Një jetë me të papritura në shërbim të Jehovait
Jetëshkrim
Një jetë me të papritura në shërbim të Jehovait
TREGUAR NGA ERIK DHE HEJZËL BEVËRIXHI
«Prandaj, të dënoj me gjashtë muaj burg.» Me këto fjalë që më kumbonin në vesh, më çuan në burgun Streinxhuejs në Mançester, Angli. Ishte dhjetori i vitit 1950 dhe isha 19 vjeç. Sapo kisha përballuar një nga sprovat më të rënda të jetës sime rinore: nuk kisha pranuar të rekrutohesha në shërbimin ushtarak.—2 Korintasve 10:3-5.
ISHA një pionier, domethënë shërbëtor në kohë të plotë, Dëshmitar i Jehovait, dhe kjo duhej të kishte siguruar përjashtimin nga shërbimi ushtarak, por ligji britanik nuk e pranonte statusin tonë. Kështu, përfundova i vetëm në një qeli burgu. Mendja më shkoi te babai. Në njëfarë mënyre, unë gjendesha në burg për shkak të tij.
Që ta dini ju, babai, një gardian burgu, ishte një jorkshiras me bindje dhe parime të forta. Për shkak të përvojave që kishte pasur në ushtri dhe si gardian burgu, kishte antipati të thellë për katolicizmin. Ai i takoi Dëshmitarët për herë të parë në fillim të viteve 30, kur doli te dera me mendimin që t’i hiqte qafe dhe u kthye me disa libra në duar. Më vonë, u pajtua në revistën Ngushëllim (tani Zgjohuni!). Dëshmitarët vinin çdo vit për ta inkurajuar që ta ripërtërinte pajtimin. Kur isha rreth 15 vjeç, ata bënë një bisedë tjetër me babanë dhe unë hyra në bisedë, duke mbajtur anën e Dëshmitarëve. Në këtë kohë fillova të studioja Biblën.
Në moshën 17-vjeçare e simbolizova dedikimin tim ndaj Jehovait duke u pagëzuar, në mars të vitit 1949. Më vonë atë vit, takova Xhon dhe Majkëll Çarukun, të cilët sapo ishin diplomuar nga shkolla misionare e Galaadit dhe po shkonin në Nigeri. Më la mbresa të thella fryma e
tyre misionare. E kuptuan apo jo, ata e mbollën atë frymë në zemrën time.Ndërkohë që isha duke studiuar Biblën, e humba interesin për të ndjekur universitetin. Pasi kishte kaluar një vit që kur isha larguar nga shtëpia për të punuar në zyrën Customs and Excise në Londër, mendova se duke vazhduar në një punë shtetërore nuk mund ta përmbushja dedikimin tim ndaj Perëndisë. Kur e lashë punën në zyrë, një koleg zyre që kishte shumë kohë në atë punë më përgëzoi që lashë «një punë që të shkatërron shpirtin».
Përpara kësaj, m’u desh të përballoja një sprovë tjetër: si t’i thosha babait se doja ta lija punën e sigurt që kisha dhe të bëhesha shërbëtor në kohë të plotë. Një mbrëmje, kur isha në shtëpi me pushime, e hodha bombën. Pas kësaj, pritja që babai të shpërthente me fjalë zemërimi. Për habinë time, ai vetëm më tha: «Vetë e shtron krevatin, vetë do të flesh në të. Por, po të mos ia dalësh mbanë, mos eja me vrap tek unë.» Fjalët që kam shkruar në ditar për datën 1 janar 1950 janë: «I thashë babait se do të filloja si pionier. Më zuri krejt në befasi qëndrimi i tij i arsyeshëm e mirëdashës. Nuk i mbajta dot lotët nga dashamirësia që më tregoi.» Dhashë dorëheqjen nga puna shtetërore dhe pranova caktimin për të qenë pionier në kohë të plotë.
Një caktim me «shtëpizë»
Aty erdhi sprova tjetër e devocionit tim ndaj Perëndisë. Më ofruan një caktim ku do të qëndroja në një «shtëpizë» në Lankashir bashkë me Llojd Grifitsin, një të bashkëkrishterë nga Uellsi. Plot idealizëm dhe ëndrra për atë shtëpizë, mbërrita në Bejkëp, një qytet monoton dhe i mbytur nga shiu. Shumë shpejt, u ndesha me realitetin, pasi shtëpiza doli se ishte një bodrum. Natën, na bënin shoqëri minjtë dhe furrtaret. Isha gati të kthehesha e të ikja në shtëpi. Por, në vend të kësaj, me një lutje në heshtje kërkova forcë për ta përballuar këtë sprovë. Papritur, ndjeva se më pushtoi një paqe dhe fillova ta shihja gjendjen në mënyrë më objektive. Ky ishte caktimi që më kishte dhënë organizata e Jehovait. Do të mbështetesha tek Jehovai për ndihmë. Sa mirënjohës jam që e durova atë gjendje, sepse, nëse do të isha dorëzuar, kjo do të ma kishte ndryshuar përgjithnjë jetën!—Isaia 26:3, 4.
Predikova në Rosëndejl-Vallej që në atë kohë ishte e rrënuar ekonomikisht, për pothuajse nëntë muaj para se të më burgosnin sepse nuk kisha pranuar shërbimin ushtarak. Pasi kalova dy javë në burgun Streinxhuejs, më transferuan në burgun Ljuis, në bregun jugor të Anglisë. Së fundi, aty ishim pesë Dëshmitarë së bashku dhe patëm mundësi të mbanim në një qeli burgu Përkujtimin e vdekjes së Krishtit.
Babai erdhi një herë të më takonte. Kjo duhet ta ketë vënë provë krenarinë e tij: një gardian burgu shumë i njohur të vizitonte të birin e burgosur! Do të jem gjithnjë mirënjohës për atë veprim. Më në fund, dita e lirimit tim erdhi në prill të vitit 1951.
Pasi u lirova nga Ljuisi, mora trenin për në Kardif, në Uells, ku babai shërbente në atë kohë si kryegardiani i burgut. Isha më i madhi nga katër fëmijët: tre djem e një vajzë. Më duhej të gjeja një punë me orar të shkurtuar, që të mbështetja veten dhe të shërbeja ende si pionier. Shkova të punoja në një dyqan rrobash, por qëllimi im kryesor në jetë ishte shërbimi i krishterë. Rreth kësaj kohe, mamaja na braktisi. Kjo ishte një goditje e rëndë për babanë dhe për ne fëmijët, që ishim nga mosha 8 deri në 19 vjeç. Mjerisht, prindërit tanë u divorcuan.
Kush gjen një grua të mirë . . .
Në kongregacion kishte disa pionierë. Ndër ta ishte edhe një motër, që zbriste çdo ditë nga qyteti-minierë Ronda-Vallej për të punuar dhe për të predikuar. E quanin Hejzël Grin dhe ishte një pioniere e shkëlqyer. Hejzëli kishte më shumë vjet se unë që e njihte të vërtetën, pasi prindërit e saj ndiqnin mbledhjet e Studentëve të Biblës (tani të njohur si Dëshmitarët e Jehovait) që në vitet 20. Por, le ta lëmë ta tregojë vetë historinë e saj.
«S’e kisha marrë seriozisht Biblën deri në vitin 1944, kur lexova broshurën Feja korr
vorbullën. Mamaja më bindi që të shkonim në një asamble qarkore në Kardif. Pa pasur ndonjë njohuri për Biblën, përfundova në qendrën kryesore tregtare me një pllakat të varur në qafë, ku njoftohej një fjalim publik. Mbijetova nga ajo përvojë, ndonëse pata ngacmime nga klerikët dhe nga të tjerë. U pagëzova në vitin 1946 dhe fillova të shërbeja si pioniere në dhjetor të atij viti. Pastaj, në vitin 1951 në Kardif erdhi një pionier me moshë të re, i cili sapo kishte dalë nga burgu. Ishte Eriku.Dolëm bashkë në predikim. Shkonim mirë me njëri-tjetrin. Kishim të njëjtat synime në jetë—të çonim përpara interesat e Mbretërisë së Perëndisë. Kështu që u martuam në dhjetor të vitit 1952. Ndonëse ishim që të dy në shërbimin e plotkohor si pionierë dhe kishim të ardhura të kufizuara, nuk na munguan kurrë gjërat e domosdoshme. Nganjëherë merrnim dhuratë nga ndonjë Dëshmitare, të cilës i kishte rastisur të porosiste tepër reçel ose sapun në dyqanin e saj, e kjo dhuratë vinte tamam atëherë kur na nevojitej! Gjeste praktike si këto i vlerësonim shumë. Por, na pritnin të papritura edhe më të mëdha.»
Një e papritur që na ndryshoi jetën
Në nëntor të vitit 1954, unë dhe Hejzëli patëm një të papritur: një kërkesë nga zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Londër që unë të isha mbikëqyrës udhëtues, duke vizituar një kongregacion çdo javë. Ishim të bindur se ky ishte një gabim, prandaj nuk i thamë askujt në kongregacion. Gjithsesi, e plotësova kërkesën, e dërgova në zyrën e degës dhe pritëm me ankth. Disa ditë më vonë, erdhi përgjigjja: «Ejani në Londër për stërvitje!»
Në zyrën e Londrës, nuk arrija ta besoja që unë, një 23-vjeçar, isha atje së bashku me vëllezër të jashtëzakonshëm, që më dukeshin gjigantë frymorë të tillë, si: Prajs Hjuxhsi, Emlin Uajnsi, Erni Bivëri, Erni Gajveri, Bob Goufi, Glin Parri, Sten dhe Martin Udbërni, si edhe shumë të tjerë, pjesa më e madhe e të cilëve tani kanë vdekur. Ata vendosën një bazë të fortë zelli dhe integriteti në Britani, në vitet 40 dhe 50 të shekullit të 20-të.
Vepra e qarkut në Angli, asnjëherë e mërzitshme
Veprën e qarkut e nisëm pikërisht në dimrin plot dëborë 1954-1955. Na caktuan në Ist-Anglia (Anglia Lindore), një krahinë e rrafshët e Anglisë, e rrahur nga erërat e ftohta të Detit të Veriut. Në atë kohë, në Britani kishte vetëm 31.000 Dëshmitarë. Ai qark i parë ishte një përvojë e vështirë për ne, në të cilën mësuam shumë. Por nuk ishte gjithmonë e lehtë as për vëllezërit që vizitonim. Duke qenë pa përvojë e duke pasur si karakteristikë rreptësinë e një banori të Jorkshirit, disa herë i shkelja në kallo disa nga vëllezërit. Gjatë viteve, më është dashur të mësoj se mirësia është më e rëndësishme sesa rendimenti dhe se njerëzit janë më të rëndësishëm sesa procedurat. Ende përpiqem, ndonëse jo gjithnjë me sukses, të ndjek shembullin e Jezuit, duke i freskuar të tjerët.—Mateu 11:28-30.
Pas 18 muajsh në Ist-Anglia, na caktuan të shërbenim në një qark në verilindje të Anglisë, Njukasll-mbi-Tajn dhe Northambërlend. I doja njerëzit e përzemërt të asaj krahine piktoreske. Një ndihmë e madhe për mua ishte mbikëqyrësi krahinor në vizitë, Don Uardi, nga Siatëlli, Uashington, SHBA. Ishte diplomuar në klasën e 20-të të Galaadit. Si orator, e kisha zakon ta thosha me një frymë informacionin, me një shpejtësi shumë të madhe. Ai më mësoi të ngadalësoja,
të bëja pauza dhe të mësoja të tjerët.Një e papritur tjetër që na e ndryshoi jetën
Në vitin 1958 morëm një letër që na ndryshoi jetën. Na ftuan të ndiqnim Shkollën e Galaadit në Lansingun Jugor, Nju-Jork, SHBA. Shitëm makinën tonë të vogël të modelit Austin Seven 1935 dhe blemë biletat për të udhëtuar me anije deri në Nju-Jork. Në fillim, ndoqëm kongresin ndërkombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin e Nju-Jorkut. Që aty, shkuam në Pitërborou, Ontario, për të shërbyer gjashtë muaj si pionierë, para se të shkonim drejt jugut, në Shkollën e Galaadit.
Ndër instruktorët e shkollës ishin edhe Albert Shroderi, i cili tani është anëtar i Trupit Udhëheqës, si edhe Maksuell Frendi e Xhek Redfordi, të cilët tani kanë vdekur. Shoqëria me 82 studentët nga 14 vende ishte shumë ndërtuese. Filluam të kuptonim nga pak për kulturën e njëri-tjetrit. Duke u shoqëruar me studentët e huaj që luftonin për të mësuar anglishten, provuam paraprakisht problemet që do të hasnim duke mësuar një gjuhë tjetër. Për pesë muaj e përfunduam stërvitjen dhe na caktuan në 27 vende. Më pas erdhi dita e diplomimit dhe, pas pak ditësh, ishim në qytetin e Nju-Jorkut, duke pritur anijen tonë, Mbretëresha Elizabetë, e cila do të na çonte prapë në Evropë.
Caktimi i parë në një vend të huaj
Cili caktim na ishte dhënë? Portugalia! Arritëm në Lisbonë në nëntor të vitit 1959. Tani vinte prova për t’iu përshtatur një gjuhe dhe një kulture të re. Në vitin 1959, në Portugali kishte 643 Dëshmitarë aktivë dhe një popullsi prej pothuajse 9 milionë banorësh. Por, vepra e predikimit nuk njihej ligjërisht. Ndonëse kishim Salla Mbretërie, ato nuk kishin tabela jashtë.
Pasi mësuam gjuhën portugeze nga misionarja Elsa Pikone, unë dhe Hejzëli vizituam kongregacionet dhe grupet rreth e qark Lisbonës, Farosë, Evoresë dhe Bezhas. Pastaj, në vitin 1961, gjërat filluan të ndryshonin. Po studioja Biblën me një të ri që quhej Zhoau Gonsalvish Mateus. Ai vendosi të mbante qëndrimin e tij si i krishterë asnjanës për çështjen e shërbimit ushtarak. Pak pas kësaj, më thirrën në degën e policisë për të më marrë në pyetje. Një e papritur tjetër! Disa ditë më vonë, na njoftuan se kishim 30 ditë kohë për t’u larguar nga vendi. E njëjta gjë ndodhi me misionarët e tjerë që ishin bashkë me ne, Erik e Kristina Britën, si edhe Domenik e Elsa Pikone.
Bëra kërkesë për një seancë shqyrtimi dhe na lejuan të takoheshim me kreun e policisë sekrete. Ai na e tha hapur përse po na kërkohej të largoheshim nga vendi dhe përmendi një emër, Zhoau Gonsalvish Mateus, studenti im i Biblës. Tha se, ndryshe nga Britania, Portugalia nuk mund t’ia lejonte vetes luksin e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes. Kështu, na u desh të largoheshim nga Portugalia, ndaj dhe i humba lidhjet me Zhoaun. Pastaj, pas 26 vjetësh, u gëzova jashtë mase kur takova atë, gruan e tij dhe tri vajzat e tyre në dedikimin e Bethelit të ri të Portugalisë! Shërbimi ynë në Portugali nuk kishte qenë i pafrytshëm.—1 Korintasve 3:6-9.
Cili ishte caktimi tjetër? Një tjetër e papritur! Spanja fqinje. Me lot në sy, në shkurt të vitit 1962, i hipëm trenit në Lisbonë dhe u drejtuam për në Madrid.
Përshtatemi me një kulturë tjetër
Në Spanjë na u desh të mësoheshim me mënyrën e fshehtë të predikimit dhe të mbajtjes së mbledhjeve. Kur predikonim, zakonisht nuk trokitnim kurrë në dy dyer ngjitur me njëra-tjetrën. Pasi jepnim dëshmi në një shtëpi, shkonim në një rrugë tjetër e në një ndërtesë tjetër. Kjo ua bënte të vështirë policisë ose priftërinjve që të na kapnin. Të mos harrojmë se jetonim nën një diktaturë fashiste katolike dhe vepra jonë e predikimit ishte e ndaluar. Duke qenë të huaj, morëm emra spanjollë si mbrojtje që të mos na identifikonin. Mua më thërritnin Pablo dhe Hejzëlin Huana.
Pas disa muajsh në Madrid, na caktuan në veprën e qarkut në Barcelonë. Vizitonim kongregacione të ndryshme në qytet, shpesh duke kaluar dy ose tri javë në secilin prej tyre. E zgjatnim kaq shumë vizitën, sepse na duhej të vizitonim çdo grup të studimit të librit si të ishte një kongregacion më vete, dhe kjo gjë zakonisht nënkuptonte të vizitonim dy grupe në javë.
Një sfidë që s’e pritnim
Në vitin 1963, na ftuan të ndërmerrnim veprën krahinore në Spanjë. Për t’u shërbyer afro 3.000 Dëshmitarëve aktivë, na duhej të përshkonim gjithë vendin, duke vizituar nëntë qarqet që ekzistonin atëherë. Mbajtëm disa nga asambletë qarkore klandestine më historike në pyjet afër Seviljes, në një fermë afër Gihonit, si edhe pranë lumenjve afër Madridit, Barcelonës dhe Logronos.
Si masë paraprake, kur predikonim nga shtëpia në shtëpi, kontrolloja daljet në rrugët aty afër, për të pasur një rrugëdalje në rast se diçka nuk do të shkonte mirë. Një herë, teksa po predikonim në Madrid, një Dëshmitar tjetër dhe unë ishim në katin e sipërm, kur papritur dëgjuam të bërtitura nga poshtë. Kur zbritëm, pamë se kishte një grup vajzash adoleshente, anëtare të një grupi katolik të quajtur Hijas de María (Bijat e Marisë). Ato po paralajmëronin fqinjët për ne. Ishte e pamundur të arsyetonim me to dhe e dija se duhej të largoheshim menjëherë, përndryshe do të na kapte policia. Kështu që ua mbathëm këmbëve, e me vrap madje!
Ato vite që kaluam në Spanjë ishin drithëruese. U përpoqëm t’u jepnim zemër vëllezërve të shkëlqyer dhe motrave të shkëlqyera që ishin atje, duke përfshirë edhe pionierët specialë. Ata rrezikonin burgun dhe, shpesh, duronin privime, me qëllim që të predikonin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe të formonin e të forconin kongregacionet.
Gjatë kësaj periudhe, morëm edhe disa lajme të këqija. Hejzëli shpjegon: «Në vitin 1964 më vdiq mamaja, e cila ishte Dëshmitare besnike. Ishte një gjë e trishtueshme ta humbitja pa qenë në gjendje as t’i thosha lamtumirë. Ky është një nga çmimet e veprës misionare, që edhe shumë të tjerë kanë paguar.»
Më në fund, liri!
Pasi kaluam vite me përndjekje, më në fund, në korrik të vitit 1970, vepra jonë u njoh ligjërisht nga qeveria e Frankos. Unë dhe Hejzëli ndiheshim të drithëruar kur u hapën Sallat e Mbretërisë, e para në Madrid dhe e dyta në Leseps, Barcelonë. Sallat gjithnjë kishin tabela të mëdha, të cilat shpesh ishin të ndriçuara. Donim që njerëzit ta dinin se ishim të njohur ligjërisht
dhe se e kishim vendin këtu! Në këtë pikë të historisë, në vitin 1972, në Spanjë kishte afërsisht 17.000 Dëshmitarë.Rreth kësaj kohe, mora disa lajme shumë inkurajuese nga Anglia. Në vitin 1969, babai im na kishte vizituar në Spanjë. I kishte lënë kaq shumë mbresa mënyra se si e trajtuan Dëshmitarët spanjollë, saqë, kur u kthye në Angli, filloi të studionte Biblën. Pastaj, në vitin 1971, më thanë se babai ishte pagëzuar! Ishte një çast prekës kur shkuam për vizitë në shtëpi dhe ai, si vëllai im i krishterë, kërkoi bekimin për ushqimin. Kisha pritur më shumë se 20 vjet që të vinte ajo ditë. Bobi, vëllai im, së bashku me të shoqen, Irisin, ishin bërë Dëshmitarë në vitin 1958. Djali i tyre, Filipi, tani shërben si mbikëqyrës qarkor në Spanjë së bashku me të shoqen, Xhinin. Kënaqemi shumë t’i shohim të shërbejnë në atë vend të mrekullueshëm.
E papritura më e fundit
Në shkurt të vitit 1980, një anëtar i trupit Udhëheqës vizitoi Spanjën si mbikëqyrës i zonës. Për habinë time, ai donte të dilte me mua në shërbim. Në atë kohë nuk e dija se po më vëzhgonte. Pastaj, në shtator, na ftuan të transferoheshim në selinë botërore në Bruklin, Nju-Jork. Mbetëm të shtangur. E pranuam ftesën, ndonëse na erdhi keq të largoheshim nga vëllezërit tanë spanjollë. Në atë kohë, atje kishte 48.000 Dëshmitarë.
Kur u larguam, një vëlla më dhuroi një orë xhepi. Aty ishin gdhendur dy shkrime: «Lucas 16:10; Lucas 17:10.» Më tha se ato ishin shkrime kryesore për mua. Te Luka 16:10 theksohet që duhet të jemi të besueshëm në pak, kurse te Luka 17:10 thuhet se jemi «skllevër që s’vlejnë për asgjë», prandaj nuk kemi arsye të mburremi. Gjithnjë e kam kuptuar se çfarëdo që të bëjmë në shërbim të Jehovait është thjesht detyra jonë si të krishterë të dedikuar.
Një e papritur me shëndetin
Në vitin 1990, fillova të kisha probleme shëndetësore me zemrën. Përfundimisht, u desh të më vinin një aparat të quajtur stent për të hapur një arterie që ishte bllokuar. Gjatë kësaj periudhe të vështirë me dobësi fizike, Hejzëli më mbështeti në shumë mënyra, shpesh duke mbajtur çanta e valixhe, sepse unë nuk kisha fuqi t’i mbaja. Pastaj, në maj të vitit 2000 më vunë një tjetër aparat, peacemaker. Sa shumë i ka ndryshuar gjërat kjo!
Për 50 vitet e kaluara, unë dhe Hejzëli e kemi parë se dora e Jehovait nuk është e shkurtër dhe se qëllimet e tij përmbushen në kohën e duhur sipas tij, jo sipas nesh. (Isaia 59:1; Habakuku 2:3) Në jetën tonë kemi pasur shumë të papritura të gëzueshme, si edhe disa të hidhura, por gjatë gjithë këtyre Jehovai na ka mbështetur. Këtu në selinë botërore të popullit të Jehovait, bekohemi çdo ditë duke qenë së bashku me anëtarë të Trupit Udhëheqës. Nganjëherë, pyes veten: ‘A jemi me të vërtetë këtu?’ Është një dashamirësi e pamerituar. (2 Korintasve 12:9) Kemi besim se Jehovai do të vazhdojë të na mbrojë nga intrigat e Satanait dhe do të na ruajë, që të gëzojmë ditën e sundimit të tij të drejtë mbi tokën.—Efesianëve 6:11-18; Zbulesa 21:1-4.
[Figura në faqen 26]
Burgu Streinxhuejs, Mançester, ku fillova të vuaja dënimin
[Figura në faqen 27]
Me makinën e modelit Austin Seven, në veprën e qarkut, Angli
[Figura në faqen 28]
Një asamble e fshehtë në Thersedilja të Madridit, Spanjë, në vitin 1962
[Figura në faqen 29]
Pranë tavolinës me literaturë, ku japim dëshmi, në Bruklin