëm të Biblës. I treguan nga Shkrimet se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm dhe janë në gjumin e vdekjes, duke pritur ringjalljen. Prandaj, nuk përjetojnë asnjë torturë ose ferr të zjarrtë që shkakton dhembje. (Psalmi 146:3, 4; Predikuesi 9:5, 10; Danieli 12:13; Gjoni 11:11-14, 23-26) Në fund të bisedës së tyre që zgjati 45 minuta, burri i dha Joelit dhe Karlit adresën e tij dhe kërkoi më shumë të dhëna për këtë argument.
Nëse ferri do të ishte një vend torture të zjarrtë, a do të kërkonte ndonjë njeri që ta dërgonin atje? E megjithatë, patriarku Job, duke dëshiruar t’i shpëtonte gjendjes së tij të mjeruar, bëri këtë kërkesë: «Kush do të më japë këtë, që të mund të më mbroje në ferr dhe të më fshihje derisa të kalonte zemërimi yt?» (Jobi 14:13, Douay Version) Është e qartë se Jobi nuk besonte që ferri është një vend torture. Përkundrazi, ai kërkoi mbrojtje atje. Vdekja është një gjendje mosekzistence dhe ferri biblik është varri i përbashkët i njerëzimit.
Nëse do të dëshironit më shumë të dhëna se çfarë ndodh me ne kur vdesim dhe çfarë shprese mund të ketë më pas, jeni të ftuar me ngrohtësi të përdorni ofertën vijuese.