Shkatërrues pemësh
Shkatërrues pemësh
NË KOHËT biblike, pemët shiheshin si zotërime me vlerë. Për shembull, kur Abrahami bleu një vend varrimi për gruan e tij të dashur, Sarën, pemët përmendeshin në kontratën e transferimit të pronës.—Zanafilla 23:15-18.
Në mënyrë të ngjashme sot, pemët vlerësohen shumë dhe një pjesë e madhe e vëmendjes ndërkombëtare po përqendrohet në ruajtjen e pyjeve. Në librin State of the World 1998 thuhet: «Ndonëse shumë njerëz në vendet veriore janë të shqetësuar për pyjet tropikale, ata mund të mos jenë në dijeni se pyjet e zonave të buta në vetë vendin e tyre janë pyjet më të copëtuara e më me probleme nga të gjitha llojet e pyjeve.» Çfarë i kërcënon pyjet në këto vende veriore të Evropës dhe të Amerikës së Veriut? Shumë njerëz përmendin shpyllëzimin, por ka edhe forca të tjera që i shkatërrojnë tinëzisht pemët, gjethe për gjethe ose halë për halë, si të thuash. Çfarë janë? Ndotja e ajrit dhe shiu acid. Këta ndotës mund t’i dobësojnë dalëngadalë pemët, duke i bërë të prekshme nga parazitët dhe nga sëmundjet.
Për dhjetëvjeçarë të tërë, ambientalistët dhe qytetarë të tjerë të shqetësuar kanë paralajmëruar për nevojën që të mbrojmë ekosistemin e tokës. Në vitet 80 të shekullit të 20-të, pasi shkencëtarët në Gjermani studiuan pasojat e ndotjes së ajrit dhe të shiut acid mbi ambientin, nxorën përfundimin: ‘Nëse nuk bëhet ndonjë gjë, rreth vitit 2000, njerëzve do t’u mbetet vetëm t’i admirojnë pyjet nëpër fotografitë e vjetra dhe nëpër filma.’ Lumturisht, fuqia ripërtëritëse e tokës është e atillë, saqë deri tani i ka qëndruar shumë prej dëmtimeve të parashikuara.
Megjithatë, në fund të fundit është Perëndia ai që do të bëjë pjesën më të madhe për të ruajtur ekosistemin tonë. «Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve» dhe «bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut». Gjithashtu, ka premtuar ‘të shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’. (Psalmi 104:13, 14; Zbulesa 11:18) Sa e mrekullueshme do të jetë kur banorët e tokës të jenë në gjendje të gëzojnë përgjithmonë një botë pa ndotje!—Psalmi 37:9-11.