Martirë të kohëve tona japin dëshmi në Suedi
Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Martirë të kohëve tona japin dëshmi në Suedi
FJALA greke për «dëshmitar» është martyr, nga e cila vjen fjala «martir» që do të thotë «një person që jep dëshmi me vdekjen e tij». Shumë të krishterë në shekullin e parë dhanë dëshmi për Jehovain duke vdekur për besimin e tyre.
Në mënyrë të ngjashme, në shekullin e 20-të, mijëra Dëshmitarë u vranë nga përkrahësit e Hitlerit, sepse mbanin asnjanësinë në çështjet politike dhe nacionaliste. Edhe këta martirë të kohëve tona japin një dëshmi të fuqishme. Kjo ka ndodhur në Suedi kohët e fundit.
Me rastin e 50-vjetorit të përfundimit të Luftës II Botërore, qeveria suedeze nisi një fushatë arsimore mbarëkombëtare për Holokaustin. Projekti u quajt «Histori e gjallë». Dëshmitarët e Jehovait u ftuan të merrnin pjesë dhe të tregonin përvojat e tyre.
Dëshmitarët u përgjigjën duke hapur një ekspozitë me titull «Viktimat e harruara të Holokaustit». Kjo ekspozitë u hap në Sallën e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në Strenjes. Të pranishëm ishin Dëshmitarë që kishin mbijetuar nga Holokausti, të cilët u treguan përvojat e tyre më shumë se 8.400 vizitorëve që erdhën ditën e parë. Deri në fund të vitit 1999, ekspozita ishte shfaqur në më shumë se 100 muze dhe biblioteka publike në gjithë Suedinë dhe e kishin parë rreth 150.000 njerëz. Ndër vizitorët përfshiheshin disa qeveritarë, të cilët komentuan në mënyrë pozitive për atë që panë.
Asnjë ngjarje tjetër në lidhje me veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Suedi nuk ka pasur një shtrirje kaq të gjerë në publik dhe nuk i është bërë kaq shumë publicitet pozitiv. Shumë vizitorë pyetnin: «Përse nuk na keni folur më përpara për përvojat tuaja gjatë Holokaustit?»
Pasi ishte shfaqur ekspozita në zonën e tyre, një kongregacion raportoi një rritje prej 30 për qind të studimeve biblike në shtëpi. Një Dëshmitar e ftoi një kolegun e tij të shihte ekspozitën. Kolegu e pranoi me kënaqësi ftesën dhe solli me vete një shoqe. Më pas, mikja e tij tha se e kishte të vështirë ta kuptonte se si njerëzit mund të kishin një besim kaq të fortë, saqë të pranonin më mirë të vdisnin, sesa të nënshkruanin një dokument ku pohonin se hiqnin dorë nga besimi i tyre. Kjo çoi në biseda të mëtejshme dhe me të u fillua një studim biblik.
Ashtu si barasvlerësit e tyre në shekullin e parë, këta martirë besnikë të shekullit të 20-të kanë dëshmuar me guxim se Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë, i cili është i denjë për besimin e për besnikërinë tonë të patundur.—Zbulesa 4:11.
[Burimi i figurës në faqen 13]
I burgosur në kamp: Państwowe Muzeum Oświęcim-Brzezinka, me mirësjellje nga USHMM Photo Archives