Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Vishuni me shpirtgjerësi’

‘Vishuni me shpirtgjerësi’

‘Vishuni me shpirtgjerësi’

«Vishuni me përzemërsinë e butë të dhembshurisë . . . dhe shpirtgjerësisë.»—KOLOSIANËVE 3:12.

1. Tregoni një shembull shumë të mirë të shpirtgjerësisë.

REZHISI, i cili jeton në Francën Jugperëndimore, u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait në vitin 1952. Për vite me radhë, e shoqja bëri gjithçka mundi që t’i pengonte përpjekjet e tij për t’i shërbyer Jehovait. U përpoq t’i shponte gomat e makinës që ta pengonte për të ndjekur mbledhjet dhe, në një rast, e ndoqi pas madje ndërsa predikonte mesazhin biblik nga shtëpia në shtëpi, duke e tallur kur ai u fliste pronarëve të shtëpive për lajmin e mirë të Mbretërisë. Me gjithë këtë kundërshtim të vazhdueshëm, Rezhisi vazhdoi të tregohej shpirtgjerë. Në këtë mënyrë, Rezhisi është një shembull i shkëlqyer për të gjithë të krishterët, sepse Jehovai kërkon nga të gjithë adhuruesit e tij që të jenë shpirtgjerë në marrëdhëniet me të tjerët.

2. Cili është kuptimi fjalë për fjalë i fjalës greke të përkthyer «shpirtgjerësi» dhe çfarë tregon ajo?

2 Fjala greke për «shpirtgjerësi» fjalë për fjalë do të thotë «gjatësi e frymës». Përkthimi Bota e Re e përkthen këtë fjalë dhjetë herë «shpirtgjerësi», tri herë ‘durim’ dhe një herë ‘ushtrimi i durimit’. Si shprehja hebraike, ashtu edhe ajo greke, të përkthyera «shpirtgjerësi», përfshijnë idenë e durimit, vetëpërmbajtjes dhe ngadalësisë në zemërim.

3. Si ndryshonte pikëpamja e krishterë për shpirtgjerësinë nga ajo e grekëve të shekullit të parë?

3 Grekët e shekullit të parë nuk e shihnin shpirtgjerësinë si një virtyt. Vetë fjala nuk përdorej kurrë nga filozofët stoikë. Sipas studiuesit biblik Uilliam Barklej, shpirtgjerësia «është krejt e kundërta e virtytit grek», i cili, ndër të tjera, mburrej me «mospranimin për të toleruar asnjë fyerje ose dëmtim». Ai thotë: «Për grekët, njeri i madh ishte ai që bënte gjithçka për t’u hakmarrë. Për të krishterin, njeri i madh është ai që, edhe atëherë kur ka mundësi, nuk pranon ta bëjë këtë.» Grekët mund ta kenë quajtur shpirtgjerësinë një shenjë dobësie, por këtu, si në raste të tjera, «një gjë e marrë e Perëndisë është më e mençur se njerëzit dhe një gjë e dobët e Perëndisë është më e fortë se njerëzit».—1 Korintasve 1:25.

Krishti, shembull shpirtgjerësie

4, 5. Çfarë shembulli të mrekullueshëm shpirtgjerësie la Jezui?

4 Duke qenë i dyti vetëm pas Jehovait, Krishti Jezu la një shembull të shkëlqyer shpirtgjerësie. Kur ishte nën shtrëngime, Jezui tregoi një vetëpërmbajtje mahnitëse. Për të ishte profetizuar: «I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën.»—Isaia 53:7.

5 Sa shpirtgjerësi të jashtëzakonshme tregoi Jezui gjatë gjithë shërbimit të tij në tokë! Duroi pyetjet tinëzare të armiqve të tij dhe fyerjet e kundërshtarëve. (Mateu 22:15-46; 1 Pjetrit 2:23) Ishte i duruar me dishepujt e tij, edhe kur ata vazhdimisht grindeshin se kush ishte më i madhi. (Marku 9:33-37; 10:35-45; Luka 22:24-27) Sa forcë të admirueshme frenuese tregoi Jezui natën e tradhtimit të tij, kur Pjetri dhe Gjoni ranë në gjumë pasi u ishte thënë të ‘qëndronin vigjilentë’!—Mateu 26:36-41.

6. Si nxori dobi Pavli nga shpirtgjerësia e Jezuit dhe çfarë mësojmë nga kjo?

6 Pas vdekjes dhe ringjalljes, Jezui vazhdoi të ishte shpirtgjerë. Apostulli Pavël ishte veçanërisht i vetëdijshëm për këtë, pasi më parë ai kishte qenë përndjekës i të krishterëve. Pavli shkroi: «E besueshme dhe plotësisht e denjë për t’u pranuar është thënia se Krishti Jezu erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët. E ndër këta unë jam i pari. Megjithatë, arsyeja përse m’u tregua mëshirë ishte që nëpërmjet meje si rasti më i njohur, Krishti Jezu të tregonte gjithë shpirtgjerësinë e tij si një model për ata që do ta mbështetin tek ai besimin e tyre për jetën e përhershme.» (1 Timoteut 1:15, 16) Cilado qoftë e kaluara jonë, nëse e mbështetim besimin te Jezui, ai do të jetë shpirtgjerë me ne, por, natyrisht, duke pritur në të njëjtën kohë që ne të bëjmë «vepra të denja për pendim». (Veprat 26:20; Romakëve 2:4) Mesazhet që u dërgoi shtatë kongregacioneve në Azinë e Vogël tregojnë se, ndonëse është shpirtgjerë, Krishti pret që të bëhet përparim.—Zbulesa, kapitujt 2 dhe 3.

Një fryt i frymës

7. Cila është lidhja ndërmjet shpirtgjerësisë dhe frymës së shenjtë?

7 Në kapitullin e pestë të letrës së tij drejtuar galatasve, Pavli bën dallimin ndërmjet veprave të mishit dhe fryteve të frymës. (Galatasve 5:19-23) Meqenëse shpirtgjerësia është një nga cilësitë e Jehovait, kjo cilësi zë fill tek ai dhe është një fryt i frymës së tij. (Eksodi [Dalja] 34:6, 7) Në të vërtetë, shpirtgjerësia radhitet e katërta në përshkrimin që u bëri Pavli fryteve të frymës, bashkë me ‘dashurinë, gëzimin, paqen, . . . mirëdashjen, mirësinë, besimin, butësinë, vetëkontrollin’. (Galatasve 5:22, 23) Prandaj, kur shërbëtorët e Perëndisë shfaqin durimin hyjnor ose shpirtgjerësinë, e bëjnë këtë nën ndikimin e frymës së shenjtë.

8. Çfarë do të na japë mundësi të kultivojmë frytet e frymës, duke përfshirë edhe shpirtgjerësinë?

8 Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Jehovai ia imponon frymën e tij një personi. Ne duhet t’i nënshtrohemi vullnetarisht ndikimit të saj. (2 Korintasve 3:17; Efesianëve 4:30) E lejojmë frymën të veprojë në jetën tonë duke kultivuar frytet e saj në çdo gjë që bëjmë. Pasi radhiti veprat e mishit dhe frytet e frymës, Pavli shtoi: «Nëse jetojmë sipas frymës, sipas frymës edhe të vazhdojmë të ecim në mënyrë të rregullt. Mos u mashtroni: Perëndia nuk vihet në lojë. Sepse çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë; sepse ai që mbjell për mishin e tij, do të korrë nga mishi i tij prishje, por ai që mbjell për frymën, do të korrë nga fryma jetë të përhershme.» (Galatasve 5:25; 6:7, 8) Nëse duam të jemi të suksesshëm për të kultivuar shpirtgjerësinë, duhet të kultivojmë edhe pjesën tjetër të fryteve që prodhon fryma e shenjtë te të krishterët.

«Dashuria është shpirtgjerë»

9. Përse u tha ndoshta Pavli korintasve se «dashuria është shpirtgjerë»?

9 Pavli tregoi se ndërmjet dashurisë dhe shpirtgjerësisë ka një lidhje të veçantë, kur tha: «Dashuria është shpirtgjerë.» (1 Korintasve 13:4) Një studiues biblik, Albert Barnsi, jep idenë se Pavli e theksoi këtë duke pasur parasysh konfliktet dhe grindjet që ekzistonin në kongregacionin e krishterë në Korint. (1 Korintasve 1:11, 12) Barnsi thekson: «Fjala e përdorur këtu [për shpirtgjerësinë] është e kundërt me ngutjen: e kundërt me shprehjet dhe mendimet plot zemërim, si edhe me acarimin. Tregon gjendjen mendore që mund të DUROJË GJATË kur e kundërshtojnë dhe e provokojnë.» Dashuria dhe shpirtgjerësia japin ende një ndihmesë shumë të madhe për paqen e kongregacionit të krishterë.

10. (a) Në ç’mënyrë na ndihmon dashuria që të jemi shpirtgjerë dhe cilën këshillë jep apostulli Pavël në lidhje me këtë? (b) Cilin koment bëri një studiues biblik për shpirtgjerësinë dhe mirëdashjen e Perëndisë? (Shih shënimin.)

10 «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. Dashuria . . . nuk kërkon interesat e veta, nuk acarohet.» Kështu, në shumë mënyra, dashuria na ndihmon të jemi shpirtgjerë. * (1 Korintasve 13:4, 5) Dashuria bën të mundur që ta durojmë me shpirtgjerësi njëri-tjetrin dhe të kujtojmë se të gjithë jemi të papërsosur e kemi të meta. Na ndihmon të jemi të vëmendshëm ndaj të tjerëve dhe të falim. Apostulli Pavël na inkurajon që të ecim ‘me përulësi të plotë mendjeje, me butësi dhe me shpirtgjerësi, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri, duke u përpjekur me zell që të ruajmë njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes’.—Efesianëve 4:1-3.

11. Përse është veçanërisht e rëndësishme të shfaqet shpirtgjerësi në grupet e të krishterëve?

11 Shpirtgjerësia e treguar nga secili anëtar ndihmon shumë për paqen dhe lumturinë e grupeve të të krishterëve, qofshin këto në kongregacione, shtëpi Bethel, shtëpi misionare, skuadra ndërtimi ose shkolla të krishtere. Për shkak të ndryshimeve në personalitet, në shije, në mënyrën si janë rritur, në normat e mirësjelljes e, madje, edhe në higjienë, hera-herës mund të lindin rrethana acaruese. Kjo ndoshta mund të ndodhë edhe në familjet e mirëfillta. Të jemi të ngadalshëm në zemërim është jetësore. (Fjalët e urta [Proverbat] 14:29; 15:18; 19:11) Nga të gjithë nevojitet që të shfaqin shpirtgjerësi—qëndrueshmëri me durim, me shpresën e një ndryshimi për më mirë.—Romakëve 15:1-6.

Shpirtgjerësia na ndihmon të qëndrojmë

12. Përse shpirtgjerësia është e rëndësishme kur jemi në rrethana acaruese?

12 Shpirtgjerësia na ndihmon të qëndrojmë kur jemi në rrethana acaruese që duken sikur nuk do të mbarojnë ose pa ndonjë zgjidhje të shpejtë. Ky ishte rasti i Rezhisit, të përmendur në fillim të artikullit. Për vite të tëra, e shoqja iu kundërvu përpjekjeve të tij për t’i shërbyer Jehovait. Mirëpo, një ditë ajo erdhi tek ai me lot në sy dhe i tha: «E di se kjo është e vërteta. Më ndihmo. Dua një studim biblik.» Përfundimisht, ajo u pagëzua si Dëshmitare. Rezhisi thotë: «Kjo ishte një provë se Jehovai i bekoi ato vite lufte, durimi dhe qëndrueshmërie.» Shpirtgjerësia e tij u shpërblye.

13. Çfarë i dha mundësi Pavlit që të qëndronte dhe si mund të na ndihmojë shembulli i tij që të qëndrojmë?

13 Në shekullin e parë të e.s., apostulli Pavël ishte një shembull i shkëlqyer i shpirtgjerësisë. (2 Korintasve 6:3-10; 1 Timoteut 1:16) Afër fundit të jetës së tij, kur po i jepte këshilla shokut të tij më të ri në moshë, Timoteut, Pavli e paralajmëroi se të gjithë të krishterët do të hasnin sprova. Pavli citoi vetë shembullin e tij dhe sugjeroi disa cilësi thelbësore të krishtere që janë të nevojshme për qëndrueshmërinë. Ai shkroi: «Ti ke ndjekur hap pas hapi mësimin tim, mënyrën time të të jetuarit, qëllimin tim, besimin tim, shpirtgjerësinë time, dashurinë time, qëndrueshmërinë time, persekutimet e mia, vuajtjet e mia, gjëra si ato që më ndodhën në Antioki, në Ikoni e në Listra dhe persekutime si ato që kam duruar; e megjithatë Zotëria më çliroi prej të gjithave. Në fakt, të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me devocion hyjnor në shoqëri me Krishtin Jezu, edhe do të persekutohen.» (2 Timoteut 3:10-12; Veprat 13:49-51; 14:19-22) Që të qëndrojmë, të gjithë kemi nevojë për besim, dashuri dhe shpirtgjerësi.

Vishuni me shpirtgjerësi

14. Me çfarë i krahasoi Pavli cilësi të tilla hyjnore, si shpirtgjerësia dhe çfarë këshille u dha të krishterëve kolosianë?

14 Apostulli Pavël e krahasoi shpirtgjerësinë dhe cilësi të tjera hyjnore me veshje që i krishteri duhet t’i veshë pasi të ketë zhveshur praktikat që i përkitnin ‘personalitetit të vjetër’. (Kolosianëve 3:5-10) Ai shkroi: «Si të zgjedhur të Perëndisë, të shenjtë e të dashur, vishuni me përzemërsinë e butë të dhembshurisë, mirëdashjes, përulësisë së mendjes, butësisë dhe shpirtgjerësisë. Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu sikurse Jehovai ju fali bujarisht, edhe ju bëni po ashtu. Por, përveç të gjitha këtyre gjërave, vishuni me dashurinë, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.»—Kolosianëve 3:12-14.

15. Çfarë vjen si pasojë kur të krishterët ‘vishen me shpirtgjerësi’ dhe me cilësi të tjera hyjnore?

15 Kur anëtarët e kongregacionit ‘vishen’ me dhembshuri, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi, shpirtgjerësi dhe dashuri, janë në gjendje të zgjidhin problemet dhe të ecin përpara të bashkuar në shërbim të Jehovait. Në veçanti, mbikëqyrësit e krishterë duhet të jenë shpirtgjerë. Mund të ketë raste kur atyre u duhet të qortojnë një të krishterë tjetër, por ka disa mënyra për ta bërë këtë. Pavli e përshkroi qëndrimin më të mirë që duhet mbajtur kur i shkroi Timoteut: «Qorto, hiq vërejtje, nxit me plot shpirtgjerësi dhe art mësimdhënieje.» (2 Timoteut 4:2) Po, delet e Jehovait duhen trajtuar gjithnjë me shpirtgjerësi, dinjitet dhe me zemërbutësi.—Mateu 7:12; 11:28; Veprat 20:28, 29; Romakëve 12:10.

«Shpirtgjerë me të gjithë»

16. Çfarë mund të vijë si rrjedhojë kur jemi «shpirtgjerë me të gjithë»?

16 Shpirtgjerësia e Jehovait ndaj njerëzimit na vë nën detyrimin moral që ‘të jemi shpirtgjerë me të gjithë’. (1 Selanikasve 5:14) Kjo do të thotë të jemi të durueshëm me familjarët që nuk janë Dëshmitarë, me fqinjët, kolegët në punë dhe me shokët e klasës. Shumë paragjykime janë kapërcyer nga Dëshmitarë që, nganjëherë për shumë vjet, kanë duruar komentet sarkastike ose kundërshtimet e hapura nga njerëzit me të cilët kishin të bënin në punë ose në shkollë. (Kolosianëve 4:5, 6) Apostulli Pjetër shkroi: «Mbajeni të shkëlqyer sjelljen tuaj mes kombeve, me qëllim që, për atë që thonë kundër jush si keqbërës, ata t’i japin lavdi Perëndisë ditën e hetimit prej tij, si rrjedhojë e veprave tuaja të shkëlqyera, për të cilat janë dëshmitarë okularë.»—1 Pjetrit 2:12.

17. Si mund ta imitojmë dashurinë dhe shpirtgjerësinë e Jehovait dhe përse duhet ta bëjmë këtë?

17 Shpirtgjerësia e Jehovait do të nënkuptojë shpëtim për miliona njerëz. (2 Pjetrit 3:9, 15) Nëse imitojmë dashurinë dhe shpirtgjerësinë e Jehovait, do të vazhdojmë me durim të predikojmë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe t’u mësojmë të tjerëve që t’i nënshtrohen sundimit të Mbretërisë së Krishtit. (Mateu 28:18-20; Marku 13:10) Po të pushonim së predikuari, kjo do të ishte sikur të donim t’i vinim një kufi shpirtgjerësisë së Jehovait dhe të mos arrinim të kuptonim qëllimin për të cilin tregohet ajo, domethënë që t’i çojë njerëzit drejt pendimit.—Romakëve 2:4.

18. Çfarë lutjeje bëri Pavli për kolosianët?

18 Në letrën e tij drejtuar të krishterëve në Kolose, në Azinë e Vogël, Pavli shkroi: «Për këtë arsye, që nga dita që dëgjuam për këtë, ne nuk kemi pushuar së luturi për ju e së kërkuari që të jeni të mbushur me njohurinë e saktë të vullnetit të tij me plot mençuri dhe kuptueshmëri frymore, në mënyrë që të ecni denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqeni plotësisht atij, ndërsa vazhdoni të jepni fryt në çdo vepër të mirë e të rriteni në njohurinë e saktë të Perëndisë, duke u bërë të fuqishëm me çdo fuqi sipas fuqisë së tij të lavdishme, që të qëndroni plotësisht e të jeni shpirtgjerë me gëzim.»—Kolosianëve 1:9-11.

19, 20. (a) Si mund ta shmangim që ta shohim shpirtgjerësinë e vazhdueshme të Jehovait si një sprovë? (b) Cilat dobi do të vijnë kur jemi shpirtgjerë?

19 Shpirtgjerësia ose durimi i vazhdueshëm i Jehovait nuk do të jetë një sprovë për ne, nëse jemi «të mbushur me njohurinë e saktë të vullnetit të tij», i cili është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Timoteut 2:4) Do të ‘vazhdojmë të japim fryt në çdo vepër të mirë’, veçanërisht në veprën e predikimit të ‘këtij lajmi të mirë të mbretërisë’. (Mateu 24:14) Nëse vazhdojmë ta bëjmë këtë me besueshmëri, Jehovai do të na bëjë «të fuqishëm me çdo fuqi», duke na bërë të mundur ‘të qëndrojmë plotësisht e të jemi shpirtgjerë me gëzim’. Duke bërë kështu, ‘do të ecim denjësisht për Jehovain’ dhe do të kemi paqen që vjen kur e dimë se po ‘i pëlqejmë plotësisht atij’.

20 Qofshim plotësisht të bindur për mençurinë e shpirtgjerësisë së Jehovait! Kjo shpirtgjerësi na sjell shpëtimin neve dhe atyre që do ta dëgjojnë predikimin dhe mësimdhënien tonë. (1 Timoteut 4:16) Të kultivojmë frytet e frymës—dashurinë, mirëdashjen, mirësinë, butësinë dhe vetëkontrollin—do të na japë mundësi të jemi shpirtgjerë me gëzim. Do të jemi më në gjendje të jetojmë në paqe me familjarët tanë, si edhe me vëllezërit e me motrat në kongregacion. Gjithashtu, shpirtgjerësia do të na ndihmojë të jemi të durueshëm me kolegët e punës dhe me shokët e shkollës. Veç kësaj, shpirtgjerësia jonë do të jetë me një qëllim, domethënë të shpëtojmë keqbërësit dhe të lëvdojmë Perëndinë shpirtgjerë, Jehovain.

[Shënimi]

^ par. 10 Duke komentuar për thënien e Pavlit se «dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse», studiuesi biblik Gordon D. Fi shkruan: «Në teologjinë e Pavlit, ato [shpirtgjerësia dhe mirëdashja] paraqesin dy anë të qëndrimit hyjnor ndaj njerëzimit (kr. Rom. 2:4). Në njërën anë, vetëpërmbajtja e dashur e Perëndisë shfaqet kur ai e përmban zemërimin ndaj rebelimit të njerëzve; në anën tjetër, mirëdashja e tij gjendet në shprehjet e shumta të mëshirës së tij. Kështu, përshkrimi që i bëri Pavli dashurisë fillon me këtë përshkrim të dyfishtë të Perëndisë, i cili, nëpërmjet Krishtit, e ka treguar veten të vetëpërmbajtur dhe mirëdashës ndaj atyre që meritojnë gjykimin e pafavorshëm hyjnor.»

A mund të shpjegoni?

• Në cilat mënyra Krishti është një shembull i mrekullueshëm shpirtgjerësie?

• Çfarë do të na ndihmojë që të kultivojmë shpirtgjerësinë?

• Si i ndihmon shpirtgjerësia familjet, grupet e të krishterëve dhe pleqtë?

• Si do të na sjellë dobi neve dhe të tjerëve fakti që jemi shpirtgjerë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Edhe kur ishte nën presion të madh, Jezui ishte i duruar me dishepujt e tij

[Figura në faqen 16]

Mbikëqyrësve të krishterë u jepet nxitja që të lënë një shembull të mirë shpirtgjerësie në marrëdhëniet me vëllezërit e tyre

[Figura në faqen 17]

Nëse e imitojmë dashurinë dhe shpirtgjerësinë e Jehovait, do të vazhdojmë ta predikojmë lajmin e mirë

[Figura në faqen 18]

Pavli u lut që të krishterët të ishin «shpirtgjerë me gëzim»