Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Predikimi i fjalës’ sjell freskim

‘Predikimi i fjalës’ sjell freskim

«Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj»

‘Predikimi i fjalës’ sjell freskim

AI ISHTE një njeri i përsosur me një caktim të rëndësishëm. Metodat e tij të mësimit ishin kaq të efektshme, saqë «turmat ishin të mahnitura nga mënyra se si mësonte». (Mateu 7:28) Ishte edhe një predikues i palodhur. Koha, energjitë dhe burimet e tij financiare ishin drejtuar kryesisht ndaj predikimit të Mbretërisë së Perëndisë. Në të vërtetë, Jezu Krishti i ra kryq e tërthor vendit të tij si një predikues dhe mësues i pakrahasueshëm.​—Mateu 9:35.

Caktimi i ngutshëm i Jezuit ishte t’u predikonte ‘lajmin e mirë të mbretërisë’ bashkëkohësve të tij dhe t’i përgatiste dishepujt e tij për të njëjtën vepër, por në shkallë globale. (Mateu 4:23; 24:14; 28:19, 20) A do t’i mbyste ithtarët e tij të papërsosur përgjegjësia që sillte predikimi, urgjenca e tij dhe shtrirja e gjerë e kësaj vepre?

Në asnjë mënyrë! Pasi i udhëzoi dishepujt që t’i luten «Zotërisë të së korrës», Perëndisë Jehova, për më shumë punëtorë, Jezui i dërgoi që të mësonin njerëzit. (Mateu 9:38; 10:1) Pastaj, u dha siguri se përgjegjësia për të qenë ithtarë të tij​—duke përfshirë edhe detyrën për të predikuar​—do të sillte lehtësim dhe ngushëllim të vërtetë. Jezui tha: «Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj.»​—Mateu 11:28.

Një burim gëzimi

Sa e dhembshur, e dashur dhe e këndshme është kjo ftesë! Ajo shpreh interesimin e madh të Jezuit për ithtarët e tij. Dishepujt e tij gjejnë vërtet freskim duke përmbushur përgjegjësinë e predikimit të ‘lajmit të mirë’ të Mbretërisë së Perëndisë. Kjo u sjell gëzim dhe kënaqësi të vërtetë.​—Gjoni 4:36.

Shumë kohë para se Jezui të vinte në tokë, Shkrimet theksonin se gëzimi duhej të ishte një veçori e shërbimit të shenjtë ndaj Perëndisë. Kjo u bë e qartë kur psalmisti këndoi: «Dërgojini klithma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës! I shërbeni Zotit me gaz, ejani para tij me këngë gëzimi.» (Psalmi 100:1, 2) Sot, njerëz nga të gjitha kombet ngazëllojnë te Jehovai dhe shprehjet e tyre të lëvdimit janë si britmat ngadhënjyese të një ushtrie fitimtare. Ata që i janë përkushtuar vërtet Perëndisë vijnë në prani të tij «me klithma gëzimi». E kjo është vërtet e përshtatshme, sepse Jehovai është ‘Perëndia i lumtur’, i cili dëshiron që shërbëtorët e tij të gjejnë gëzim në plotësimin e dedikimit që i kanë bërë.​—1 Timoteut 1:11.

Shërbëtorë të freskuar

Si është e mundur që përpjekjet e shumta në shërbimin në fushë nuk na lodhin, por, përkundrazi, na freskojnë? Po ja, për Jezuin të bënte veprën e Jehovait ishte si një ushqim rigjallërues. Ai tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.»​—Gjoni 4:34.

Në mënyrë të ngjashme, sot predikuesit e zellshëm të krishterë gjejnë gëzim kur ‘predikojnë fjalën’. (2 Timoteut 4:2) Koni, një e krishterë me moshë mesatare, e cila kalon më shumë se 70 orë në muaj në veprën e predikimit, thotë: «Pasi dal në shërbim, kam një ndjenjë kënaqësie dhe një ndjenjë mirëqenieje, edhe po të jem e lodhur në fund të ditës.»

Po kur mesazhi i Mbretërisë nuk pritet mirë? Koni vazhdon: «Cilido qoftë reagimi, në asnjë rast nuk kam ndier keqardhje që kam qenë në shërbim. Përveçse e di se po bëj atë që i pëlqen Jehovait, e quaj një kënaqësi të flas për të vërtetën, pasi kur e bëj këtë, më forcohet në zemër shpresa e mrekullueshme e Biblës.»

Të tjerë shohin se ndihma që u japin njerëzve për të fituar njohuri të saktë për Perëndinë i jep domethënie vetë jetës së tyre. Melonia, një e re që rregullisht kalon më shumë se 50 orë në muaj në veprën e predikimit, komenton: «Shërbimi është freskues, sepse i jep jetës sime drejtim dhe qëllim. Kur shkoj në shërbim, problemet personale dhe streset e përditshme harrohen.»

Milisenta, një tjetër shërbëtore e zellshme, Dëshmitare e Jehovait, komenton: «Shërbimi i jep vlerë çdo dite që kaloj duke folur me të tjerët për qëllimin e Perëndisë për njerëzimin dhe duke shpjeguar se si do të rivendoset Parajsa mbi tokë. Shërbimi ma bën Jehovain real çdo ditë dhe më jep paqe e një masë lumturie të brendshme që nuk mund të arrihet në ndonjë mënyrë tjetër.»

Marrës të freskuar

Natyrisht, predikuesit e Mbretërisë freskohen nga shërbimi i krishterë dhe ata që pranojnë mesazhin jetëdhënës ngushëllohen prej tij. Ndonëse ishte mësuar nga murgeshat dhe nga priftërinjtë, një mësuese në Portugali e ndiente se nevojat frymore nuk po i plotësoheshin në kishën e saj. Pyetjet biblike që kishte mbeteshin pa përgjigje. Studimi i rregullt biblik që drejtoi me të një Dëshmitare e Jehovait ia dha kuptueshmëritë biblike njërën pas tjetrës. Mësuesja ndihej e entuziazmuar. «Mezi e pritja studimin çdo të mërkurë,​—thoshte ajo,​—pasi pyetjet e mia merrnin përgjigje një nga një me prova biblike bindëse.» Sot, kjo grua është një shërbëtore e dedikuar e Jehovait dhe po i freskon edhe ajo të tjerët me të vërtetën biblike.

Pra, është e qartë se Dëshmitarët e Jehovait nuk i mbyt urgjenca e detyrës për të predikuar ose shtrirja e madhe e territorit të tyre mbarëbotëror. As apatia, as kundërshtimi, nuk e mbytin frymën e tyre. I janë kushtuar me forcë përmbushjes së detyrës së predikimit të Mbretërisë. E ndajnë lajmin e mirë me njerëzit kudo që mund të gjenden: në një vendndalim kamionësh në Shtetet e Bashkuara (1), në një aeroport korean (2), në Ande (3) ose në një treg në Londër (4). Ithtarët e sotëm të Jezuit e vazhdojnë me gëzim në mbarë botën veprën e tyre shpërblyese. Dhe, duke e mbajtur premtimin, Jezui i ka freskuar dhe i ka përdorur për të freskuar shumë të tjerë.​—Zbulesa 22:17.