Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mirënjohëse për kujtimet e çmuara që kam

Mirënjohëse për kujtimet e çmuara që kam

Jetëshkrim

Mirënjohëse për kujtimet e çmuara që kam

TREGUAR NGA DRUSILA KEJNI

Ishte viti 1933 dhe sapo isha martuar me Zanoah Kejnin, i cili, ashtu si unë, ishte një përhapës ose ungjillëzues në kohë të plotë. E mbushur me entuziazëm, po bëja plane të bashkohesha me tim shoq në caktimin e tij. Por për të bërë këtë më duhej një biçikletë, një luks që nuk kisha pasur kurrë mundësi ta kisha, sepse kohët ishin të vështira pas krizës së viteve 20. Ç’mund të bëja?

KUR morën vesh këtë gjendje të vështirë, kunetërit e mi kërkuan nëpër grumbujt e plehrave rreth e rrotull për të gjetur pjesë të vjetra që të më bënin një biçikletë. Ia dolën mbanë dhe biçikleta ecte mirë. Sapo mësova t’i jepja biçikletës, së bashku me Zanoahun u vumë në rrugë, duke udhëtuar të lumtur me biçikleta në zonat angleze të Uorçesterit dhe Herefordit, duke u dhënë dëshmi të gjithë atyre që takonim.

Në atë kohë nuk e kuptoja se ky hap i thjeshtë besimi do të çonte në një jetë plot kujtime të bukura. Megjithatë, themeli frymor për jetën time ishte vënë nga prindërit e mi të dashur.

Vitet e vështira të Luftës së Madhe

Kam lindur në dhjetor të vitit 1909. Pak kohë më pas, mamaja mori një kopje të librit Plani hyjnor i epokave dhe, në vitin 1914, prindërit më morën me vete për të parë «Foto-Dramën e Krijimit» në Oldam, Lankashir. (Që të dyja botimet ishin prodhuar nga ata që tani njihen si Dëshmitarët e Jehovait.) Ndonëse isha e vogël, e mbaj mend shumë qartë se rrugës për t’u kthyer në shtëpi hidhesha përpjetë nga gëzimi për atë që kisha parë. Më pas, Frenk Hili hapi një grup studimi biblik në Rokdejl, ku jetonim ne. Prania në këtë grup na ndihmoi si familje që të fitonim kuptueshmëri për Shkrimet.

Paqja e jetës sonë u prish po atë vit nga shpërthimi i Luftës së Madhe: Luftës I Botërore, siç e quajmë tani. Babanë e thirrën në ushtri, por ai mbajti qëndrim asnjanës. Gazeta e qytetit raportonte se në gjyq atë e përshkruan si «një njeri shumë të moralshëm» dhe se kishin ardhur disa letra nga «zotërinj që pohonin se, sipas tyre, ai ishte i çiltër në kundërshtimin për të marrë armët».

Megjithatë, në vend që ta përjashtonin plotësisht nga ky shërbim, babanë e regjistruan si të përjashtuar «vetëm nga shërbimi luftues». Menjëherë ai u bë objekt talljesh, siç ndodhi edhe me mua e mamanë. Përfundimisht, regjistrimi i tij u rishikua dhe e caktuan në punë bujqësie, por disa fermerë e shfrytëzuan këtë gjendje dhe nuk e paguanin fare ose e paguanin shumë pak. Për të mbajtur familjen, mamaja ime filloi punë​—për një pagë shumë të vogël—​duke bërë punë të rënda në një lavanderi private. Megjithatë, tani e shoh se sa shumë më forcoi fakti që i kalova vitet e formimit tim duke përballuar këto rrethana të vështira. Kjo më ndihmoi t’i çmoja gjërat frymore, të cilat janë më të rëndësishme.

Fillime të vogla

Daniel Hjuxhsi, një student i zellshëm i Biblës, shumë shpejt u bë pjesë e jetës sonë. Ai ishte minator në Ruabon, një fshat rreth 20 kilometra larg Osuestrit, ku ishim transferuar ne. Xhaxhi Dani, siç e quaja unë, mbante lidhje me familjen tonë dhe sa herë që vinte të na shihte, bisedat e tij ishin gjithnjë për gjëra biblike. Nuk hynte kurrë në biseda për çikërrima. Në vitin 1920, në Osuestri u hap një klasë për studimin e Biblës dhe në vitin 1921, xhaxhi Dani më dha një kopje të librit Harpa e Perëndisë. E mbaja si thesar këtë libër, sepse m’i bëri mësimet biblike shumë më të lehta për t’i kuptuar.

Gjithashtu, ishte edhe Prajs Hjuxhsi, * i cili më vonë u bë shërbëtori drejtues i zyrës së degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Londër. Ai jetonte bashkë me familjen afër nesh, në Bronigarth, në kufi me Uellsin, dhe motra e tij, Sisi, u bë shoqe e ngushtë me nënën time.

Më kujtohet entuziazmi i vitit 1922, kur u bë thirrja për të ‘lajmëruar Mbretin dhe mbretërinë e tij’. Gjatë viteve që pasuan, ndonëse isha ende në shkollë, merrja pjesë me zell në shpërndarjen e fletushkave speciale e, në veçanti, të fletushkës Akuzohen klerikët, e cila doli në vitin 1924. Duke rikujtuar atë dhjetëvjeçar, sa privilegj i madh ishte për mua të shoqërohesha me kaq shumë vëllezër besnikë e motra besnike. Ndër ta ishin Maud Klarku * dhe shoqja e saj e shërbimit Meri Grenti, * Edgar Kleji, * Robert Hadlingtoni, Kejti Robertsi, Eduin Skineri, * si edhe Persi Çapmani e Xhek Nejthëni. * Këta dy të fundit shkuan në Kanada për të ndihmuar në veprën atje.

Fjalimi biblik «Miliona që jetojnë tani, nuk do të vdesin kurrë» doli se ishte një dëshmi tamam në kohën e duhur për territorin tonë të madh. Më 14 maj 1922, Stenli Roxhersi, një i afërm i Prajs Hjuxhsit, erdhi nga Liverpuli për ta mbajtur këtë fjalim në Çërk, një fshat tamam në veri të qytetit tonë dhe më vonë atë mbrëmje në kinemanë e Osuestrit. E kam ende një nga ftesat e shtypura posaçërisht për atë ngjarje. Gjatë gjithë kësaj kohe, grupi ynë i vogël vazhdonte të forcohej nga vizitat që na bënin tre mbikëqyrës udhëtues​—pelegrinë, siç i quanim ne—​Herbert Seniori, Albert Llojdi dhe Xhon Blejni.

Një kohë vendimi

Në vitin 1929, mora vendimin për t’u pagëzuar. Isha 19 vjeçe dhe, në të njëjtën kohë, hasa sprovën time të parë të vërtetë. U njoha me një djalë të ri, babai i të cilit ishte politikan. Ndiheshim të tërhequr ndaj njëri-tjetrit dhe ai më bëri propozimin e martesës. Një vit më parë kishte dalë libri Qeveria, kështu që i dhashë atij një kopje. Por, shumë shpejt u bë e dukshme se ai nuk ishte i interesuar për një qeveri qiellore, e cila ishte tema e këtij libri. Nga studimet e mia, e dija se izraelitëve të lashtësisë u ishte urdhëruar që të mos bënin aleanca martesore me jobesimtarët dhe se ky parim zbatohej edhe për të krishterët. Prandaj, ndonëse ishte e vështirë për mua, nuk e pranova propozimin e tij.​—Ligji i përtërirë 7:3; 2 Korintasve 6:14.

Mora forcë nga fjalët e apostullit Pavël: «Le të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në stinën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.» (Galatasve 6:9) Edhe xhaxhi Dani më ndihmoi kur shkroi: «Nëse ke sprovë të vogël a të madhe në jetë, zbato Romakëve 8:28», ku thuhet: «Tani, ne e dimë se Perëndia bën që të gjitha veprat e tij të bashkëpunojnë për të mirën e atyre që e duan Perëndinë, të atyre që janë thirrur sipas qëllimit të tij.» Nuk ishte e lehtë, por e dija se kisha marrë vendimin e duhur. Po atë vit hyra në radhët e përhapësve.

Përballoj sfidën

Në vitin 1931, morëm emrin tonë të ri, Dëshmitarë të Jehovait dhe atë vit patëm një fushatë të fuqishme, duke përdorur broshurën Mbretëria, shpresa e botës. I dhamë nga një kopje çdo politikani, kleriku dhe tregtari. Territori im zinte pjesën që nga Osuestri deri në Reksam, rreth 25 kilometra në veri. Ishte një sfidë ta mbuloja të gjithin.

Në një kongres në Birmingem, vitin që pasoi, u bë një thirrje për 24 vullnetarë. Të gatshëm, 24 prej nesh dhanë emrin për një aspekt të ri shërbimi, duke mos e ditur çfarë do të ishte ajo. Përfytyroni habinë tonë kur na ndanë në çifte dhe na caktuan të shpërndanim të njëjtën broshurë, Mbretëria, shpresa e botës, por duke mbajtur të veshura pllakate të rënda ku lajmërohej Mbretëria.

Duke dhënë dëshmi në sheshin e katedrales, ndihesha shumë në siklet, por e ngushëlloja veten me faktin se në atë qytet asnjëri s’më njihte. Mirëpo, personi i parë që m’u afrua ishte një ish-shoqe shkolle, e cila më pa dhe tha: «Çfarë je duke bërë këtu, e veshur në këtë mënyrë?» Ajo përvojë më ndihmoi të mposhtja çdo frikë njeriu që mund të kisha pasur.

Eci përpara

Në vitin 1933, u martova me Zanoahun, një i ve 25 vjet më i madh se unë. Gruaja e tij e parë kishte qenë një Studente e zellshme e Biblës dhe Zanoahu me besnikëri kishte qëndruar në caktimin e tij pas vdekjes së saj. Shumë shpejt u transferuam nga Anglia për në territorin tonë të ri në Uellsin e Veriut, rreth 150 kilometra larg. Kutitë prej kartoni, valixhet dhe zotërimet e tjera me vlerë i varëm me kujdes nëpër dorezat e biçikletave, midis hekurave të biçikletave dhe i stivuam nëpër koshat që kishim në to, por, gjithsesi, ia dolëm mbanë. Në atë caktim, biçikletat qenë të domosdoshme, pasi me to shkonim kudo, madje edhe në majë të malit Kader Idris, një mal rreth 900 metra i lartë në Uells. Ishte shumë shpërblyese të gjenim njerëz që mezi pritnin të dëgjonin ‘këtë lajm të mirë të mbretërisë’.​—Mateu 24:14.

S’kishim shumë që ishim atje, kur njerëzit na thanë se njëfarë Tom Prajsi u kishte predikuar, pikërisht siç po bënim ne. Së fundi, zbuluam se Tomi jetonte në Long Mauntin, afër Uellspulit, dhe për ne kjo qe vërtet një e papritur e këndshme! Gjatë ditëve të hershme kur jepja dëshmi, i kisha lënë atij librin me titull Pajtim, një libër ndihmës për studimin e Biblës. Ai e kishte studiuar vetë, i kishte shkruar Londrës për më shumë literaturë dhe që atëherë, e kishte ndarë me zell këtë besim që kishte gjetur. Gëzuam shumë orë shoqërie të këndshme të tre së bashku, duke studiuar shpesh bashkë për të nxitur njëri-tjetrin.

Një katastrofë çon në bekime

Në vitin 1934, të gjithë përhapësit që ndodheshin afër Uellsit të Veriut, u ftuan të shkonin në qytetin Reksam, për të ndihmuar në shpërndarjen e broshurës Sundimtar i drejtë. Ditën para se të fillonim këtë fushatë speciale, kishte ndodhur një katastrofë në shkallë kombëtare. Në një shpërthim që kishte ndodhur në minierën e qymyrgurit në Gresford, 3 kilometra në veri të Reksamit, ishin vrarë 266 minatorë. Më shumë se 200 fëmijë kishin mbetur jetimë dhe 160 gra ishin bërë vejusha.

Ne duhej të bënim një listë me personat e prekur nga katastrofa, t’i vizitonim personalisht dhe t’u linim një broshurë. Ndër emrat që më dhanë ishte edhe zonja Çaduik, e cila kishte humbur djalin 19-vjeçar. Kur shkova për t’i bërë vizitë, një nga djemtë e saj më të mëdhenj, Xheku, kishte shkuar tek e ëma për ta ngushëlluar. Ky i ri më njohu, por nuk tha gjë. Më pas, ai e lexoi broshurën dhe kërkoi në shtëpinë e tij për të gjetur një broshurë tjetër që i kisha lënë disa vjet më parë, broshurën me titull Lufta përfundimtare.

Xheku dhe e shoqja, Mei, e gjetën vendin ku po qëndronim dhe erdhën për të marrë më shumë literaturë. Në vitin 1936, pranuan të mbaheshin mbledhje në shtëpinë e tyre, në Reksam. Pas një vizite që bëri Albert Llojdi gjashtë muaj më vonë, aty u formua një kongregacion dhe Xhek Çaduiku shërbeu si mbikëqyrësi drejtues. Tani në Reksam ka tri kongregacione.

Jeta në një karrocë ciganësh

Deri në këtë kohë, kishim përdorur çfarëdo strehimi që gjenim, sepse lëviznim nga një vend në tjetrin, por Zanoahu vendosi se kishte ardhur koha që të kishim një shtëpi tonën, një shtëpi të cilën mund ta tërhiqnim nga një vend në tjetrin. Im shoq ishte një zdrukthëtar i zoti me prejardhje cigane dhe ndërtoi për ne një karrocë të mbyllur ciganësh. E quajtëm Elizabetë, një emër biblik që do të thotë «Perëndi i bollëkut».

Mbaj mend në mënyrë të veçantë një vend në të cilin qëndruam: ishte një pemishte, buzë një rrjedhe uji. Për mua ishte tamam si Parajsë. Asgjë nuk e prishi lumturinë e viteve që kaluam bashkë në atë karrocë, ndonëse ishte e qartë se ajo kishte kufizime. Kur bënte ftohtë, çarçafët shpesh ngrinin e ngjiteshin te muret e karrocës dhe lagështia ishte një problem i vazhdueshëm. Edhe uji duhej marrë në vend tjetër, ndonjëherë mjaft larg, por i kapërcyem së bashku këto vështirësi.

Një dimër, unë isha sëmurë dhe kishim pak ushqim e nuk na kishin mbetur më para. Zanoahu u ul në anë të krevatit, më mori dorën dhe më lexoi Psalmin 37:25, ku thuhet: «Kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.» Duke më vështruar, më tha: «Nëse nuk ndodh ndonjë gjë së shpejti, do të jemi të detyruar të lypim dhe nuk arrij ta mendoj dot që Perëndia të lejojë të ndodhë kjo.» Pastaj, doli për t’u dhënë dëshmi fqinjëve tanë.

Në drekë, kur Zanoahu u kthye që të më bënte diçka për të pirë, gjeti një zarf. Në të kishte 50 sterlina që ia dërgonte i ati. Disa vite më parë, Zanoahun e kishin akuzuar në mënyrë të padrejtë për përvetësim të paligjshëm, por pafajësia e tij sapo ishte provuar. Kjo dhuratë ishte një dëmshpërblim. Tamam në kohën e duhur!

Një mësim i dobishëm

Nganjëherë, marrim mësime pasi të kenë kaluar disa vite. Për ta ilustruar: para se të mbaroja shkollën në vitin 1927, u kisha dhënë dëshmi të gjithë shokëve të klasës dhe mësuesve të mi, përveç një mësueseje, Lavinia Farklout. Meqenëse askujt nuk i interesonte se çfarë mendoja të bëja unë me jetën time dhe meqë me zonjushën Farklou nuk është se shkoja mirë, vendosa të mos i flitja asaj. Përfytyroni habinë dhe kënaqësinë time kur, rreth 20 vjet më vonë, mamaja më tha se kjo mësuese ishte kthyer për të vizituar të gjithë miqtë e saj të vjetër dhe ish-nxënësit, për t’u thënë se tani ishte një Dëshmitare e Jehovait!

Kur u takuam, i shpjegova përse nuk i kisha folur më parë për besimin tim dhe për karrierën që kisha planifikuar. Ajo më dëgjoi me qetësi dhe pastaj më tha: «Gjithnjë kisha qenë në kërkim të së vërtetës. Ishte ajo që po kërkoja në jetë!» Kjo përvojë ishte një mësim i dobishëm për mua, që të mos përmbahem kurrë, por t’u jap dëshmi të gjithëve atyre që takoj dhe të mos paragjykoj kurrë asnjë.

Një luftë tjetër dhe ngjarjet e mëvonshme

Në fund të viteve 30, retë e luftës filluan të mblidheshin përsëri. Denisi, vëllai që ishte dhjetë vjet më i vogël se unë, u përjashtua nga shërbimi ushtarak, me kusht që të qëndronte në punën që kishte. Ai nuk kishte treguar kurrë shumë interes për të vërtetën, kështu që im shoq dhe unë u kërkuam pionierëve vendas Rupert Bradbërit dhe vëllait të tij, Davidit, nëse mund ta vizitonin. Ata i bënë vizitë dhe studiuan Biblën me të. Denisi u pagëzua në vitin 1942, më vonë hyri në shërbimin si pionier dhe në vitin 1957 u caktua mbikëqyrës udhëtues.

Vajza jonë, Elizabeta lindi në vitin 1938 dhe, për të plotësuar nevojat e familjes, Zanoahu e zgjeroi karrocën tonë. Kur na lindi vajza e dytë, Eunika, në vitin 1942, na u duk e mençur të kërkonim një shtëpi më të qëndrueshme. Për këtë arsye, Zanoahu e ndërpreu shërbimin si pionier për pak vjet dhe u transferuam në një shtëpi të vogël, afër Reksamit. Më vonë, u vendosëm në Midëluiç, në provincën fqinje të Çeshirit. Atje, burri im i dashur vdiq në vitin 1956.

Dy vajzat tona u bënë ungjillëzuese në kohë të plotë dhe që të dyja janë të martuara e të lumtura. Eunika dhe i shoqi, një plak kongregacioni, shërbejnë ende si pionierë specialë në Londër. Edhe i shoqi i Elizabetës është plak kongregacioni dhe, për mua, është një gëzim që ata, fëmijët e tyre dhe katër stërnipërit e mi të jetojnë afër meje në Preston, Lankashir.

Jam mirënjohëse që arrij të eci nga dera e apartamentit tim deri në Sallën e Mbretërisë, e cila gjendet në anën tjetër të rrugës. Vitet e fundit kam shkuar në grupin e gjuhës gujarati, që mblidhet po në këtë sallë. Të mësoj gjuhën nuk ka qenë e lehtë, sepse tani jam paksa e shurdhër. Disa herë është e vështirë të kap nuancat e shumta të tonit, siç mund të bëjnë të rinjtë. Por është një sfidë interesante.

Arrij ende të predikoj nga dera në derë dhe të drejtoj studime biblike në shtëpinë time. Kur më vijnë miq për vizitë, gjithnjë kam kënaqësi të tregoj disa nga përvojat e mia të hershme. Jam shumë mirënjohëse për kujtimet e mia të çmuara lidhur me bekimet që kam marrë duke u shoqëruar me popullin e Jehovait për afro 90 vjet.

[Shënimet]

^ par. 13 «Në hap me organizatën besnike», jetëshkrimi i Prajs Hjuxhsit, doli në Kullën e Rojës të 1 prillit 1963, anglisht.

^ par. 14 Jetëshkrimet e këtyre shërbëtorëve besnikë të Jehovait kanë dalë në numra të mëparshëm të Kullës së Rojës.

^ par. 14 Jetëshkrimet e këtyre shërbëtorëve besnikë të Jehovait kanë dalë në numra të mëparshëm të Kullës së Rojës.

^ par. 14 Jetëshkrimet e këtyre shërbëtorëve besnikë të Jehovait kanë dalë në numra të mëparshëm të Kullës së Rojës.

^ par. 14 Jetëshkrimet e këtyre shërbëtorëve besnikë të Jehovait kanë dalë në numra të mëparshëm të Kullës së Rojës.

^ par. 14 Jetëshkrimet e këtyre shërbëtorëve besnikë të Jehovait kanë dalë në numra të mëparshëm të Kullës së Rojës.

[Figura në faqen 25]

Ftesë ku njoftohej fjalimi biblik «Miliona që jetojnë tani, nuk do të vdesin kurrë», të cilin e dëgjova më 14 maj 1922

[Figura në faqen 26]

Me Zanoahun, pak pas martesës sonë në vitin 1933

[Figura në faqen 26]

Në këmbë pranë «Elizabetës», karrocës që ndërtoi im shoq