Sa e rëndësishme është pastërtia?
Sa e rëndësishme është pastërtia?
PASTËRTIA ka kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Për shembull, kur një djali të vogël mamaja i thotë të lajë duart dhe fytyrën, ai mund të mendojë se mjafton t’i mbajë gishtat në ujin që rrjedh dhe të lagë buzët. Por mamaja e di më mirë. E çon përsëri djalin në banjë dhe ia fërkon duart e fytyrën me ujë të bollshëm e sapun, pavarësisht nga kundërshtimet e tij me zë të lartë.
Sigurisht, normat për pastërtinë nuk janë njësoj në të gjithë botën dhe njerëzit rriten me koncepte të ndryshme për pastërtinë. Në të kaluarën, në shumë shtete një mjedis i pastër e i rregullt në shkollë i ndihmonte nxënësit të zhvillonin zakone të mira për pastërtinë. Sot, disa oborre shkollash janë kaq plot e përplot me mbeturina e gjëra të thyera, saqë më shumë i ngjajnë një koshi plehrash, sesa një vendi për të luajtur ose për të bërë ushtrime. Por, ç’të themi për klasat? Darreni, i cili punon si rojë në një shkollë të mesme në Australi, komentoi: «Tani shohim pisllëk edhe nëpër klasa.» Disa nxënësve, urdhri «Ngrije atë mbeturinë» ose «Pastroje vendin» u duket si një ndëshkim. Problemi është se disa mësues e përdorin vërtet pastrimin e diçkaje si një mjet ndëshkimi.
Nga ana tjetër, të rriturit nuk janë gjithnjë shembuj të mirë pastërtie, si në jetën e përditshme, ashtu edhe në botën e biznesit. Për shembull, shumë mjedise publike lihen rrëmujë e në një gjendje që të vret sytë. Disa industri e ndotin mjedisin. Gjithsesi, ndotja nuk shkaktohet nga industritë dhe bizneset, të cilat janë të pajeta, por nga njerëzit. Ndonëse lakmia është ndoshta shkaku kryesor i problemit mbarëbotëror të ndotjes dhe të pasojave të saj të shumta negative, ky problem shkaktohet pjesërisht edhe nga zakonet e këqija personale për pastërtinë. Një ish-drejtor i përgjithshëm i Komonuelthit të Australisë e mbështeti këtë përfundim, kur tha: «Të gjitha problemet e shëndetit publik kanë të bëjnë me atë se sa e vlerëson pastërtinë çdo burrë, çdo grua dhe çdo fëmijë.»
Mirëpo, disa mendojnë se pastërtia është një çështje personale dhe nuk duhet t’i interesojë askujt tjetër. A është vërtet kështu?
Të theksosh rëndësinë e pastërtisë nuk është kurrë e tepërt kur bëhet fjalë për ushqimin, edhe nëse e blejmë në treg, edhe nëse e hamë në ndonjë restorant ose jemi të ftuar në shtëpinë e një miku. Nga ata që e kalojnë nëpër duar ose e shërbejnë ushqimin që hamë, pritet një normë e lartë pastërtie. Duart e pista—të tyret ose tonat—mund të jenë shkak për shumë sëmundje. Ç’të themi për spitalet, të cilat janë vendi
ku presim të gjejmë pastërti më shumë se në çdo vend tjetër? The New England Journal of Medicine raportoi se fakti që mjekët dhe infermieret nuk i lajnë duart mund të shpjegojë në njëfarë mase përse pacientët që shtrohen në spitale marrin infeksione, të cilat kushtojnë deri në dhjetë miliardë dollarë në vit për t’u kuruar. Me të drejtë, ne presim që asnjë të mos e vërë në rrezik shëndetin tonë për shkak të zakoneve të tij të papastra.Gjithashtu, është një gjë shumë serioze kur dikush—me dashje ose pa u menduar shumë—ndot rezervat e ujit të pijshëm. Veç kësaj, sa e sigurt është të ecësh i shkujdesur zbathur në një breg deti, ku mund të shohësh shiringa të përdorura, të cilat i kanë hedhur të droguarit dhe njerëz të tjerë? Ndoshta me më shumë rëndësi për ne personalisht është pyetja: A është pastërtia një praktikë në shtëpinë tonë?
Suelen Hoji, në librin e saj Zhdukja e papastërtisë (Chasing Dirt) pyet: «A jemi aq të pastër sa ishim më parë?» Ajo vetë përgjigjet: «Ka shumë të ngjarë që jo.» Si arsyen kryesore, ajo përmend ndryshimin e vlerave në shoqëri. Duke qenë se kalojnë gjithnjë e më pak kohë në shtëpi, njerëzit thjesht paguajnë dikë tjetër që t’u pastrojë shtëpinë. Për pasojë, mbajtja e një mjedisi të pastër nuk është më një çështje me rëndësi personale. «Unë nuk pastroj dushin, pastroj vetëm veten time,—tha një burrë.—Të paktën, edhe sikur shtëpinë ta kem të pistë, vetë jam i pastër.»
Megjithatë, pastërtia shkon përtej pamjes së jashtme. Ajo është një normë gjithëpërfshirëse që karakterizon një mënyrë të shëndetshme jetese. Gjithashtu, është një gjendje e mendjes dhe e zemrës që përfshin normat tona morale dhe adhurimin tonë. Le të shohim përse.