Kongreset—Vërtetime të gëzueshme të vëllazërisë sonë
Qëndroni të plotë dhe me bindje të patundur
Kongreset—Vërtetime të gëzueshme të vëllazërisë sonë
PESËDHJETËVJEÇARI Xhozef F. Radhërford, me shëndet të dobët pas gati një vit burgimi të padrejtë, shërbente i lumtur e plot energji, duke mbajtur valixhet dhe duke i shoqëruar të bashkëkrishterët nëpër dhomat e tyre të hotelit. Dy nga ish-shokët e tij të burgut, Studentë të Biblës edhe ata, i ndanin caktimet e dhomave një turme të madhe njerëzish që pritnin të strehoheshin. Kjo gjendje vazhdoi kështu, me gjallëri, deri vonë pas mesnate. Një frymë ngjitëse entuziazmi i kishte zënë të gjithë. Çfarë rasti ishte ky?
Ishte viti 1919 dhe Studentët e Biblës (të njohur sot si Dëshmitarët e Jehovait) po rimëkëmbeshin pas një periudhe me përndjekje të ashpër. Për të rigjallëruar radhët e tyre, mbajtën një kongres në Sidër-Point, Ohajo, SHBA, nga data 1 deri në datën 8 shtator 1919. Ditën e fundit të kongresit, një turmë e entuziazmuar prej 7.000 vetash dëgjuan me vëmendje, ndërsa vëlla Radhërfordi i nxiti kongresistët me fjalët: «Secili nga ju është një ambasador i Mbretit të mbretërve dhe i Zotërisë së zotërinjve, duke u shpallur njerëzve . . . mbretërinë e lavdishme të Zotërisë sonë.»
Në popullin e Jehovait, kongreset e kanë zanafillën që nga koha e Izraelit të lashtë. (Eksodi 23:14-17; Luka 2:41-43) Këto grumbullime ishin raste të gëzueshme dhe i ndihmonin të gjithë të pranishmit që ta mbanin mendjen te Fjala e Perëndisë. Në mënyrë të ngjashme, kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait në ditët e sotme përqendrohen në interesat frymore. Vëzhguesve të çiltër, këto grumbullime të gëzueshme u japin dëshmi të pamohueshme se Dëshmitarët janë të bashkuar me lidhje të forta të vëllazërisë së krishterë.
Përpjekje për të qenë të pranishëm
Të krishterët e sotëm e kuptojnë se kongreset e tyre janë periudha freskimi frymor dhe mësimi nga Fjala e Perëndisë. I shohin këto mbledhje të mëdha si mjete të domosdoshme që i ndihmojnë të ‘qëndrojnë të plotë dhe me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë’. (Kolosianëve 4:12) Prandaj, Dëshmitarët i mbështetin me gjithë zemër këto grumbullime, duke bërë shumë përpjekje për t’i ndjekur ato.
Për disa, edhe vetëm prania në këto kongrese kërkon të ushtrojnë besim dhe të kapërcejnë pengesa ngjashëm maleve. Për shembull, shqyrtoni rastin e një Dëshmitareje të moshuar në Austri. Edhe pse ishte me diabet dhe duhej të injektonte insulinë çdo ditë, ajo mori masa që të ndiqte të gjitha ditët e një kongresi krahinor në vendin e saj. Në Indi, një familje e madhe Dëshmitarësh që jetojnë në varfëri të thellë, e kishin pothuajse të pamundur të ndiqnin një kongres. Një nga familjarët siguroi ndihmë. «Duke mos dashur që ta humbitnim këtë rast,—tha ajo,—shita vathët e mi prej floriri që të siguroja paratë për udhëtimin. Kjo sakrificë ia vlejti, sepse shoqëria dhe përvojat na e forcuan besimin.»
Në Papua Guinenë e Re, një grup njerëzish të interesuar, të papagëzuar, ishin të vendosur të ndiqnin një kongres krahinor që mbahej në kryeqytet. Iu afruan një burri në fshat, i cili kishte një mjet transporti publik dhe e pyetën se sa para do t’u merrte për t’i çuar deri në kongres. Meqë nuk e arrinin dot sasinë e parave që kërkohej, ata e rregulluan që të punonin në shtëpinë e atij burri, duke i meremetuar kuzhinën. Në këtë mënyrë, patën mundësi të shkonin në kongresin krahinor dhe nxorën dobi duke ndjekur të gjithë programin.
Largësia nuk është një problem i pakapërcyeshëm për Dëshmitarët e Jehovait që janë të vendosur të jenë të pranishëm në kongrese. Në vitin 1978, për të ndjekur një kongres në Lil, Francë, një i ri delegat nga Polonia udhëtoi 1.200 kilometra me biçikletë për gjashtë ditë. Gjatë verës së vitit 1997, dy Dëshmitarë, burrë e grua, nga Mongolia bënë një udhëtim prej 1.200 kilometrash për të ndjekur një grumbullim të krishterë në Irkutsk, Rusi.
Vëllazëria e vërtetë në veprim
Uniteti dhe vëllazëria që shfaqin Dëshmitarët në kongreset e tyre është shumë e qartë për vëzhguesit me mendje të hapur. Shumë vetave u ka bërë përshtypje që ndër kongresistët nuk ka anshmëri dhe që përzemërsia e vërtetë ekziston edhe mes atyre që mund ta takojnë njëri-tjetrin për herë të parë.
Gjatë një kongresi ndërkombëtar të mbajtur kohët e fundit në Australi, një shoqërues që punoi për një javë me delegatët e kongresit, të cilët vinin nga vende të tjera, shprehu dëshirën të qëndronte me ta edhe pak, që të ishte në shoqërinë e tyre. I mahnitur nga dashuria dhe uniteti i tyre, ai nuk arrinte ta besonte që ata shkonin kaq mirë, pasi shumica e tyre nuk njiheshin me njëri-tjetrin. Kur erdhi koha që të largohej, ai kërkoi që t’i kushtonin pak vëmendje. Duke iu drejtuar si «vëllezër e motra», filloi t’i falënderonte, por nuk arriti të mbaronte, sepse u mallëngjye nga emocioni dhe filloi të qante.
Në vitin 1997, në Sri-Lankë u mbajt kongresi i parë krahinor trigjuhësh në një stadium të madh. I gjithë programi u paraqit njëkohësisht në gjuhët angleze, sinhaleze dhe tamile. Në një botë ku tensionet etnike sa vijnë e shtohen, ky grumbullim i tri grupeve gjuhësore nuk kaloi pa u vënë re. Një polic pyeti një vëlla: «Kush po e drejton këtë kongres, sinhalezët, tamilët apo anglezët?» «Asnjë grup nuk e drejton kongresin,—u përgjigj vëllai.—Po e bëjmë së bashku.» Polici shprehu mosbesim. Kur që të tria grupet gjuhësore u bashkuan në lutjen e fundit dhe një «Amin» i përbashkët kumboi në tërë stadiumin, kongresistët shpërthyen me duartrokitje të vetvetishme. Vështirë se gjeje sy pa lot në auditor. Po, kongreset janë tamam vërtetime të gëzueshme të vëllazërisë sonë.—Psalmi 133:1. *
[Shënimi]
^ par. 14 Shih faqet 66-77 dhe 254-282 të librit Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.