Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Deri në ç’masë zbatohen për të krishterët sot kufizimet për martesat midis të afërmve nga gjaku, kufizime që gjenden në Ligjin e Moisiut?
Ligji që i dha Jehovai kombit të Izraelit nuk thotë shumë për ceremonitë dhe procedurat martesore. Megjithatë, përmban disa ndalime për disa lidhje martesore. Për shembull, te Levitiku 18:6-20 gjejmë një listë të lidhjeve të ndaluara që kishin të bënin me ndonjë ‘të afërm nga gjaku’. Kjo pjesë jep mjaft hollësi që tregojnë se cilët të afërm nga gjaku nuk duhet të kenë marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin. Sigurisht, të krishterët nuk janë nën Ligjin e Moisiut ose nën detyrimin për të mbajtur dekretet e tij. (Efesianëve 2:15; Kolosianëve 2:14) Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se të krishterët thjesht mund ta shpërfillin këtë çështje kur zgjedhin me kë të martohen. Ka disa arsye për këtë.
Si fillim, martesat ndërmjet të afërmve të rrethit të ngushtë familjar kontrollohen nga ligje shtetërore dhe, në thelb, të krishterët janë të detyruar t’u binden ligjeve të vendit ku jetojnë. (Mateu 22:21; Romakëve 13:1) Sigurisht, këto ligje ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Në kohën tonë, shumica e ligjeve të këtij lloji bazohen kryesisht në arsyet gjenetike. Është një fakt i njohur se martesat ndërmjet të afërmve të rrethit të ngushtë familjar ka më shumë të ngjarë t’i vënë fëmijët përballë rrezikut që të lindin me të meta dhe sëmundje gjenetike. Për këtë arsye dhe sepse u ‘nënshtrohen autoriteteve më të larta’, të krishterët që martohen respektojnë ligjet vendase për martesën.
Pastaj është edhe çështja e asaj që është e pranueshme ose jo në zonën në të cilën jeton një person. Pothuajse në çdo kulturë ka rregulla e zakone që e dënojnë martesën ndërmjet njerëzve që kanë lidhje të ngushta gjaku, shpesh duke e parë këtë gjë si incest e prandaj një gjë e ndaluar. Ndonëse lidhjet specifike të dënuara mund të ndryshojnë shumë në kultura të ndryshme, «në përgjithësi, sa më e afërt të jetë lidhja gjenetike ndërmjet dy njerëzve, aq më i fortë dhe më i rëndë është ndalimi i vënë për të penguar marrëdhëniet seksuale ndërmjet tyre»,—thotë The Encyclopædia Britannica. Kështu, edhe në rastet kur nuk përfshihen lidhje incesti, të krishterët nuk dëshirojnë të veprojnë duke shpërfillur plotësisht zakonet e vendosura ose ndjeshmërinë e përligjur të banorëve, në mënyrë që të mos i sjellin sharje kongregacionit të krishterë ose emrit të Perëndisë.—2 Korintasve 6:3.
Nuk duhet shpërfillur as ndërgjegjja që na ka dhënë Perëndia. Të gjithë njerëzit lindin me një ndjenjë të së drejtës dhe të së gabuarës, të së mirës dhe të së keqes. (Romakëve 2:15) Nëse nuk është shtrembëruar ose ngurtësuar nga praktikat e zvetënuara, ndërgjegjja u thotë njerëzve çfarë është normale dhe e përshtatshme e çfarë është e panatyrshme dhe e papërshtatshme. Jehovai përmendi tërthorazi këtë fakt kur u dha izraelitëve ligjin e tij kundër martesës ndërmjet të afërmve me lidhje të ngushta gjaku. Lexojmë: «Nuk do të bëni siç bëjnë në vendin e Egjiptit, ku keni banuar dhe nuk do të bëni siç bëjnë në vendin e Kanaanit ku po ju çoj; ju nuk do të ndiqni zakonet e tyre.» (Levitiku 18:3) Të krishterët e çmojnë ndërgjegjen e tyre të bazuar në Bibël dhe nuk lejojnë që ajo të prishet nga ndjenja e shtrembëruar e së drejtës dhe e së gabuarës që kanë kombet.—Efesianëve 4:17-19.
Atëherë, çfarë mund të nxjerrim si përfundim? Ndonëse të krishterët nuk janë nën Ligjin e Moisiut, ndërgjegjja u thotë qartë se martesat ndërmjet të afërmve me lidhje të ngushta gjaku—si baba e bijë, nënë e bir, vëlla e motër—janë krejtësisht të papranueshme për të krishterët. * Për sa i përket rrethit më të gjerë të të afërmve, të krishterët e pranojnë se ka ligje dhe statute që drejtojnë martesën ligjore dhe se ka norma që janë të pranueshme nga ana shoqërore dhe kulturore. Këto duhen shqyrtuar me kujdes, në mënyrë që të veprojmë në përputhje me urdhrin biblik: «Martesa të nderohet nga të gjithë.»—Hebrenjve 13:4.
[Shënimi]
^ par. 7 Për një trajtim të hollësishëm të kësaj teme, shih të lutemi artikullin «Martesat incest: Si duhet t’i shohin të krishterët?» në Kullën e Rojës të 15 marsit 1978, faqet 25, 26, anglisht.