Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Perëndia i ka tharë lotët e saj

Perëndia i ka tharë lotët e saj

Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë

Perëndia i ka tharë lotët e saj

NJERËZIT që e vënë jetën në harmoni me ligjet dhe parimet e Jehovait bekohen pa masë. Ndonëse nuk është gjithnjë e lehtë të bëhen ndryshimet e nevojshme, ndihma dhe nxitja nuk janë të vështira për t’u gjetur. (Psalmi 84:11) Përvoja vijuese nga Azia Juglindore e ilustron këtë.

Kur ishte me pushime, një Dëshmitare nga Franca foli rreth qëllimit të Jehovait për tokën me një pronare dyqani që quhej Kim *. Ajo i la Kimit edhe një kopje të librit Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë. Duke shfletuar librin, Kimit i zunë sytë fjalët «ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre». (Zbulesa 21:4) «Ky varg më preku me të vërtetë,—kujton Kimi.—Ngaqë më shihnin duke buzëqeshur e duke bërë muhabet gjithë ditën në dyqanin tim, kush mund ta dinte se, kur shkoja në shtëpi në mbrëmje, qaja derisa më zinte gjumi?» Duke treguar burimin e brengës së saj, ajo thotë: «Kisha 18 vjet që jetoja me një burrë dhe isha shumë e palumtur, sepse ai nuk donte të martohej me mua. Doja t’i jepja fund kësaj mënyre të jetuari, por ngaqë kisha jetuar me të kaq gjatë, nuk kisha guximin.»

Pak kohë më vonë, Kimi pranoi një studim biblik me një Dëshmitare të Jehovait me emrin Lin. «Isha e zellshme për të vënë në zbatim mësimet e Biblës,—thotë Kimi.—Për shembull, i dhashë fund adhurimit të të parëve, edhe pse kjo më solli kundërshtim nga familja. Për më tepër, u përpoqa ta regjistroja zyrtarisht bashkëjetesën tonë, por shoku im nuk donte. Gjatë kësaj periudhe të vështirë, Dëshmitarja nga Franca vazhdonte të më dërgonte botime biblike dhe Lini më jepte shumë zemër. Durimi dhe përkrahja e dashur e këtyre motrave më ndihmuan të ngulmoja derisa arrita ta kuptoja kush ishte në të vërtetë shoku im. Zbulova se tashmë kishte 5 ‘gra’ të tjera dhe 25 fëmijë! Kjo më dha guximin që të largohesha prej tij.

Të lija një shtëpi të madhe e të rehatshme për të shkuar në një apartament të vogël nuk ishte e lehtë. Për më tepër, ish-shoku im më bënte presion që të kthehesha përsëri të jetoja me të, duke më kërcënuar se do të më shfytyronte me acid, nëse nuk pranoja. Me ndihmën e Jehovait, arrita të bëja atë që ishte e drejtë.» Kimi vazhdoi të bënte përparim dhe më në fund u pagëzua në prill të vitit 1998. Gjithashtu, dy nga motrat e saj, si edhe i biri adoleshent, filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait.

«Mendoja se jeta ime do të ishte gjithnjë e pashpresë,—thotë Kimi.—Por sot jam e lumtur dhe nuk qaj më natën. Jehovai tashmë i ka tharë lotët nga sytë e mi.»

[Shënimi]

^ par. 4 Emrat janë ndryshuar.