Bëni që përparimi juaj të duket qartë!
Bëni që përparimi juaj të duket qartë!
«Përsiatu në këto gjëra, zhytu në to, që përparimi yt të duket qartë për të gjithë.»—1 TIMOTEUT 4:15.
1. Nga mund ta dalloni kur një frutë është pjekur dhe është gati për t’u ngrënë?
PËRFYTYRONI me mendje frutën që pëlqeni më shumë—një pjeshkë, një dardhë, një kumbull ose diçka tjetër. A mund ta dalloni kur ajo është e pjekur dhe gati për t’u ngrënë? Me siguri që po. Aroma, ngjyra dhe ndjesia kur e prekni, që të gjitha ju sinjalizojnë se do të provoni diçka që do t’ju lëshojë goja lëng. Kur futni në gojë një copë frute, ndoshta ju del një pasthirrmë. Oh, çfarë shijeje! Çfarë ëmbëlsie! Kënaqësia që provoni është shumë e madhe.
2. Si bëhet e dukshme pjekuria dhe çfarë efekti ka në marrëdhëniet personale?
2 Kjo përvojë e thjeshtë, por e këndshme, gjen paralele në fusha të tjera të jetës. Për shembull, siç ndodh kur një frutë është e pjekur, edhe pjekuria frymore te një person shfaqet në mënyra të ndryshme. E dallojmë që një person është i pjekur kur shohim që shfaq aftësi dalluese, gjykim të thellë, mençuri e kështu me radhë. (Jobi 32:7-9) Patjetër, është një kënaqësi të shoqërohemi dhe të punojmë me njerëz që shfaqin cilësi të tilla në qëndrimet dhe në veprimet e tyre.—Fjalët e urta (Proverbat) 13:20.
3. Çfarë zbuloi lidhur me pjekurinë përshkrimi që u bëri Jezui njerëzve të kohës së tij?
3 Nga ana tjetër, një person mund të jetë i rritur fizikisht, por mënyra se si flet dhe vepron mund të zbulojë se është i papjekur emocionalisht dhe frymësisht. Për shembull, duke folur për brezin rebel të kohës së tij, Jezu Krishti tha: «Erdhi Gjoni pa ngrënë dhe pa pirë, e megjithatë njerëzit thonë: ‘Ai ka një demon’; Biri i njeriut erdhi duke ngrënë e duke pirë dhe prapëseprapë njerëzit thonë: ‘Ja, një njeri grykës dhe i dhënë pas verës.’» Ndonëse ata Mateu 11:16-19.
njerëz ishin të pjekur fizikisht, Jezui tha se vepronin si «fëmijët e vegjël», pra, aspak të pjekur. Prandaj, shtoi: «Gjithsesi, mençuria del e drejtë me anë të veprave të saj.»—4. Në cilat mënyra bëjmë që të duken qartë përparimi dhe pjekuria?
4 Nga fjalët e Jezuit mund të kuptojmë se fakti që një person zotëron mençurinë e vërtetë—shenjë dalluese e pjekurisë—tregohet nga veprat që kryen dhe nga arritjet që ka. Lidhur me këtë, vini re këshillën që apostulli Pavël i dha Timoteut. Pasi numëroi gjërat që Timoteu duhej të ndiqte, Pavli tha: «Përsiatu në këto gjëra, zhytu në to, që përparimi yt të duket qartë për të gjithë.» (1 Timoteut 4:15) Po, përparimi i një të krishteri drejt pjekurisë «duket qartë» ose mund të dallohet me qartësi. Si një dritë që ndriçon, pjekuria e krishterë nuk është një cilësi e padallueshme ose e fshehur. (Mateu 5:14-16) Prandaj, do të shqyrtojmë dy mënyra kryesore në të cilat mund të bëjmë që përparimi dhe pjekuria të duken qartë: (1) duke u rritur në njohuri, kuptueshmëri dhe mençuri; (2) duke shfaqur frytin e frymës.
Njëjësia në besim dhe në njohuri
5. Si mund të përkufizohet pjekuria?
5 Shumica e fjalorëve e përshkruajnë pjekurinë si gjendja e zhvillimit të plotë trupor ose mendor dhe që ka arritur një gjendje përfundimtare ose një normë të përcaktuar. Një frutë, siç u përmend më sipër, është e pjekur kur ka përfunduar ciklin natyror të rritjes dhe kur pamja, ngjyra, aroma dhe shija e saj kanë arritur nivelin e dëshirueshëm. Pra, pjekuria është një sinonim i shkëlqesisë, plotësisë e, madje, edhe i përsosmërisë.—Isaia 18:5; Mateu 5:45-48; Jakovit 1:4.
6, 7. (a) Nga duket se Jehovai është i interesuar që të gjithë adhuruesit e tij të përparojnë drejt pjekurisë frymore? (b) Me çfarë lidhet ngushtë pjekuria frymore?
6 Perëndia Jehova është shumë i interesuar që të gjithë adhuruesit e tij të përparojnë drejt pjekurisë frymore. Për këtë qëllim, ka marrë masa të mrekullueshme brenda kongregacionit të krishterë. Të krishterëve në Efes, apostulli Pavël u shkroi: «Ai disa i dha si apostuj, disa si profetë, disa si ungjillëzues, disa si barinj e mësues, për ndreqjen e të shenjtëve, për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit, derisa të gjithë ne të arrijmë njëjësinë në besim dhe në njohurinë e saktë të Birit të Perëndisë, në një njeri tërësisht të rritur, në masën e shtatit sipas plotësisë së Krishtit; që të mos jemi më fëmijë, si të lëkundur nga dallgët e të çuar andej-këtej nga çdo erë mësimi, prej dinakërisë në sajimin e mashtrimeve.»—Efesianëve 4:11-14.
7 Në këto vargje, Pavli shpjegoi se disa nga arsyet për të cilat Perëndia mori masa të tilla të shumta frymore në kongregacion janë se të gjithë duhet ‘të arrijnë njëjësinë në besim dhe në njohurinë e saktë’, të bëhen ‘një njeri tërësisht i rritur’ dhe të kenë ‘masën e shtatit të Krishtit’. Vetëm atëherë do të jemi të sigurt, duke mos u lëkundur andej-këtej si foshnja frymore, nga idetë dhe mësimet e rreme. Kështu, shohim marrëdhënien e ngushtë që ka ndërmjet përparimit drejt pjekurisë së krishterë dhe arritjes së ‘njëjësisë në besim dhe në njohurinë e saktë të Birit të Perëndisë’. Në
këshillën që dha Pavli ka disa pika të cilave bëjmë mirë t’u vëmë veshin.8. Çfarë kërkohet për të arritur «njëjësinë» në besim dhe në njohurinë e saktë?
8 Së pari, meqë duhet ruajtur ‘njëjësia’, një i krishterë i pjekur duhet të jetë në unitet dhe në harmoni të plotë me bashkëbesimtarët për sa i përket besimit dhe njohurisë. Ai nuk përkrah ose nuk ngul këmbë në opinionet personale dhe as nuk sugjeron ide vetjake kur bëhet fjalë për kuptueshmërinë e Biblës. Përkundrazi, ka besim të plotë në të vërtetën që është zbuluar nga Perëndia Jehova nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit dhe nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. Duke marrë rregullisht ushqimin frymor që sigurohet «në kohën e duhur», nëpërmjet botimeve, mbledhjeve, asambleve dhe kongreseve të krishtere, mund të jemi të sigurt se po ruajmë «njëjësinë» me të bashkëkrishterët në besim dhe në njohuri.—Mateu 24:45.
9. Shpjegoni domethënien e shprehjes «besim» që përdori Pavli në letrën drejtuar efesianëve.
9 Së dyti, shprehja «besim» bën fjalë jo për bindjen që ka çdo i krishterë individualisht, por për tërësinë e bindjeve tona, për ‘gjerësinë, gjatësinë, lartësinë dhe thellësinë’ e tij. (Efesianëve 3:18; 4:5; Kolosianëve 1:23; 2:7) Në të vërtetë, si është e mundur që një i krishterë të ketë njëjësi me bashkëbesimtarët, nëse beson ose pranon vetëm njëfarë pjese të ‘besimit’? Kjo do të thotë që nuk duhet të kënaqemi vetëm me njohjen e mësimeve themelore të Biblës ose të kemi vetëm një njohuri të pjesshme a të vagët për të vërtetën. Përkundrazi, duhet të jemi të interesuar për të përfituar nga të gjitha masat që ka marrë Jehovai nëpërmjet organizatës së tij, për të gërmuar thellë në Fjalën e tij. Duhet të përpiqemi të fitojmë një kuptueshmëri sa më të saktë e sa më të plotë që të jetë e mundur për vullnetin dhe qëllimin e Perëndisë. Kjo përfshin të gjejmë kohën që të lexojmë e të studiojmë Biblën dhe botimet biblike, që t’i lutemi Perëndisë për ndihmë dhe udhëheqje, që të ndjekim rregullisht mbledhjet e krishtere dhe të kemi një pjesëmarrje të plotë në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve.—Fjalët e urta 2:1-5.
10. Cila është domethënia e fjalëve «derisa të gjithë ne të arrijmë», të përdorura tek Efesianëve 4:13?
10 Së treti, përshkrimin e synimit të trefishtë që duhet të kemi Pavli e filloi me fjalët «derisa të gjithë ne të arrijmë». Lidhur me shprehjen «të gjithë ne», një manual biblik jep domethënien si «jo të gjithë një për një, veçmas, por të gjithë së bashku». Me fjalë të tjera, secili nga ne duhet të bëjë përpjekje të arsyeshme për të ndjekur synimin e pjekurisë së krishterë së bashku me gjithë vëllazërinë. The Interpreter’s Bible bën këtë koment: «Një individ i izoluar nuk e arrin dot vetëm plotësinë e zhvillimit frymor, ashtu si një pjesë e vetme e trupit nuk mund të arrijë zhvillimin e saj të plotë përveçse kur i gjithë trupi vazhdon rritjen e tij të shëndetshme.» Pavli u kujtoi të krishterëve efesianë se ata duhej të përpiqeshin ta rroknin me mendje rrezen e plotë të besimit «bashkë me gjithë të shenjtët».—Efesianëve 3:18a.
11. (a) Çfarë nuk nënkupton të bëjmë përparim frymor? (b) Çfarë duhet të bëjmë për të bërë përparim frymor?
11 Nga fjalët e Pavlit, është e qartë se të bëjmë përparim frymor nuk do të thotë vetëm ta mbushim mendjen me njohuri dhe me mësime të shumta. I krishteri i pjekur nuk është një person që i lë pa mend të tjerët ngaqë shkëlqen në këto fusha. Përkundrazi, Bibla thotë: «Shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.» (Fjalët e urta 4:18) Po, është «shtegu», jo individët, ai që «shkëlqen gjithnjë e më mirë». Nëse bëjmë vazhdimisht përpjekje për të qenë në një hap me kuptueshmërinë gjithnjë e më të ndritshme të Fjalës së Perëndisë, të cilën Jehovai po ia jep popullit të tij, do të jemi duke bërë përparim frymor. Në këtë rast, të jemi në një hap do të thotë të ecim përpara, dhe kjo është diçka që të gjithë mund ta bëjmë.—Psalmi 97:11; 119:105.
Të shfaqim ‘frytin e frymës’
12. Përse shfaqja e frytit të frymës është e rëndësishme në përpjekjet tona për të bërë përparim frymor?
12 Ndërkohë që arritja e ‘njëjësisë në besim dhe në njohurinë e saktë’ është e rëndësishme, po aq e rëndësishme është të shfaqim frytin e frymës së Perëndisë në çdo fushë të jetës sonë. Përse? Sepse, siç e kemi parë, pjekuria nuk është e padallueshme ose e fshehur, por karakterizohet nga tipare që dallohen qartë, të cilat mund t’u sjellin dobi dhe t’i ndërtojnë të tjerët. Natyrisht, kërkimi ynë për të bërë përparim frymor nuk është vetëm një përpjekje për t’u dukur të rafinuar ose për t’u kapardisur. Në vend të kësaj, ndërsa rritemi frymësisht duke ndjekur udhëheqjen e frymës së Perëndisë, do të ndodhë një transformim i mrekullueshëm në qëndrimet dhe veprimet tona. Apostulli Pavël tha: «Vazhdoni të ecni sipas frymës dhe nuk do të përmbushni asnjë dëshirë të mishit.»—Galatasve 5:16.
13. Cili ndryshim është një tregues i qartë i përparimit?
13 Pavli vazhdoi duke radhitur «veprat e mishit», të cilat janë të shumta dhe «duken qartë». Para se një person të arrijë të kuptojë vlerën e kërkesave të Perëndisë, jeta e tij është e modeluar sipas udhëve të botës dhe mund të jetë e mbushur me disa nga gjërat që përmendi Pavli: «Kurvëria, ndyrësia, sjellja e shthurur, idhujtaria, praktika e spiritizmit, armiqësitë, konflikti, xhelozia, shpërthimet e zemërimit, grindjet, përçarjet, sektet, smirat, dehjet, ahengjet e shfrenuara dhe gjëra si këto.» (Galatasve 5:19-21) Por, dora-dorës që personi bën përparim frymor, dalëngadalë i mposht këto ‘vepra të mishit’ të padëshirueshme dhe i bën vend ‘frytit të frymës’. Ky ndryshim, që është i dukshëm nga jashtë, është një tregues i qartë se personi po përparon drejt pjekurisë së krishterë.—Galatasve 5:22.
14. Shpjegoni dy shprehjet «veprat e mishit» dhe «fryti i frymës».
14 Duhet të vëmë re dy shprehjet «veprat e mishit» dhe «fryti i frymës». «Veprat» janë përfundimi i asaj që bën një njeri, prodhimi i veprimeve të tij. Me fjalë të tjera, veprimet që Pavli i renditi si vepra të mishit janë përfundimi ose i përpjekjeve të vetëdijshme të një personi, ose i ndikimit të natyrës së papërsosur njerëzore. (Romakëve 1:24, 28; 7:21-25) Nga ana tjetër, shprehja «fryti i frymës» tregon se cilësitë e renditura këtu nuk vijnë si pasojë e përpjekjeve në të ashtuquajturin formim të karakterit ose përmirësim të personalitetit, por si pasojë e veprimit të frymës së Perëndisë te një person. Ashtu si një pemë jep fryt kur i tregohet kujdesi i duhur, po ashtu një person shfaq frytin e frymës kur fryma e shenjtë rrjedh lirisht në jetën e tij.—Psalmi 1:1-3.
15. Përse është e rëndësishme t’u kushtojmë vëmendje të gjitha cilësive të ‘frytit të frymës’?
15 Një pikë tjetër për t’u shqyrtuar është përdorimi që i bën Pavli fjalës «fryti» për të përfshirë të gjitha cilësitë e dëshirueshme që përmendi. Fryma nuk prodhon një shumëllojshmëri frytesh që ne të zgjedhim atë që na pëlqen më shumë. Të gjitha cilësitë që renditi Pavli—dashuria, gëzimi, paqja, shpirtmadhësia, dashamirësia, mirësia, besimi, butësia dhe vetëkontrolli—janë njësoj të rëndësishme dhe së bashku bëjnë të mundur personalitetin e ri të krishterë. (Efesianëve 4:24; Kolosianëve 3:10) Prandaj, ndonëse mund të shohim që disa nga këto cilësi janë më të dukshme në jetën tonë, për shkak të personalitetit ose të prirjeve që kemi, është e rëndësishme që t’u kushtojmë vëmendje të gjitha cilësive që përmendi Pavli. Duke bërë kështu, mund të pasqyrojmë në mënyrë më të plotë në jetën tonë një personalitet ngjashëm atij të Krishtit.—1 Pjetrit 2:12, 21.
16. Cilin synim kemi në përpjekjet për të arritur pjekurinë e krishterë dhe si mund të arrihet ai?
16 Mësimi i rëndësishëm që mund të nxjerrim nga diskutimi i Pavlit është se, në përpjekjet për të arritur pjekurinë e krishterë, synimi ynë nuk është as të marrim shumë njohuri e mësime, as të kultivojmë tipare të rafinuara të personalitetit. Synimi është që fryma e Perëndisë të rrjedhë lirisht në jetën tonë. Në masën që mendimet dhe veprimet tona i përgjigjen udhëheqjes së frymës së Perëndisë, në atë masë bëhemi të pjekur frymësisht. Si mund ta arrijmë këtë synim? Duhet ta hapim zemrën dhe mendjen ndaj ndikimit të frymës së Perëndisë. Kjo përfshin që të ndjekim dhe të marrim pjesë rregullisht në mbledhjet e krishtere. Gjithashtu, duhet ta studiojmë rregullisht Fjalën e Perëndisë dhe të meditojmë rreth saj, duke i lejuar parimet e saj të na udhëheqin në marrëdhëniet me të tjerët dhe në zgjedhjet që bëjmë e në vendimet që marrim. Atëherë, me siguri përparimi ynë do të duket qartë.
Të bëjmë përparim për lavdi të Perëndisë
17. Si lidhet përparimi që bëjmë me lavdinë që i jepet Atit tonë qiellor?
17 Në thelb, duke bërë që përparimi ynë të duket qartë, i sjellim lavdi e lëvdim jo vetes, por Atit tonë qiellor, Jehovait, i cili na bën të mundur të arrijmë pjekurinë frymore. Natën përpara se ta vritnin, Jezui u tha dishepujve: «Në këtë merr lavdi Ati im: që ju të vazhdoni të jepni shumë fryt e të tregoni se jeni dishepujt e mi.» (Gjoni 15:8) Dishepujt i sollën lavdi Jehovait edhe duke shfaqur frytin e frymës, edhe duke sjellë fryt të Mbretërisë në shërbimin e tyre.—Veprat 11:4, 18; 13:48.
18. (a) Cila korrje e gëzueshme po ndodh sot? (b) Çfarë sfide paraqet kjo korrje?
18 Sot, bekimi i Jehovait është mbi popullin e tij që po merr pjesë në një korrje frymore globale. Tashmë, prej disa vjetësh rreth 300.000 veta i dedikohen Jehovait çdo vit dhe e simbolizojnë dedikimin e tyre me pagëzimin në ujë. Kjo na bën të lumtur dhe, pa dyshim, ia gëzon edhe Jehovait zemrën. (Fjalët e urta 27:11) Megjithatë, që ky të jetë një burim i vazhdueshëm gëzimi dhe lëvdimi ndaj Jehovait, të gjithë këta të rinj në të vërtetën duhet të ‘vazhdojnë të ecin në unitet me [Krishtin], të rrënjosur, duke u ndërtuar në të e duke u stabilizuar në besim’. (Kolosianëve 2:6, 7) Kjo paraqet një sfidë të dyfishtë për popullin e Perëndisë. Në njërën anë, nëse je i sapopagëzuar, a do ta pranosh sfidën për t’u ushtruar fort, në mënyrë që «përparimi yt të duket qartë për të gjithë»? Në anën tjetër, nëse ke disa kohë që je në të vërtetën, a do ta pranosh sfidën për të marrë përsipër përgjegjësinë që të kujdesesh për mirëqenien frymore të të rinjve në të vërtetën? Në cilindo rast, është e qartë nevoja për t’u sulur drejt pjekurisë.—Filipianëve 3:16; Hebrenjve 6:1.
19. Cili privilegj dhe cilat bekime mund të jenë tuajat, nëse punoni që përparimi juaj të duket qartë?
19 Bekime të mrekullueshme i presin të gjithë ata të cilët punojnë shumë që përparimi i tyre të duket qartë. Sillni ndër mend fjalët inkurajuese të Pavlit pasi e nxiti Timoteun që të bënte përparim: «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Ngulmo në këto gjëra, sepse duke e bërë këtë, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.» (1 Timoteut 4:16) Duke punuar me zell që përparimi juaj të duket qartë, edhe ju mund të keni privilegjin për t’i dhënë lavdi emrit të Perëndisë dhe për të marrë bekime nga ai.
A ju kujtohet?
• Në cilat mënyra mund të bëjmë që të duket qartë pjekuria frymore?
• Cila lloj njohurie dhe kuptueshmërie pasqyron pjekurinë?
• Në ç’mënyrë e tregon shfaqja e ‘frytit të frymës’ përparimin frymor?
• Cilën sfidë duhet të pranojmë, ndërkohë që sulemi drejt pjekurisë?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 13]
Pjekuria mund të dallohet qartë
[Figura në faqen 15]
Bëjmë përparim frymor duke u mbajtur në një hap me të vërtetën e zbuluar
[Figura në faqen 17]
Lutja na ndihmon të shfaqim ‘frytin e frymës’