Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Frikësojuni Jehovait dhe mbani urdhërimet e tij

Frikësojuni Jehovait dhe mbani urdhërimet e tij

Frikësojuni Jehovait dhe mbani urdhërimet e tij

«Frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe mbaj urdhërimet e tij. Sepse ky është i gjithë detyrimi i njeriut.»—EKLISIASTIU 12:13, BR.

1, 2. (a) Si mund të na mbrojë fizikisht frika? (b) Përse prindërit e mençur përpiqen të ngulitin një frikë të shëndetshme te fëmijët?

«GUXIMI e vë në rrezik jetën, kurse frika e mbron atë»,—komentoi Leonardo da Vinçi. Trimëria ose guximi prej kokëkrisuri e bën një njeri të verbër ndaj rrezikut, kurse frika i kujton që të jetë i kujdesshëm. Për shembull, nëse i afrohemi buzës së një shkëmbi dhe shohim se nga ç’lartësi mund të biem, shumica prej nesh sprapset në mënyrë instinktive. Në mënyrë të ngjashme, frika e shëndetshme jo vetëm që nxit një marrëdhënie të mirë me Perëndinë, siç e kemi mësuar në artikullin e mëparshëm, por edhe na ndihmon duke na ruajtur që të mos dëmtohemi.

2 Gjithsesi, frika nga shumë rreziqe të ditëve të sotme është diçka që duhet mësuar. Meqë fëmijët e vegjël nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet që paraqet rryma elektrike ose trafiku në qytet, mund t’u ndodhë fare lehtë ndonjë aksident i rëndë. * Prindërit e mençur përpiqen të ngulitin te fëmijët një frikë të shëndetshme, duke i paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për rreziqet që kanë rreth e rrotull. Prindërit e dinë se kjo frikë mund t’ua shpëtojë vërtet jetën fëmijëve të tyre.

3. Përse dhe si na paralajmëron Jehovai për rreziqet frymore?

3 Jehovai ka një interesim të ngjashëm për mirëqenien tonë. Si një Atë i dashur, me anë të Fjalës dhe të organizatës së tij na mëson që t’i sjellim dobi vetes. (Isaia 48:17) Një pjesë e këtij programi të mësimit hyjnor përfshin paralajmërimin që na bëhet «në mënyrë të përsëritur» rreth grackave frymore, me qëllim që të zhvillojmë një frikë të shëndetshme ndaj këtij rreziku. (2 Kronikave 36:15, BR; 2 Pjetrit 3:1) Gjatë gjithë historisë, shumë shkatërrime frymore mund të ishin shmangur dhe shumë vuajtje mund të ishin kursyer ‘sikur njerëzit të kishin zhvilluar një zemër që t’i frikësohej Perëndisë dhe të mbante urdhërimet e tij’. (Ligji i përtërirë 5:29, BR) Në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», si mund të zhvillojmë një zemër që i frikësohet Perëndisë dhe t’u qëndrojmë larg rreziqeve frymore?—2 Timoteut 3:1.

Largohuni nga e keqja

4. (a) Cilën urrejtje duhet të kultivojnë të krishterët? (b) Si ndihet Jehovai ndaj sjelljes mëkatare? (Shih shënimin.)

4 Bibla shpjegon se «frika e Zotit është të urresh të keqen». (Fjalët e urta [Proverbat] 8:13) Një fjalor biblik e përshkruan këtë urrejtje si «një qëndrim emocional ndaj personave dhe gjërave që janë kundër, të urryera, të përçmuara dhe me të cilat një person nuk dëshiron të ketë asnjë kontakt ose lidhje». Pra, frika ndaj Perëndisë përfshin një mospëlqim ose neveri të brendshme ndaj gjithçkaje të keqe në sytë e Jehovait. * (Psalmi 97:10) Ajo na shtyn që të largohemi nga e keqja, ashtu si do të sprapseshim nga buza e një shkëmbi, kur frika instinktive na jep alarmin. Bibla thotë: «Me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja.»—Fjalët e urta 16:6.

5. (a) Si mund ta forcojmë frikën ndaj Perëndisë dhe urrejtjen për atë që është e keqe? (b) Çfarë na mëson historia e kombit të Izraelit lidhur me këtë?

5 Mund ta përforcojmë këtë frikë të shëndetshme dhe urrejtje për atë që është e keqe, duke shqyrtuar pasojat e dëmshme që sjell në mënyrë të pashmangshme mëkati. Bibla na siguron se do të korrim atë që mbjellim, edhe nëse mbjellim sipas mishit, edhe nëse mbjellim sipas frymës. (Galatasve 6:7, 8) Për këtë arsye, Jehovai i përshkroi në mënyrë të qartë pasojat e pashmangshme që do të sillte shpërfillja e urdhërimeve të tij dhe braktisja e adhurimit të vërtetë. Pa mbrojtjen hyjnore, kombi i vogël e i pambrojtur i Izraelit do të ishte në mëshirën e fqinjëve mizorë e të fuqishëm që e rrethonin. (Ligji i përtërirë 28:15, 45-48) Pasoja tragjike e mosbindjes së Izraelit u dokumentua me hollësi në Bibël «si një paralajmërim», në mënyrë që të nxjerrim mësim dhe të kultivojmë frikë Perëndie.—1 Korintasve 10:11.

6. Cilët janë disa shembuj biblikë që mund të shqyrtojmë për të mësuar frikën ndaj Perëndisë? (Shih shënimin.)

6 Veç asaj që i ndodhi kombit të Izraelit në tërësi, Bibla përmban përvoja jete të individëve të cilët i mposhti xhelozia, imoraliteti, lakmia ose krenaria. * Disa nga këta individë i kishin shërbyer Jehovait për shumë vjet, por, në një çast kritik të jetës, frika ndaj Perëndisë nuk ishte aq e fortë sa duhej, kështu që korrën pasoja të hidhura. Meditimi rreth këtyre shembujve biblikë mund të na e forcojë vendosmërinë për të mos bërë gabime të ngjashme. Sa e trishtueshme do të ishte nëse do të pritnim derisa të na ndodhte një tragjedi vetë neve, para se të merrnim për zemër këshillat e Perëndisë! Në kundërshtim me atë që besohet në përgjithësi, përvoja—sidomos ajo që fitohet nga rendja pas kënaqësive—nuk është ajo që të mëson më mirë.—Psalmi 19:7.

7. Kë fton Jehovai në tendën e tij figurative?

7 Një arsye tjetër e fuqishme për të kultivuar frikë Perëndie është dëshira që kemi për të ruajtur marrëdhënien që kemi me Perëndinë. Kemi frikë se mos i shkaktojmë pakënaqësi Jehovait, sepse e çmojmë shumë miqësinë e tij. Kë quan Perëndia mik, të cilin do ta ftonte në tendën e tij figurative? Vetëm atë «që ecën me ndershmëri dhe bën atë që është e drejtë». (Psalmi 15:1, 2) Nëse e vlerësojmë këtë marrëdhënie të privilegjuar që kemi me Krijuesin tonë, do të bëjmë kujdes që të ecim me ndershmëri në sytë e tij.

8. Si e nënvlerësuan disa izraelitë në ditët e Malakisë miqësinë me Perëndinë?

8 Është për të ardhur keq që disa izraelitë në ditët e Malakisë e nënvlerësuan miqësinë me Perëndinë. Në vend që ta kishin frikë e ta nderonin Jehovain, ata çonin për flijim në altarin e tij kafshë të sëmura e të gjymtuara. Mungesa e frikës ndaj Perëndisë pasqyrohej edhe në qëndrimin që kishin ndaj martesës. Për t’u martuar me gra më të reja, divorcoheshin nga gratë e rinisë së tyre për arsye të papërfillshme. Malakia u tha se Jehovai e urrente «divorcin» dhe se fryma e tyre e pabesë i kishte larguar nga Perëndia. Si mund t’i shihte me miratim Perëndia flijimet e tyre kur altari, në kuptimin e figurshëm, mbulohej me lotë, me lotët e hidhur që derdhnin gratë e braktisura? Një mungesë e tillë flagrante respekti për normat e Jehovait, e shtyu atë që të pyeste: «Ku ma kanë frikën?»—Malakia 1:6-8; 2:13-16.

9, 10. Si mund ta tregojmë se e vlerësojmë miqësinë e Jehovait?

9 Sot, Jehovai, në mënyrë të ngjashme, sheh zemrën e thyer të shumë bashkëshorteve të pafajshme dhe të fëmijëve, jeta e të cilëve është shkatërruar nga burra e baballarë egoistë e imoralë ose edhe nga gra e nëna të tilla. Patjetër, kjo gjë e hidhëron atë. Një mik i Perëndisë i sheh gjërat siç i sheh vetë Perëndia. Ai punon fort për ta forcuar martesën e vet, për të hedhur poshtë mënyrën e të menduarit të botës që e nënvlerëson rëndësinë e lidhjes martesore e për të ‘ikur nga kurvëria’.—1 Korintasve 6:18.

10 Në martesë, si edhe në fusha të tjera të jetës, urrejtja për çdo gjë që është e keqe në sytë e Jehovait, bashkë me mirënjohjen e thellë për miqësinë e tij, do të sjellë miratimin dhe favorin e Jehovait. Apostulli Pjetër pohoi në mënyrë të vendosur: «E kuptoj pa pikë dyshimi se Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm.» (Veprat 10:34, 35) Kemi shumë shembuj biblikë që tregojnë se si frika ndaj Perëndisë i shtyu individët të bënin atë që ishte e drejtë në rrethana të ndryshme sprovuese.

Tre persona që iu frikësuan Perëndisë

11. Në cilat rrethana Abrahami u shpall se ishte një njeri që ‘i trembej Perëndisë’?

11 Në Bibël flitet për një njeri të cilin vetë Jehovai e përshkroi si mikun e tij—patriarku Abraham. (Isaia 41:8) Frika që kishte Abrahami ndaj Perëndisë u vu në provë kur Perëndia i kërkoi të flijonte birin e vetëm, Isakun, nëpërmjet të cilit do të përmbushte premtimin e tij që pasardhësit e Abrahamit do të bëheshin një komb i madh. (Zanafilla 12:2, 3; 17:19) A do ta kalonte «miku i Jehovait» këtë sprovë të dhembshme? (Jakovit 2:23) Pikërisht në çastin kur Abrahami ngriti lart thikën për të vrarë Isakun, engjëlli i Jehovait i tha: «Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke.»—Zanafilla 22:10-12.

12. Nga motivohej frika që kishte Abrahami ndaj Perëndisë dhe si mund të tregojmë ne një frymë të ngjashme?

12 Ndonëse Abrahami kishte dhënë prova më parë se ishte një njeri që i frikësohej Jehovait, në këtë rast ai e shfaqi frikën ndaj Perëndisë në një mënyrë të jashtëzakonshme. Gatishmëria për të flijuar Isakun ishte shumë më tepër se një shfaqje e bindjes nga respekti. Abrahami motivohej nga një besim absolut se Ati i tij qiellor do ta përmbushte premtimin e Tij duke e ringjallur Isakun, po të ishte e nevojshme. Siç shkroi Pavli, Abrahami ishte «plotësisht i bindur se atë që [Perëndia] kishte premtuar, ai ishte edhe në gjendje ta bënte». (Romakëve 4:16-21) A jemi të përgatitur të bëjmë vullnetin e Perëndisë edhe kur kjo kërkon sakrifica të mëdha? A kemi siguri të plotë se kjo bindje do të sjellë dobi afatgjata, duke e ditur se Jehovai është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm»? (Hebrenjve 11:6) Kjo është frikë e vërtetë ndaj Perëndisë.—Psalmi 115:11.

13. Përse Jozefi mund ta përshkruante me të drejtë veten si një njeri që ‘kishte frikë nga Perëndia’?

13 Le të shqyrtojmë një shembull tjetër kur frika ndaj Perëndisë ishte në veprim, shembullin e Jozefit. Kur ishte skllav në shtëpinë e Potifarit, Jozefi ballafaqohej çdo ditë me presionin që i bëhej për të kryer kurorëshkelje. Nga sa duket, ai nuk kishte asnjë mënyrë se si ta shmangte të shoqen e pronarit të tij, e cila vazhdimisht i bënte propozime imorale. Më në fund, kur ajo «e kapi nga rrobat», ai «iku duke vrapuar jashtë». Çfarë e shtyu të largohej menjëherë nga e keqja? Pa dyshim, faktori kryesor ishte frika ndaj Perëndisë, dëshira për të mos kryer ‘këtë të keqe të madhe dhe të mëkatonte kundër Perëndisë’. (Zanafilla 39:7-12) Jozefi mund ta përshkruante me të drejtë veten si një njeri që ‘kishte frikë nga Perëndia’.—Zanafilla 42:18.

14. Në ç’mënyrë mëshira e Jozefit pasqyroi frikë të vërtetë ndaj Perëndisë?

14 Vite më vonë, Jozefi u ballafaqua me vëllezërit e tij, të cilët në mënyrë të pashpirt e kishin shitur si skllav. Ai fare lehtë mund ta kishte përdorur nevojën e tyre të ngutshme për ushqim si një mundësi që të hakmerrej për të keqen që i kishin bërë. Por t’i trajtosh njerëzit në mënyrë tiranike nuk pasqyron frikë Perëndie. (Levitiku 25:43) Kështu, kur Jozefi pa prova të mjaftueshme se zemra e vëllezërve të tij kishte ndryshuar, i fali me mëshirë. Ashtu si Jozefi, frika ndaj Perëndisë do të na nxitë ta mundim të keqen me të mirën, si edhe do të na mbajë që të mos biem në tundim.—Zanafilla 45:1-11; Psalmi 130:3, 4; Romakëve 12:17-21.

15. Përse sjellja e Jobit ia kishte gëzuar zemrën Jehovait?

15 Jobi ishte një shembull tjetër i jashtëzakonshëm i një njeriu që i frikësohej Perëndisë. Jehovai i tha Djallit: «A e ke vënë re shërbëtorin tim Job? Sepse mbi dhe nuk ka asnjë tjetër si ai që të jetë i ndershëm, i drejtë, të ketë frikë nga Perëndia dhe t’i largohet së keqes.» (Jobi 1:8) Për shumë vjet, sjellja e paqortueshme e Jobit ia kishte gëzuar zemrën Atit të tij qiellor. Jobi i frikësohej Perëndisë sepse e dinte që kjo ishte gjëja e drejtë për të bërë dhe mënyra më e mirë për të jetuar. «Ja, të kesh frikë nga Zoti, kjo është dituri—thirri Jobi,—dhe t’i largohesh së keqes është zgjuarsi.» (Jobi 28:28) Duke qenë i martuar, Jobi nuk tregohej i vëmendshëm në mënyrë të papërshtatshme ndaj grave të reja, as nuk thurte plane kurorëshkelëse në zemrën e tij. Ndonëse ishte i pasur, nuk pranonte ta vinte besimin te pasuritë dhe shmangte çdo formë idhujtarie.—Jobi 31:1, 9-11, 24-28.

16. (a) Në ç’mënyra shfaqi Jobi dashamirësi? (b) Si tregoi Jobi se nuk ua mbante të tjerëve faljen?

16 Gjithsesi, të kesh frikë Perëndie do të thotë të bësh të mirën, përveçse të largohesh nga e keqja. Kështu, Jobi interesohej me dhembshuri për të verbrit, të çalët dhe të varfrit. (Levitiku 19:14; Jobi 29:15, 16) Ai e kuptonte se ‘kushdo që ia mban dashamirësinë të afërmit, do të lërë edhe frikën ndaj të Plotfuqishmit’. (Jobi 6:14, BR) T’i mbaje dashamirësinë dikujt mund të përfshinte të mos e falje ose të ushqeje mëri. Sipas udhëzimit të Perëndisë, Jobi u lut për tre shokët e tij, të cilët i kishin shkaktuar kaq shumë hidhërim. (Jobi 42:7-10) A mund të tregojmë një frymë të ngjashme falëse ndaj një bashkëbesimtari që mund të na ketë lënduar në ndonjë mënyrë? Një lutje e çiltër në dobi të atij që na ka lënduar mund të bëjë shumë për të na ndihmuar të kapërcejmë fyerjen. Bekimet që pati Jobi sepse tregoi frikë Perëndie na ndihmojnë të perceptojmë ‘mirësinë e madhe që u ka rezervuar Perëndia atyre që kanë frikë nga ai’.—Psalmi 31:19; Jakovit 5:11.

Frika ndaj Perëndisë kundër frikës nga njeriu

17. Çfarë efekti mund të ketë te ne frika nga njeriu, por, përse kjo frikë është dritëshkurtër?

17 Frika ndaj Perëndisë mund të na nxitë që të bëjmë atë që është e drejtë, kurse frika e njeriut mund të na e minojë besimin. Për këtë arsye, kur po u jepte zemër apostujve që të ishin predikues të zellshëm të lajmit të mirë, Jezui u tha: «Mos u frikësoni prej atyre që vrasin trupin, por që s’mund të vrasin shpirtin; por më tepër kini frikë prej atij të mund të shkatërrojë si shpirtin dhe trupin në Gehenë.» (Mateu 10:28) Jezui shpjegoi se frika nga njeriu është dritëshkurtër, pasi njerëzit nuk mund të na i shkatërrojnë shpresat për jetën e ardhshme. Për më tepër, ne i frikësohemi Perëndisë, sepse e njohim fuqinë e tij madhështore, në krahasim me të cilën fuqia e të gjitha kombeve është e papërfillshme. (Isaia 40:15) Ashtu si Abrahami, kemi siguri të plotë në fuqinë e Jehovait për t’i ringjallur shërbëtorët e Tij besnikë. (Zbulesa 2:10) Prandaj, themi të sigurt: «Nëse Perëndia është me ne, kush do të jetë kundër nesh?»—Romakëve 8:31.

18. Në ç’mënyrë i shpërblen Jehovai ata që i frikësohen atij?

18 Cilido qoftë kundërshtari ynë, një pjesëtar i familjes ose një rrugaç në shkollë, do të zbulojmë se «në frikën e Zotit gjendet një siguri e madhe». (Fjalët e urta 14:26) Mund t’i lutemi Perëndisë që të na japë forcë, duke e ditur se do të na dëgjojë. (Psalmi 145:19) Jehovai nuk i harron kurrë ata që i frikësohen atij. Nëpërmjet profetit Malakia, ai na siguron: «Atëherë ata që kishin frikë nga Zoti i folën njëri-tjetrit. Zoti i dëgjoi me vëmendje dhe një libër kujtimi u shkrua përpara tij për ata që kanë frikë nga Zoti dhe që e nderojnë emrin e tij.»—Malakia 3:16.

19. Cilat lloj frike do të zhduken, por ç’lloj do të mbetet përgjithnjë?

19 Po afron koha kur të gjithë ata që do të jenë në tokë do ta adhurojnë Jehovain dhe frika nga njeriu do të zhduket. (Isaia 11:9) Edhe frika nga uria, sëmundjet, krimet dhe lufta do të zhduken. Por frika ndaj Perëndisë do të mbetet në përjetësi, ndërsa shërbëtorët e tij besnikë në qiell e në tokë do të vazhdojnë t’i tregojnë atij respektin, bindjen dhe nderimin e duhur. (Zbulesa 15:4) Ndërkohë, le ta marrim të gjithë për zemër këshillën e frymëzuar të Solomonit: «Zemra jote mos i pastë zili mëkatarët, por vazhdoftë gjithnjë në frikën e Zotit, sepse ka një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.»—Fjalët e urta 23:17, 18.

[Shënimet]

^ par. 2 Disa të rritur e humbasin frikën ndaj rrezikut kur puna i vë në kontakt rregullisht me rrethana të rrezikshme. Kur e pyetën përse kaq shumë zdrukthëtarëve u mungon një gisht, një artizan me përvojë u përgjigj thjesht: «E humbasin frikën që duhet pasur nga sharrat me shpejtësi të madhe.»

^ par. 4 Edhe vetë Jehovai e ndien këtë neveri. Për shembull, tek Efesianëve 4:29, i foluri i ndyrë përshkruhet si «thënie e kalbur». Fjala greke e përdorur për mbiemrin «e kalbur» fjalë për fjalë ka të bëjë me frutat, peshkun ose mishin e prishur. Një term i tillë e paraqet në mënyrë të gjallë neverinë që duhet të ndiejmë për të folurin sharës ose të ndyrë. Në mënyrë të ngjashme, shpesh në Shkrime idhujt përshkruhen si prej «bajge». (Ligji i përtërirë 29:17, BR; Ezekieli 6:9, BR) Neveria që kemi normalisht nga bajgat ose nga jashtëqitjet na ndihmon të kuptojmë ndjenjën e neverisë që ka Perëndia për çfarëdo lloj forme idhujtarie.

^ par. 6 Si shembuj, shqyrto tregimet biblike për Kainin (Zanafilla 4:3-12); Davidin (2 Samuelit 11:2–12:14); Gehazin (2 Mbretërve 5:20-27) dhe Uziahun (2 Kronikave 26:16-21).

A ju kujtohet?

• Si mësojmë ta urrejmë atë që është e keqe?

• Në ç’mënyrë disa izraelitë në ditët e Malakisë e nënvlerësuan miqësinë me Jehovain?

• Çfarë mund të mësojmë nga Abrahami, nga Jozefi dhe nga Jobi lidhur me frikën ndaj Perëndisë?

• Cila frikë nuk do të zhduket kurrë dhe përse?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 19]

Prindërit e mençur ngulitin një frikë të shëndetshme te fëmijët e tyre

[Figura në faqen 20]

Ashtu si frika na largon nga rreziku, frika ndaj Perëndisë na largon nga ajo që është e keqe

[Figura në faqen 23]

Jobi e ruajti frikën ndaj Perëndisë edhe kur u ballafaqua me tre miqtë e tij të rremë

[Burimi]

Nga përkthimi biblik Vulgata Latina, 1795