Drita frymore ndriçon në Lindjen e Mesme
Jetëshkrim
Drita frymore ndriçon në Lindjen e Mesme
TREGUAR NGA NEGIB SALEMI
Në shekullin e parë të erës sonë, drita e Fjalës së Perëndisë ndriçoi që nga Lindja e Mesme dhe arriti deri në skajet më të largëta të tokës. Gjatë shekullit të 20-të, ajo dritë u rikthye për ta ndriçuar përsëri atë pjesë të tokës. Më lejoni t’ju tregoj se si ndodhi kjo.
KAM lindur në vitin 1913 në qytetin Amijun, në Libanin Verior. Ai ishte viti i fundit që në botë pati stabilitet dhe qetësi relative, pasi Lufta I Botërore shpërtheu një vit më pas. Në mbarim të luftës, në vitin 1918, Libani, që atëherë njihej si perla e Lindjes së Mesme, ishte shumë i këputur nga ana ekonomike dhe politike.
Në vitin 1920, kur në Liban filluan të punonin përsëri shërbimet postare, nisëm të merrnim letra nga libanezë që jetonin jashtë shtetit. Mes tyre ishin edhe dajat e mi, Abdulla dhe Georg Gantusi. Ata i shkruan babait të tyre, Habib Gantusit, gjyshit tim, duke i folur për Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 24:14) Vetëm fakti se u tregoi miqve të tij në qytet përmbajtjen e letrave që i dërguan të bijtë, solli tallje mbi gjyshin tim. Banorët e qytetit përhapën thashethemen se gjoja të bijtë po e nxitnin Habibin që ta shiste tokën, të blinte një gomar e të shkonte të predikonte.
Përhapja e hershme e dritës
Vitin që pasoi, në vitin 1921, Mishel Abudi, i cili kishte qenë me banim në Bruklin, Nju-Jork, SHBA, u kthye në Tripoli, Liban. Ai ishte bërë një Student i Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Ndonëse shumica e miqve dhe e të afërmve të vëlla Abudit nuk iu përgjigjën mesazhit të Biblës, dy persona të mirënjohur
u përgjigjën pozitivisht: një profesor, Ibrahim Atijehu, dhe një dentist, Hana Shamasi. Madje, doktor Shamasi vuri në dispozicion shtëpinë dhe klinikën e tij për mbledhjet e krishtere.Isha ende një djalosh kur vëlla Abudi dhe vëlla Shamasi bënë vizitë në Amijun, ku banoja. Vizita e tyre më preku thellë dhe fillova ta shoqëroja vëlla Abudin në veprën e predikimit. Për 40 vjet, që të dy ishim shokë të rregullt shërbimi deri në vitin 1963, kur vdiq vëlla Abudi.
Ndërmjet viteve 1922 dhe 1925, drita e së vërtetës biblike u përhap gjerësisht në shumë fshatra të Libanit të Veriut. Rreth 20 deri në 30 veta mblidheshin për biseda biblike në shtëpi private, ashtu si shtëpia jonë në Amijun. Klerikët dërgonin fëmijë që të bënin zhurmë duke u rënë kanaçeve dhe duke bërtitur e ulëritur, që të na ndërpritnin mbledhjet, e kështu, disa herë mblidheshim në pyllin me pisha.
Kur isha i ri, nga zelli që kisha për shërbimin, si edhe për të ndjekur çdo mbledhje të krishterë, më vunë nofkën Timoteu. Drejtori i shkollës më urdhëroi të mos shkoja më në ato që i quajti «ato mbledhje». Kur nuk pranova ta bëja këtë, më përjashtuan nga shkolla.
Jap dëshmi në vendet biblike
Jo shumë kohë pas pagëzimit në vitin 1933, fillova shërbimin e pionierit, siç e quajnë shërbimin e plotkohor Dëshmitarët e Jehovait. Ndonëse në atë kohë ishim të paktë në numër, jo vetëm që predikuam në shumicën e fshatrave të pjesës veriore të Libanit, por arritëm deri në Bejrut dhe në rrethinat e tij, duke vazhduar edhe në jug të Libanit. Në ato vite të hershme, zakonisht udhëtonim në këmbë ose me gomar, siç bëri Jezu Krishti dhe ithtarët e tij në shekullin e parë.
Në vitin 1936, Jusef Rahali, një Dëshmitar libanez që kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara për shumë vjet, u kthye në Liban për të bërë një vizitë. Solli me vete altoparlantë dhe dy gramafonë. I montuam altoparlantët në një makinë të tipit Ford 1931 dhe i ramë kryq e tërthor Libanit e Sirisë, duke e çuar mesazhin e Mbretërisë në vende të largëta. Altoparlanti dëgjohej deri në 10 kilometra larg. Njerëzit ngjiteshin nëpër tarracat e shtëpive të tyre për të dëgjuar ata që i përshkruanin si zëra që vinin nga qielli. Ata që ishin nëpër ara, e linin punën dhe afroheshin për të dëgjuar.
Një nga udhëtimet e fundit që bëra me Jusef Rahalin ishte në Haleb, Siri, në dimrin e vitit 1937. Para se ai të kthehej në Shtetet e Bashkuara, shkuam edhe në Palestinë. Atje vizituam qytetet Hajfa dhe Jerusalem, si edhe disa fshatra në atë vend. Një nga personat që takuam ishte Ibrahim Shihadi, me të cilin isha njohur më parë nëpërmjet letrave. Ibrahimi kishte përparuar në njohurinë biblike deri në pikën që gjatë vizitës sonë filloi të merrte pjesë, së bashku me ne, në shërbimin nga shtëpia në shtëpi.—Veprat 20:20.
Mezi pritja edhe të takoja profesorin Khalil Kobrozi, një katolik të vendosur, i cili e kishte studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait nëpërmjet letrave. Si e kishte gjetur adresën e Dëshmitarëve në Liban? Po ja, në një dyqan në Hajfa, shitësi i kishte mbështjellë disa nga ushqimet e Khalilit me letër të shkëputur nga një botim i Dëshmitarëve të Jehovait. Ajo letër përmbante adresën tonë. Kaluam shumë këndshëm në vizitën që bëmë dhe më vonë, në vitin 1939, ai erdhi në Tripoli për t’u pagëzuar.
Në vitin 1937, në Tripoli erdhën Petros Lagakosi dhe gruaja e tij. Gjatë disa viteve që pasuan, ne të tre mbuluam pjesën më të madhe të territorit të Libanit dhe Sirisë, duke u çuar njerëzve në shtëpitë e tyre mesazhin e Mbretërisë. Në kohën kur vdiq vëlla Lagakosi, në vitin 1943, Dëshmitarët e kishin çuar dritën frymore në shumicën e qyteteve dhe fshatrave të Libanit, Sirisë dhe Palestinës. Nganjëherë, rreth 30 nga ne niseshim me makinë ose me autobus në orën 3.00 të mëngjesit, për të arritur zonat e largëta.
Në vitet 40, Ibrahim Atijehu e përkthente Kullën e Rojës në arabisht. Pastaj, unë bëja katër kopje të shkruara me dorë dhe ua dërgoja Dëshmitarëve në Palestinë, Siri dhe Egjipt. Në ato ditë, gjatë Luftës II Botërore, kundërshtimi ndaj predikimit tonë ishte i madh, por ia arritëm të mbanim lidhjet me të gjithë ata që e donin të vërtetën biblike në Lindjen e Mesme. Personalisht, vizatova harta të qyteteve e të fshatrave përreth dhe vumë si synim të arrinim deri atje me lajmin e mirë.
Në vitin 1944, kur Lufta II Botërore ishte ende në vazhdim, u martova me Evelinën, të bijën e shokut tim pionier, Mishel Abudit. Me kalimin e kohës patëm tre fëmijë, një vajzë dhe dy djem.
Punoj së bashku me misionarët
Jo shumë kohë pas mbarimit të luftës, në Liban erdhën të diplomuarit e parë nga Shkolla e Galaadit për misionarë. Si pasojë, u formua kongregacioni i parë në Liban dhe mua më caktuan shërbëtorin e kompanisë. Pastaj, në vitin 1947, Libanin e vizituan Nejthën H. Nori bashkë me sekretarin e tij, Milton G. Henshelin. U dhanë shumë zemër vëllezërve. Shumë shpejt erdhën edhe misionarë të tjerë, të cilët ishin një ndihmë e madhe për të organizuar shërbimin dhe për të drejtuar mbledhjet e kongregacionit.
Në një nga udhëtimet që bëmë në një zonë të largët të Sirisë, hasëm kundërshtim nga një peshkop vendës. Ai na akuzoi se shpërndanim ato që i quajti botime sioniste. Në mënyrë ironike, para vitit 1948, klerikët shpesh na etiketonin «komunistë». Në këtë rast, na arrestuan dhe na morën në pyetje për dy orë, gjatë të cilave dhamë një dëshmi të shkëlqyer.
Në fund, gjykatësi që dëgjoi çështjen gjyqësore, tha: «Ndonëse e mallkoj mjekrën [një shprehje e figurshme që kishte të bënte me peshkopin] që ka bërë akuza kundër jush, më duhet ta falënderoj që më ka dhënë këtë mundësi të takohem me ju dhe të di diçka për mësimet tuaja.» Pastaj, na kërkoi falje për telashet që na ishin krijuar.
Dhjetë vjet më vonë, duke udhëtuar për në Bejrut me autobus, fillova të flitja me një njeri në ndenjësen pranë meje, me një agronom. Pasi i dëgjoi për disa minuta bindjet tona, tha se kishte dëgjuar një bisedë të ngjashme nga një miku i tij në Siri. Kush ishte ky mik? Gjykatësi që kishte dëgjuar çështjen tonë gjyqësore dhjetë vjet më parë!
Gjatë viteve 50, vizitova Dëshmitarët në Irak dhe shkova me ta në predikimin nga shtëpia në shtëpi. Bëra shumë udhëtime edhe në Jordan e në Cisjordani. Në vitin 1951, isha njëri nga katër Dëshmitarët që shkuan në Bethlehem. Mbajtëm Darkën e Zotërisë atje. Më parë atë ditë, të gjithë ata që ishin të pranishëm për atë rast, kishin shkuar me autobus në lumin Jordan, ku 22 veta u pagëzuan në simbol të dedikimit të tyre ndaj Jehovait. Sa herë që hasnim kundërshtim në atë zonë, u thoshim: «Ne kemi ardhur t’ju themi se njëri nga bijtë e vendit tuaj do të bëhet Mbret mbi gjithë tokën! Përse jeni të inatosur? Duhet të jeni të gëzuar për këtë!»
Predikim mes vështirësive
Njerëzit në Lindjen e Mesme, në përgjithësi, janë zemërmirë, të përulur dhe mikpritës. Shumë veta e dëgjojnë me interes mesazhin e Mbretërisë së Perëndisë. Në të vërtetë, s’mund të ketë asgjë më freskuese sesa të marrësh vesh që së shpejti do të përmbushet ky premtim biblik: «Perëndia do të jetë me [popullin e tij]. Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.»—Zbulesa 21:3, 4.
Kam kuptuar se shumica e njerëzve që e kundërshtojnë veprën tonë, në të vërtetë, nuk e kuptojnë atë dhe mesazhin që çojmë ne. Kleri i të ashtuquajturit krishterim ka bërë shumë për të na keqparaqitur. Kështu, gjatë luftës civile që filloi në Liban në vitin 1975 e që zgjati më shumë se 15 vjet, Dëshmitarët hasën shumë vështirësi.
Një herë, po drejtoja një studim biblik me një familje që më parë kishin qenë pjesëtarë të zellshëm të kishës. Përparimi i tyre i mirë në njohurinë e të vërtetave biblike i acaroi klerikët. Si pasojë, një natë, një grup fetar vendës i nxiti pjesëtarët e vet të mësynin në dyqanin e familjes, ku dogjën mallra me vlerë të paktën prej 10.000 dollarësh. Po atë natë, erdhën dhe më rrëmbyen mua. Megjithatë, pata mundësi të arsyetoja me udhëheqësin e tyre, duke i shpjeguar se po të ishin vërtet të krishterë, nuk do të silleshin në mënyrë mizore. Me këto fjalë, ai urdhëroi që ta ndalonin makinën dhe më tha të zbritja.
Në një rast tjetër, më rrëmbyen katër milicë. Pas shumë kërcënimesh, udhëheqësi i tyre, i cili kishte thënë se do të më vriste, papritur ndryshoi mendje dhe më lanë të lirë. Dy nga këta burra tani janë në burg për vrasje dhe grabitje, kurse dy të tjerët janë ekzekutuar.
Mundësi të tjera për të dhënë dëshmi
Kam pasur shpesh mundësinë të udhëtoja me avion nga njëri vend në tjetrin. Një herë, gjatë një udhëtimi të tillë nga Bejruti për në Shtetet e Bashkuara, isha ulur afër Çarlz Malekut, i cili më parë kishte qenë ministër i jashtëm i Libanit. Ai më dëgjoi me vëmendje, duke vlerësuar çdo varg që i lexoja nga Bibla. Në fund, tha se kishte ndjekur një shkollë në Tripoli, ku mësuesi i tij kishte qenë Ibrahim Atijehu, njeriu të cilit vjehrri im i kishte dhënë të vërtetën biblike. Zoti Malek tha se Ibrahimi e kishte mësuar ta respektonte Biblën.
Gjatë një udhëtimi tjetër me avion, isha ulur afër një përfaqësuesi palestinez në Kombet e Bashkuara. Pata mundësinë t’i flitja për lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Më vonë, ai më prezantoi me familjen e vëllait të tij në Nju-Jork dhe u bëja shpesh vizita atje. Kisha edhe një të afërmin tim që punonte në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork. Vizita që i bëra në zyrë një ditë zgjati tri orë, gjatë të cilave pata mundësi t’i jepja dëshmi rreth Mbretërisë së Perëndisë.
Tani jam 88 vjeç dhe jam ende në gjendje të marr pjesë në mënyrë aktive në kujdesjen për përgjegjësitë në kongregacion. Ime shoqe, Evelina, i shërben ende Jehovait përkrah meje. Vajza jonë u martua me një Dëshmitar të Jehovait që ishte mbikëqyrës udhëtues, i cili tani shërben si plak në një kongregacion në Bejrut. Edhe vajza e tyre është Dëshmitare. Djali ynë i vogël dhe gruaja e tij janë Dëshmitarë e edhe vajza e tyre është në të vërtetën. Sa për djalin e madh, besimi i krishterë u ngulit në zemrën e tij dhe shpresoj që, me kalimin e kohës, edhe ai ta përqafojë këtë besim.
Në vitin 1933, më caktuan të shërbeja si pionier: i pari në Lindjen e Mesme. Nuk mund të kisha zgjedhur ndonjë mënyrë më të mirë jetese, sesa t’i shërbeja Jehovait si pionier për gjithë këto 68 vjet që kanë kaluar. Jam i vendosur të vazhdoj të eci në dritën frymore që siguron ai.
[Figura në faqen 23]
Negibi në vitin 1935
[Figura në faqen 24]
Me një makinë me altoparlant në malet e Libanit, viti 1940
[Figurat në faqen 25]
Sipër, sipas akrepave të orës, nga e majta lart: Negibi, Evelina, vajza e tyre, vëlla Abudi dhe djali i madh i Negibit, viti 1952
Poshtë (rreshti i parë): vëllezërit Shamas, Nor, Abud dhe Henshel në shtëpinë e Negibit, Tripoli, viti 1952
[Figura në faqen 26]
Negibi dhe e shoqja, Evelina