Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pleq, stërvitni të tjerë që të mbajnë ngarkesën!

Pleq, stërvitni të tjerë që të mbajnë ngarkesën!

Pleq, stërvitni të tjerë që të mbajnë ngarkesën!

NË KONGREGACIONE të Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës, ka një nevojë urgjente për burra që mund të shërbejnë në pozita mbikëqyrjeje. Tri janë arsyet kryesore për këtë zhvillim.

Së pari, Jehovai po e përmbush premtimin e tij për ta bërë ‘minimumin një komb të fuqishëm’. (Isaia 60:22) Me anë të dashamirësisë së tij të pamerituar, pothuajse një milion dishepuj të rinj janë pagëzuar si Dëshmitarë të Jehovait në tri vitet e kaluara. Nevojiten burra përgjegjës për t’i ndihmuar këta të sapopagëzuar që të përparojnë drejt pjekurisë së krishterë.​—Hebrenjve 6:1.

Së dyti, disa që kanë shërbyer si pleq për dhjetëvjeçarë të tërë, mosha e shkuar ose problemet shëndetësore i kanë detyruar të zvogëlojnë peshën e punës që mbajnë në kongregacion.

Së treti, shumë pleq të zellshëm të krishterë tani shërbejnë si pjesëtarë të Komiteteve të Lidhjes me Spitalet, të Komiteteve Rajonale të Ndërtimit ose të Komiteteve të Sallave të Asambleve. Në disa raste, u është dashur të ekuilibrohen, duke hequr dorë të paktën nga disa përgjegjësi në kongregacionin ku shërbejnë.

Si mund të plotësohet nevoja e ngutshme për burra të tjerë të kualifikuar? Çelësi është stërvitja. Bibla i inkurajon mbikëqyrësit e krishterë që të stërvitin ‘njerëz të besueshëm, të cilët nga ana e tyre do të jenë të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar të tjerët’. (2 Timoteut 2:2) Sipas një fjalori, folja «stërvit» do të thotë të mësosh në mënyrë që ta bësh të përshtatshëm, të kualifikuar ose të aftë. Le të shqyrtojmë se si pleqtë mund të stërvitin burra të tjerë të kualifikuar.

Ndiqni shembullin e Jehovait

Jezu Krishti patjetër që ishte i përshtatshëm, i kualifikuar dhe i aftë në punën e tij, e nuk habitemi për këtë. Atë e kishte stërvitur vetë Perëndia Jehova. Cilët faktorë e bënë këtë program stërvitjeje kaq të efektshëm? Jezui përmendi tre faktorë, të dokumentuar te Gjoni 5:20, ku thuhet: «Ati [1] e ka për zemër Birin dhe [2] i tregon atij gjithçka që ai vetë bën dhe do t’i tregojë [3] vepra edhe më të mëdha se këto.» Analizimi i secilit prej këtyre faktorëve do të na japë gjykim për sa i përket stërvitjes.

Vini re se Jezui në fillim tha: «Ati e ka për zemër Birin.» Që nga fillimi i krijimit, mes Jehovait dhe Birit të tij ekzistonte një lidhje e ngrohtë. Shkrimi te Fjalët e urta 8:30 hedh dritë mbi këtë lidhje: «Atëherë [unë, Jezui] isha pranë tij [Perëndisë Jehova] si një kryemjeshtër, isha ai, të cilin ai e kishte veçanërisht për zemër ditë për ditë, duke u gëzuar para tij gjithë kohës.» (BR) Në mendjen e Jezuit nuk kishte dyshim se Jehovai e kishte «veçanërisht për zemër». Edhe vetë Jezui nuk e fshehu gëzimin që ndiente kur punonte përkrah Atit të tij. Sa bukur është kur ekziston një lidhje e ngrohtë dhe e hapur midis pleqve të krishterë dhe atyre që ata po stërvitin!

Faktori i dytë që përmendi Jezui është se Ati «i tregon atij gjithçka që ai vetë bën». Këto fjalë vërtetojnë atë që thuhet te Fjalët e urta 8:30, domethënë që Jezui ‘ishte pranë’ Jehovait kur po krijohej universi. (Zanafilla 1:26) Pleqtë mund ta ndjekin këtë shembull të shkëlqyer duke punuar ngushtësisht me shërbëtorët ndihmës e duke u treguar se si t’i kryejnë punët në mënyrën më të mirë. Megjithatë, nuk janë vetëm shërbëtorët ndihmës të sapocaktuar që kanë nevojë për stërvitje progresive. Ç’të themi për ata vëllezër besnikë që e kanë synuar detyrën e mbikëqyrësit për shumë vjet, por nuk janë caktuar kurrë? (1 Timoteut 3:1) Pleqtë duhet t’u japin këtyre burrave këshilla specifike, në mënyrë që të dinë se si t’i drejtojnë përpjekjet e tyre.

Për shembull, një shërbëtor ndihmës mund të jetë i besueshëm, i përpiktë dhe i përgjegjshëm në kujdesjen për detyrat e tij. Mund të jetë edhe një mësues i mirë. Në shumë fusha, mund të jetë duke bërë punë të shkëlqyer në kongregacion. Megjithatë, ndoshta nuk e kupton se ka prirjen të jetë i ashpër në marrëdhëniet me të bashkëkrishterët. Pleqtë duhet të shfaqin «butësinë që i përket mençurisë». (Jakovit 3:13) A nuk do të ishte mirëdashje nga ana e një plaku të fliste me shërbëtorin ndihmës, duke i shpjeguar qartë problemin, duke i dhënë shembuj specifikë dhe duke i bërë sugjerime praktike për t’u përmirësuar? Nëse plaku me kujdes ‘e ndreq këshillën e tij me kripë’, komentet e tij ka të ngjarë që të priten mirë. (Kolosianëve 4:6) Sigurisht, shërbëtori ndihmës do t’ia bënte shumë më të këndshme punën plakut, duke qenë i hapur dhe duke i mirëpritur këshillat që merr.​—Psalmi 141:5.

Në disa kongregacione, pleqtë po u japin stërvitje praktike e të vazhdueshme shërbëtorëve ndihmës. Për shembull, kur vizitojnë të sëmurët ose të moshuarit, i marrin me vete shërbëtorët ndihmës të kualifikuar. Në këtë mënyrë, shërbëtorët ndihmës fitojnë përvojë në veprën baritore. Sigurisht, ka shumë gjëra që mund të bëjë një shërbëtor ndihmës për të çuar më tej përparimin e tij frymor.​—Shih kutinë më poshtë, me titull: «Çfarë mund të bëjnë shërbëtorët ndihmës?»

Faktori i tretë që e bëri stërvitjen e Jezuit kaq të efektshme, ishte se Jehovai e stërviti duke pasur në mendje përparimin e mëtejshëm. Jezui tha se Ati do t’i tregonte Birit «vepra edhe më të mëdha se këto». Përvoja që fitoi Jezui kur ishte në tokë i dha mundësi të zhvillonte cilësi që do t’i duheshin për të kryer caktime të mëtejshme. (Hebrenjve 4:15; 5:8, 9) Për shembull, sa me përgjegjësi do të jetë caktimi që do të marrë Jezui së shpejti: të ringjallë dhe të gjykojë miliarda njerëz që tani janë të vdekur!​—Gjoni 5:21, 22.

Kur stërvitin shërbëtorët ndihmës, pleqtë sot duhet të kenë në mendje nevojat që do të lindin në të ardhmen. Ndonëse mund të duket se tani për tani ka mjaft pleq e shërbëtorë ndihmës për t’u kujdesur për nevojat, a do të jetë ashtu sikur të formohet një kongregacion i ri? Po nëse formohen disa kongregacione? Gjatë tri viteve të kaluara, në mbarë botën pati më shumë se 6.000 kongregacione të reja. Ç’numër i madh pleqsh e shërbëtorësh ndihmës nevojiten për t’u kujdesur për këto kongregacione të reja!

Pleq, a po ndiqni shembullin e Jehovait duke kultivuar një lidhje të ngrohtë personale me burrat që po stërvitni? A po u tregoni se si ta kryejnë punën e tyre? A keni në mend nevojat që do të lindin në të ardhmen? Ndjekja e shembullit të Jehovait në stërvitjen e Jezuit do të sjellë bekime të pasura për shumë veta.

Mos kini frikë të delegoni

Pleqtë e aftë që janë mësuar të drejtpeshojnë shumë caktime me përgjegjësi mund të jenë disi ngurrues t’u delegojnë autoritet të tjerëve. Mund të kenë provuar ta bëjnë këtë në të kaluarën, por me përfundime jo të kënaqshme. Prandaj mund të kenë qëndrimin: ‘Nëse dua një punë të bërë mirë, duhet ta bëj vetë.’ Por, a është ky qëndrim në harmoni me vullnetin e Jehovait, të shprehur në Shkrime, që burrat me më pak përvojë të marrin stërvitje nga ata me më shumë përvojë?​—2 Timoteut 2:2.

Apostulli Pavël u zhgënjye kur një nga shokët e tij të udhëtimit, Gjon Marku, e braktisi caktimin e tij në Pamfili dhe u kthye në shtëpi. (Veprat 15:38, 39) Megjithatë, Pavli nuk la që ky zhgënjim ta bënte që të mos stërviste të tjerë. Ai zgjodhi një vëlla tjetër të ri, Timoteun dhe e stërviti në veprën misionare. * (Veprat 16:1-3) Në Berea, misionarët hasën një kundërshtim kaq të ashpër, saqë u bë e papërshtatshme që Pavli të qëndronte atje. Prandaj, ai e la kongregacionin e ri nën kujdesin e Silës, një vëlla i moshuar i pjekur, dhe të Timoteut. (Veprat 17:13-15) Pa dyshim, Timoteu mësoi shumë nga Sila. Më vonë, kur Timoteu ishte gati për të marrë mbi supe përgjegjësi të mëtejshme, Pavli e dërgoi në Selanik që të inkurajonte kongregacionin e atjeshëm.​—1 Selanikasve 3:1-3.

Lidhja që ekzistonte midis Pavlit dhe Timoteut nuk ishte një lidhje pune, e ftohtë ose formale. Midis tyre kishte një lidhje të përzemërt. Kur po i shkruante kongregacionit në Korint, Pavli foli për Timoteun, të cilin kishte në plan ta dërgonte atje, si për ‘birin e tij të dashur dhe të besueshëm në Zotërinë’. Ai shtoi: «[Timoteu] do t’ju sjellë ndër mend metodat e mia në lidhje me Krishtin Jezu.» (1 Korintasve 4:17) Timoteu iu përgjigj stërvitjes që mori nga Pavli, duke u bërë i kualifikuar për të kryer caktimet e tij. Shumë vëllezër të rinj në moshë janë aftësuar si shërbëtorë ndihmës, pleq ose edhe mbikëqyrës udhëtues, sepse kanë nxjerrë dobi nga stërvitja që kanë marrë nga pleq të kujdesshëm, të cilët u interesuan me të vërtetë për ta, siç bëri Pavli në rastin e Timoteut.

Pleq, stërvitni të tjerë!

Nuk ka asnjë dyshim se profecia e Isaisë 60:22 po përmbushet sot. Jehovai po e bën ‘minimumin një komb të fuqishëm’. Që ai komb të mbetet «i fuqishëm», duhet të jetë i organizuar mirë. Pleq, përse të mos shqyrtoni mënyra në të cilat mund t’u jepni stërvitje të mëtejshme burrave të dedikuar që kualifikohen për të marrë këtë stërvitje? Sigurohuni që çdo shërbëtor ndihmës të jetë i vetëdijshëm për përmirësimet që duhet të bëjë, për të përparuar. Gjithashtu, ju vëllezër të pagëzuar, përfitoni sa më plotësisht nga çdo vëmendje personale që merrni. Përfitoni nga rastet për të rritur aftësinë, njohurinë dhe përvojën tuaj. Jehovai do ta bekojë me siguri këtë program ndihme të dashur.​—Isaia 61:5.

[Shënimi]

^ par. 18 Më vonë, Pavli punoi përsëri me Gjon Markun.​—Kolosianëve 4:10.

[Kutia në faqen 30]

Çfarë mund të bëjnë shërbëtorët ndihmës?

Ndërkohë që pleqtë duhet të sigurojnë stërvitje për shërbëtorët ndihmës, ka shumë gjëra që mund t’i bëjnë edhe vetë shërbëtorët ndihmës për të vazhduar përparimin e tyre frymor.

​—Shërbëtorët ndihmës duhet të jenë të zellshëm dhe të besueshëm kur kujdesen për caktimet e tyre. Gjithashtu, duhet të zhvillojnë shprehi të mira studimi. Në një masë të konsiderueshme, përparimi varet nga studimi dhe zbatimi i gjërave të mësuara.

​—Kur një shërbëtor ndihmës përgatitet për të mbajtur një fjalim në një mbledhje të krishterë, nuk duhet të ngurrojë t’i kërkojë një plaku të aftë sugjerime se si ta paraqesë materialin.

​—Gjithashtu, shërbëtori ndihmës mund t’i kërkojë një plaku që të vërejë me vëmendje se si e mban ai një fjalim biblik dhe t’i japë këshilla për t’u përmirësuar.

Shërbëtorët ndihmës duhet të kërkojnë, të pranojnë dhe të zbatojnë këshillat që vijnë nga pleqtë. Në këtë mënyrë, përparimi i tyre ‘do të duket qartë për të gjithë’.​—1 Timoteut 4:15.