Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vëllezër që zhvilluan qëndrime të ndryshme

Vëllezër që zhvilluan qëndrime të ndryshme

Vëllezër që zhvilluan qëndrime të ndryshme

VENDIMET që marrin prindërit ndikojnë në mënyrë të pashmangshme te fëmijët e tyre. Kjo është po aq e vërtetë sot, sa ishte edhe në kopshtin e Edenit. Drejtimi rebel që morën Adami dhe Eva pati një ndikim të thellë tek i gjithë njerëzimi. (Zanafilla 2:15, 16; 3:1-6; Romakëve 5:12) Megjithatë, secili prej nesh ka mundësi të ndërtojë një marrëdhënie të mirë me Krijuesin, nëse zgjedh ta bëjë këtë. Kjo ilustrohet nga tregimi për Kainin dhe Abelin, vëllezërit e parë në historinë njerëzore.

Nuk ka asnjë dokumentim biblik se Perëndia foli me Adamin dhe Evën pas dëbimit të tyre nga Edeni. Gjithsesi, Jehovai nuk u frenua për të mos folur me bijtë e tyre. Pa dyshim, Kaini dhe Abeli e morën vesh nga prindërit se çfarë kishte ndodhur. Ata mund t’i shihnin «kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës». (Zanafilla 3:24) Këta burra provuan edhe vërtetësinë e deklaratës së Perëndisë se puna e lodhshme me djersë dhe dhembja do të bëheshin realitete të jetës.​—Zanafilla 3:16, 19.

Kaini dhe Abeli duhet të kenë qenë në dijeni të fjalëve që i tha Jehovai gjarprit: «Do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.» (Zanafilla 3:15) Ajo që dinin për Jehovain do t’u jepte mundësi Kainit dhe Abelit të zhvillonin një marrëdhënie të miratuar me të.

Meditimi rreth profecisë së Jehovait dhe rreth cilësive të tij si një Mirëbërës i dashur duhet të kenë lindur te Kaini dhe Abeli dëshirën për të pasur miratimin hyjnor. Por, deri në ç’masë do ta kultivonin këtë dëshirë? A do të reagonin ndaj dëshirës së tyre të lindur për ta adhuruar Perëndinë dhe për të zhvilluar karakterin e tyre frymor deri në atë pikë sa të ushtronin besim tek ai?​—Mateu 5:3.

Vëllezërit sjellin blatime

Kur erdhi koha, Kaini dhe Abeli i sollën blatime Perëndisë. Kaini paraqiti fryte të tokës, kurse Abeli ofroi pjella të para të kopesë së tij. (Zanafilla 4:3, 4) Në atë kohë, këta burra mund të kenë qenë rreth 100 vjeç, sepse Adami ishte 130 vjeç kur u bë baba i djalit tjetër të tij, Setit.​—Zanafilla 4:25; 5:3.

Blatimet që bënë, treguan se Kaini dhe Abeli e kuptonin gjendjen e tyre mëkatare dhe dëshironin pëlqimin e Perëndisë. Ata duhet të kenë menduar sadopak për premtimin e Jehovait lidhur me gjarprin dhe me Farën e gruas. Nuk na thuhet se sa kohë dhe përpjekje kushtuan Kaini dhe Abeli për të zhvilluar një marrëdhënie të miratuar me Jehovain. Por reagimi që pati Perëndia ndaj blatimeve të tyre siguron kuptueshmëri për mendimet e brendshme të secilit prej tyre.

Disa studiues mendojnë se Eva e shihte Kainin si ‘fara’ që do të shkatërronte gjarprin, sepse kur lindi Kaini, ajo tha: «Kam bërë një njeri me ndihmën e Jehovait.» (Zanafilla 4:1, BR) Nëse edhe Kaini e kishte këtë bindje, e kishte krejtësisht gabim. Nga ana tjetër, flijimin e Abelit e shoqëronte besimi. Kështu, «me anë të besimit Abeli i ofroi Perëndisë një flijim me vlerë më të madhe se ai i Kainit».​—Hebrenjve 11:4.

Kuptueshmëria frymore e Abelit dhe mungesa e saj nga ana e Kainit nuk ishte i vetmi dallim ndërmjet këtyre vëllezërve. Kishte edhe një dallim në qëndrime. Për këtë arsye, «ndërkohë që Jehovai e shihte me pëlqim Abelin dhe blatimin e tij, ai nuk e pa fare me pëlqim Kainin dhe blatimin e tij». Ka të ngjarë që Kaini të mos ketë menduar thellë për blatimin e tij dhe vetëm sa ta ketë paraqitur në mënyrë mekanike. Por Perëndia nuk e miratonte adhurimin sa për të thënë. Kaini kishte zhvilluar një zemër të ligë dhe Jehovai e kuptoi se motivet e tij ishin të gabuara. Reagimi që pati Kaini ndaj mospranimit që iu bë flijimit të tij, pasqyroi frymën e vërtetë që kishte. Në vend që të përpiqej t’i ndreqte gjërat, «Kaini u ndez nga zemërimi i madh dhe fytyra nisi t’i brengosej». (Zanafilla 4:5, BR) Sjellja e tij zbuloi idetë dhe qëllimet e liga që kishte në mendje.

Paralajmërimi dhe reagimi

Duke e ditur qëndrimin e Kainit, Perëndia e këshilloi duke i thënë: «Përse je ndezur nga zemërimi dhe përse të është brengosur fytyra? Nëse kthehesh për të bërë të mirën, a nuk do të ketë lartësim? Por nëse nuk kthehesh për të bërë të mirën, mëkati po përgjon në hyrje dhe dëshirimi i tij është për ty; por ti, nga ana jote, a do ta vësh poshtë?»​—Zanafilla 4:6, 7, BR.

Këtu ka një mësim për ne. Në të vërtetë, mëkati na përgjon te dera, gati të na përpijë. Por Perëndia na ka dhënë vullnetin e lirë dhe mund të zgjedhim të bëjmë atë që është e drejtë. Jehovai e ftoi Kainin që të ‘kthehej për të bërë të mirën’, por nuk e detyroi që të ndryshonte. Kaini e zgjodhi vetë rrugën.

Tregimi i frymëzuar vazhdon: «Pas kësaj, Kaini i tha Abelit, të vëllait: ‘Le të shkojmë në fushë.’ Kështu ndodhi që ndërsa ishin në fushë, Kaini e sulmoi vëllanë e tij Abelin dhe e vrau.» (Zanafilla 4:8, BR) Kështu, Kaini u bë një vrasës rebel e i pamëshirshëm. Nuk tregoi as edhe një grimë brejtjeje të ndërgjegjes kur Jehovai e pyeti: «Ku është Abeli, yt vëlla?» Në vend të kësaj, në mënyrë të pashpirt e fyese, Kaini ia ktheu: «Nuk e di. Mos jam gjë rojë i vëllait tim?» (Zanafilla 4:9, BR) Kjo gënjeshtër e drejtpërdrejtë dhe mohimi i përgjegjësisë e bënë më se të qartë mizorinë e Kainit.

Jehovai e mallkoi Kainin dhe e dëboi nga rrethinat e Edenit. Mallkimi që tashmë i ishte bërë tokës, me sa duket, do të ishte më i rëndë në rastin e Kainit dhe toka nuk do t’i përgjigjej kultivimit të tij. Ai do të mbetej endacak dhe ikanak nëpër tokë. Ankesa e Kainit ndaj ashpërsisë së dënimit shprehu ankthin se mos për vdekjen e vëllait do të merrnin hak tek ai, por nuk shfaqi ndonjë pendim nga zemra. Jehovai vuri «një shenjë» për Kainin, ndoshta një dekret solemn të njohur dhe të respektuar nga të tjerët e që kishte si qëllim t’i pengonte që ta vritnin për hakmarrje.​—Zanafilla 4:10-15.

Më pas Kaini «iku nga faqja e Jehovait dhe u vendos me banim në tokën e Arratisë, në lindje të Edenit». (Zanafilla 4:16, BR) Pasi kishte marrë për grua një nga motrat ose nga mbesat e tij, ai ndërtoi një qytet që e quajti Enok, me emrin e birit të tij të parëlindur. Lameku, pasardhës i Kainit, doli se ishte me prirje po aq të dhunshme sa edhe paraardhësi i tij. Por linja familjare e Kainit u zhduk në Përmbytjen e ditëve të Noesë.​—Zanafilla 4:17-24.

Mësime për ne

Mund të nxjerrim mësime nga tregimi për Kainin dhe Abelin. Apostulli Gjon u bën thirrje të krishterëve që ta duan njëri-tjetrin, «jo si Kaini që vinte nga i ligu dhe vrau vëllanë e tij». «Veprat [e Kainit] ishin të liga, por ato të vëllait të tij ishin të drejta.» Gjoni thotë gjithashtu: «Kushdo që urren vëllanë e tij është vrasës dhe ju e dini se tek asnjë vrasës nuk qëndron jeta e përhershme.» Po, mënyra se si i trajtojmë të bashkëkrishterët tanë ka ndikim në marrëdhënien tonë me Perëndinë dhe në jetën tonë të ardhme. Nuk është e mundur të urrejmë ndonjë nga bashkëbesimtarët tanë dhe të kemi prapëseprapë miratimin e Perëndisë.​—1 Gjonit 3:11-15; 4:20.

Kaini dhe Abeli duhet të kenë pasur një edukim të ngjashëm, por Kainit i mungonte besimi te Perëndia. Në të vërtetë, ai shfaqi frymën e Djallit, ‘vrasësit që nga fillimi dhe atit të gënjeshtrës’. (Gjoni 8:44) Drejtimi që mori Kaini tregon se të gjithë kemi një zgjedhje për të bërë, se ata që zgjedhin të mëkatojnë e ndajnë veten nga Perëndia dhe se Jehovai i ekzekuton gjykimet e tij mbi të papenduarit.

Nga ana tjetër, Abeli ushtroi besim te Jehovai. Në të vërtetë, «me anë të besimit Abeli i ofroi Perëndisë një flijim me vlerë më të madhe se ai i Kainit, besim nëpërmjet të cilit për të u dha dëshmi se ishte i drejtë, duke qenë se Perëndia dha dëshmi për dhuratat e tij». Ndonëse Shkrimet nuk përmbajnë as edhe një fjalë të thënë nga Abeli, me anë të besimit të tij shembullor, ai «ende flet».​—Hebrenjve 11:4.

Abeli ishte i pari në radhën e gjatë të mbajtësve të integritetit. Gjaku i tij, i cili ‘i thirri Jehovait nga toka’ nuk është harruar. (Zanafilla 4:10; Luka 11:48-51) Nëse ushtrojmë besim siç bëri Abeli, edhe ne mund të gëzojmë një marrëdhënie të çmuar e të përhershme me Jehovain.

[Kutia në faqen 22]

BUJKU DHE BARIU

Kultivimi i tokës dhe kujdesja për kafshët ishin dy nga përgjegjësitë që i dha fillimisht Perëndia Adamit. (Zanafilla 1:28; 2:15; 3:23) Njëri bir i tij, Kaini, u bë bujk, kurse Abeli u bë bari. (Zanafilla 4:2) Por, meqë deri pas Përmbytjes ushqimi i njerëzve përbëhej vetëm nga frutat dhe perimet, përse duhej të rritnin dhen?​—Zanafilla 1:29; 9:3, 4.

Që të shtohen, dhentë kanë nevojë për kujdesin e njerëzve. Puna që bënte Abeli është një dëshmi se njerëzit i rritnin këto kafshë shtëpiake që nga fillimi i historisë njerëzore. Shkrimet nuk thonë nëse njerëzit e parë e përdornin qumështin e kafshëve si ushqim, por edhe ata që hanë vetëm perime mund ta përdorin leshin e dhenve. Gjithashtu, kur ngordhin dhentë, lëkura e tyre shërben për qëllime të dobishme. Për shembull, për të veshur Adamin dhe Evën, Jehovai siguroi «tunika prej lëkure».​—Zanafilla 3:21.

Sidoqoftë, duket e arsyeshme të mendojmë se në fillim Kaini dhe Abeli bashkëpunonin. Prodhonin gjëra që pjesëtarëve të tjerë të familjes do t’u nevojiteshin për t’u veshur e për t’u ushqyer mirë.

[Figura në faqen 23]

«Veprat [e Kainit] ishin të liga, por ato të vëllait të tij ishin të drejta»