Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kini një besim si ai i Abrahamit!

Kini një besim si ai i Abrahamit!

Kini një besim si ai i Abrahamit!

«Ata që i përmbahen besimit, ata janë bij të Abrahamit.»—GALATASVE 3:7.

1. Si e përballoi Abrami një sprovë të re në Kanaan?

ABRAMI kishte lënë prapa një jetë të rehatshme në Ur, duke iu bindur urdhrit të Jehovait. Telashet që hasi në vitet që pasuan, ishin vetëm një hyrje që i paraprinte sprovës së besimit që hasi në Egjipt. Tregimi i Biblës thotë: «Në vend pati zi buke.» Sa e lehtë do të kishte qenë që Abrami të ndihej i zemëruar për gjendjen e tij! Por, në vend të kësaj, ai ndërmori hapa praktikë për t’u kujdesur për familjen e tij. «Abrami zbriti në Egjipt për të banuar, sepse në vendin e tij ishte zi e madhe buke.» Vështirë që familja e madhe e Abramit të kalonte pa u vënë re në Egjipt. A do t’i mbante Jehovai premtimet e tij dhe ta mbronte Abramin nga dëmet?—Zanafilla 12:10; Eksodi (Dalja) 16:2, 3.

2, 3. (a) Përse Abrami e fshehu identitetin e vërtetë të së shoqes? (b) Ndërkohë që përballonte këtë gjendje, si e trajtoi Abrami të shoqen?

2 Te Zanafilla 12:11-13 lexojmë: «Ndodhi që kur po hynin në Egjypt ai i tha Sarajt, gruas së tij: ‘Ja, unë e di që ti je një grua e pashme; dhe kështu kur egjiptasit do të të shohin, kanë për të thënë: «Kjo është gruaja e tij»; do të më vrasin mua, por do të lënë të gjallë ty. Të lutem, thuaj që je motra ime, me qëllim që mua të më trajtojnë mirë për shkakun tënd, dhe jeta ime të shpëtojë për hirin tënd.’» Edhe pse i kishte kaluar të 65-at, Saraja ishte ende jashtëzakonisht e bukur. Kjo gjë ia vinte në rrezik jetën Abramit. * (Zanafilla 12:4, 5; 17:17) Ç’është më e rëndësishmja, ishin në rrezik interesat e Jehovait, pasi ai kishte thënë që nëpërmjet farës së Abramit do të bekoheshin të gjitha kombet e tokës. (Zanafilla 12:2, 3, 7) Meqë Abrami ishte ende pa fëmijë, ishte e domosdoshme që ai të mbetej gjallë.

3 Abrami foli me të shoqen që të përdornin një taktikë, për të cilën ishin marrë vesh më parë, domethënë, të thoshin se ajo ishte motra e tij. Vini re se, megjithëse kishte autoritet si patriark, ai nuk abuzoi me pozitën e tij, por kërkoi bashkëpunimin dhe përkrahjen e saj. (Zanafilla 12:11-13; 20:13) Në këtë fushë, Abrami la një shembull të shkëlqyer për bashkëshortët, që ta ushtrojnë me dashuri kryesinë, kurse Saraja, duke treguar nënshtrimin e saj, është një shembull për gratë sot.—Efesianëve 5:23-28; Kolosianëve 4:6.

4. Si duhet të sillen sot shërbëtorët besimplotë të Perëndisë kur jeta e vëllezërve të tyre është në rrezik?

4 Saraja mund ta thoshte se ishte motra e Abramit, sepse në të vërtetë ishte motra e tij nga babai. (Zanafilla 20:12) Për më tepër, ai nuk ishte i detyruar t’u jepte të dhëna njerëzve që nuk ishin të autorizuar t’i kishin ato. (Mateu 7:6) Shërbëtorët besimplotë të Perëndisë në kohët tona ia vënë veshin urdhrit biblik për të qenë të ndershëm. (Hebrenjve 13:18) Për shembull, nuk do të gënjenin kurrë, nëse do të ishin nën betim në një gjyq. Por, kur jeta fizike ose frymore e vëllezërve të tyre është në rrezik, siç mund të ndodhë në kohë përndjekjeje ose trazirash civile, ia vënë veshin këshillës së Jezuit për të qenë «të kujdesshëm si gjarpërinjtë e megjithatë të pafaj si pëllumbat».—Mateu 10:16; shih Kullën e Rojës të 1 nëntorit 1996, në faqen 18, paragrafi 19.

5. Përse Saraja ishte e gatshme t’i bindej kërkesës së Abramit?

5 Si iu përgjigj Saraja kërkesës së Abramit? Gratë si ajo apostulli Pjetër i përshkruan si gra ‘që shpresojnë te Perëndia’. Pra, Saraja mund t’i kuptonte çështjet frymore që ishin përfshirë. Përveç kësaj, ajo e donte dhe e nderonte të shoqin. Prandaj, zgjodhi ‘t’i nënshtrohej burrit të saj’ dhe të mos e zbulonte gjendjen e saj si e martuar. (1 Pjetrit 3:5) Patjetër, kjo gjë e vuri Sarajën përballë rreziqeve. «Kur Abrami arriti në Egjipt, egjiptasit panë që gruaja ishte shumë e bukur. E panë edhe oficerët e faraonit dhe e lavdëruan para faraonit; dhe gruan e çuan në shtëpinë e faraonit.»—Zanafilla 12:14, 15.

Çlirim nga Jehovai

6, 7. Në cilën rrethanë dëshpëruese u gjendën Abrami dhe Saraja, por, si e çliroi Jehovai Sarajën?

6 Sa dëshpëruese duhet të ketë qenë kjo për Abramin dhe Sarajën! U duk sikur Sarajën e priste dhunimi. Për më tepër, faraoni, i cili nuk ishte në dijeni të gjendjes së vërtetë të Sarajës si e martuar, e mbushi Abramin me dhurata, kështu që «i dhanë dele, buaj, gomarë, shërbyes, shërbyese, gomarica dhe deve». * (Zanafilla 12:16) Sa përbuzje duhet të ketë ndier Abrami për këto dhurata! Sado që gjërat dukeshin se po shkonin shumë keq, Jehovai nuk e kishte braktisur Abramin.

7 «Por Zoti e goditi faraonin dhe shtëpinë e tij me fatkeqësira të mëdha për shkak të Sarajt, gruas së Abramit.» (Zanafilla 12:17) Në ndonjë mënyrë, që nuk na është shpjeguar, faraonit iu zbulua shkaku i vërtetë i këtyre ‘fatkeqësive’. Ai reagoi menjëherë: «Atëherë faraoni thirri Abramin dhe i tha: ‘Ç’më bëre? Pse nuk më the që ajo ishte gruaja jote? Pse më the: “Është motra ime”? Kësisoj unë e mora sikur të ishte gruaja ime. Ja, pra, ku është gruaja jote; merre me vete dhe nisu!’ Pastaj faraoni u dha urdhër njerëzve të tij lidhur me Abramin dhe këta e nisën atë, gruan e tij dhe gjithçka kishte.»—Zanafilla 12:18-20; Psalmi 105:14, 15.

8. Cilën lloj mbrojtjeje u premton Jehovai të krishterëve sot?

8 Sot, Jehovai nuk na siguron mbrojtje nga pasojat shkretuese të vdekjes, të krimit, të zisë së bukës ose të katastrofave natyrore. Na premtohet se Jehovai do të na vërë gjithnjë në dispozicion mbrojtje nga gjërat që mund të vënë në rrezik gjendjen tonë frymore. (Psalmi 91:1-4) Këtë e bën kryesisht duke na dhënë paralajmërime në kohën e duhur me anë të Fjalës së tij dhe të ‘skllavit të besueshëm e të matur’. (Mateu 24:45) Ç’të themi për kërcënimin e vdekjes për shkak të përndjekjes? Ndonëse mund të lejojë që individë të vdesin, Perëndia nuk do të lejojë kurrë shfarosjen e popullit të tij si një i tërë. (Psalmi 116:15) Dhe, nëse vdekja merr disa persona besnikë, mund të jemi të sigurt se ata do të ringjallen.—Gjoni 5:28, 29.

Sakrifica për të ruajtur paqen

9. Nga tregohet se Abrami ishte gjithnjë në lëvizje, kur ishte në Kanaan?

9 Kur zia e bukës në Kanaan, nga sa duket, kishte mbaruar, «Abrami, pra, u rikthye nga Egjipti në drejtim të Negevit [zonës gjysmë të thatë në jug të maleve të Judës] bashkë me gruan dhe gjithçka zotëronte. Dhe Loti ishte bashkë me të. Abrami ishte shumë i pasur me bagëti, argjend dhe ar». (Zanafilla 13:1, 2) Në këtë mënyrë, banorët vendës do ta shihnin si një njeri me pushtet dhe ndikim, një prijës të fuqishëm. (Zanafilla 23:6) Abrami nuk kishte asnjë dëshirë të vendosej me banim aty dhe të përfshihej në politikën e kananejve. Në vend të kësaj, «nga Negevi ai vazhdoi udhëtimin e tij deri në Bethel, në vendin ku më parë ndodhej çadra e tij, midis Bethelit dhe Ait». Si gjithmonë, Abrami i jepte përparësi adhurimit të Jehovait kudo që shkonte.—Zanafilla 13:3, 4.

10. Cili problem lindi ndërmjet barinjve të Abramit dhe atyre të Lotit e përse ishte e rëndësishme që të zgjidhej shpejt?

10 «Loti, që udhëtonte bashkë me Abramin, kishte kope bagëtish dhe çadra. Dhe vendi nuk ishte në gjendje t’i mbante, po të banonin bashkë, sepse pasuritë e tyre ishin aq të mëdha sa nuk mund të qëndronin bashkë. Lindi kështu një mosmarrëveshje midis barinjve të bagëtisë së Abramit dhe barinjve të bagëtisë së Lotit. Në atë kohë banonin në këtë vend Kananejtë dhe Perezejtë.» (Zanafilla 13:5-7) Toka nuk siguronte mjaft ujë dhe kullota për të ushqyer si kopenë e Abramit, ashtu edhe atë të Lotit. Kështu, ndërmjet barinjve u krijuan tensione dhe mëri. Këto grindje nuk u kishin hije adhuruesve të Perëndisë së vërtetë. Nëse ato do të vazhdonin, mund të krijohej një hendek i përhershëm. Prandaj, si do të dilte Abrami nga kjo gjendje? Kur Lotit i kishte vdekur i ati, Abrami e kishte adoptuar, ndoshta duke e rritur si fëmijën e tij. Duke qenë më i madhi ndër të dy, a nuk kishte të drejtë Abrami të merrte më të mirën për vete?

11, 12. Cilën ftesë bujare i bëri Abrami Lotit dhe përse zgjedhja e Lotit nuk ishte e mençur?

11 Por, «Abrami i tha Lotit: ‘Nuk duhet të ketë mosmarrëveshje midis teje dhe meje, as midis barinjve të mi dhe barinjve të tu, sepse jemi vëllezër. A nuk është vallë tërë vendi para teje? Ndahu nga unë! Në rast se ti shkon majtas, unë kam për të vajtur djathtas; dhe në qoftë se ti shkon djathtas, unë kam për të vajtur majtas.’» Afër Bethelit gjendet një pikë që është quajtur «njëra nga pikat e vrojtimit më të mira të Palestinës». Ndoshta që prej aty, «Loti ngriti sytë dhe pa tërë fushën e Jordanit. Para se Zoti të kishte shkatërruar Sodomën dhe Gomorrën, ajo ishte e tëra e ujitur deri në Coar, si kopshti i Zotit, si vendi i Egjiptit».—Zanafilla 13:8-10.

12 Edhe pse Bibla e përshkruan Lotin si ‘të drejtë’, për ndonjë arsye ai nuk e respektoi Abramin në këtë çështje, as duket se kërkoi këshilla nga ky person më i moshuar. (2 Pjetrit 2:7) «Loti zgjodhi për vete tërë fushën e Jordanit dhe filloi t’i zhvendosë drejt lindjes çadrat e veta: Kështu u ndanë nga njëri-tjetri. Abrami banoi në vendin e Kanaanit dhe Loti në qytetet e fushës, duke arritur të ngrejë çadrat e tij deri në Sodomë.» (Zanafilla 13:11, 12) Sodoma ishte e begatë dhe të vinte përpara shumë dobi materiale. (Ezekieli 16:49, 50) Ndonëse zgjedhja e Lotit mund të jetë dukur e mençur nga pikëpamja materiale, ishte një zgjedhje e dobët nga pikëpamja frymore. Përse? Sepse te Zanafilla 13:13 thuhet që «njerëzit e Sodomës ishin shumë të korruptuar dhe mëkatarë ndaj Zotit». Vendimi i Lotit për t’u transferuar atje, në fund, do t’i shkaktonte shumë hidhërim familjes së tij.

13. Në ç’mënyrë shembulli i Abramit është i dobishëm për të krishterët që mund të kenë ndonjë mosmarrëveshje për çështje financiare?

13 Gjithsesi, Abrami tregoi besim në premtimin e Jehovait se fara e tij me kalimin e kohës do të zotëronte tërë vendin, kështu që nuk debatoi për një pjesë të vogël të saj. Me bujari, ai veproi në harmoni me parimin që më vonë thuhet te 1 Korintasve 10:24: «Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit.» Ky është një përkujtues i mirë për ata që ndoshta mund të kenë mosmarrëveshje për çështje financiare me një bashkëbesimtar. Në vend që të ndiqnin këshillën e Mateut 18:15-17, disa i kanë çuar vëllezërit e tyre nëpër gjyqe. (1 Korintasve 6:1, 7) Shembulli i Abramit tregon se është më mirë të pësojmë humbje nga ana financiare, sesa t’i sjellim sharje emrit të Jehovait ose të dëmtojmë paqen e kongregacionit të krishterë.—Jakovit 3:18.

14. Si do të bekohej Abrami për bujarinë e tij?

14 Abrami do të bekohej për bujarinë që tregoi. Perëndia shpalli: «Do t’i bëj pasardhësit e tu si pluhurin e tokës; prandaj në se dikush mund të llogarisë pluhurin e tokës, do të mund të llogarisë edhe pasardhësit e tu.» Sa duhet t’i ketë dhënë zemër ky zbulim Abramit që ishte pa fëmijë! Më pas, Perëndia e urdhëroi: «Çohu në këmbë, bjeri rreth e qark vendit, sepse unë do të ta jap ty.» (Zanafilla 13:16, 17) Jo, Abrami nuk do të lejohej të rehatohej në ndonjë qytet. Ai duhej të qëndronte i ndarë nga kananejtë. Në mënyrë të ngjashme, të krishterët sot duhet të qëndrojnë të ndarë nga bota. Ata nuk e mbajnë veten si më të lartë se të tjerët, por nuk krijojnë shoqëri të ngushtë me persona që mund t’i joshin për t’u përfshirë në sjellje jobiblike.—1 Pjetrit 4:3, 4.

15. (a) Çfarë domethënieje mund të kenë pasur udhëtimet e Abramit? (b) Çfarë shembulli la Abrami për familjet e krishtere sot?

15 Në kohët biblike, para se një person të merrte në zotërim një vend, kishte të drejtën ta inspektonte më parë. Kështu, fakti që ishin gjithnjë në udhëtim mund të ketë shërbyer si përkujtues i vazhdueshëm se një ditë ky vend do t’u përkiste pasardhësve të Abramit. Duke treguar bindje, «[Abrami vazhdoi të jetonte në tenda. Më vonë, BR] vajti të banojë në liset e Mamres, që ndodhen në Hebron; dhe aty ndërtoi një altar kushtuar Zotit». (Zanafilla 13:18) Edhe një herë, Abrami tregoi se sa shumë përparësi i jepte adhurimit. A i jepet një përparësi e madhe në familjen tuaj studimit familjar, lutjes si familje dhe pranisë në mbledhje?

Armiku sulmon

16. (a) Përse fjalët e para të Zanafillës 14:1 mbartin një ton paralajmërues? (b) Cila ishte arsyeja e mësymjes së katër mbretërve të lindjes?

16 «Por ndodhi në kohën e Amrafelit, mbret i Shinarit, e Ariokut, mbret i Elasarit, e Kedorlaomerit, mbret i Elamit * dhe i Tidealit, mbret i kombeve, që ata . . . bënë luftë.» Në hebraishten origjinale, fjalët e para («ndodhi në kohën e . . . ») mbartin një ton paralajmërues, duke treguar «një periudhë sprove që përfundon me një bekim». (Zanafilla 14:1, 2, shënimi, BR) Sprova filloi kur këta katër mbretër të lindjes me ushtritë e tyre pushtuan Kanaanin, duke shkretuar gjithandej. Synimi i tyre? Të shtypnin rebelimin e pesë qyteteve: Sodomës, Gomorrës, Admahut, Ceboimit dhe Belës. Pasi thyen çdo qëndresë të këtyre pesë qyteteve, ata «u grumbulluan në luginën e Sidimit (që është Deti i Kripur)». Loti dhe familja e tij jetonin aty afër.—Zanafilla 14:3-7.

17. Përse fakti që Loti u mor rob ishte një sprovë besimi për Abramin?

17 Mbretërit kananej u bënë qëndresë të ashpër pushtuesve, por pësuan një disfatë poshtëruese. «Kështu fituesit shtinë në dorë tërë pasuritë e Sodomës dhe të Gomorrës dhe tërë ushqimet e tyre, dhe ikën. Morën me vete edhe Lotin, djali i vëllait të Abramit, bashkë me pasurinë e tij, dhe ikën. Loti banonte në Sodomë.» Shumë shpejt, lajmi për këto ngjarje shkretuese arriti tek Abrami: «Njëri nga të ikurit erdhi dhe ia tha Abram Hebreut, që banonte në lisat e Mamres, Amoreosit, vëlla i Eshkollit dhe vëlla i Anerit, që kishin lidhur aleancë me Abramin. . . . Abrami mësoi se vëllai i tij ishte zënë rob.» (Zanafilla 14:8-14) Çfarë sprove për besimin e tij! A do t’i mbante mëri Abrami nipit të tij, ngaqë ky kishte marrë pjesën më të mirë të vendit? Kujtoni, gjithashtu, se këta pushtues vinin nga vendlindja e tij, Shinari. Të dilte kundër tyre, për Abramin do të nënkuptonte të prishte çdo mundësi për t’u kthyer ndonjëherë në vendin e tij. Veç kësaj, çfarë mund të bënte Abrami kundër një ushtrie, të cilën as forcat e bashkuara ushtarake kananeje nuk kishin qenë në gjendje ta mundnin?

18, 19. (a) Si arriti Abrami ta shpëtonte Lotin? (b) Kujt i shkoi merita për këtë fitore?

18 Përsëri, Abrami e tregoi se kishte besim të plotë te Jehovai. «Ai armatosi njerëzit e stërvitur, shërbyes të lindur në shtëpinë e tij, gjithsej treqind e tetëmbëdhjetë veta dhe i ndoqi mbretërit deri në Dan. Ai i ndau forcat e tij kundër tyre natën, dhe me shërbyesit e tij i sulmoi dhe i ndoqi deri në Hobah, që ndodhet në të majtë të Damaskut. Kështu ai rimori tërë pasurinë dhe solli me vete edhe Lotin, të vëllanë, dhe tërë pasurinë e tij, si edhe gratë dhe popullin.» (Zanafilla 14:14-16) Duke shfaqur besim të fortë te Jehovai, Abrami i udhëhoqi drejt fitores trupat e tij ushtarake shumë më të vogla në numër, duke shpëtuar Lotin dhe familjen e tij. Më pas Abrami takoi Melkisedekun, mbretin-prift të Salemit. «Melkisedeku, mbret i Salemit, i shpuri bukë dhe verë. Ai ishte prift i Shumë të Lartit Perëndi. Dhe bekoi Abramin, duke thënë: ‘Qoftë i bekuar Abrami nga Shumë i Larti Perëndi, sundimtar i qiejve dhe i tokës! Qoftë i bekuar Shumë i Larti Perëndi, që të ka dhënë në dorë armiqtë e tu!’ Dhe Abrami i dha një të dhjetën e çdo gjëje.»—Zanafilla 14:18-20.

19 Po, fitorja i përkiste Jehovait. Për shkak të besimit të tij, edhe një herë Abrami provoi çlirimin nga Jehovai. Populli i Perëndisë sot nuk përfshihet në ndonjë luftë të mirëfilltë, por edhe ai has shumë sprova e sfida. Artikulli vijues do të tregojë se si mund të na ndihmojë shembulli i Abramit që t’i përballojmë me sukses ato.

[Shënimet]

^ par. 2 Sipas librit Mendjehollësi mbi Shkrimet (botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht), «një papirus i lashtë flet për një faraon, i cili ngarkoi njerëz të armatosur që të kapnin një grua tërheqëse dhe t’i vritnin të shoqin». Kështu, frika e Abramit nuk ishte e tepruar.

^ par. 6 Agara, e cila më vonë u bë konkubina e Abramit, mund të ketë qenë ndër shërbëtoret që iu dhanë Abramit në këtë kohë.—Zanafilla 16:1.

^ par. 16 Më parë, kritikët pohonin se Elami nuk kishte pasur kurrë një ndikim të tillë në Shinar dhe se tregimi për sulmin e Kedorlaomerit ishte një trillim. Për një trajtim të dëshmive arkeologjike që mbështetin tregimin e Biblës, shih Kullën e Rojës të 1 korrikut 1989, faqet 4-7, anglisht.

A e keni vënë re?

• Në ç’mënyrë zia e bukës në vendin e Kanaanit doli një sprovë besimi për Abramin?

• Si lanë Abrami dhe Saraja një shembull të mirë për burrat e gratë sot?

• Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga mënyra se si e zgjidhi Abrami debatin ndërmjet shërbëtorëve të tij dhe atyre të Lotit?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 22]

Abrami nuk pretendoi të drejtat e veta, por i vuri interesat e Lotit para të tijave

[Figura në faqen 24]

Abrami tregoi se mbështetej te Jehovai, kur shpëtoi nipin e vet, Lotin