A ke një frymë të pavdekshme?
A ke një frymë të pavdekshme?
«I GJITHË Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi»,—shkroi apostulli Pavël. (2 Timoteut 3:16) Po, Bibla është libri i së vërtetës, i cili vjen nga Perëndia i vërtetë, Jehovai.—Psalmi 83:18.
Meqenëse Jehovai është Krijuesi i gjithçkaje, duke përfshirë edhe njerëzit, ai e di mirë çfarë ndodh me ne kur vdesim. (Hebrenjve 3:4; Zbulesa 4:11) Në Fjalën e tij, në Bibël, ai na ka dhënë përgjigje të vërteta dhe të kënaqshme për pyetjet që kanë të bëjnë me botën e përtejme.
Çfarë është fryma?
Në Bibël, fjalët e përkthyera «frymë», në thelb kanë kuptimin «frymëmarrje». Por kjo përfshin shumë më tepër sesa veprimin e frymëmarrjes. Për shembull, shkrimtari biblik Jakovi thotë: «Trupi pa frymë është i vdekur.» (Jakovit 2:26) Prandaj, fryma është ajo që i jep jetë trupit.
Kjo forcë jetëdhënëse nuk mund të jetë thjesht frymëmarrja ose ajri që lëviz nëpër mushkëri. Përse jo? Sepse, pasi ndërpritet frymëmarrja, jeta vazhdon në qelizat e trupit për një kohë të shkurtër—«për disa minuta»,—sipas The World Book Encyclopedia. Për këtë arsye, përpjekjet për ta sjellë përsëri në jetë një person mund të kenë sukses. Por, pasi shkëndija e jetës shuhet nga qelizat e trupit, të gjitha përpjekjet për ta sjellë përsëri jetën janë të kota. E gjithë frymëmarrja e botës nuk mund të sjellë në jetë as edhe një qelizë të vetme. Pra, fryma është forca e padukshme e jetës—shkëndija e jetës që i mban gjallë qelizat dhe personat. Kjo forcë e jetës mbështetet nga frymëmarrja.—Jobi 34:14, 15.
A vepron kjo frymë vetëm te njerëzit? Bibla na ndihmon të nxjerrim një përfundim të saktë lidhur me këtë. Mbreti i mençur Solomon e pranoi se njerëzit dhe kafshët «kanë po atë frymë» dhe pyeti: «Kush e di në se fryma e bijve të njerëzve ngjitet lart dhe në se fryma e kafshës zbret poshtë në tokë?» (Predikuesi 3:19-21) Pra, si për kafshët, ashtu edhe për njerëzit thuhet se kanë një frymë. Si ka mundësi një gjë e tillë?
Fryma ose forca e jetës mund të krahasohet me rrymën elektrike që përshkon një makineri ose një pajisje. Rryma e padukshme elektrike mund të përdoret për të kryer funksione të ndryshme, në varësi të llojit të pajisjes të cilës i jep fuqi. Për shembull, elektriciteti mund ta bëjë një furrë që të prodhojë nxehtësi, një kompjuter të nxjerrë të dhëna dhe një televizor të prodhojë figura dhe tinguj. Megjithatë, rryma elektrike nuk merr kurrë formën e pajisjes që vë në punë. Ajo mbetet vetëm një forcë. Në mënyrë të ngjashme, forca e jetës nuk merr asnjë nga tiparet e krijesave të cilave u jep jetë. Ajo nuk ka personalitet dhe as aftësi për të menduar. Si njerëzit, ashtu edhe kafshët «kanë po atë frymë». (Predikuesi 3:19) Pra, kur një person vdes, fryma e tij nuk vazhdon të jetojë në ndonjë sferë tjetër si krijesë frymore.
Por, atëherë, cila është gjendja e të vdekurve? Çfarë ndodh me frymën kur një person vdes?
«Në pluhur do të rikthehesh»
Kur njeriu i parë, Adami, vullnetarisht nuk iu bind urdhrit të Perëndisë, Ai i tha: «Do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh.» (Zanafilla 3:19) Ku ishte Adami para se Jehovai ta krijonte nga pluhuri? Nuk ishte asgjëkundi! Thjesht, nuk ekzistonte. Prandaj, kur Perëndia Jehova tha që Adami do të ‘rikthehej në dhe’, donte të thoshte se Adami do të vdiste dhe do të rikthehej tek elementet e tokës. Ai nuk do të transferohej në sferën frymore. Kur të vdiste, do të rikthehej sërish në gjendje mosekzistence. Ndëshkimi i tij ishte vdekja—mungesa e jetës—jo transferimi në një sferë tjetër.—Romakëve 6:23.
Ç’të themi për të tjerët që kanë vdekur? Gjendja e të vdekurve bëhet e qartë te Predikuesi 9:5, 10, ku lexojmë: «Të vdekurit nukë dinë asgjë . . . Nukë ka punë, as mendim, as dituri, as urtësi, ndë varrt ndë të-cilët vete.» (BK) Pra, vdekja është një gjendje mosekzistence. Psalmisti shkroi se kur një person vdes, «fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken».—Psalmi 146:4.
Është e qartë se të vdekurit nuk ekzistojnë. Nuk mund të dinë asgjë. Nuk mund të na shohin, të na dëgjojnë ose të na flasin. Nuk mund as të na ndihmojnë, as të na dëmtojnë. Sigurisht, nuk duhet të kemi frikë nga të vdekurit. Por, në ç’kuptim fryma «ikën» nga personi kur ky vdes?
Fryma «i kthehet Perëndisë»
Bibla thotë se kur një person vdes, ‘fryma i kthehet Perëndisë që e ka dhënë’. (Predikuesi ) A do të thotë kjo se një qenie frymore udhëton në kuptim të mirëfilltë nëpër hapësirë në prani të Perëndisë? Aspak! Mënyra në të cilën e përdor Bibla fjalën «kthehet» nuk kërkon një lëvizje të mirëfilltë nga një vend në tjetrin. Për shembull, izraelitëve jobesnikë iu tha: «‘Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem te ju’,—thotë Zoti i ushtrive.» ( 12:7Malakia 3:7) ‘Kthimi’ i Izraelit te Jehovai do të thoshte që të largoheshin nga drejtimi i gabuar dhe të ishin përsëri në harmoni me udhën e drejtë të Perëndisë. Kurse ‘kthimi’ i Jehovait tek Izraeli do të thoshte se ai do ta kthente përsëri vëmendjen në mënyrë të favorshme ndaj popullit të tij. Në të dyja rastet, ‘kthimi’ përfshinte një qëndrim, jo një lëvizje të mirëfilltë nga një vend gjeografik në një tjetër.
Në mënyrë të ngjashme, me vdekjen, nuk ndodh asnjë transferim nga toka në sferën qiellore kur fryma ‘i kthehet’ Perëndisë. Kur forca e jetës ikën nga një person, vetëm Perëndia ka aftësinë që t’ia rikthejë atij këtë forcë. Prandaj, fryma ‘i kthehet Perëndisë’ në kuptimin që tani çfarëdo shprese për jetën e ardhme për atë person mbetet plotësisht te Perëndia.
Shqyrtoni, për shembull, çfarë thonë Shkrimet për vdekjen e Jezu Krishtit. Shkrimtari i ungjillit Luka tregon: «Jezui thirri me zë të lartë e tha: ‘O Atë, në duart e tua e besoj frymën time.’ Si kishte thënë këtë, dha frymë.» (Luka 23:46) Kur fryma doli nga Jezui, ai nuk po shkonte në mënyrë të mirëfilltë në qiell. Jezui u ringjall nga të vdekurit vetëm ditën e tretë. Pastaj, kaluan 40 ditë para se të ngjitej në qiell. (Veprat 1:3, 9) Megjithatë, në çastin kur vdiq, Jezui e la i sigurt frymën e vet në duart e Atit të tij, duke besuar plotësisht në aftësinë e Jehovait për ta sjellë përsëri në jetë.
Po, vetëm Perëndia mund ta sjellë një person përsëri në jetë. (Psalmi 104:30) Ç’mundësi madhështore krijon kjo gjë!
Një shpresë e sigurt
Bibla thotë: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin e [Jezuit] dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Po, Jezu Krishti premtoi se të gjithë ata që janë në kujtesën e Jehovait do të ringjallen ose do të sillen përsëri në jetë. Midis tyre do të jenë sigurisht edhe ata që kanë bërë një jetë të drejtë si shërbëtorë të Jehovait. Por, miliona njerëz të tjerë kanë vdekur pa treguar nëse do të viheshin në harmoni me normat e drejta të Perëndisë. Ata ose nuk dinin gjë për kërkesat e Jehovait, ose nuk patën kohën e duhur për të bërë ndryshimet e nevojshme. Edhe këta njerëz janë në kujtesën e Perëndisë dhe do të ringjallen, sepse Bibla thotë: «Do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve.»—Veprat 24:15.
Sot, toka është plot me urrejtje dhe konflikte, dhunë dhe gjakderdhje, ndotje dhe sëmundje. Nëse të vdekurit do të riktheheshin në jetë në një tokë të tillë, patjetër që çfarëdo lumturie të kishin do të ishte jetëshkurtër. Por Krijuesi ka premtuar që së shpejti do t’i sjellë fundin shoqërisë së sotme botërore që është nën kontrollin e Satana Djallit. (Fjalët e urta 2:21, 22; Danieli 2:44; 1 Gjonit 5:19) Në atë kohë shoqëria e drejtë njerëzore, ‘toka e re’, do të jetë një realitet i mrekullueshëm.—2 Pjetrit 3:13.
Në atë kohë, «asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë’». (Isaia 33:24) Edhe angështia e vdekjes nuk do të jetë më, sepse Perëndia «do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar». (Zbulesa 21:4) Sa shpresë e madhe është kjo për ata që janë «në varret përkujtimore»!
Kur Jehovai të shfarosë ligësinë nga toka, nuk do t’i shkatërrojë të drejtët bashkë me të ligjtë. (Psalmi 37:10, 11; 145:20) Në të vërtetë, «një shumicë e madhe» njerëzish «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët» do të mbijetojë ‘shtrëngimin e madh’, i cili do të shkatërrojë botën e tanishme të ligë. (Zbulesa 7:9-14) Kështu, një shumicë e madhe njerëzish do të jenë të pranishëm për të mirëpritur të vdekurit.
A dëshironi me zjarr t’i shihni përsëri njerëzit tuaj të dashur? A dëshironi të jetoni përgjithmonë në Parajsën në tokë? Atëherë duhet të merrni njohuri të saktë për vullnetin dhe qëllimet e Perëndisë. (Gjoni 17:3) Vullneti i Jehovait është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës».—1 Timoteut 2:3, 4.
[Figura në faqen 4]
«Pluhur je dhe në pluhur do të rikthehesh»
[Figurat në faqen 5]
Fryma mund të krahasohet me rrymën elektrike
[Figura në faqen 7]
Ringjallja do të sjellë gëzim të përhershëm