Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Skithasit​—Një popull i mistershëm i së kaluarës

Skithasit​—Një popull i mistershëm i së kaluarës

Skithasit​—Një popull i mistershëm i së kaluarës

DUKE rendur me galop nëpër pluhur, me hejbetë plot e përplot me plaçkë, mbërrinte kavaleria e një kombi nomad. Ky popull i mistershëm sundoi stepat e Eurazisë pothuajse nga viti 700 deri në vitin 300 p.e.s. Pastaj u zhdukën, por vetëm pasi i kishin siguruar vetes një vend në histori. Janë përmendur, madje, edhe në Bibël. Ishin skithasit.

Për shekuj të tërë, nomadët dhe kopetë e kuajve të egër u kishin rënë kryq e tërthor kullotave që shtriheshin nga malet Karpate të Evropës Lindore e deri në atë që tani është Rusia Juglindore. Në shekullin e tetë p.e.s., veprimet ushtarake që ndërmori perandori kinez Shuean nxitën emigrimet drejt perëndimit. Duke u zhvendosur drejt perëndimit, skithasit bënë luftë dhe dëbuan simerianët, të cilët kontrollonin Kaukazin dhe zonën në veri të Detit të Zi.

Duke kërkuar pasuri, skithasit plaçkitën kryeqytetin e Asirisë, Ninevinë. Më vonë, bënë aleancë me Asirinë kundër Medisë, Babilonisë dhe kombeve të tjera. Madje, sulmet e tyre arritën deri në veri të Egjiptit. Fakti që qyteti Beth-Shan, në verilindje të Izraelit, më vonë u quajt Skithopolis mund të tregojë se për një periudhë ky qytet ishte pushtuar nga skithasit.​—1 Samuelit 31:11, 12.

Me kalimin e kohës, skithasit u vendosën në stepat që sot i përkasin Rumanisë, Moldavisë, Ukrainës dhe Rusisë Jugore. Atje u pasuruan duke shërbyer si ndërmjetës midis grekëve dhe prodhuesve të grurit në ato vende që sot janë Ukraina dhe Rusia Jugore. Skithasit shkëmbenin grurë, mjaltë, gëzof dhe gjedhë me verë, stofra, armë dhe vepra arti greke. Në këtë mënyrë, grumbulluan pasuri përrallore.

Kalorës të shkëlqyer

Për këta luftëtarë të stepave, kali ishte njësoj si deveja për njerëzit e shkretëtirës. Skithasit ishin kalorës të shkëlqyer dhe ndër të parët që përdorën samarin e yzengjitë. Ata hanin mish kali dhe pinin qumësht pele. Madje i përdornin kuajt edhe për flijime të djegura. Kur vdiste një luftëtar skithas, kali i tij vritej dhe i bëhej një varrim plot nderime, me takëmet e tij dhe me zbukurime të ndryshme.

Siç i përshkruan historiani Herodot, skithasit ishin të dhënë pas zakoneve sadiste, ku përfshihej përdorimi i kafkave të viktimave si kupa për të pirë. Duke i sulmuar papritur armiqtë e tyre, ata i shfarosnin me shpata hekuri, sëpata luftimi, heshta dhe me shigjeta me dhëmbëza për të hequr mishin.

Varre të furnizuara për gjithë përjetësinë

Skithasit praktikonin magjinë e shamanizmin dhe adhuronin zjarrin dhe një perëndeshë nënë. (Ligji i përtërirë 18:10-12) Varrin e shihnin si një banesë për të vdekurit. Skllevërit dhe kafshët vriteshin që t’i shërbenin zotërisë së tyre të vdekur. Thesaret dhe shërbyesit e shtëpisë, sipas tyre, i shoqëronin prijësit në «botën tjetër». Në një varr mbretëror, pesë shërbëtorë i gjetën të shtrirë me këmbët të drejtuara nga zotëria i tyre, gati për t’u ngritur dhe për të rifilluar punën.

Sundimtarët varroseshin me blatime të kushtueshme dhe, gjatë periudhave të vajtimit, skithasit derdhnin gjakun e tyre e pritnin flokët. Herodoti shkroi: «Ata presin një pjesë të veshëve, qethen plotësisht, bëjnë të prera nëpër krahë, gërvishtin ballin dhe hundën, si edhe shpojnë dorën e majtë me shigjeta.» Në dallim me këtë, Ligji i Perëndisë dhënë izraelitëve të së njëjtës periudhë urdhëronte: «Nuk do të bëni asnjë prerje në mishin tuaj për një të vdekur.»​—Levitiku 19:28.

Skithasit linin pas mijëra kurgane (pirgje varrimi). Shumë zbukurime nëpër kurgane paraqitnin jetën e përditshme të skithasve. Cari rus Pjetri i Madh filloi të mblidhte sende të tilla në vitin 1715 dhe këto objekte vezulluese mund të shihen tani në muzetë e Rusisë dhe të Ukrainës. Ky «art i kafshëve» përfshin: kuaj, shqiponja, skifterë, mace, pantera, drerë brilopatë, drerë të thjeshtë, zogj mitologjikë dhe luanë mitologjikë (krijesa mitologjike që kishin trupin me krahë ose pa krahë të një kafshe dhe kokën e një tjetre).

Skithasit dhe Bibla

Bibla i përmend vetëm një herë drejtpërdrejt skithasit. Te Kolosianëve 3:11 lexojmë: «Nuk ka as grek, as jude, as rrethprerje, as parrethprerje, as skithas, as skllav e as të lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë.» Kur apostulli i krishterë Pavël shkroi këto fjalë, termi grek i përkthyer «skithas» nuk nënkuptonte një komb specifik, por njerëzit më të këqinj të pacivilizuar. Pavli po theksonte se, nën ndikimin e frymës së shenjtë ose të forcës vepruese të Jehovait, edhe këta individë mund të vishnin një personalitet të perëndishëm.​—Kolosianëve 3:9, 10.

Disa arkeologë besojnë se emri Ashkenaz që gjendet te Jeremia 51:27 është i barasvlefshëm me emrin asirian Ashguzai, një term që përdorej për skithasit. Pllakat kuneiforme flasin për një aleancë midis këtij populli dhe popullit të Manait në një kryengritje kundër Asirisë në shekullin e shtatë p.e.s. Pikërisht para se Jeremia të fillonte të profetizonte, skithasit kishin kaluar pranë tokës së Judës pa bërë dëme, ndërsa po shkonin për në Egjipt. Prandaj, shumë veta që e kishin dëgjuar Jereminë të parathoshte sulmin mbi Judën nga veriu mund të kenë vënë në dyshim saktësinë e kësaj profecie.​—Jeremia 1:13-15.

Disa studiues mendojnë se skithasit përmenden tërthorazi te Jeremia 50:42, ku thuhet: «Ata mbajnë në dorë harkun dhe shtizën; janë të egër dhe nuk kanë fare mëshirë; zëri i tyre do të gjëmojë si deti. U hipin kuajve, janë gati të luftojnë si një njeri i vetëm kundër teje, o bijë e Babilonisë.» Por ky varg zbatohet kryesisht për medët dhe persët, të cilët e pushtuan Babiloninë në vitin 539 p.e.s.

Është hedhur ideja se ‘vendi i Magogut’ për të cilin flitet në kapitujt 38 dhe 39 të Ezekielit ka të bëjë me fiset skithase. Megjithatë, ‘vendi i Magogut’ ka domethënie simbolike. Duket se ai ka të bëjë me afërsinë e tokës, ku u hodhën Satanai dhe engjëjt e tij pas luftës në qiell.​—Zbulesa 12:7-17.

Skithasit ishin përfshirë në përmbushjen e profecisë së Naumit, e cila parathoshte rrëzimin e Ninevisë. (Nahumi 1:1, 14) Kaldeasit, skithasit dhe medët e plaçkitën Ninevinë në vitin 632 p.e.s., duke shkaktuar rënien e Perandorisë Asiriane.

Një rënie e mistershme

Skithasit janë zhdukur, por përse? «E vërteta është që thjesht nuk e dimë çfarë ndodhi»,​—thotë një arkeolog i shquar ukrainas. Disa mendojnë që, të squllur nga dëshira për pasuri, ata iu dorëzuan në shekullin e parë dhe të dytë p.e.s. një grupi nomadësh nga Azia, sarmatianëve.

Të tjerë mendojnë se konfliktet mes klaneve të skithasve çuan në rënien e tyre. Të tjerë akoma thonë se një mbetje e skithasve ndoshta gjendet sot te osetianët e Kaukazit. Sidoqoftë, ky popull i mistershëm i së kaluarës ka lënë gjurmë në historinë njerëzore, gjurmë që e bënë fjalën skithas sinonim për mizorinë.

[Harta në faqen 24]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

□ Qyteti i lashtë

• Qyteti i sotëm

Danubi

SKITHIA ITINERARI I EMIGRIMIT

• Kiev

Dnjeper

Dnjester

Deti i Zi

OSETIA

Malet Kaukaz

Deti Kaspik

ASIRIA ← ITINERARET E PUSHTIMEVE

□ Ninevia

Tigri

MEDIA ← ITINERARET E PUSHTIMEVE

MESOPOTAMIA

BABILONIA ← ITINERARET E PUSHTIMEVE

□ Babiloni

Eufrati

PERANDORIA PERSE

□ Suza

Gjiri Persik

PALESTINA

• Beth-shan (Skithopolis)

EGJIPTI ← ITINERARET E PUSHTIMEVE

Nili

Deti Mesdhe

GREQIA

[Figurat në faqen 25]

Skithasit ishin një popull luftarak

[Burimi]

The State Hermitage Museum, St. Petersburg

[Figurat në faqen 26]

Skithasit i këmbenin të mirat materiale me vepra arti greke dhe u bënë shumë të pasur

[Burimi]

Me mirësjellje nga Muzeu i Thesareve Historike të Ukrainës, Kiev